Ka vetëm një rrugëzgjidhje

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Në kushtet e reja që janë krijuar në vend, pas ngritjes së studentëve të universiteteve në protesta të fuqishme kundër një sistemi arsimor të degraduar fund e krye, kundër një reforme arsimore të dështuar, kundër varfërimit të pandalshëm të rinisë studentore përmes tarifave të larta, kundër korrupsionit të disa pedagogëve faqezinj që rrjepin studentët, me siguri që edhe shtresat e gjera të qytetarëve shqiptarë nuk mund të rrinë pa reaguar kundër çmimit të lartë të karburantit, kundër çmimit të lartë të energjisë elektrike, kundër rritjes së taksave, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në varfërimin e tyre dhe çojnë në falimentimin e shumë bizneseve në mbarë vendin.

       Pushteti i të ashtuquajturës “Rilindje”, rezultoi pushtet i “Rivdekjes” ekonomike për shumicën dërrmuese të popullit shqiptar. Dhe fajtori kryesor i “Rivdekjes” ekonomike të kësaj shumice, pa dyshim, është kryeministri Rama, i cili ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e veta dhe, përmes ligjit zgjedhor, të aprovuar që në vitin 2008, deputetët socialistë i ka katandisur në kukulla, në gur shahu, çka ka sjellë si pasojë që shumica parlamentare të shndërrohet në një vegël të verbër, në një turmë kokulur që zbaton vetëm tekat e tij.

       Pasojat e politikës ekonomike të “Rilindjes” socialiste që prej shtatorit të vitit 2013 dhe deri tani, janë me të vërtetë katastrofike. I vetmi “sukses” i një politike të tillë, është vetëm kanabizimi i vendit. Dëshmia më shembullore e dështimit të kësaj politike, është braktisja e vendit prej qindra e qindra mijë qytetarëve, të cilët kanë marrë rrugët e botës. Një politikë e tillë u ka shërbyer vetëm interesave personale të kryeministrit Rama dhe një grushti oligarkësh rreth tij dhe nuk mund të vlerësohet ndryshe, përveçse si politikë antikombëtare.

       Me qëllim që gjendja të mos rëndohet edhe shumë më tepër, në këndvështrimin tim, ka vetëm një rrugëzgjidhje: kryeministri Rama të pranojë dështimin burrërisht dhe të japë dorëheqjen, në mënyrë që të krijohet një qeveri teknike, e cila duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e lëvizjes studentore dhe të përgatitë truallin për zgjedhje të parakohshme. Këto pesë vjet vërtetuan në praktikë se kryeministri Rama nuk ka aftësi qeverisëse. Kjo për arsye se ai nuk e njeh absolutisht artin e komunikimit me njerëzit dhe aq më tepër me studentët.

       Në bindjen time, populli shqiptar ka nevojë për daljen në skenë të një tjetër formacioni politik me vetëdije të lartë kombëtare, që të ndërtojë një tjetër politikë ekonomike në të mirë të interesave jetësore të rinisë studentore dhe të mbarë qytetarëve dhe të vendosë në vend autoritetin e shtetit tonë, autoritet që partitë politike që kanë qeverisur gjatë këtyre 28 vjetëve, e kanë nëpërkëmbur keq, sidomos në marrëdhëniet me shtetin grek, i cili Shqipërinë e vlerëson si një vend pa zot, sidomos pas ngjarjes në Bularat.

       Tiranë, 10 dhjetor 2018

 

 

Comments

comments

-----