Kryeministrin Rama pse e paska lëshuar zemra?!

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

 

Përmes faqeve të internetit, u njoha me një deklaratë të Kryeministrit Rama në një intervistë për gazetën angleze “The Telegraph”. Në këtë gazetë thuhej:

“Ballkani është në rrezikun e rrëshqitjes nën influencën ruse nëse administrata Tramp injoron rajonin. Kështu shprehet kryeministri shqiptar Edi Rama”.

Në atë intervistë Kryeministri Rama paska deklaruar se pa mbështetjen e Bashkimit Europian “Ballkani nuk do të jetë një vend ku do të ketë paqe dhe bashkëpunim” (Citohet sipas: “Rama, presion administratës Tramp: po na braktisët, na marrin rusët”. Marrë nga faqja e internetit “lapsi.al”. 24 shkurt 2017).

Kjo deklaratë e Kryeministrit Rama është befasuese. Sipas tij, Republika e Shqipërisë, pa përkujdesjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, do t’u katandiska në një “jetime” hesapi dhe, automatikisht, “do të përfunduaka” në prehërin e Rusisë!!!

Në deklaratën e Kryeministrit Rama bie në sy një disfatizëm i kulluar. Ky disfatizëm është larg qëndrimit të tij burrëror nga foltorja e Kuvendit më 03 nëntor 2016, kur ai, në debatin me Vangjel Dulen, me këtë mohues të Çështjes Çame, Athinës zyrtare ia përplasi të katër të vërtetat në fytyrë jo vetëm për krimet barbare që Greqia pati kryer kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë, por edhe për qëndrimin që ajo ka mbajtur dhe mban ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët i detyron të ndryshojnë emrat dhe bindjet e tyre fetare. Ai qëndrim i Kryeministrit Rama atë ditë të 03 nëntorit në foltoren e Kuvendit për një Çështje Kombëtare me rëndësi të jashtëzakonshme, s’ishte vënë re në karrierën e asnjë kryeministri shqiptar që prej vitit 1920. Por deklarata e tij në intervistën e lartpërmendur është tepër zhgënjyese. Sipas kësaj deklarate, u dashka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ta kenë vazhdimisht nën përkujdesje Republikën e Shqipërisë, se, për ndryshe, rusët e Putinit i paskemi “prapa derës”!!! Por a nuk e mendon Kryeministri Rama se, në mënyrë të veçantë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta kenë nën përkujdesje Republikën e Shqipërisë, vetëm nëse klasa politike shqiptare ka ndër mend të ndërtojë një shtet ligjor, në mënyrë që, të gjithë, pa përjashtim, të jenë të barabartë para ligjit?

Dikur, andej nga fillimi i viteve ’90, në vendin tonë pati ardhur për vizitë Zhozef DioGuardi dhe në takimet që pati zhvilluar me përfaqësues të lartë të politikës shqiptare, pati lënë porosi që ata të ndërtonin në Shqipëri një demokraci të modelit amerikan. Që asokohe ka kaluar një çerek shekulli dhe demokracia e modelit amerikan në Shqipëri është vite drite larg nesh. Atëherë lind pyetja: po si qenka e mundur që Republika e Shqipërisë ta merituaka përkujdesjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përderisa klasa politike shqiptare nuk dëshiron ta ndërtojë shtetin ligjor, kur në parlamentin shqiptar janë të pranishëm deputetë me të kaluar kriminale, kur politikanët janë shndërruar në oligarkë të fuqishëm që s’duan t’ia dinë për hallet e popullit, kur hendeku i varfërisë midis pasanikëve dhe skamnorëve ka ardhur duke u bërë edhe më i thellë gjatë këtij çerek shekulli, kur reforma në drejtësi nuk fillon të zbatohet, para së gjithash, për politikanët e korruptuar, duke nisur nga krerët e lartë të shtetit dhe deri te gjykatësit dhe prokurorët, deri te profesorët e universiteteve dhe mësuesit e shkollave, deri te mjekët e spitaleve, ku qytetarëve të thjeshtë u ripen shtatë palë lëkurë, paçka se sa për sy e faqe është deklaruar për shërbime shëndetësore falas?

Në këto kushte, vështirë se mund të shpresohet për një mbështetje në vazhdimësi për vendin tonë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse shteti antiligjor që ka ndërtuar klasa politike shqiptare, është kopje tipike e shtetit antiligjor që ka ndërtuar Vladimir Putini në Federatën Ruse. Prandaj tingëllon e çuditshme thirrja e Kryeministrit Rama për përkrahje nga ana e administratës amerikane, ndërkohë që në Shqipëri klasa politike ka ndërtuar modelin putinian të qeverisjes së vendit.

E kam të pamundur të deklaroj me bindje të plotë nëse Kryeministri Rama, përsonalisht, nuk dëshiron të ndërtojë një shtet ligjor, apo ai është i kapur keq nga oligarkët e fuqishëm, të cilët nuk e lejojnë ta ndërtojë një shtet të tillë. Sidoqoftë, deklarata e tij për “rrezikun” e rënies së vendit tonë nën ndikimin rus, dëshmon se ekziston një prirje e theksuar e majtizmit shqiptar për t’i kthyer “antenat” nga Lindja me aromë ruse. Por majtizmi shqiptar harron që Rusia ka qenë varrmihësja e pamëshirshme e Çështjes Kombëtare Shqiptare, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës dhe deri te qëndrimi ndaj Republikës së Kosovës. Qëndrimet thellësisht armiqësore të politikës dhe të diplomacisë ruse ndaj kombit shqiptar, i kam argumentuar me fakte konkrete në disa artikuj që kam pasë botuar në internet. Artikulli më i fundit me fakte të tilla, me titull “Mirënjohje për profesorin e gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut”, është botuar në internet më 25 dhjetor 2016.

Me deklaratën e lartpërmendur, Kryeministri Rama dëshmon se ose vetë është i pazoti, dhe prandaj e ka lëshuar zemra, për të ndërtuar një shtet ligjor, ose ai ka hyrë në pazare me oligarkët e fuqishëm që ka rreth vetes, të cilët nuk e dëshirojnë ndërtimin e një shteti të tillë. Sido që të jetë e vërteta, qoftë Kryeministri Rama, qoftë oligarkët rreth tij, nuk kanë as besim, as respekt ndaj popullit shqiptar, i cili, nën udhëheqjen e një klase politike me dinjitet të lartë kombëtar, është në gjendje të bëjë mrekullira. Prandaj deklarata disfatiste e Kryeministrit Rama më kujton një deklaratë po kaq disfatiste të Enver Hoxhës në vitet e para të pasluftës, i cili shpëtimin e vendit tonë e shikonte te bashkimi me Jugosllavinë titiste. Asokohe dhe pikërisht më 15 dhjetor 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike, ai pati deklaruar:

“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.

Pra, sipas Kryeministrit Rama, Republika e Shqipërisë, nëse nuk e ka pëkujdesjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, na rënka nën “pëkujdesjen” e Rusisë putiniane. Me fjalë të tjera, ajo nuk na qenka “e aftë” të mbijetojë vetë, si shtet i pavarur dhe sovran. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Shqipëria mund të mbijetojë për bukuri si një shtet i pavarur dhe sovran dhe, duke ndërtuar një shtet ligjor dhe me një demokraci të konsoliduar, ajo, automatikisht, do ta gëzojë përherë përkujdesjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, te populli shqiptar, shikojnë aleatin e tyre më besnik në krejt kontinentin evropian. Por është halli se klasa politike shqiptare nuk e dëshiron ndërtimin e një shteti ligjor dhe konsolidimin e një demokracie të vërtetë, sipas së cilës të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Kjo është plotësisht e mundur të arrihet, sepse shembullin e kemi të gjallë, para syve tanë. Kemi shtetin zviceran, i cili shërben si model i ndërtimit të shtetit ligjor. Çfarë e pengon Republikën e Shqipërisë të ndërtojë një shtet ligjor të modelit zviceran?

Republika e Shqipërisë, si një truall pjellor për politikanë oligarkë që janë kundër ndërtimit të një shteti ligjor, me sa duket, nuk nxjerr dot kurrë nga gjiri i vet politikanë të kalibrit zviceran. Personaliteti i njohur politik zviceran Kuke, ka pasë deklaruar para do kohësh:

       “Zvicra bashkëkohore është një vend mjaft i pasur dhe mund t’i lejojë vetes për një periudhë të gjatë t’u përmbahet parimeve të një integrimi te rezervuar, i cili është në gjendje të minimizojë presionin e Bashkimit Evropian dhe të sigurojë ruajtjen e specifikës së vet, domethënë ruajtjen e nivelit të fitimit të sektorëve të caktuar të ekonomisë kombëtare”.

       Shqipëria është shumë më e pasur sesa Zvicra, si me pasuri mbitokësore, edhe me pasuri nëntokësore. Por në Zvicër është konsoliduar një qëndrim krejt tjetër ndaj vetë thelbit të Bashkimit Evropian. Analistët zviceranë janë të mendimit se struktura e egër federative që kërkon të përvijojë Brukseli,  gjoja sipas modelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk mund të shërbejë si model për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit politik të Bashkimit Evropian. Shenjën e parë të këtij dështimi e dha Anglia, me vendimin që mori për largimin nga strukturat e Bashkimit Evropian.

       Kryenistri Rama, për arsyet që përmenda më lart, është ligështuar, e ka lëshuar veten dhe po përjeton çaste dobësie në ushtrimin e detyrës së tij, duke i kujtuar popullit shqiptar se vendi ynë “ka rrezik” të bjerë nën ndikimin rus. Me këtë rast, Kryeministrit Rama dëshiroj t’i kujtoj një këshillë të artë të shkrimtarit dhe të publicistit amerikan Robert Grin (Robert Green 1959), autor i veprave të njohura publicistike për psikologjinë dhe mekanizmin e funksionimit të pushtetit në shoqëri dhe në politikë, si edhe për veçoritë e të menduarit strategjik dhe ligjet e mashtrimit. Ai thotë:

“Kur e ndieni veten më të dobët, mos hyni në betejë në asnjë mënyrë për punë nderi. Është më mirë të kapitulloni… Mos i jepni kënaqësi fitimtarit të ndeshet me ju, kapitulloni paraprakisht”.

Santa Barbara, Kaliforni

26 shkurt 2017

 

 

Comments

comments

-----