KUR AT GJERGJ FISHTA MORI VESHT …

SE  LULZIM  BASHA  KA  THANË  QË: 

“FAJIN  E  KANË  KATOLIKËT  E  VERIUT”… KA  LËSHUE

NJI GJAMË  DËSHPRIMI

Përgatiti Fritz Radovani

16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik e kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika t’ At Fishtës kunder politikës shoveniste ruse të Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon politikat pansllaviste kundër Shqipnisë. Komentoi At Viktor Volaj O.F.M. 1941.

 

  1. Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk nuk ka;

            Nuk ka ma burra, qi me drrasë t’ krahnorit

            Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

            Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:

            Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

            Pa Atme sod ka mbetë, pa plang, pa shpi!

  1. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;

            Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

            E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

            Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

            Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

            Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

  1. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull ulani xêhêt fjetun?!…

  1. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelqyeshem, qi pre’ Empirit 

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

            Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

            Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

            E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

            E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

  1. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

            E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

  1. E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

            E e shoftë me fise, popuj e qytete;

            Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

            Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

            Selit e saja grimë me grimë u theshin;

            Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

  1. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

  1.          O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sod qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

  1. Me parsme t’ona n’ ata t’ hershmet mota

            Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

            Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

            Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

            U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

            Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

  1. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

            Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

            Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

            Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

            Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

            Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

  1. E kur per pesqind vjet na nder veriga

            Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

            E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

            Na reshte anmiku, tue na nzitë pa da,

            N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

            E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na njiti.

  1. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

                        Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

                        E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

                        Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

                        Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

                        Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

  1. Veç sod pse Evropa, sod qi asht t’ gjith uzdaja

            Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

            Pse sod Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

            Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

            E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

            E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

  1. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

            Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

            E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

            As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

            Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

            Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

_____________________________________________________________

Shenim nga At Viktor Volaj O.F.M.: 1941. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë. Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skanderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqypninë.

14.O Zot i lum….Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit.

Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.

Shenim nga F.Radovani: Thanjen e L. Bashës një Mik i imi e ka percaktue me këto fjalë: “E pafalshme dhe shumë e poshter, antikombëtare.”

            Melbourne, 16 Maji 2017.

 


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----