Poeti që kërkon një strehë

Nga Nuri Dragoj

Mihal Gjergjin e shohim përditë majë biçikletës, shpotitës dhe të rrëmujshëm njëkohësisht, me vështrim tej mbi male, ndaj duket sikur nuk është mbi biçikletë, por mbi Olimp. E e shohim përherë në kërkim të lirisë, në kërkim të së vërtetës, i papajtueshëm me pushtetin e burokratëve, me mungesën e kriterit të meritokracisë, i pagjunjëzuar para zyrtarëve që lënë njerëzit e aftë në rrugë, pa punë, vetëm pse flasin e pasqyrojnë realitetin. Poezia e tij tregon që rruga drejt të vërtetës, drejt të madhërishmes, është rruga e poetikës së kulluar, pa retushime, që ecën përmes një jete të trazuar, mes përplasjesh unikale. Vargu i tij nuk e fsheh krenarinë e shpirtit në paraqitjen e realitetit shoqëror, rebel dhe i papajtueshëm deri te ai. Poeti shpalos një botë të ashpër e të thyer me përplasje të forta shpirtërore, me drama e dyzime unikale.
Në poezinë e tij “Kërkoj nje strehë”, shfaqet britma poetike e autorit, pasi ai ndihet i zhgënjyer, i nëpërkëmbur, në një farë mënyre i tradhëtuar nga ata që i quan “bijë putanash, pjella të turpit”. Me vargjet e tij fshikullon pushtetarët mediokër, që nuk mendojnë për të ardhmen e këtij vendi, por vetëm për kolltukun e tyre, që nuk durojnë mendimin ndryshe, që s’mund të pajtohen me të vërtetën. Mihal Gjergji kërkon një Shqipëri të zhvilluar ekonomikisht, me shoqëri të emancipuar, me njerëz të lirë e pushtetarë që prodhojnë dashuri dhe jo dhunë, me nëpunës që përpiqen të rrisin të ardhurat dhe jo me zyrtarë që robërojnë lirinë, që mbjellin varfëri dhe detyrojnë rininë të iki në kërkim të lirisë dhe punës së munguar.

Për Mihal Gjergjin privimi i lirisë nuk ndihet vetëm brenda burgut, por edhe në demokracitë e cunguara, ndaj ai godet ashpër në emër të këtij ideali, në emër të lirisë. Naimi shkruante për Shqipërinë, “Lum kush të rroj që ta shohi zonjë…”. Dhe ende ajo nuk është bërë zonjë. Rinia po ikën. Korruspioni ecën me hapa galopante. Poeti kërkon një strehë. Po ku do të gjendet ajo strehë për të? Pse nuk gjen qetësi dhe strehë në vendin e vet? Mos vallë ndodh njëlloj si atëherë, kur Fan S. Noli kritikonte ashpër paaftësinë e qeveritarëve: Ti Halim që s’di këndim / Bëju vezir për arsim… Ashtu bën edhe Mihal Gjergji. Ai tallet por dhe ndjen dhimbje duke u përlasur me ingranazhet e administratës së paaftë të shtetit shqiptar. Është kjo arsyeja që kthen kokën drejt përëndimit dhe niset mendueshëm pa ditur se ku, veçse “kërkon një strehë”. Në poezinë e tij përjetohet brengë e dhimbje, thirrje për më shumë dashuri njerëzore. Poeti shprehet kundër frymës vrastare të kohës së djeshme, por dhe të sotme, gjë që shihet në klithmën e tij bashkë me vuajtjen, kur bën apel për të mos u nënshtruar, ndonëse vuan dhe mjerimin e të tjerëve. Ai nuk përkulet para pushtetit të të paaftëve, por që shfaqet brutal, në një shtet ku mbretërojnë hajdutët dhe kriminelët. Poezia e tij është një kumt që synon të lidhë njerëzit me njëri-tjetrin, me botën, është një mënyrë ekzistence, manifest i shpirit të tij të lirë e të panënshtruar.
Mjedisi që krijojnë burokratët e paaftë, nuk është më pak se nata komuniste, pasi ata të thonë lirinë e ke, dhe të lirë nuk të lenë. T’i s’do të largohesh nga atdheu yt, por ata të shtyjnë të ikësh, të udhëtosh larg për të gjetur një strehë, të ikësh e të mbetesh me kokën prapa: Ik më thanë, ik tutje / Merr arabanë me plaçkat e trupit. Me mjete poetike të zgjedhura metaforikisht, ai ka mundur të shpalos fatkeqësinë e individit të projektuar në përjetimet e veta. I dëshpëruar se dëshirojnë ta largojnë në një kohë që “gjithë jetën mbolla farë të zgjedhur”. Vetmitar kam mbetur / Ku të vete?
Autori e do vendlindjen e tij të lashtë, i hyjnizon simbolet e kombit të vet, i dhimset shqiponja, të cilën e kanë ndjekur në shekuj, i kanë zenë prita në shtigje e male, e kanë ndjekur me plumba, me hije, me keqdashje, me padije. Mihal Gjergji e di që emri i shpendit “Shqiponjë” përmendet disa herë te Homeri, gjë që tregon se mund të ketë qenë emblema kombëtare e epirotëve. Nga “shkype”, vjen dhe emri Shkypëri, Shkypëni, Shqipni. Edhe pellazgët, parashikimin e fatit e lidhnin me shqiponjën. Shikimi i shqiponjës në fluturim shihej si ogur i mirë. I dhimbset pasi diku e kanë zbritur nga flamuri dhe ajo kërkon të ngjitet sërish atje, të prehet se s’gjen dot vend. E di mirë që shqiponja dëshiron të qëndrojë mbi flamur në të gjitha trojet e populluara nga shqiptar. Ndaj autori thotë: Ndihmomë, më tha, më zbritën nga flamuri / Më ngjit prap atje! Te prehem s’gjej dot vend.
Shqiponja ka qenë simbol i të parëve tanë. Paraqitja e saj në ëndërr, në mënyra të ndryshme, shërbente për të parashikuar zhvillimin e ngjarjeve. Pirroja pasi u kthye me fitore nga një betejë e rëndësishme, deklaroi para popullit se “u kthye si një shqiponjë midis shqiponjash”. Xylander ka arsyetuar se shqiptarët mund të quhen banorë të shkëmbinjëve, të vendosur në zona të larta e shkëmbore, për t’u mbrojtur nga sulmet e shumta të organizuara ndaj tyre. Kjo është arsyeja që autori thotë se shqiponjës i kanë bërë prita edhe aty “ku malet puthin kaltërsitë”. Gjergji bën apel për më shumë dashuri ndaj kombit, për më shumë sakrifica, pasi jo pak njerëz qëndrojnë larg mbrojtjes së saj, në mos e dëmtojnë nga pak. Dhe ai tërheq vëmendjen me vargun therës: Oh, vendi im, që vret simbolin tënd!
Realiteti jetësor në poezinë e tij shfaqet si realitet poetik, korrekt, kalorsiak, plot kumte të larmishme, të guximshme njëkohësisht, që të trondisin shpirtin. Në vjershën “Kam njohur një nënë”, autori ngre në shkallën më të lartë dashurinë e nënës për fëmijën, sakrificat e saj deri në vetflijim. Poeti nuk pajtohet me indiferencën e fëmijës, me mungesën e dashurisë së tyre për nënën. Provoi i biri parajsën dhe ferrin, / Hapsanën këmbeu me fronin e art/ S’kujtohej për nënën, e shiti nderin/ Po nënat s’mallkojnë, qëllon ai lart. Poeti na tregon që, përsa kohë njeriu është mbret i lumturisë, nuk i përfill ata që ia dhurojnë atë. Shumë njerëz harrojnë faktin se, pa dashurinë e nënës, asgjë nuk mund të na hyjë në sy. Shpesh herë lumturinë e quajmë të drejtën tonë, kurse dhembshurinë, detyrë të saj. Harrojmë që dashuria e çdo nëne nuk është diçka tokësore. Kur na mungon, mbetemi para saj të mahnitur. Tërë jetën do të luftonim për të merituar një shkëndi dashurie që t’i ngjante asaj të nënës. Por më kot…. Ne do të mbeteshim njerëz të vërtetë, sa kohë do të qëndronte brenda nesh vlaga e dashurisë së saj, jehona e klithmave të ëmbla të dashurisë së nënës! Këtë e shohim te poezia “Meraku i Nënës”, por edhe te “Nënat”. Lexojmë vargjet e poetit për nënën dhe secili zhytet në meditim. Kujton lotët e nënës së vet dhe thotë me vete që sa shumë do të donte, që në ata lotë, të mos kishte pjesë dhimbjeje ai vetë. Por ja që secili ka, sado pak, pjesë në lotët e saj, pasi ndonjëherë bijtë e vrasin dashurinë që nëna u jep. Mbase ngaqë nuk dinë të sillen, nga padija apo indiferenca, nga lodhja a mosbesimi, nga dashuria apo dhimbja, e lëndojnë atë. Dhe duke lexuar librin, sjellin ndër mend mangësitë tyre dhe kërkojnë që nëna t’i fali për gjithçka që nuk e ka bërë mirë, për ndonjë fjalë të pamenduar, për ndonjë veprim të nxituar, për ndonjë plagë të ngacmuar, për faktin se nuk është nxituar kur ka folur, kur ka vepruar.

 

Comments

comments

-----