NUK ISHIN NDRIÇUES MENDJESH, ME ZBRITË ME PISH NË DORË. ISHIN ÇLIRUES TË VENDIT DHE HYNË ME PUSHKË NË DORË

Nga Enver Memisha (Lepenica)

 

Ushtarët dhe udhëheqësit e Ballit Kombëtar, që emigruan në nëntor të vitit 1944, për t’i shpëtuar ndëshkimit komunist, lanë këtu në atdheun e tyre zemrën dhe asnjëherë nuk e hoqën mëndjen nga toka dhe njerzit që kishin lënë këtu në robërinë komuniste.

Ata ishin luftëtarë lirije që lanë rehatin dhe jetën e mirë në botën e lirë dhe erdhën këtu në atdheun e tyre me pushkë në dorë edhe pse e dinin se mund të binin dëshmorë.

Grupi i parë i emisarëve të lirisë i perbere nga: Ahmet Kuka, Hysen Isufi, Ramiz Matuka, Sami Lepenica, Hysen Lepenica, Zogoll Shenaj, Safet Kapaj etj. zbarkoi në Karaburun nga një anije britanike më 16 shtator të vitit 1949.

Në dokumentat e regjimit komunist Hysen Lepenica, Zagoll Shenaj – Gjormi dhe Sami Lepenica shënohen si ballistë të rrezikshëm.

Mbas zbarkimit grupi shkoi në Dukat dhe u ndanë në dy drejtime: Grupi i Vlores me emrin e koduar Bribe dhe grupi i Gjirokastres me emrin e koduar Bale-dengu…

Sami Lepenica u vra me 20 shtator në mal të Dukatit, në një pritë të forcave komuniste.Tre anetaret e tjere Hysen Lepenica, Zagoll Shenaj dhe Safet Kapaj, mundën të kalonin malin e Dukatit dhe arritën në katundin Gjorm të Vlorës. Safet Kapaj mundi të kalojë Vjosën dhe shkoi në vendlindje në Malakastër, ku qëndroi i fshhur gati 6 muaj dhe mundi të kaloi kufirin dhe të dalë në Greqi.

Hysen Lepenica

Hysen Lepenica dhe Zagoll Shenaj u tadhëtuan nga fshatarët e tyre dhe u rrethuan në lumin e Gjormit dhe pas një qëndrese heroike prej 4-5 ranë dëshmorë të lirisë.

Grupi i Gjirokastres ra ne prite me forcat komuniste me 4 tetor 1949. Udheheqesi i grupit Ramiz Matuka u vra në luftë duke mbrojtur tërheqjen e shokëve për të dalë në Greqi. 

Ky qe fundi këtyre emisarëve të lirisë, dëshmorë të atdheut të tyre. Shokët e tyre në kampet e emigarcionit në Itali e përjetonin rënien e dëshmorëve me dhimbje dhe krenari.

Këtu poshtë po botojmë një artikull dhimbje dhe krenarie të botuar në gazetën “Flamuri” të autorit që nënshkruan me siglën P, një himn që autori u ngre shokëve të idealit. Sipas stilit të të shkruarit autori duhet të jetë Zef Pali.

  

DIKUSH I TRADHËTOI

Zagoll Shenaj – Gjormi

Dëshmorët Hysen Sinani, Zagoll Shenaj dhe Sami Lepenica

Nuk ishin ndriçues mendjesh me zbritë me pish në dorë. Ishin çlirues të vendit dhe hynë me pushkë në dorë

I.

… Ndërsa janë të mbledhur në “Fraschette”, shifej Samiu i vogël që ndante kafshatën e gojës me shokë të uritur.

Hyseni ma plaku që kishte frikë se mos e mbajshin tepër të moshuar  sa mos me dijtë me vuejt bashkë me të tjerët; B… që ecte vetëm nëpër rrugicat  e kampit  tue shtërnguar nofullat  në heshtje  kundër armiqve të pa dukshëm…

Kampi përmblidhte shumë kombësi por ma i nderuemi  dhe ma i dashuri ishte grupi i shqiptarëve …

Sami Lepenica

Hyseni kishte blemë një pallto lëkure ndër ata që shitshin rroba. E pyetën: ç’e ke atë pallëto, or plaku i Lepenicës?

Po të zbresim ndonjë ditë në Shqipëri me pushkë në dorë, palltua e lëkurës do vlejë sa vezmja e fishekëve, përgjigjej Hyseni. Shumë herë në mëngjes kërcente nga shtrati i drunjtë me dy kate  dhe shikonte profesorin e sëmurë aty afër: Jam tue bamë provat e para për t’u hudhë  kur të zbresim në Shqipni dhe bënte buzën në gas.

Shpresë që përshkonte deri muret e trashë të kampit të pa merituem. Përpara duhet të na vi radha ne të rinjve, thonte Samiu i vogël.

Ku asht plaku derdhet  gjaku, ia kthenin të tjerët sa për të pakësue dyshimin, e Hyseni i cili edhe pse nuk ishte randue me shumë mote, kishte frikë se në ditën e pritun mos të zgjidhen ata më të lehtit me vjete…

Nga burgu i huej, në atdheun burg.

Nuk ishin ndriçues mendjesh me zbritë me pish në dorë. Ishin çlirues të vendit dhe hynë me pushkë në dorë. Për pesë vjet e kishin pritur këtë ditë… Hynë fshehtazi për të rrëmbye lirinë e grabitur.

Hyseni kryetar i çetës së vogël, vesh me pallto lëkure blemë në fushën e përqëndrimit, ngjeshë me bomba e fyshekë, printe.

B… me të vëllanë që kishin lënë nam dikur mbas Lahe Nuros  bajshin pjesë trimënisht në çetën e Gjirokastrës.

Samiu i vogël epte e merrte…

Shumë çeta muerën drejtime të ndryshme pa u kujtue se një operacion komunist ishte në kambë…

Ranë në ndeshjen e parë. Zani i Ballit Kombëtar shkoi fshat më fshat nëpër këto krisma pushkësh. U zgjue qyteti i Flamurit, me shpresë të përtërime. Ngriti veshët Shqipnia.

Pakë ditë më parë kryetari i Shqiptarëve, Mid’hat Frashëri  kishte folë nga kryeqytetet e Europës, kishte thanë: “Bota na dha të drejtë për luftën për liri  që nuk ka pushue, të bahemi të denjë për të qenë Shërbestarët e Shqipërisë”.

Shërbestari i parë, ushtari i parë që zbriti në tokë të robnue qe Samiu i vogël. Trim i pa fjalë, sy pa tembur. Si bahej copë në mërgim ashtu iu ba kurban atdheut.

Plumbat komunistë i përshkruan trupin. Ra. Shokët deshën t’a marrin në krah.

      – Jo, tha, më ka mbet tepër pakë kohë për të jetuar. Ju vazhdoni rrugën. Keni një amanet për të çue në vend. Unë po qëndroj këtu.

Breshëritë e plumbave shpërndau çetën e burrave. Samiu qëndroi. Fjalët e fundit nuk ia dëgjoi kush. Plumbat e fundit i zbrazi mbi ushtarët e drapërit. Uli kryet mbi pushkë, mbylli sytë tue puthë tokën e përgjakun, dëshmori i parë i shqiptarëve të mërgimit.

Ma përtej çeta tjetër bjen në ndeshje. Rrethohet. Nuk dorëzohet. Nuk dorëzohen ushtarët e Ballit Kombëtar. Me një sulm të trimëror  B… me shokë çanë rrethimin, por kujtohet se kryetari i çetës kishte mbet në rrethim. Me një guxim që kalon trimërinë hyn përsëri brenda rrethimit komunist. Gjeti komandnatin të vrarë. I merr dokumentat, i jep përshëndetjen e fundit dhe me automatik në dorë me breshëri  çan për të dytën herë rrethimin, bashkohet me shokët dhe vazhdon luftën…

Hyseni me Zagollin dhe shokë të tjerë kapi rrethin e Vlorës. E kishin marrë vesh se operacioni komunist ishte në kambë. Ndeshjet ishin shpeshtue. Dikush i tadhëtoi.

Një ushtri u turr kundër tyre dhe ngrehi mitrolozat e randë. Përpara komandanti komunist kërkoi ti shburrëroi:

  • Dorëzohuni!

  • Ecni dhe na i merrni armët ua ktheu Hyseni.

U rrejtën milicët e kuq  dhe kujtuen se po u dhimbsej jeta ballistëve. U afruen.  Çeta i priti me pushkë. U tërhoqën komunistët e gënjyer dhe banë një tjetër provë. Prunë gratë  dhe motrat e të rrethuarve për t’i lutë të dorëzohen…

Krisi pushka. Ra Zagolli, u dorëzua i vdekun. Hysenit iu mbaruan fishekët tue shti kundër të kuqve dhe tue bërtitë: Shifni si luftojnë e vdesin ushtarët e Ballit Kombëtar. Plumbin e fundit e ruajti për vete.

Komunistët përshpëritën: Balli qenka gjallë dhe i fortë. Vlora i qau me za. Ua muerën hakun, ia numuroi tradhëtarit.

Një shpallje e Ministrisë së Brendshme e Tiranës lajmëronte popullin: “Disa tradhëtarë në ndeshje me fuqitë qeveritare  u vranë në rrethin e Vlorës”.  Dhe rreshtonte ndër ta Hysenin, Zagollin, Matukën, Samiun e sa dëshmorë të tjerë.

Ushtarë të njoftun të lirisë  shqiptare, të cilëve u kushtohet kjo faqe historie.                        Autori  P.  

Marre nga: Gazeta “Flamuri”, Organ i Patisë Demokratike Agrare Shqipare “Balli Kom,bëtar”, Romë, Itali, Tipografi F.Francioni, Via del Gambero, nr. 19, Tel. 63.752. nr. 70-72, dt. 28.11.1955, f. 5

 

Djathtas: Sami Lepenica, Zagoll Shenaj, Hysen Lepenica, Safet Kapaj

Shkresa e CIA, ku dallojne emrat e Hysen Lepenices dhe Zagoll Shenaj

 

 

Comments

comments

-----