NJË VËSHTRIM PËR PUNËN E RESPEKTUAR TË STUDIUESIT QERIM VRIONI

Nga Shpendi Topollaj

Pas botimit të një sërë artikush dhe librash seriozë mbi historikun e fotografisë shqiptare, studiuesi dhe fotografi Qerim Vrioni, paraqitet së fundi me librin e ilustruar “Pikëllimi në një foto të vjetër”, botim mjaft cilësor i EMAL, kushtuar krijimtarisë së Kol Macas dhe kryesisht kryeveprës së tij “Gjon Pali dhe e bija”. Nga ana e saj, fotografia që sot ka marrë një zhvillim e përhapje të paimagjinueshme as nga vetë krijuesit e saj Niepce dhe Daguerre qysh në fillim të shekullit të XIX – të dhe të afirmuar më 1840 – tën nga Talboti, me zbulimin e proçesit negativ – pozitiv, s`është tjetër veçse teknika dhe arti i riprodhimit të pamjeve të ndryshme me materiale të ndjeshme ndaj dritës, si natyrore ashtu dhe artificiale. Roli i fotografisë në mbi dy shekuj ekzistencë, jo vetëm që nuk është zbehur, por ka ardhur gjithmonë e më shumë duke u rritur. Për nga ndikimi dhe pesha që zë, me pasqyrimin me vërtetësi të peizazheve, ngjarjeve, personazheve, gjendjeve emocionale deri të njerëzve të zakonshëm, ajo fare mirë ka konkuruar krahas pikturës, me të cilën natyrshëm ka ngjashmëri të padiskutueshme.

Jo më kot edhe sot e kësaj dite, pranohet njëzëri fjala vjen, se ajo fotografia “Aquila degli Abruzzi” e bërë në vitin 1952 nga Henri Bressoni, ai që e mbante përherë aparatin në dorë për të kapur çastin, si ai gjuetari i pasionuar që qëndron me gishtin në këmbëz, ngjet tërësisht me një pikturë; me ato gratë veshur me të zeza që hipin e zbresin ato shkallët me parmakë hekuri, përballë asaj kishëzës, me tepsitë e simiteve mbi kokë. Po ashtu, mund të themi se të njëjtat emocione si në pikturë përftohen edhe nga fotografia, me të vetmin ndryshim, se nërsa piktura ka rrymat, shkollat dhe drejtimet e veta, si fjala vjen ajo fiorentine, pra e Renaissance, ajo flamande apo ajo ruse, (ja pse edhe Gombrich thotë se “Dallohet qartë nëse një pikturë e shekullit të pesëmbëdhjetë vjen nga Firenca apo nga Siena, nga Dizhoni apo nga Bryzhi, nga Këlni apo nga Viena”), fotografia në dallim nga ato është universale. Përsa i përket ngjashmërisë, si shembull në kritikën botërore merret fotografia e David Hakneyt, i cili na tregoi sesi mund të aplikohet artit kubik në fotografi, ngjashëm me krijimet e Pablo Pikassos, gjë që dallohet lehtësisht te portreti i nënës së tij në vitin 1982. Në të duket se jemi para një mozaiku, pra një seri katrorësh, ku aq sa flasin veç e veç, aq dhe janë në harmoni të plotë me njëra – tjetrën. Por mjafton të shkosh e të vizitosh fototekën “Marubi” për të parë sesa shumë histori dhe art ka fotografia. Natyrisht që aty do të mësosh shumë, si nga ngjarjet kryesore ashtu dhe nga përditshmëria e njerëzve të thjeshtë. Por edhe do të ndihesh krenar për të shkuarën tonë, për ata burra e gra, shpesh edhe të varfër, por të pasur në dinjitet. Kam pozuar në atë studio kur isha nja nëntë vjeç, dhe e mbaj mend mirë preokupimin dhe përkushtimin e tyre gjatë përgatitjes për fotografim. Ashtu sikurse pohoj se ato fotografi edhe sot më japin një kënaqësi të veçantë. Po ashtu, dua të kujtoj me nderim të madh Dhimitër Vangjelin i cili me atë albumin kushtuar Kolonjës dhe kolonjarëve, prej nga edhe unë jam, na ka dhënë të vërteta të pazëvendësueshme për të shkuarën e lavdishme të tyre qysh para njëqind vjetëve.

Tani që jemi në vitin e Skënderbeut, mendoni sesa me vlerë dhe rëndësi do të merrte arti i fotografimit, sikur ai të ishte shpikur nja 600 vjet më parë. Do kishim pamjen e Heroit tonë dhe të bashkëluftëtarëve të tij, të betejave të zhvilluara etj. etj. dhe do t`u jepej përgjigje shteruese shumë pikëpyetjeve që mund të kenë lindur. Por studiuesi i palodhur Qerim Vrioni, bir i një familjeje të nderuar nga Berati dhe që ka jetuar gjatë në Vlorë, intelektuali erudit që për marrëzitë e kohës, nisi të shkruaj, botojë e aktivizohet brenda dhe jashtë shtetit vetëm në vitet e demokracisë, për asnjë çast nuk ka harruar të nxjerrë nga pluhuri i harresës ose i shpërfilljes, shpesh dhe të paqëllimtë, ato figura që me punën e tyre evropiane i dhanë Shqipërisë qysh herët, artin e “kutisë së errët”, njësoj si vendet e tjera të qytetëruara. E parë nga ky këndvështrim, mendoj se kjo është njëkohësisht dhe një vepër e shquar atdhetare. Të njëjtën gjë Qerimi bën edhe në këtë libër, duke na e sjellë para sysh shkodranin e lindur në vitin 1882, Kol Maca i cili, gjithë talentin e tij e ushtroi në atelietë e veta në qytetin e lindjes, Vlorë dhe Tiranë, gjersa vdiq në vitin 1945. Shkodra me rrethina, vendi i atdhetarisë dhe kulturës të pashoqe, i luftëtarëve, klerikëve, poetëve, shkrimtarëve, aktorëve, piktorëve, muzikantëve e zanatçinjëve të shquar, natyrisht që do të kishte edhe fotografët e saj. Njëri nga këta ishte dhe nxënësi i Kolë Idromenos, i cili pati fatin të specializohet edhe në Vienë të Austrisë. Dhe ishte pikërisht puna e tij e shkëlqyer dhe e pandërprerë që i dha mundësinë të përzgjidhet në grupin shtetëror të fotografëve që do fiksonin zhvillimet e festimeve me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë. Por ashtu sikurse thuhet në libër, për madhështinë dhe aftësinë profesionale të Kolë Macas do mjaftonte vetëm realizimi i vetëm asaj fotografisë që përmendëm qysh në krye të këtoj shkrimi. Ndaj dhe autori i librit ndalet kryesisht në analizën shumëplanëshe të kësaj fotoje, bërë gjatë vitit 1913 në luftën e malazezve dhe serbëve për të marrë Shkodrën, dhe botuar në Itali në prestigjiozen “”Corriere della Sera”, brenda shkrimit “La fine della Guerra Balcanica”. Natyrshëm, Q. Vrioni na jep atmosferën politiko – ushtarake të asaj periudhe, ku vdekjet ishin sheshit, qoftë nga rezistenca e vendosur, qoftë nga bombardimet e pamëshirshme që bëheshin nga kundërshtarët mbi popullsinë e pafajshme. Kjo na thotë se ai ka studiuar disa autorë, deri edhe dëshmitarë okularë si gruaja e konsullit austriak Hortensia von Zambauer me kujtimet e saj me titullin origjinal “Die Belagerung von Skutari”, pra “Rrethimi Shkodrës”, botuar fillimisht më 1914 në Berlin. Llogjika ta do të besosh se i ndjeri Gjon Pali, është vrarë në fushën e luftës. Ai ka marrë dy plumba, një në kokë dhe një në dorë dhe mbi kokë i qëndron e pikëlluar e bija me një shprehje prej madone të fytyrës. Qoftë e atëçastme, qoftë e improvizuar, jo si ngjarje, por si vendosje e këtyre dy personazheve, kjo foto mbetet e përkryer artistikisht. Dhe pikërisht pse është e tillë, ajo i jep shfre diskutimeve rreth saj. Kushdo e di se sa është folur e sa debate janë bërë vetëm për buzëqeshjen e Xhokondës së Leonardo da Vincit. Të tilla debate, por kryesisht me veten, bën me mjaft kulturë dhe zhdërvjelltësi analitike edhe Qerim Vrioni.

Ndaj libri të mëson, të shuan kureshtjen dhe të kënaq estetikisht. Një gjë është e qartë; Gjon Pali nuk është Peregrini i Athinës për të cilin flet shkrimtari romak i shekullit të dytë Aul Geli, që për hir të lavdisë i vuri zjarrin vetes. Jo, ai është një njeri i zakonshëm që sapo e deshi puna, u bashkua me shokët për t`i dalë atdheut për zot. Pra, vetëm për të bërë detyrën, kur momenti e deshi. Por diskutimi i autorit të librit nuk është ky. Ai i mëshon çastit të pikëllimit të vajzës, ç`ka të kujton Pietan e Michelangelo Buonarottit në Bazilikën e Vatikanit. Në kapitullin “Vdekja e njeriut dhe pasvdekja në arte”, duket se Qerim Vrioni është plotësisht në një mendje me Lukianin që dikush e ka quajtur “Volteri i lashtësisë klasike”, i cili thosh se “Deri më tani vajtimi për të vdekurit, kjo marrëzi njerëzore, ndjek kudo të njejtat ligje.” Por kjo s`do të thotë se i afëmi s`duhet të ndjejë dhimbje e trishtim. Por Kola, me aparatin e tij ka përjetësuar krahas kësaj dhimbjeje dhe këtij trishtimi edhe dinjitetin e shqiptares në përballimin e fatkeqsisë që i ka ndodhur njeriut të saj më të dashur.

Horizonti i Qerim Vrionit është i gjerë, ndaj dhe referencat, krahasimet dhe analogjitë e shumta me të tjera krijime nga vendi dhe bota, nuk mungojnë. Madje, ato i japin librit vlerën e një doracaku të vogël rreth artit fotografik. Dhe duke folur për teknikat dhe ligjet e fotografimit fare thjeshtë e kuptueshëm, ai e shton padyshim rrethin e lexuesve dhe nuk e kufizon atë vetëm te specialistët e kësaj fushe. Ja sa bukur e përshkruan ai me një pasazh sekretin e këtij fotografimi: “Nën një pikëvështrimi tjetër, trupat e dy figurave të fotos duket se formojnë edhe një kënd të ngushtë (gjeometrik), i cili përbëhet nga brinja e poshtme (Gjon Pali) dhe brinja e sipërme (vajza), e me gjasë këndi do të mbyllet kur burri të fiket përfundimisht, dhe vajza mund të bjerë mbi të.” Por, s`mund të rri pa përmendur edhe aftësitë letrare të këtij autori. Për ilustrim po citoj: “Pikëllimi i saj është i thellë dhe i heshtur, ajo sikur nuk u beson syve duke e parë në çastet e fillimit të heshtjes së tij të përjetshme, por e pagojë dhe e tharë e vështron të atin me duart e mbështetura te njëra – tjetra, në qëndrim mortor. Njerën dorë, vajza e ka vendosur poshtë kokës së të atit, ndërsa të majtën mbi gjoksin e tij. Shikimi i saj është ngulitur te fytyra e të atit me një përdëllim të matur, ndoshta edhe të mpirë nga dhimbja. Hidhërimi ia ka ngrirë fytyrën e saj tërë nur dhe ajo është mbërthyer nga fotografi në shikimin gojëkyçur e të thellë duke vështruar të atin që po largohet (apo ka ikur ca çaste më parë) përgjithmonë nga kjo botë. Mundet që çasti i fotografimit të jetë gjatë një prehje të vajtimit të bijës për të atin, sidoqoftë ajo duket mjaft dinjitoze në dhimbjen e saj.”

Duke e përgëzuar këtë autor për gjithë sa ka bërë, sugjeroj se ndofta do të qe me shumë interes që njerëz të tillë të apasionuar pas artit magjik të fotografimit të ishin të organizuar në një shoqatë e cila me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës do t`i shërbente akoma më cilësisht evidentimit të atyre që punuan ndër dekada në këtë fushë, edhe duke rëmuar nëpër arkivat e vendeve të tjera, pasi është jashtë çdo dyshimi se ata që kanë qenë në Shqipëri gjatë ose edhe si kalimtarë, pa tjetër që diku i kanë vendosur fotografimet e tyre nga vendi ynë. Kjo do ta ndihmonte shumë edhe historinë, politikën, kulturën, etnografinë dhe jetën tonë shoqërore në përgjithësi.

 

Comments

comments

-----