DEMONSTRATAT E VITIT 1968 – ZGJIM KOMBËTAR
Nga Idriz Zeqiraj
“Historia fillon me ne”, – thonë pushtetarët aktual, mburracakë e hiçër, të Kosovës. Ata kanë uzurpuar, veç gjithëçka tjetër, edhe mediat. Asnjë medium, viziv apo shkrimor, nuk mori pjesë, për ta pasqyruar një ngjarje shumë domthënëse, siç ishte Akademia solemne, në përkujtim të demonstratave të vitit 1968 në Pejë, edhe pse pjesëmarrja ishte numerike. Kjo heshtje na kujton Tiranën zyrtare të asaj kohe, kur Hoxha i Tiranës dakorduan me Hoxhën e Prishtinës, për t`i heshtur demonstratat e vitit 1968, në të gjithë Kosovën, për të mos e lënduar Jugsllavinë e Titos!
Ndonëse pushtetarët e tanishëm, nuk ishin pjesë e demonstratave të vitit 1968-të, i heshtën, sepse ata nuk pranojnë asnjë veprimtari kombëtare, kur ato nuk lidhën me emrat e tyre.
Plenumi i 4-të i LKJ-së, goditja e lobit serb, të kryesuar nga Aleksandër Rankoviçi, sheshoi krimet makabre, sidomos të pas LDB-e. Aksioni i mbledhjes të armëve, i dimrit të viteve 1955-56, kulmon me terrorin mbi shqiptarët, që kishte për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve, me anën e terrorizimit, frikësimit të një populli të tërë.
“Zullumi këputët prej së trashi”,- thotë populli. Dhe, ashtu ndodhi. Një popull me shekuj robërie, trimërinë e ka të vonuar. Megjithatë, vajzat dhe djemtë e Kosovës e ndjenë nevojën e zgjimit, të organizimit. Pra, “ka ardhur koha me dalë nga çubat, nga jeta ilegale, e cila u kushtojë shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare”, – siç thoshte në vitin 1997 maturanti Ibrahim Rugova.
Demonstratat e 1968, krenari kombëtare
Në tetorin e vitit 1968-të, vajzat dhe djemtë e Dukagjinit, sollën risinë e shekullit, zgjimin kombëtar.
Shoqata e të burgosurëve politikë të Kosovës, organizoi Akademi solemne, në kujtim të demonstratave të 19 tetorit 1968, në qytetin e Pejës. Akademia u mbajt nën patronazhin e kryetarit të komunës, Gazmend Muhaxherit, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe, në mes tjerash, tha: “Demonstratat e shkollarëve të mesëm dhe të studentëve të vitit 1968, ishin hapat e parë për themelimin e shtetit të Kosovës. Është dashur një sakrificë gjysmëshekullore, për ta realizuar ëndrrën fisnike të shumë brezave shqiptarë”.
Kryetari i Shoqatës të Burgosurëve Politikë, Hydajet Hyseni, në fjalën e tij, ndër të tjera, foli për lëvizjet revolucionare, që nga Martin Luter Kingu, Çe Gevara, Xhon Kenedi dhe deri tek demonstratat në Kosovë. Hydajeti na kujtoi letrën e tij, me bashkautorësi Zija Shemsiun, të cilit ia vulosi jetën, në një çeli, birucë, vetmi të pushtuesit. Edhepse, atëbotë, Hydajeti student, letra ishte akademike, e rrallë në formë e përmbajtje.
Sipas zotëri Hysenit, demonstratat e vitit 1968, vinin si një rilindje e vonuar. Synimet kah pavarësia, flisnin parullat e hedhura përgjatë demonstrimit, si “Kosova Republikë, “Kushtetutë, Vetëvendosje”, ishte një fillim i ri. Ai kujtoi me nderim e respekt plejadën e veprimtarëve atdhetarë të hershëm, të cilët frymëzuan brezat shqiptarë të më vonshëm.
Meriman Brahën e njoha në Vrellë të Istogut, më 1967, kur erdhi për ta takuar shokun e tij të studimeve, Binak Ulaj, arsimtar. Burgjet, mërgimi na ndanë dhe u ripamë në vitet `90-a, kur ishte koordinator për arsimin në Diasporë, në Tiranë. Gjatë Luftës, në përfaqësinë e Kosovës në Tiranë, në njërën nga zyrat, isha vetëm me Merimanin. “Këta, (krerët e LPK-së), po thonë se pa gjak nuk e lëshojmë pushtetin!” E tmerrshme! Ende në luftë me Serbinë dhe donin pushtet me gjak shqiptarësh!” Dhe, këtë e bënë gjatë dhe pas luftës, duke u bërë njësh me pushtuesin.
Meriman Braha foli në emër të Grupit Organizativ të Demonstratave në Dukagjin, që kishin për qëllim, për ta çuar përpara statusin për Kosovën. Opsionet “Kosova Republikë” apo bashkimi i njësive të ndara të saj. Prizreni u bë si qendra e gravitacionit, për gjenerata e reja, për arsye të kaluarës historike, por edhe si qendra kryesore arsimore në Dukagjin. Zoti Braha foli për organizimin e demonstratave të para në Kosovë, m 6 tetor 1968 në Prizren, ku ai ishte organizatori kryesor dhe dy ditë më vonë në Therandë, nën organizimin e Haxhi Bajraktarit, ndërsa më 19 tetor në Pejë, të prira nga Zymer Neziri, Xhemajl Gashi dhe Ramadan Blakaj me shokë.
Në foto: Nga e majta në të djathtë: Ramadan Blakaj, Zymer Neziri, Xhemajl Gashi
Prof. Dr. Zymer Neziri, foli në emër të Grupit Organizativ të Demonstratës në Pejë. Ai bëri një ekspoze historike që nga viti 1912, Pavarësia e Shqipërisë londineze e deri më 1968, Demostrata e Pejës, të organizuara nga treshja kryesore: Zymer Neziri, Xhemajl Gashi, Ramadan Blakaj me shokë:
“Peja dukej madhështore më 19 tetor 1968, nga brohotitjet e rreth 7000 demonstruesve për Republikë, për Flamur, për Kushtetutë e për Vetëvendosje. Peja nuk ka qenë asjnëherë më e gjallë se atë ditë nga këngët atdhetare, që ushtonin deri në Zatra e në Tabje dhe deri në Grykë të Rugovës. Peja i shtroi edhe me shkrim kërkesat e veta, që u lexuan në shesh, dhe ia lëshoi radhën Prishtinës. Ndihmuan në organizim edhe Sadri Kelmendi, arsimtar, Riza Smaka, student, Tafë Shala, bujk, nx. Hatmane Selmanaj, Shahë Fetaj, Shpend Blakaj, Sadik Gashi e shumë e shumë të tjerë. Sa do të doja t’i përmend të gjithë, por kjo sot nuk është e mundur. Ndihmë dha edhe brezi tjetër: Ramadan Shala, Remzi Baloku, Neziri Gashi, Murteza Nura, Avni Lama, Ymer Neziri etj., si dhe brezi para tyre: Sylë Mehmeti, Mulla Zekë Bërdynaj, Sami Peja, Hajrullah Gorani etj.”
Profesor Zymer Neziri, në fjalën e tij, dha një pasqyrë të qartë, për përgaditjen e demonstratës, 50 vite më parë, në Pejë. Pjesëmarrës aktiv ishin nxënësit e Shkollës Normale, të Gjimnazit, të Shkollës Ekonomike dhe të Shkollës së Lartë Komerciale, pjesërisht. Grupi kryesor ishte i Shkollës Normale: Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Rexhep Ferizi, Sylë Kuqi, Sadik Binaku. Takimin e parë Grupi i Pejës e bëri tek Mulliri i Bekës. Lagja e Kapeshnicës shquhej për veprimtari dhe trimëri.
Demonstrata ishte masive: nxënës, studentë, arsimtarë, zejtarë, fshatarë. Shenjat identifikuese për demonstratën i përgaditën gjatë natës zejtarët Rexhep Berisha e Azem Ali Lajçi, me nxënsën Emine Neziri. Studenti Murat Gorani mori detyrën për sjelljen e Flamurit nga Prizreni. Ka qenë një përkujdesje e veçantë për ruajtjen e këtij Flamuri, në një shtëpi ke stacioni i trenit, por, mjerisht, u dogj në pranverën e vitit 1999.
“Brezi i `68 bën të quhet hallkë historike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar”, – e përmbylli fjalën e tij, Prof. Dr. Zymer Neziri.
Demonstrata e Pejës, ishte organizimi më i avancuar i deriatëhershëm. Peja nuk kishte njohur kurrë më parë një demonstrim masiv. E shprehur në shifra, bëhej fjalë për tej 7 mijë demonstruesëve. “Peja lule e Dukagjinit”, ishte përgjakur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Plagët e hapura, gjurmët e gjakut, dëshmi e një egërsie pushtuese.
Shkodran Imeraj bëri një përshkrim kronologjik për demonstrimin dinjitoz të asaj dite tetori të vitit 1968.
Brezi i 1968-ës, brezi i idealistëve fisnikë
Për idenë, organizimin dhe rrjedhën e demonstratës të 19 tetorit 1968, biseduam me njërin nga tre organizatorët kryesorë të saj, Xhemajl Gashin nga Peja:
“Idenë për demonstratë e shfaqi Zymer Neziri, tani doktor i shkencave filologjike. Në Prizren ishte krijuar bërthama e zgjimit kombëtar dhe Zymeri kishte kontakte me Meriman Brahën, Isa Demaj, Haxhi Bajraktarin e Therandës dhe të tjerë. Së pari, na takoi mua dhe Ramadan Blakaj nga Llukavci i Begut, Istog.
I ndamë zonat, përkatësisht, shkollat e organizimit: Zymer Neziri – Gjimnazin; Ramadan Blakaj – Shkollën Ekonomike dhe unë, Xhemajl Gashi, Shkollën Normale. Kontaktuam disa shokë e nxënës, por, me shumë kujdes. Nuk përmendnim as vendin dhe as datën e protestimit. Formuam Grupin Organizativ.
Flamurin Kombëtar e kishte sjellur nga Prizreni Zymer Neziri. Bartjen për në Shkollën Normale, nga ku do të fillonte demonstrimi, e bënë nxënësit Shpend Blakaj e Sadik Gashi. Ngritja e Flamurit në oborrin e Shkollës Normale, ishte sinjali për daljen e nxënëve nga klasët. Sapo filloi dalja, drejtori mbylli derën e shkollës. Të parët dolën nga dritarët e katit të parë. Ndërsa nxënësit e kateve tjera kërcënuan se do të hidheshin nga dritarët. Atëhere drejtori hapi derën.
Me flamurin e shpalosur, me thirrjen e parullave të përcaktuara adekuate dhe këngë patriotike, nxënësit marshuan rrugës, drejt Qendrës të qytetit, deri në shetitorën “Korza”, përballë komunës. Nxënësit i shoqëruan arsimtarët Sadri Klmendi e Bajram Ahmetgjekaj. Marshit iu bashkuan edhe nxënësit e Shkollës Ekonomike dhe një pjesë nga Gjimnazi, meqë ishin pengua nga numri i madh i policisë.
Sheshi oshëtinte nga thirrjet dhe këngët patriotike. Ishte e shtunë, ditë tregu dhe demonstratës iu bashkuan shumë qytetarë vendorë dhe ardhacakë ditor. Policia ishin veshur me rroba civile. Po afroheshin për ta marrë Flamurin. Ne, organizatorët ishim shumë pranë Flamurit, për ta mbrojtur atë.
Tafë Shala, bujk nga Raushiqi, nuhat rrezikun dhe nga brezi im nxjerr revolën dhe shtinë dy hrë në ajër dhe e kthen përsëri revolën në brezin tim. Unë, i frikësuar se policia, në rast kontrolli, ma kap revolën, i them nxënsës protestuese Shahe Fetaj, – hape çantën – dhe e lëshova revolën. Dhe, krisma e armës bëri që policia civile të largohet menjëherë, nga frika e ndonjë aksidenti, duke na lënë të qetë në protestimin tonë. Emrin e saj e dëgjova në sallën festive, në 50-vjetorin e demonstratës të vitit 1968, në Pejë, por, Shaha mungonte. Keqardhje!
(Retrospektivë: Në vitin 1970, Ansambli Folkorik “Rugova” arriti për shfaqje në Shqipëri. Unë me shokun tim, Bedri Islami, atëbotë, student, tani, këshilltar politik i Hashim presidentit, bëmë shkrimin me titull: “Dhe pranvera na duket më pranë”, duke e nënshkruar me një pseudim timin të hershëm, “Ylli Valbona”, por, me adresë të saktë të Fakultetit, meqë ishte e ndaluar nga shteti amë, të shkruhej për shtypin e jashtëm, pa leje paraprake zyrtare. Këtë shkrim e përcollëm përmes Hysnije Osmanaj, në rolin e nuses, në dasmën rugovase, tani, nusja e Miftar Jasiqit. Ishte vajza bukuroshe, Shahe Fetaj, që dërgoi letër të zjarrtë patriotike, nga Kosova, duke e shoqëruar me një fotografi personale dhe një familjare.)
Një trafikë, kioskë para komunës. Sipër saj hypën Sylë Kuqi, i cili lexoi letrën me kërkesa politike, e shkruar nga Zymer Neziri. Djathtas dhe majtas tij ishin Sadik Blakaj dhe Demë Molliqi. Ky ishte mesazhi drejtuar Kosovës, Jugosllavisë dhe Botës. Që andej demonstruesit u kthyen prej nga erdhën. Flamurin dhe simbolet tjera të demonstratës i bartën në banesën e tyre, me qera, afër stacionit të trenit, vëllezërit Sadik e Shpend Blakaj, kushëriri Xhelal Blakaj dhe miku i tyre Sadik Gashi.
Të nesërmen, të parin e arrestuan Ramadan Blakaj. Unë, (Xhemajl Gashi) dhe Zymer Neziri, shkuam në burgun e Pejës dhe kërkuam: “Ose lironi Ramadanin, ose na burgosni edhe neve”. Oficeri i UDB-së na tha: “Ju vjen radha edhe juve”. Dhe, ashtu ndodhi.
Në Gjykatore, gjykatësi Enver Nimani na pyeti: “A doni të qendrojnë policia këtu apo të largohen?” Zymeri tha, ” jo nuk kam qejf me i pa”. Ata dolën nga dhoma. Zymeri gjithëherë ishte mospërfillës karshi policisë dhe nuk frikësohej prej tyre. Gjykatësi tha se “nuk kam qare pa ju dënuar” dhe i shpëtuan lotët. “Xhemajli është i lindur në Shqipëri, mos ta rëndojmë, cili po e merrni përsipër me qenë organizator i parë”, – pyeti gjykatësi? Të njëzëshëm ishin Zymeri e Ramadani: “Unë, unë”. Dhe, gjykatësi preferoi Ramadanin. Dënimi ishte simbolik. Na vizituan shumë UDB-ashë, madje, edhe nga Prishtina. Funksionari Mehmet Shoshi erdhi natën e dytë në burg dhe u prezantua se kush ishte. Në mes tjerash, na tha: “Nuk guxon askush me ju prekë me dorë!” Dhe, e mbajti fjalën.
U përjashtuam nga vendet e punës, në mësuesi. Unë vazhdova Shkollën e Lartë në Prishtinë, ndërkohë, punoja mësues në Obiliq, kolegë kisha edhe Ibrahim Rugovën dhe Isa Demaj. Pas disa muajve e humba të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit dhe mbeta pa punë. Por, një letër e Titos na punësoi më vonë. Mua më punësuan përkthyes në komune, edhe pse pak e dija gjuhën serbokroate!
Nga droja e rigjykimit tonë, deri sa u liruam ne, nga burgu, nuk pati organizime tjera. Në gjysmën e dytë të Nëntorit, do të vazhdonte masivizimi i demonstrimeve në Kosovë. Më vonë do të kaloja nëpunës në zyrën e një firme të ndërtimeve.
Hakmarrja për demonstratën e 1968-ës,
filloi më 1985
“Hija e demonstratave të 1968-ës, do të kthehej më 1985. Kishte vdekur ish i burgosuri politik, Kadri Kusari, nga Gjakova. Po shkonim në varrim, së bashku me Nezir Gashin, Sadri Tafilajn, Sefer Kasapin. Policia na ndaloi dhe arrestoi. Në burgun e Pejës maltretime e tortura. Pas lirimit, duhej paraqitur 8 herë në ditë në polici!
Në ditën e vdekjes të bashkëshortës time, në moshën 32 vjeçare, kur bëheshim gadi për ta varrosur nusen, në oborrin e shtëpisë, edhen dy makina të policisë, për arrestimin tim të serishëm. Reagova, të prisnin pas ceremonisë të varrimit. Reagoi edhe djali, Flamuri, policët i vunë hekurat, edhe pse fëmijë. Nusja më kishte lënë 6 fëmijë, Asdreni, i vogli, vetëm dy vjeç.
Gjatë hetuesisë oficerët e UDB-së ushtruan dhunë fizike mbi mua. Më vjen keq, por, për hirë të së vërtetës, duhet ta them se më të zellshëm në goditje, torturë ishin disa UDB-ashë shqiptarë, se sa ata serbë! UDB-ashi serb me godiste me shkop këmbëve, ndërsa ai shqiptar në anësoren të veshkave, me majën e këpucëve. “Udri bubrekima, bubrekima”, (Bjeri veshkave, veshkave), – urdhëroi UDB-ashi shqipfolësi! Edhe serbi filloi goditjen me majën e këpucës, në anën tjetër, ndërkohë që unë isha i shtrirë për tokë. Si duket, UDB-ashi shqiptar ishte eprori i serbit. Kalvari ishte i përsëritur, i gjatë. Megjithatë, këta UDB-ashë, me familjet e tyre, janë strehuar dhe akomoduar mirë, në partitë e majta, pra, të koalicionit PAN. Janë të privilegjuar edhe në poste, si etërit e tyre dikur. “Luaje macë kryet e buallit!”
Përvijim biografik i Xhemajl Gashit me familje
Xhemajl Gashi humbi bashkëshortën para tej tri dekadave dhe kurrë nuk mendoi për një kurorë të dytë. I rriti, edukoi dhe shkolloi të 6 fëmijtë, tri vajza dhe tre djemë. Djali, Flamur Gashi u shkollua dhe u punësua në Tiranë. Në vitet `90-a, ai, së bashku me djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, nga Veriu në Jug, udhëhoqi “Radio-Kontaktin”, duke demaskuar komunizmin, monizmin dhe duke vlerësuar demokacinë, pluralizmin, në nismë të lindjes dhe të konsolidimit.
Gjatë Luftës së Kosovës, Flamuri ishte zëdhënës i Shtabit të FARK-ut. Pas luftës Drejtor i Diasporës, pranë Ministrisë së Jashtme Shqiptare. Pastaj Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Sarajevë. Më vonë ishte këshilltar politik i Presidentit Nishani dhe tani i Presidentit Meta. Emri i tij është lakuar për kryetar të LDK-së, që, padyshim, do të ishte një përzgjedhje e duhur.
Djali i dytë i Xhemajlit, Arben Gashi, deputet i Parlamentit të Kosovës. Ndërsa i treti, Asdreni, kuadër në diplomaci, aktualisht, në Hungari. Që të tre kanë magjistruar dhe janë në studime e sipër për doktoratura.
Xhemajl Gashi ka kaluar të 7 dekadat jetë, ende nuk e pranon pleqërinë. Levizë në relacionin Ruhot – Pejë, Prishtinë e më shumë në Tiranë. Ka lindur në Marrurras të Kurbinit, Shqipëri, sepse Familja Gashi ishin përballur, para dhe gjatë LDB, me pushtuesit serbë të Kralit dhe të Titos. Troje e tokë në fshatin Orrobërdë të Istogut, Familjes Gashi ua sekuestroi shteti serb. Në Shqipëri Mbreti Zog vëllezëve Gashi u dha troje e tokë me tapi. Por, më vonë regjimi komunist i Enver Hoxhës, i sekuestroi, deri ke pragu i shtëpisë.
Sylë Gashi, babai i Xhemajl Gashit u kthye përsëri në Kosovë, por, pa të drejtë të jetojë në fshatin e lindjes, në trojet e të parëve dhe as në komunën e Istogut. Dhe, u shpërngulën në fshatin Ruhot të komunës së Pejës, ku jetojnë edhe sot.
Qazim Gashi (Vraga), xhaxhai u Xhemajlit u vendos në Shënavlash të Durrësit. Vëllaznia, që nga LDB, kurë nuk u panë më. Dy regjimet kriminale, i Titos dhe Enverit, flirtonin mes veti, por, shqiptarët e pësonin nga miqësia satanike e tyre. Kur Qazim Gashi vdiq, më 1981, në Shqipëri, UDB-a e Pejës, dha leje të kushtëzuar, për të hapur – të pame – në Kosovë. “Të mos flitet asgjë për jetën dhe veprën e Qazim Gashit”, – ishte porosia-urdhër!
Nipi i tij, Xhemajl Gashi, mbajti të pame një javore. Mejithatë, vizitorët-ngushëllues vlerësuan lart Qazim Gashin dhe Familjen Gashi, e cila ishte në ballë të rezistencës antikomuniste, e prirë nga Bardh Isuf Gashi, i cili është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, me Medaljen e Lirisë si dhe nga Presidenti i Kosovës.
Comments
-----