Lapidari i Beratit kushtuar Dëshmorëve të Kombit

Nga Qerim Vrioni

 

     Ndër gjurmët që gërvish historia në mjediset publike,  lapidarët janë nga objektet më interesantë dhe më ndikues për njohjen e vlerave të paraardhësve. Përveç nivelit artistik dhe vlerave historike që ngërthejnë, ata shquhen dhe për jetëgjatësi për shkak të fortësisë së materialit ku ndërtoheshin, përgjithsësisht në beton, mermer, bronx ose gur. Në kuptimin e përgjithshëm, lapidari përbën një përmendore (monument) për të përjetësuar një ngjarje historike ose veprën e një personi a të një grupi njerëzish, me vlera të veçanta atdhetare, shkencore, kulturore dhe edukative. Lapidarët ngrihen në sheshe publike, ose në mjedise ku më herët kanë ndodhur ngjarje me rëndësi historike, shkencore e kulturore, të cilën përjetësojnë ata.

    Një nga lapidarët më të vjetër në vend, në mos më i hershmi, mbetet ai me mbishkrimin “Dëshmorëve të Kombit” në qytetin e Beratit. Ai ka për autor skulptorin e njohur Dhimitër Çani (1904-1990), i cili në atë kohë shërbente si mësues në Berat. Lapidari është përuruar me një ceremoni madhështore të organizuar nga Bashkia më 28 nëntor 1935, me rastin e 23 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

     Në një korespondencë nga Berati të datës 29 nëntor 1935 për gazetën “Demokratia” (që botohej në Gjirokastër) të datës 14 dhjetor 1935, me titull “Monumenti i Dëshmorëve” e të nënshkruar “Volabishti”, shkruhet mbi këtë përurim : Dje ditën e madhe të mvehtësisë, që u kremtua me shkëlqim të veçantë, dhe passi muarnë fund lutjet dhe fjalimet e rastit, gjendja ashtu siç ishte mbledhur tue pas në krye autoritet civile dhe ushtarake dhe tue qen të rradhitur nxënësit dhe nxënëset e shkollave dhe paraushtarakët me bandën e tyre në krye, u-drejtua nga rruga Mbretërore për në Parkun e qytetit. Kortezhi madhështor, pas pak minutave, arriti në Park për të inauguruar monumentin e ngritur prej Bashkisë këtushme në vendin më të bukur dhe si shenjë mirënjohje e adhurimi për të përjetësuar kujtimin e Dëshmorëve të Kombit: Baki Gjinokastra, Ismail Klosi, Hajredin Fratari nga Mallakastra dhe Muharrem Lleshi nga Berati. Sipas artikullit të mësipërmë në kremtime mbajtën fjalë Prefekti, Qazim Bodinaku, avokati Xhevdet Mehqemeja, At Ali Tomori, Xhevdet Luloçi etj.    

     Pjesa kryesore e lapidarit  është një paralelpiped me bazë katrore i ngritur mbi tri shkallë, në faqen e parë të të cilit shkruhet me gërma të mëdha :”Dëshmorëve të Kombit-Bashkia e Beratit, 1935”. Në anën e kundërt paraqitet një bazorelief ku shihen katër kalorës që ecin të prirë nga Flamuri Kombëtar. Lapidari është ndërtuar prej betoni dhe lyhet zakonisht me bojë të bardhë.

    Dy vite më pas, më 1937, Dhimitër Çani realizoi në mermer bustin e atdhetarit të njohur beratas, Babë Dudë Karbunarës, i cili qëndron gjithashtu edhe sot në qëndër të Beratit.

    Po kush ishin këta atdhetarë që ranë theror për çështjen kombëtare e iu kushtohej ky lapidar mbi 80 vjet më parë?

    Baki Gjebrea (ose Gjirokastra) i njohur edhe me emrin Abdyl Bakiu (1859-1915), ishte një atdhetar i shquar nga Gjirokastra, por me veprimtari kryesisht në Berat. Më 1908, ai formoi në Berat “Komitetin Shqiptar” dhe më 1912 është ndër protagonistët e ngritjes së Flamurit në Berat. Pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Baki Gjebrea bëhet drejtor finance në Vlorë pranë qeverisë së Ismail Qemalit. Gjatë vitit 1909, ai drejtoi “botimin e gazetës “Zgjimi i Shqipërisë (Lleshi Xhevahir-Berati-Betlehemi shqiptar-UEGEN,Tiranë, 2012-f.126). Në vitin 1914, kur forcat e errëta turkomane të Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit (ish-myftiu i Tiranës) terrorizuar Shqipërinë e Mesme, Baki Gjebrea ishte një nga atdhetarët më në ze të Beratit. Kështu ai i kap nga ushtarët e Musa Qazimit dhe u ekzekutua në oborrin e burgut të qytetit, më 15 prill 1915 duke thirrur “Rroftë Shqipëria” (Gazeta “Demokratia”, 6 prill 1935).

   Ismail  Klosi (1886-1915)-/shtë lindur në Klos të Mallakastrës dhe qysh në moshë të re, rreth vitit 1906,  lidhet me çetat atdhetare që luftonin për pavarësinë e Shqipërisë nga zgjedha e zgjatur otomane. Në vitin 1910, Ismali Klosi ka qënë pjesëmarrës aktiv në krijimin e “Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë“ për Prefekturën e Beratit e një vit më vonë, 1911, Klosi gjendet në Mitngun e njohur të Cepos, që pati rëndësi të madhe për organizmin e veprimtarive patriotike. Po ashtu, I.Klosi ka kontribuar në hapjen e shkollave shqipe në Berat (Xh.Lleshi-libër i cituar më sipër, f.129). Në vitin e Madh 1912, Ismail Klosi merr pjesë në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Në pranverë të vitit 1915 u kap në Berat nga forcat e Musa Qazimit dhe u ekzekutua në burgun e Beratit më 15 prill 1915 duke thirrur “Rroftë Shqipëria”.

Lapidari sot

  Hajredin Fratari (1880-1915)—Ishte nga një familje  njohur atdhetare të fshatit Fratar të Mallakastrës, ka kryer studimet e larta për drejtësi në Stamboll. Pas kryerjes së studimeve, Fratari hapi një zyrë avokatie në Janinë, nga ku më 1906, kthehet në vendlindje dhe çel shkollën e parë shqipe në Mallakastër, por që u mbyll shpejt nga autoritetet turke për mospërhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Ka qënë antar i “Komitetit Shqiptar” për prefekturën e Beratit. Ra dëshmor në Berat në vendin e quajtur “tek çikrikët” më të dalë të Beratit në muajin prill 1915 (Gazeta “Drita”, 26 nëntor 1937).

   Muharrem Lleshi (1870-1914)—Është vrarë me flamur në dorë më 29 qershor 1914 (Xh.Lleshi-Berati-Betlehemi Shqiptar-libër i cituar,f.162) duke luftuar kundra forcave rebele turkoshake të Musa Qazimit. Sipas artikullit të revistës “Minerva”….u goditë në krahëror dhe ra dëshmor me flamur në dorë. Kënga popullore e kallzon kështu ngjarjn e asaj kohe : Si rrufe Muharrem LleshiË Tradhëtorëve i u lëshuaË Si vrau barbarë sa deshiË Therorisht u varrua (Minerva, Nr.36, dhjetor 1935).

     Lagjja e qytetit ku ndodhej parku brenda të cilit ishte ngritur Lapidari (lagjja Murat Çelepi) u quajt, prej vitit 1935, për një kohë të gjatë “Lagjja Dëshmorët e Kombit”, duke nderuar kësisoj kujtimin e Katër Dëshmorëve. Më pas, ndoshta ngase përkujtonte viktimat e “heroit popullor” Haxhi Qamili, të kthyer në simbol pozitiv nga diktatura komuniste, ky emërtim u mënjanua zyrtarisht nga përdorimi.

   Për katër Dëshmorët e Beratit  janë krijuar dhe kënduar këngë të veçanta në disa qytete të vendit, si në Berat, Tiranë, Gjirokastër e Elbasan (Xh.Lleshi-libër i cituar, f.160), çka flet për jehonën e gjerë veprimtarisë së tyre për çështjen kombëtare.

   Bashkëngjtur me shkrimin është edhe një fotografi nga dita e përurimit të Lapidarit të cilën ma dërguan nga Nju Jorku (ShBA) miqtë e mij, Shpresa dhe Luan Leka. Fotoja ndodhej në arkivin e familjes Leka, sepse në rreshtin e parë të saj duket edhe i ati z.Luan Leka, avokati me emër i qytetit Rakip Leka (në foto me dorashka të zeza dhe një letër të bardhë nër duar). Me këtë rast u shpreh mirënjohjen time miqëve të largët për dashamirësinë e treguar. Ka shumë të ngjarë që autor i fotos të jetë fotografi i njohur i Beratit, Ilia Xhimitiku, i cili përjetësonte vazhdimisht në letrën fotografike të gjitha ngjarjet politike dhe shoqërore të qytetit.

Dhimite Cani para vepres se tij, bustit te Bab Dudes, 1935

   Në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Lapidarit iu shtua para një pllakë e zezë mermeri me emrat e Katër Dëshmorëve. Pavarësisht qëllimit të mirë njohës dhe informativ, mendoj se ajo kërcet nga ana pamore në gjithë ansamblin e tij, përgjithësisht i bardhë. Në të vërtetë, emrat e tyre mungonin në monument qysh prej realizmit, dhe diçka duhej bërë, se pak njerëz (sidomos brezi i ri) e njihnin historinë e ngritjes së tij. Veçse për këtë, nevoitej mendimi i arkitekteve dhe skulptorëve për  plotësimin e mangësisë së vjetër, si rrjedhojë e palargëpamësisë së ideuesve. Gjithashtu, nuk mund të thuhet se këtij Lapidari Historik, ndoshta më të hershmit në Shqipëri, i kushtohet një kujdes shembullor nga organet e pushtetit lokal në Berat, çka nuk mund të mos ngjalli keqardhje.

Bareliefi i Lapidarit

   Ceremoninë e përurimit të Lapidarit, me rastin e festimit të 23-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare , siç e përmendëm më sipër, e ka pasqyruar në faqet e saj edhe revista “Minerva” (Nr.36, dhjetor 1935) me një shkrim të titulluar “Monumenti i Dëshmorëve të kombit në Berat”. Autori i artikullit ishte avokati i njohur i qytetit, Xhevdet Mehqemeja, i cili e mbylli atë me këto fjalë: “Njerëzit vdesin, por idealet për të cilët luftojnë herojt e një kombi ushqehen dhe rriten me gjakun e dëshmorëve” (Revista Minerva e cituar). E, për mbajtjen gjallë në jetë të jetëve të idealeve të këtyre dëshmorëve qëndron  si Roje Nderi edhe ky Lapidar i vyer.

Comments

comments

-----