SHEKULLI ËSHTË PREMTUES, POLITIKA NË NGËRÇ

(Mendime për veprën “Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat” të R. Qosjes)

Nga Thanas L. Gjika

         Akademiku Rexhep Qosja, ka një gjysëm shekulli që shkëlqen në botën shqiptare me veprën e tij shumëdimensionale si studiues i letërsisë, shkrimtar, kritik letrar, analist, politolog e mendimtar elitar. Leximi i veprave të tij është një kënaqësi intelektuale për çdo shqiptar. Vitin e kaluar, viti i 80-vjetorit të tij, ai shkroi e botoi studimin “PUSHTETI I KORRUPTUAR – PROTAGONISTËT DHE VIKTIMAT” TOENA, Tiranë 2016, 232 f.

         Në 19 kapitujt e veprës shpalosen shqetësimet e kritikat e këtij qytetari guximtar për gjendjen e rëndë politike të dy shteteve shqiptare. Si askush tjetër Qosja e shikon dhe e analizon botën shqiptare si një të vetme. Ai e vlerëson drejt shekullin XXI për ne shqiptarët me rrethana të jashtme shumë optimiste e premtuese, për të fituar kohën e humbur gjatë shekujve të kaluar, në ecurinë e proceseve demokratike. Mirëpo jemi ne shqiptarët, pushtetarë dhe popull, të majtë e të djathtë, që nuk po ecim në rrugën e mbarë dhe po pengojmë veten si inaçorë të pajustifikueshëm, duke e shfrytëzuar demokracinë për interesa të ngushta personale, grupi, ose partie. Me pak fjalë autori zbulon fatkeqësinë tonë:       “Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se i ashtuquajturi pluralizmi partiak, kushti i parë i ndërtimit të demokracisë, do t’u bëjë të mundshme prijësve partiakë që në disa raste ta shtojnë shumë, pamatshëm shumë, me çka duhet e me çka s’ duhet armatën e tyre partiake, me të cilën do të sundojnë, do të shfrytëzojnë, do të frikësojnë, do të shantazhojnë, të fajshëm e të pafajshëm, të dijshëm e të padijshëm, të vegjël e të mëdhenj, besnikë të pasigurt, e mospajtues të padyshimtë”(f. 10). E kështu shumë lehtë e shumë shpejt, thekson ai, u prish aq shumë lënda e quajtur “njeri politik”.

         Fatkeqësia jonë, si në Shqipëri e Kosovë, tregon autori, qëndron në disa dukuri negative si: partitë dhe prijësit e tyre janë të gjithmonshëm, pushtetarët e sotëm mënjanojnë dhe shpërfillin të përndjekurit e vërtetë të regjimeve të kaluara dhe hiqen vetë si të përndjekur. Këta shpërdorojnë zgjedhjet me anë të të cilave zgjidhen jo deputetë të popullit por deputetë të partive të cilët e kanë kthyer demokracinë në demokraci totalitare, ku politika e ka pushtuar çdo anë të jetës sonë ekonomike, shoqërore, të medies, etj duke krijuar një feudalizëm partiak, një sundim despotik sulltanor dhe sundim oligarkik rural. Kjo gjendje është krijuar prej kryefeudalëve partiakë me anë të shërbimit të verbër të disa njerëzve servilë, që gjenden lehtë për dy arsye: “e para, sepse të tillë  të dëgjueshëm ka krijuar vetë historia jonë me pak vite pavarësie dhe me shumë e shumë shekuj robërie dhe e dyta, sepse të tillë të dëgjueshëm e të tillë të panënshtrueshëm, krijojnë dhe vetë privilegjet që të shquarve të tyre u sigurojnë firmat e quajtura parti politike shqiptare” (f.43).

         Në një kohë që në Shqipëri e Kosovë ka një numër shumë të madh njerëzish me diploma të shkollave të larta, madje dhe me tituj shkencorë dhe profesorë e akademikë, studiuesi vë theksin se shoqërisë sonë i ka munguar e i mungon elita intelektuale. Elita e vërtetë ka vlera shoqërore për shkak të pavarësisë së të menduarit dhe të sjelljes. Eshtë identiteti yt mendor e moral ai që të bën të quhesh intelektual, kurse nënshtrimi i interesave të përgjithëshme ndaj leverdive vetiake të përjashton nga të qenit intelektual, pa le pastaj intelektual elitar. Elitë intelektuale në Shqipërinë diktatoriale nuk ka qenë sipas tij as shkrimtari i talentuar Ismail Kadare, i cili me krijimet letrare, me publicistikë, me funksione politike e shtetërore, i shërbente diktaturës komuniste. Elitë, thotë ai, ishte Martin Camaj, i cili për shkak të mospajtimit me atë diktaturë, iku një herë në Jugosllavi e mandej në Gjermani, ku krijoi veprat e veta dinjitoze. E pas emrit Ismail Kadare, lexuesi nuk ka pse të mos rendisë edhe armatën e shkrimtarëve, artistëve, studiuesve etj, që ishin më poshtë për nga vlerat qytetare se Kadareja, të cilët as sot nuk kanë kërkuar të falur për veprat pro regjimit, si kërkoi Kadareja duke e pranuar epitetin “poet i oborrit” që më 1992. Kurse pas emrit të Martin Camajt si intelektualë elitarë, lexuesi nuk ka pse të mos sjellë në mendje edhe intelektualët e tjerë  të arratisur Arshi Pipa e Sami Repishti, si dhe emrat e krijuesve të burgosur si Mitrush Kuteli, Petro Marko, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, etj; të poetëve të pushkatuar Genc Leka e Vilson Blloshmi, poetit Havzi Nelaj, të cilin e varri shteti diktatorial shqiptar.

         Duke e shtrirë këtë dukuri dhe në Kosovë, studiuesi shton se nuk ishin elitë Sinan Hasani, Enver Gjergjeku, Rahman Dedaj, Azem Shkreli, të cilët gojarisht dhe me shkrim përkrahnin politikën e Sërbisë ndaj shqiptarëve dhe njëheresh dënonin si kundërrevolucionare demonstratat e sudentëve që kërkonin Kosovën Republikë. Elitë ishte në Kosovë Adem Demaçi, i cili me vepra dhe me shumë vite burgu ishte ngritur kundër pushtimit sërb e politikës antishqiptare të Jugosllavisë. Po kështu ai ve përballë pushtetarëve të sotëm të Kosovës veprimtarët e Lëvizjes Vetvendosja, të cilët shprehen në Kuvendin e Kosovës e në protesta kundër korrupsionit qeveritar dhe për ardhmërinë e popullit e të shtetit shqiptar si shtet vërtet i pavarur.

         Njeriu është qenie interesi dhe në veprimet e veta mban parasysh interesin e tij e të familjes së vet, por ky proces duhet të kryhet sipas disa normave morale që i ka pranuar shoqëria e legjislacioni. Kurse në jetën e Shqipërisë pas fitores së pluralizmit dhe në jetën e Kosovës pas fitores së pavarësisë, shihet një dukuri qesharake dhe e rrezikshme: njerëzit për interesat e tyre vetiake e kanë ndërruar shpejt e shpesh lëkurën e janë shpallur nga të majtë në të djathtë, nga të matur në të nxituar, nga fjalëpakë në fjalëshumë e fjalëpandalshëm, nga frikacakë në trima, dhe nga të varfër u bënë të pasur. Dhe këtë turavrap autori e mbyll me shprehjen: “Ishin çka ishin e u bënë çka nuk do të jenë gjatë”(f. 58).  Sepse duke shpallur “logjike” gjithça praktike dhe të leverdisshme, prodhohet pandershmëri dhe servilizëm i neveritshëm, të cilët nuk jetojnë gjatë.

         Mendimtari e analisti Qosja e vlerëson thënien e shkrimtarit francez të kohës së Komunës së Parisit, Moris Zholi: “Për të qenë të lumtur popujve më tepër u duhen njerëzit e ndershëm sesa njerëzit e talentuar” (f. 66). Duke përqafuar këtë mendim ai e dënon korrupsionin e gjithanshëm të qeveritarëve të të dy shteteve shqiptare duke përmendur raste konkrete ministrash etj. Ai sulmon privatizimet e padrejta të pasurisë së populit, kërkon zbatimin sa më parë të dhënies llogari (Vetingut). Sulmon nepotizmin, emërimin në poste drejtuese të njerëzve të farefisit e të grupit, arsimin e mesëm e të lartë që ka sasi por jo cilësi. Kritikon ashpër shpërfilljen e kulturës prej shumicës së partive politike, sidomos në Kosovë, gjë që ka sjellë si pasojë vlerësime të padrejta, pandjeshmëri ndaj atyre që u përket e drejta, populizëm folklorizues të djathtë neofashist, elitizëm i shtirë e i rrejshëm, ky më i dukshëm në Shqipëri. Bashkë me këto është shfaqur hapur dhe rikthimi i censurës dhe i vetëcensurës sidomos në disa stacione televizivë si Televizioni publik i Kosovës, TV Klan i Shqipërisë e i Kosovës, TV ABC në Tiranë etj. Pa kulturë, thekson autori, nuk mund të ecet në asnjë fushë të jetës, madje as në luftë, si ka thënë W. Çurçilli.

         Më tej Profesor Qosja ndalet në çështjen e fesë e qëndrimit ndaj saj. Ai vlerëson “Biblën” e “Kuranin” si vepra madhështore mendimore, etike, fetare, zakonore, poetike dhe pastaj dënon ashpër terrorizmin fetar islamik xhihadist, si një dukuri shkatërimtare e dhimbjeprurëse, që është e shkëputur prej islamit të vërtetë. Qosja bashkohet me humanistin e madh Papa Franceskun për dënimin e ISIS-it dhe dallimin e tij prej islamit: “Nuk është e drejtë të flasësh për një islam të dhunshëm. ISIS-i nuk është islam” (f. 127). Autori del në mbrojtje të Kosovës e popullit shqiptar të atjeshëm. Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë me ISIS-in, deklaron ai me krenari, kundër disa xhepaxhinjve e çerekintelektualëve që e gjynaqepsin Kosovën e popullin shqiptar si bastion të ISIS-it.

         Duke e mbyllur çështjen e fesë, studiuesi Qosja shpall dhe qëndrimin e vet ndaj besimit: “isha, jam e mbetem njeri i deklaruar vetëm për besimin e quajtur shkencë dhe art, domethënë krijimtari shpirtërore, i vetëdijshëm se ai njeri, ajo specie e quajtur njeri, vetëm në saje të krijimtarisë shpirtërore, vetëm në saje të shkencës, është aftësuar për të njohur natyrën, për të humanizuar veten e shoqërinë, për të ndërtuar jetën e denjë, kolektive, në organizimin që i thonë Shtet etik” (f. 128).

         Në libër kritikohet edhe sistemi mjekësor i Kosovës dhe i Shqipërisë, sepse këtu autori vë re se ndërsa mjekët janë shumë të zotë, mjekësia është e dobët, për shkak të politkës së qeverive e qeveritarëve të pandërgjegjshëm, që nxisin një politikë mjekësore pa shkencë, që rrezikon shëndetin trupor, atë shpirtëror e moral dhe shëndetin shoqëror të popullit. Kjo gjendje është krijuar sepse shteti, sidomos ai i Kosovës, nuk bën investimet e duhura. Të dy qeveritë kanë shpallur e shpallin tendera për përfitime të disa individëve, të lidhur me pushtetarët. Reforma e sistemit mjekësor që tashmë ka filluar në Shqipëri, thekson autori, duhet të bëhet sa më shpejt edhe në Kosovë. Në fund të këtij kapitulli autori, përsëri shpall “fajtor jemi ne, sovrani”, i cili rri gojëkyçur e nuk e ngre zërin e nuk kërkon me ngulm të drejtat e veta, ashtu si për problemet e tjera edhe për shëndetësinë.

         Një problem tjetër ku është ndalur mendimtari, është provincializmi, si mendësi që shfaqet në kritikën letrare, artistike, filmore e shkencore, e cila ka sjellë shpërfytyrim në vlerësimin e veprave të ndryshme; dhe posaçërisht në politikë ku ka sjellë pasoja më të rënda shoqërore e shtetërore.

         Provincializmi në politikë ka shkaktuar lindjen e idesë provinciale të krijimit të kombit kosovar, një ide feudale jashtë kohe. Së pari këtë ide e sajuan politikanët sërbë gjatë regjimit titist për të shuar idenë e pavarësisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Sot disa politikanë provincialë të Kosovës e kanë gjallëruar këtë ide për interesa të ngushta vetiake. Ata “nuk duan ta dijnë se Shqipëria dhe Kosova ishin një, se Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, dhe meqenëse ishin Një gjatë historisë, pashmangshëm do të jenë Një edhe gjatë ardhmërisë” (f. 154).

         Ideja e kombit kosovar, është ide e sajuar dhe e mbrojtur prej ideologëve sërbomëdhenj, thekson autori, është e komprometuar vetvetiu sepse është ide  e vjetëruar, reaksionare e kundërkombëtare. Ajo është ide anakronike, reaksionare, kundërkombëtare, sepse popullin shqiptar të Kosovës e kanë njohur në shekuj dhe e njohin edhe sot si pjesë të popullit shumëshekullor shqiptar, që ka një një gjuhë të tij të veçantë, një kulturë të përbashkët, një histori të veçantë, qytetërimin e tij të njohur që nga Antikiteti, të cilat prej gjithë shqiptarëve dhe të huajve janë njohur e quhen “popull shqiptar, komb shqiptar, gjuhë shqipe, histori shqiptare, kulturë shqiptare, qytetërim shqiptar” (f. 154). Bashkësia e këtyre vlerave madhore gjuhësore, historike, kulturore, shpirtërore e qytetëruese e ka bërë popullin tonë të mbijetojë në shekuj në territoret e veta dhe të ketë njohje europiane dhe botërore. Sot ky popull me përkrahjen e dy aleatëve të fuqishëm SHBA-të dhe BE, ka një të ardhme gjithnjë e më premtuese, prandaj, thërret autori, duhet t’i luftojmë ata individë e grupe që e mbështesin idenë monstuoze të kombit kosovar, që përkrahet prej një Sektori të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës e disa anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

         Kapitull të rëndësishëm përbën dhe kritika ndaj politikës së jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, ku studiuesi nxjerr në dukje dy mite të rremë që e dëmtojnë këtë politikë. Njëri mit është ai sipas të cilit presidenti W. Willson paraqitet vetëm si mbrojtës i Shqipërisë së pavarur në Konferencën e Paqes në Versajë më 1919. Dhe tjetri është ai sipas të cilit Europa paraqitet me servilizëm vetëm si mbrojtëse e lirisë së Kosvës dhe së ardhmes së saj, pa asnjë notë kritike.

         Autori u është mirënjohës SHBA-ve, shtetit të përbërë nga emigrantët e gjithë botës, për faktin se ky shtet tregon interesim politik në mënyrë aktive e vepruese ndaj çdo populli e shteti të planetit tonë, interesim, të cilin ai e quan të ligjshëm, sepse pa të Bota do të zhytej në kaos politik dhe luftarak, që do të rrezikonte mjerëzimin. Ai u është mirënjohës SHBA-ve për faktin se ato kanë luajtur rolin kryesor për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në njohjen çështjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe sidomos në ndihmën e armatosur për përfundimin e suksesshëm të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qershor të vitit 1999, për kthimin e shqiptarëve të dëbuar me dhunë prej tokave të veta prej regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Për të gjitha këto autori e quan plotësisht të arsyeshëm në të gjitha pikpamjet përkushtimin e popullit shqiptar dhe të dy qeverive shqiptare ndaj SHBA-ve, si shteti që ka luajtur rolin e jashtzakonshëmhistorik në fatin e popullit shqiptar. Por ai nuk le pa kritikuar një rast historik, rastin kur presidenti W. Willson në Konferencën e Paqes në Versajë më 1919 u pajtua me qëndrimin e kryeministrave të Anglisë, Francës e Italisë për njohjen e pushtimit italian të Vlorës dhe të protektoratit italian mbi Shqipërinë e vitit 1919. Nga kjo lëkundje presidenti amerikan u largua pas presionit të madh që i bënë disa delegatë shqiptarë të konferencës dhe telegramet e  shqiptarëve të kolonive. Qosja ngul këmbë se presidenti W. Willson gaboi atëhere edhe për faktin se ai nuk luftoi të zbatohej e drejta e popujve për vetvendosje edhe për popullin shqiptar të mbetur nën zgjedhën sërbe, malazeze e greke që nga viti 1912-1913, padrejtësi të cilën ai e njihte dhe që po e kërkonin në atë konferencë disa delegatë shqiptarë. Këtë fakt e kanë vënë në dukje para studiuesit Qosja edhe dy studiues të tjerë: Beqir Meta në librin “Federata Panshqiptare Vatra 1912-1920” GLOBUS Tiranë 2002, f. 222 dhe hartuesi i këtyre radhëve në monografinë “Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931” DDS Durrës, 2012, f. 150. Mirëpo historiografia shqiptare, e cila ecën pikërisht në rrugën e mitizimit nuk i ka marrë parasysh këto vëzhgime dhe nuk ka dashur e nuk do që të përmendet kjo lëkundje e këtij presidenti. Kështu që politikanët shqiptarë të të dy shteteve vijojnë pa të drejtë të ushqejnë mitin e presidentit W. Willson vetëm si mbrojtës i popullit shqiptar, mit prej të cilit duhet të çirohen, sepse ky qëndrim servil nuk sjell asgjë pozitive, vetëm prish punë. Profesor Qosja shkon edhe më tej, ai shpreh guximshëm mendimin e vet se amasadorët e SHBA-ve në Shqipëri e Kosovë disa herë kanë gabuar në qëndrimet ndaj grindjeve të pozitës e opozitë dhe e shpall të paarsyeshëm, madje “të pajelueshëm vendimin e ish ambasadores amerikane në Kosovë për t’u bërë flamuri i Kosovës ashtu si është bërë: pa atë pulën, si e quante ajo shqiponjën në flamurin kombëtar shqiptar” (f. 160). 

         Së fundi ai ngul këmbë se SHBA-të nuk kënaqen me politikë e retorikë servile shtetërore, ato kënaqen po të ndjekim një politikë të drejtë, vërtet demokratike, të lirë prej të këqiave politike, ekonomike, gjyqësore, arsimore, shëndetësore, kulturore, morale, prej të cilave politika shqiptare vuan sot.

         Miti tjetër i politikës së jashtme shqiptare është miti për Europën, vijon Qosja. Që nga Rilindja e këtej shqiptarët i kanë qenë dhe i janë mirënjohës qytetërimit europian për kulturën, arsimin, letrërsinë, kushtetutën demokratike, etj, gjë që e frymëzoi Naim Frashërin të shpallte: “dielli lind andej nga perëndon”! Sot të gjithë e dijnë se populli shqiptar ka jetuar dhe jeton në kontinentin që quhet Europë, prandaj, shton autori, të thuash se shqiptarët janë popull europian me patos e retorikë, siç e thonë demagogët politikë e letrarë, është si të thuash: “njeriu jeton duke thithur ajër, duke pirë ujë dhe duke ngrënë bukë” (f. 163). Në po këtë faqe autori shton se Presidenti i Shqipërisë, u bë qesharak, kur shpalli me seriozitet shtetëror se “shqiptarët janë komb që kanë në ADN-në e tyre orientimin perëndimor” Domethënë, shton studiuesi, orientimin e shqiptarëve nuk e caktojnë politika dhe interesat kombëtare, por ADN-ja! Marrëzi”! Të mirat europiane sot janë bërë mbarëbotërorere dhe nuk kanë lidhje me ADN-në e popujve. Pastaj nuk duhet të harrojmë, shton Qosja, se krahas të mirave të mëdha që kanë krijuar mendjet e njerëzve më të shquar europianë, që e kanë kuptimësuar e lehtësuar jetën e njeriut, kanë qenë po bij të Europës edhe ata që prodhuan kolonializmin, imperializmin, fashizmin, nazizmin (ne do të shtonim dhe diktaturën komuniste e luftën e klasave), racizmin e asimilimin etnik e fetar të popujve të kontinenteve të zbuluar. E për këtë arsye duhet që politika e jashtme e shteteve shqiptare nuk duhet të jetë servile, nënshtruese dhe mitike ndaj Europës, por ta dojë, ta respektojë atë duke ruajtur dinjitetin dhe identitetin e vet. Kështu politika e jashtme e Kosovës nuk ka pse të mos ia përmendë Europës faktin se po gabon duke nxitur Gjykatën e Veçantë, e cila si gjykatë me juristë ndërkombëtarë njëetnike, do të merret me dënimin e çlirimtarëve të Kosovës, ushtarëve të UÇK-së, “që mund të kenë rahur ndonjë tradhëtar bashkëkombas, ose ndonjë kriminel sërb gjatë luftës, por nuk po kërkon zbulimin dhe dënimin e kriminelëve sërbë që kanë bërë masakra ndër shqiptarët civilë të paramatosur në Dubravë, në Krushevën e Madhe e të Vogël, në Abrisë, Nagavs, Bellaqevc, Prekaz, Reçak, Celinë, Poklek, Rezallë, Leçinë, Raushiq e në shumë fshatra të tjerë” (f. 167)!

         Konkluzioni është i thjeshtë: Duhet të luftojmë për t’ia ngushtuar hapësirën shprehjes së servilizmit, sepse kështu ia zgjerojmë hapësirën shprehjes së dinjitetit tonë.

         Edhe më ashpër shprehet ky politolog kundër politikanëve servilë pa dinjitet personal që dalin nëpër tribuna e podiume për të përsëritur mendime të drejtuesit të tyre. Në qendër është z. Lulzim Basha një kiç politikan që gjoja ka zëvendësuar Sali Berishën dhe nuk ka sjellë asgjë të re në politkën e Partisë Demokratike si parti opozitare. Sulmet e profesor Qosjes ndaj tij ndonëse janë formuluar në verë të vitit 2016, tingëllojnë sikur janë shkruar sot, mbasi z. Basha kundërshtoi bisedimet me z. Rama e Meta dhe shpalli bojkotin e zgjedhjeve, duke e lënë Shqipërinë pa opozitë në këto zgjedhje, pra vetëm e vetëm se lufton për të shpëtuar kokën e Sali Berishës e të tijën prej Vetingut.

         Si filolog i shquar, autori di të kapë e zbulojë se çfarë fshihet pas gjuhës fyese të përçudnuar të politikanëve shqipratë të Shqipërisë e Kosovës, qofshin deputetë, ministra a kryeministra, të cilët shajnë e fyejnë kundërshtarët politikë pavarësisht nga mosha, pozita, gjinia. Mbi të gjithë këtu ai shënon kryeministrin e sotëm të Kosovës dhe ish kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha. Me fyerjet e tyre këta politikanë fyejnë jo vetëm kundërshtarët politikë, ata fyejnë demokracinë shqiptare, fyejnë atdhetarizmin shqiptar, fyejnë Shqipërinë e Kosovën Shtet. Ata fyejnë dhe vetë popullin shqiptar, “me të sotmen e tij, me të kaluarën e tij, me traditat e tij, me venomet dhe zakonet e tij, me besën, burrërinë dhe gjithë virtutet e tij, me etikën e tij, të njohur e të çmuar në Europë e në Botë” (f. 207).

         Këta politikanë e shokët e tyre me të tillë gjuhë cënojnë imazhin e popullit tonë në Europë duke e paraqitur atë si një popull primitiv, kur dihet fare mirë sesa i përgjegjshëm ka qenë populli ynë në shekuj me bisedat publike në odat e miqve, të cilat kanë çuditur të huajt si baronin Franc Nobça, i cili njëqind e ca vjet më parë shkroi: “Malësori shqiptar është fisnik. Po ta veshësh me frak, atë mund ta fusësh në çdo parlament të Europës, ai të nderon”.

         Mirëpo pushtetari ynë malësor i kohës së pasdiktaturës e turpëron popullin e vet, sepse është i ndryshëm nga malësori i hershëm, ky është pjellë e sistemit komunist, është një njeri me moral të shkatëruar, egoist, lavdidashës, pushtetdashës, i korruptuar e korruptues, që e ndërdor edhe medien për interesat e veta pa pyetur për pavarësinë dhe dinjitetin e shtypit.

         Në fund të librit, autori pasi shpalos mendimin e vet se gjatë këtyre 25 vjetëve janë provuar ndaj popullit shqiptar dy lloj pushtetesh, ai i mbisunduar prej një njeriu dhe ai i mbisunduar prej një oligarkie, të dy të maskuar me një demokracie totalitare, i bën thirrje popullit të shfaqë mospajtimin e tij:

         “Që Shqipëria e Kosova të mos jenë më shtete partiake, siç ishin deri sot e siç janë sot.

         Që Shqipëria dhe Kosova të jenë jo shtete me demokraci totalitare, që funksionon si demokraci skllavopronare, por shtete me demokraci të parimeve demokratike, demokraci moderne.

         Që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete të së drejtës, në të cilat do të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve, ku çdo qytetar do të trajtohet, siç nuk trajtohet sot, i barabartë si çdo qytetar a milioner” (f. 227).

         Kur shkruhej kjo vepër nuk ishte formuluar fjala “Veting”, prandaj autori e ka formuluar me fjalët e tij domosdoshmërinë për kalimin e nëpunësve në një kontroll për pasuritë dhe bëmat e tyre, me qëllim që të dënohen gjithë shpërdorimet e pasurisë së popullit, të gjitha krimet politike, ekonomike, financiare. E mbi të gjitha, ai kërkon që populli shqiptar i të dy shteteve të ndërgjegjësohet maksimalisht që të sjellë në pushtet me anën e votës njerëz të ndershëm e atdhetarë, të cilët të krijojnë një strategji për të ardhmen e këtyre dy shteteve drejt bashkimit, që nuk është aspak shkelje, si duan ta quajnë disa politikanë të huaj, por korrigjim i padrejtësisë që iu bë popullit tonë më 1912-1913, si e shprehu vetë ish kryeministri anglez, z. Tony Bler me 1999.

         Të shkruash një artikull kritik për probleme të ndryshme, njerëzit që kritikohen, preken shumë, sidomos ne shqiptarët, kalojmë deri në zemërime e armiqësira. Mirëpo të shkruash një vepër të plotë ndaj dobësive, gabimeve dhe krimeve të pushtetarëve shqiptarë të të dy shteteve, shkruar me aq patos kritik dhe me talentin letrar të spikatur si ka shkaur Profesor Rexhep Qosja, kuptohet se lexuesit e përmendur në të, do t’i zemërohen dhe do t’i mbajnë mëri. Por kemi shpresë se shoqëria jonë dhe qeveritarët tanë, pas zemërimit, do të fillojnë të ecin në rrugën e përmirësimit, sepse kininat edhe pse janë të hidhura, e ndihmojnë të sëmurin për t’u shëruar. Pushtatarët që do të emërohen pas procesit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi duhet ta lexojnë këtë libër me vëmendje për të mësuar sesa poshtë kishin rënë kolegët e tyre deri në vitin 2017, nivel ku ata nuk duhet të bien më kurrë..

Comments

comments

-----