ANGAZHIMI AMERIKAN NDAJ SIGURISË DHE STABILITETIT NË EVROPËN JUG-LINDORE

Nga Frank Shkreli

 

Gjatë vizitës së tij në Shkup të martën, Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, (DASH), John J. Sullivan deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të, “Angazhuara për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Jug-lindore”, duke thekësuar se Maqedonia është një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi ndaj stabilitetit dhe paqës në atë rajon.

Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me vizitën e tij në Maqedoni, diplomati i lartë amerikan u shpreh se zhvilloi një vizitë të frutshme në atë vend, ku zhvilloi bisedime me disa zyrtarë të lartë të qeverisë së Shkupit, përfshirë Kryeministrin, Zoran Zaev dhe Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov. Zyrtari amerikan nënvijoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do të bëjë të mundur që Maqedonia të zejë vendin që i takon në Aleancën e Atlnatikut Verior, NATO dhe në antarësimin e saj eventual në Bashkimin Evropian: me emrin Republika Veriore e Maqedonisë. Është kjo një marrëveshje, shtoi ai, e cila kontribon ndaj stabilitetit, sigurisë dhe begatisë rajonale. Ne e konsiderojmë Maqedoninë si një ndër vendet kryesore të rajonit, bazuar në angazhimin e saj për paqë, stabilitet dhe bashkpunim, është shprehur diplomati i lartë amerikan, John Sullivan.

Ai pati fjalë lavdëruese për Kryeministrin, Zaev dhe Ministrin e Jashtëm, Dimitrov si dhe për udhëheqsit dhe antarët e guximshëm të parlamentit maqedonas, siç i quajti ai, të cilët tetorin që kaloi, me votën e tyre, hodhën hapat e nevojshëm drejt një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të sigurt për Maqedoninë dhe për të ardhmen e qytetarëve të saj.

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, John Sullivan u bëri thirrje antarëve të parlamentit të atij vendi, ndërsa vazhdojnë provcesin e zbatimit të Marrveshjes së Prespës, që të lënë mënjanë interesat partiake dhe personale e të përqëndrohen në realizimin e objektivave të përbashkëta strategjike për vendin e tyre. “Tjetër alternativë nuk ka”, ka thekësuar ai. Por nënvijoi diplomati i lartë amerikan, “është gjithashtu kritike që Maqedonia të vazhdojë të përqëndrohet në zbatimin e reformave kryesore në sistemin ligjor, promovimin dhe mbështetjen për pavarësinë e sistemit gjyqësor, përmirësimin e qeverisjes dhe të kapacitetit të institucioneve qeveritare, në shërbim të qytetarëve”, ka rekomanduar përfaqsuesi i lartë i DASH. Ai u ka thënë zyrtarëve më të lartë të Maqedonisë se Shtetet e Bashkuara ndajnë me ta angazhimin e tyre për paqë dhe siguri në rajon dhe në botë, ndërkohë që Washingtoni pret që, në të ardhmen, të zhvillojë marrëdhënie edhe më të ngushta me Shkupin.

Gjatë shkëmbimit pyetje-përgjigje me gazetarët në Shkup, diplomati i lartë amerikan tha se marrëveshja e Prespës është një marrëveshje midis dy palëve – Greqisë dhe Maqedonisë – ndërsa thekësoi kurajon e kryeministrave të dy vendeve për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. John Sullivan tha se marrëveshja në fjalë është thellësisht në interesin e të dy palëve dhe shtoi se, “Jemi dakord edhe me kolegët tanë grekë mbi rëndësinë e marëveshjes së Prespës, për rëndësinë që ajo ka për të ardhmen e Greqisë”, ka thënë ai. “Marrëveshja, që ata kanë nënshkruar për të mirën e dy vendeve të tyre dhe për rajonin, është diçka për të cilën Shtetet e Bashkuara janë krenare që e mbështesin dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që unë jam sot këtu”, u ka thënë ai gazetarëve.

Ndërsa pyetjes se nëse kritikat ndaj kësaj mrrëveshjeje, sidomos ato që kanë ardhur nga Moska, e cila haptazi kundërshton këtë marrveshje, diplomati amerikan John Sullivan u përgjegj se, Washingtoni nuk e nxiti marrveshjen – ishte krejtëisht midis dy palëve — midis Athinës dhe Shkupit por, “Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin qeverinë e Maqedonisë dhe popullin e Maqedonisë për atë që dëshirojnë vet, e që është antarësimi i vendit të tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian…pasi ata kanë vendosur se kjo gjë është në interesin më të mirë të vendit të tyre”.

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, John Sullivan siguroi Maqedoninë dhe shtetet e tjera të rajonit se përsa i përket influencës dhe ndërhyrjes së Rusisë, jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon se, “Ne do të mbështesim edhe të tjerët të cilët janë të bashkuar për tu ballafaquar dhe për të ekspozuar influencën qëllim keqe të Rusisë, jo vetëm në Maqdoni por edhe në këtë rajon dhe në Evropë, ose kudo tjetër që Moska përpiqet të ushtrojë ndikim të dëmshëm, për të minuar proceset legjitime demokratike si dhe qeveritë që kanë marrë vendime në interes të popujve të vet, ashtu siç ka bërë me këtë rast Maqdonia. Ne do t’i mbështesim ato qeveri, ne do të kundërshtojmë ndikimet e rrezikshme ruse, duke bërë çdo gjë të mundur për t’i kundërshtuar dhe për t’i ekspozuar ato”, kudo qoftë.

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, John J. Sullivan

Ndërkaq, gjithashtu në një frymë angazhimi dhe mbështetjeje amerikane për rajonin, pikërisht për Kosovën, por edhe shqetësimi për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, Shtëpia e Bardhë, në një letër që i dërgoi ditët e fundit Presidenti Trump, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksohet partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës: “Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqën dhe stabilitetin për të gjithë Evropën.” Presidenti Trump, kërkon gjithashtu nga presidenti Thaçi dhe udhëheqsit e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të bashkohen dhe të bashkounojnë, “që të flasin me një zë”, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Unë, iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqë dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund t’a vështirësojnë arritjen e marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet”, ka shkruar Presidenti Trump në letrën drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa ka shtuar se, “Ne jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme”, thuhet në letrën e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithë këtë letër të Shtëpisë së Bardhë, nuk besoj që Shtetet e Bashkuara të kenë marrë ende ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me bisedimet e tanishme ose në të ardhmen, për një marrëveshje “përfundimtare dhe gjithëpërfshirse”, midis Kosovës dhe Serbisë. Administrata e Presidentit Trump, ashtu si dhe disa anëtarë të Kongresit Amerikan nuk kanë mbështetur natyrën ose modelin e ndonjë marrëveshjeje të mundëshme midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, por janë shprehur në favor që të dy palëve t’u jepet hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila do të mbështetej si nga Republika e Kosovës ashtu dhe nga Serbia.

Frank Shkreli

Letra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

 

 

 

Comments

comments

-----