Mesazhi i një proteste
Nga Reshat Kripa
Uragani ka filluar. Nje uragan i tillë, që kishte vite që nuk ishte parë, qysh nga viti i pa përsëritshëm 1990. Në krye të këtij uragani janë përsëri rinia shqiptare, janë përsëri studentët, njësoj si atëherë, nuk janë partitë politike organizatorët e kësaj revolte.. Studentët e kanë deklaruar, larg nesh forcat e ndryshme politike. Ata kerkojnë të drejtat e tyre që sundimtarët e sotëm i kanë shkelur me të dyja këmbët. Në këtë protestë, si asnjëherë më parë, nuk ka dallim nëse janë të djathtë apo të majtë. Aty i gjen të dy krahët e përkatësisë së mendimeve.
Duke ndjekur këto çaste të pa arritshme, para syve të mi, plakut tetëdhetetre vjeçar, më del fëminia dhe rinia ime. Më dalin ato ditë të pa zëvendësueshme kur, ashtu si sot, ngriheshim kundër shtypjes dhe diktaturës me parullën “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi! Atëherë ishim nën një diktaturë të tmerrshme por unë shoh se edhe sot, megjithëse kjo diktaturë nuk ekziston më, përsëri format e ndryshme që përdor pushteti në fuqi janë pothuajse të njejta si më parë.Një diktaturë e re, një diktaturë e fshehur nën petkun e demokracisë, me pak fjalë një pseudodemokraci është sot në fuqi.
Në rast se një ngjarje e tillë do të kishte ndodhur në ndonjë prej vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore me siguri që hapi i parë do të ishte dorëheqja e ministrri përkatës, madje edhe e kryeministrit. Por në Shqipëri një gjë e tillë nuk ndodh. Nuk ndodh sepse këtu është ende i gjallë mentaliteti i sistemit të përmbysur.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” thërriste rinia në fundin e vitit 1990. Një gjë të tillë kërkojnë edhe studentët e sotëm. Ata kërkojnë që Shqipëria të rreshtohet krenare përballë vendeve të tjera të botës së lirë. Ata kërkojnë, përveç të drejtave të tyre, shembjen e formave të sundimit të pushtetit të sotëm. Kërkojnë dhënien fund të pushtetit të drogës dhe trafikimit, pushtetit të dhunës politike dhe urrejtjes për kundërshtarët politikë.
E gjithë bota është ndarë në të djathtë dhe të majtë. Por në asnjë vend të botës kundërshtarët politikë nuk shikohen si armiq, gjë që është prezente në Shqipëri. Personalisht jam i djathtë por kam respekt edhe për disa miq të mi që kanë koncepte të majta. Një gjë e tillë duhet të sundojë edhe në shoqërinë shqiptare, duhet të sundojë në çdo hallkë të shtetit shqiptar.
Kur do të arrihet një gjë e tillë. Një miku im më ka thënë se Shqipëria do të behet atëherë kur të marrin frenat e drejtimit ata fëmijë, prindërit e të cilëve kanë lindur pas vitit 1990. Me një sentencë të tillë bashkohem edhe unë. Protestat e studentëve shqiptarë janë pararoja e asaj që do rë vijë pas disa vitesh. Studentët protestues janë të gjithë të lindur pas vitit 1990. Por pushtetin e kanë në dorë ende ata që janë infektuar nga e kaluara, ata që janë pjella të atij sistemi.
Koha do të bëjë të vetën. Vitet do të kalojnë. Në Shqipëri do të vendoset sistemi me të vërtetë demokratik, sistemi i ëndërruar prej kohësh nga ky popull martir. Nuk ka rëndësi nëse do ta gëzoj unë apo bashkëmoshatarët e mi. Nuk ka rëndësi nëse do ta gëzojnë shtresat e ndrysahme të popullit tim.
Ajo ditë do të vijë!
Comments
-----