ISHIM EDHE NE NË KANADA

Nga Luan Çipi
Ishim edhe ne të dy në Kanada
Mes borës, ftohmës, shqotës,
Ndaj them: si vendi ynë s’ ka
Është më i miri i botës!
Atje: karta krediti, shtëpi me shumë kate,
Hekurudha, aeroporte e rrugë të pafund,
Fusha të pa anë, ujëvarë gjigande,
Pasuri nëntoke, gjithçka të mund.
Për nga sipërfaqja, vendi ndenë kampion,
Lindja e Perëndimi, lidhen të pa ndara,
Shigjeta e busullës për aty shënon,
Është Poli i Veriut, është dhe Niagara.
Popull i begatshëm, që adhuron punën,
S’i ka parë luftërat, nuk ka zbrazur armë,
Drejtojnë urtë e butë, pa e njohur dhunën,
Njerëz të hareshëm, burra, gra me sharmë.
Dhe kanë shumë të mira, jetesë me kulturë,
Pasuri e prona dhe pak ditë të ngrohta,
Po unë në ketë vend, s’do jetoja kurrë,
Se kujtoj acarin dhe ditët e ftohta:
Më dridhej trupi, kur dilja pak jashtë,
Borë edhe akull, gjithkund n’ horizont,
Fërshëllen murrlani të vërvit si kashtë,
Futet thellë në shpirt, sa s’e duron dot.
Ne, vendi i bekuar, diell treqind ditë,
Dimri s’ndihet fare, gjithë viti-pranverë.
Në Atdhe të vdes, me butësi e dritë,
Krahët e shqiponjës, verore për erë!
Tiranë, më 25.11.2018
Comments
-----