RRUGËT E FOTOGRAFISË SONË NË SYRIN E NJË STUDIUESI

Nga Miho Gjini  dhe Josif Papagjoni

botuar në gazetën NACIONAL, 29 janar 2017

    Fotografia, jo më si një zanat, si mjet fiksimi i figurës njerëzore, i sendeve e objekteve, i natyrës dhe i ngjarjeve te rëndësishme të jetës, prej kohësh shprehet edhe si formë e sipërme e kënaqësisë shpirtërore, si sens i hollë ndaj të bukurës, si lojë e pastër e artit. Përpara kemi një libër të një miku tonë: “Fjalor i fotografisë” i Qerim Vrionit. Teksa e shfletojmë, padashur ne rrugëtojmë në historinë e artit të fotografisë, mësojmë se ç’është ajo, mjetet dhe mjedisin e saj, termat dhe mjetet e realizimit, metodologjitë dhe teknikat. Dija për këtë art përfshin mëpastaj fotografinë shqiptare, ndihmesa, emra e personalitete, studio dhe procese historike të zhvillimit. I pari i këtij lloji, ky libër pasuron bibliotekën tonë të varfër me botime të tilla të dobishme. 

     Është një përvojë e bukur, afro 200 vjeçare, që e ka khyer procesin e fotografimit dhe vetë fotografinë në një art të mirëfilltë e profesion nga më të bukurit. Kjo shpikje e mrekullueshme e njerëzimit hyri gradualisht në botën e njeriut si art, si aventurë e bukur, për të “kapur” e fiksuar imazhet  që vinin nga natyra dhe vetë njeriu, në formën e memories, këndelljes, ngulitjes dhe regjistrimit të pamjeve të jetës vetjake e asaj sociale, të ngjarjeve me rëndësi e personaliteteve, oborreve mbretërore e selive të shteteve që bënin historinë, gjer të shkrepjet estetike për qejf, të bukurisë si të tillë. Objektivi i aparatit fotografik u bë një “sy magjik” i kohës dhe historisë, duke i falur njeriut përveç kënaqësisë së soditjes, edhe regjistrimin e gjësendeve, të shumëçkaje që krijonte jetën dhe historinë e një njeriu, e një familjeje, e një populli e kombi, gjer të mbarë njerëzimit. Përveç qenësisë së saj si pasqyrë besnike e jetës në shumëanshmëri, ajo mundi të përcjellë ndërkohë gjithë ato emocione të njëmendta që përftohen falë atij “syri magjik”, që ishte fotoja: syri artistik i fotografit.

    Fatmirësisht, ne kemi një shembëlltyrë fort të rrallë: fototekën “MARUBI”, unike në Ballkan, dëshmi e një fenomeni të mëvetshëm e frymëzues të udhëtimit historik që ka bërë fotografia shqiptare në kohë, jo thjesht dhe vetëm si dëshmi e kujtesë historike, fizike dhe antropologjike, por edhe si arritje artistike. Nga një rol e funksion i thjeshtë regjistrues, fotografia fitoi atributet e njohura të artit duke interpretuar dhe vlerësuar objektin e fotografuar, duke improvizuar dhe “luajtur” me të, pra duke krijuar “optikën” e vet. Në rrjedhën e kohës, krahas fototekës “Marubi”, u çelën gjithandej studio të njohura fotografësh, të cilët me shkrepjet e pafunda krijuan një thesar të pasur, ku shfaqet realiteti dhe historia jonë. Dhjetëra studio e fotografë të talentuar krijuan me punën e tyre muze të vërteta, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e artdashësve të shumtë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në metropole të botës si Nju Jork, Paris, Berlin, Romë.Me të drejtë UNESKO e ka vlerësuar dhe e mbron FOTOTEKËN MARUBI si një MUZE HISTORIK E ARTISTIK, me një inventor të jashtëzakonshëm fotografish, pasuri me vlerë të gjithanshme, për ne e për të tjerë.

     Studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni, pjesëmarrës në disa edicione të konkursit kombëtar “Marubi” ne Tirane  dhe çmimin “Gjon Mili” ne Prishtine, bashkautor në disa albume fotografike, ekspozita, është edhe autor i librave “Fotografia, një grusht diell”, “150 vjet fotografi shqiptare” dhe “Fjalori i fotografisë”. Rruga e tij krijuese shfaqet si vazhdimësi e vlerava më të mira të fotografisë shqiptare, duke u ndalur doemos dhe në eksperiencën dhe arritjet e tij cilësore tanimë dhe si studjues i saj. Konkluzionet dhe përgjithësimet e tij i rrëfejnë lexuesit të gjerë, se fotografia në Shqipëri është e pandarë nga arritjet e shënuara kudo në botën e qytetëruar, duke qenë pjesë e natyrshme e saj.

    Prej studimeve të Qerim Vrionit njihemi me mjeshtrat e parë të fotografisë sonë, që nga viti 1856, kur italiani Pietro Marubi hapi të parën studio fotografike në qytetin e Shkodrës, ndërsa rreth 15 vjet më vonë, prifti ikonograf nga Dardha e Korçës, Jani Zengo, pasoi me të tjera foto origjinale. Një tjetër studio fotografike, po në Shkodër, do të hapte piktori i njohur Kol Idromeno. Dhe do të vazhdonte kjo eksperiencë e re me Milto Manaqin, që ekspozoi në Bukuresht foton e tij “Gruaja nga Këlcyra” në vitin 1906, me fotografin Kol Maca që botoi fotot e tij të para në shtypin italian në vitin 1907, me fotografin Vani Burda që realizoi foton e Ismail Qemalit, me Kel Marubin që fotografoi skuadrat e futbollit në një ndeshje në Shkodër në vitin 1913 e që, dy vite më pas, bashkë me Vani Burdën krijuan fotomontazhin e parë me figurën e Skënderbeut, Ismail Qemalit e te Princ Vidit…Më tutje në librin e tij autori do të na njohë me mjeshtra të mëvonshëm si Petro Dhimitrin, Ymer Balin, Kristaq Sotirin, Shan Picin, Thimi Racin, Jani Ristanin, Mandi Koçin etj, gjersa të vijmë te figura e famshme e Gjon Milit që e lartësoi në Amerikë artin fotografik shqiptar, sikundër bën para tij me shkëlqimin e tyre Kel e Geg Marubi në Shqipëri.

    Këta njerëz të devotshëm, që bridhnin me aparate në krahë, që hynin e dilnin gjithkund ku jetohej, punohej, krijohej e veprohej, edhe në skuta e pallate, edhe në rrugë e sheshe, atje ku mblidheshin njerëz, dasmorë, luftëtarë e politikanë, i shtynte një pasion i madh: arti i fotografisë. Ata qenë përherë në “rrugë”, duke krijuar “rrugë”: rrugën e historis së Shqipërisë e shqiptarëve. I zotëronte përherë ndjenja e bukur e artistit që “përgjon” se si jeta derdhej bri tyre, duke fiskuar në celuloid evente të shumta, çdo vit, çdo ditë, çdo orë. Ata ishin ngaherë të gatshëm për të shkrepur blicin e aparatitte tyre. Të palodhur kurrë, gjithmonë në këmbë, edhe kur digjte dielli, edhe kur errej moti… Do të“lija mëndt të më iknin” , kur do të përballesha me njërin prej tyre, me Mandi Koçin, me trupin e tij të gjatë e të mbledhur kruspull, me pallton e tij të vjetër ngjyrë kafe të errët, në burgun e Ballshit, i strukur si një varfanjak. Ç’kishte bërë vallë ai që e kishin rrasur në atë “kurth minjsh”, në burg?!Çfarë kishte fotografuar gabim i ziu Mandi?! Po Pleurat Sula, çfarë foto kishte shkrepur që nuk i ekspozonte dot, përkundrazi i mbante të fshehura në shtëpin e vet, atje ku do t’ja gjenin e do ta rrasnin më pas në qeli?! Ishte një kohë kur fotografët nuk ishin vetvetja dhe nuk duhej të fotografonin njeriun e thjeshtë në aspektet më të zakonta, më të natyrshme, por ama më njerëzoret të jetës së tyre, sepse duhej të fotografonin brenda një formati të paracaktuar, më së pari Udhëheqësin, pushtetarët, pastaj formate skematike si: punëtorin pararojë pranë tornos, traktoristin, mbjellëset e orizit deri në bel në ujë, ushtarin në kufi me thepin e pushkës ne sy, bunkerët e pafund… E të gjorët fotografë të Realizmit Socialist e kishin syrin të trembur e u dridhej objektivi i aparatit kur diçka “ndryshe” dëshironin të fiksonin, për shembull një çast të trishtë jete, një mërzi, diku një fytyrë a trup të lodhur nga puna e rëndë, pamje groteske, një kurm të bukur e tundues femre, pak erotikë, pak ironi me tepritë e kohës, pak sarkazëm, gjer dhe mjerimin që zvarritej rrugëve të qyteteve e fshatrave tona të mjera e të pista!

        E megjithatë do të mbijetonin disa fotografë të mirë e të aftë, që mbahen mend nga brezi ynë, sikundër qenë Mehmet Kallfa, Refik Veseli, Petrit Kumi, Pirro Mosi, Guri Koti, Piro Nace, Niko Xhufka, Ndoc Kodheli, Nikolin Baba, Armando Babani, Gani Xhengo, Zamir Marika e të tjerë, deri sa të ndërroheshin kohët e fotografia shqiptare të shpëtonte nga thonjtë e klisheve të ngurta, që ndrydhnin fantazinë dhe largonin bukurinë. Kornizat e ngushta të tematikës së dikurshme do të thyheshin dysh, jeta dhe e verteta do të hynin tashmë vrullshëm në “syrin magjik” duke qenë sa më afër emocioneve njerëzore, duke u bërë edhe më intime, po ashtu më e përsosur në sensin artistik e estetik. Fotografë më të rinjë si Roland Tasho me shokë do të hapnin ekspozita lirisht në Kosovë, Maqedoni e kudo në botë

   Vetë autori, Qerim Vrioni, që në fillimet e tij si fotograf ka fiksuar mjaft tablo piktorike të mara nga natyra e bukur, në të gjitha stinëte vitit, ku syri i artistit ngazëllehet. Bie në sy kjo në mjat imazhe të sjella me aparatin e vet, që nga Vlora e tij e bukur e deri ne Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Itali, SH.B.A etj, duke u bërë kështu një zëdhënës i denjë i artit shqiptar të fotografisë. Por, nga ana tjetër, me kësi librash që ai na ofron, libra për mjeshtrat e fotografisë e për të gjithë ne, soditësit, që jemi objekt-subjekt i tyre, afërmendsh se sjell kontributet e fotografëve dhe fotografisë shqiptare në rrafshe sa historike, bibliografike, aq dhe vlerësuese e analitike. Andaj ky “Fjalor” i Qerim Vrionit është fort i dobishëm sidomos për fotografët tanë, profesionistë e amatorë, qe duhet ta kenë si manual për punën e tyre të përditëshme, sikurse edhe për lexuesin e gjerë. Në fletët e tij është derdhur një përvojë e trashëguar brez pas brezi. Sakaq ajo është shprehje e pasionit vetjak, punë e pavarur, e pa porositur, e padetyruar dhe e papaguar nga askush, sikundër ndodh edhe me shumë studiues të tjerë, që janë e mbeten njerëzit e heshtur të punës e krijimit. Dashuri ata kanë artin, siç edhe Qerim Vrioni ka fotografinë…

Comments

comments

-----