Lamtumirë Ruzhdi Lata kryetar i komunës së Dibrës!

Nga Keze Kozeta Zylo

Dritë ju pastë shpirti!

Ngushëllime Dibrës dhe familjes së Tij!

Sot është ndare nga jeta Kryetari i Dibrës nën shtetin e Maqedonisë z.Ruzhdi Lata. 

Me keqardhje dhe trishtim e morëm këtë lajm për ndarjen e parakohshme tëKryetarit të Dibrës z.Ruzhdi Lata.  Ne kemi pasur fatin ta takojmëpara katër vjetësh në Staten Island, New York nënjë tubim me komunitetin dibran, të cilët kanë një përqëndrim të madh në numër në këtë lagje.

Të ftuar si media si TV “Alba Life”, filmuam aktivitetin dhe i morëm intervistë.

Gjate intervistës gjithmonë më bënte përshtypje elekuenca e të folurit, qartësia dhe llogjika e mendimeve të ndryshme që ai kishte për Dibrën dhe për Kombin.  Rrjedhshmëia në gjuhën shqipe dukej sikur kishte diçka hyjnore me Alfabetin Shqip, dhe pikërisht ai u nda nga kjo botë pasi festoi me dashuri dhe plot gëzim duke përkujtuar 22 nëntorin e vitit 1908, ditën kur burrat më të zgjedhur të kombit tonë kuvenduan dhe njëzëri vendosën që edhe ne të kemi një alfabet të përbashkët do të shkruante në faqen zyrtare të Tij duke iu uruar përzemërsisht të gjithë shqiptarëve Ditën e Alfabetit!

I ndjeri z.Lata gjate fjales së tij me komunitetin dibran në tubim në vitin 2014-të tha: Ju jeni fryma e Dibrës, ndihma juaj është e jashtëzakonshme në mbajtjen dhe zhvillimin e saj.

Në këtë takim ish kandidati për në Kongresin Amerikan z.Emin Egriu u shpreh se unë mora energji dhe bekimin e tij dhe do të punojë me forca të reja për ta pasur fitoren sa më pranë.

Z.Lata iu bëri thirrje gjithë dibranëve dhe komunitetit shqiptar që ta mbështesin kandidaturën e z.Egriu sepse zgjedhja e tij do të jetë një zë shqiptar më shumë në botë.

Z.Lata tha se ne duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, t’i lemë grindjet dhe mëritë me njeri tjetrin, por t’i japim dorën dhe të punojmë së bashku për të mirën e Kombit. Në se ne diskutojmë në mënyrë konfliktuale, pa etikë kurrë nuk do të kemi Paqe, dhe rezultatet do të jenë gjithmonë në regres. Pas takimit me kryetarin e Dibrës mjaft të pranishëm para kamerave na folën fjalë miradie dhe thanë se ndjeheshin krenarë që përfaqësonte me aq dinjitet Dibrën, ndërkohë dhe unë si pjesëmarrëse dhe si media në atë takim, mora të njejtën ndjesi për komunikimin e tij plot kulturë, bindës dhe dashamirës me bashkatdhetarët e tij në Diasporë.

Në fund iu përgjigj pyetjeve të ndryshme nga të pranishmit, të cilat u moderuan nga z.Muharrem Borova.

Ish Kryetari i shoqatës atdhetare “Dibra” z.Musa Paçuku i dorëzoi pllakën e mirënjohjes z.Ruzhdi Lata me këtë motivacion: “Mirënjohje për gjithçka që ka bërë për kombin, fenë, Dibrën dhe dibranët. Simbol i kompaktësisë dibrane, i dalluar për mençurinë që ka përcjellë, për gjithë dashurinë dhe respektin, kontributin e madh që ka dhënë dhe vazhdon të japë”.

I ndjeri Ruzhdi Lata do të ngelet në memorjen tonë si një burrë dibran i shquar dhe si një patriot që luftoi vetëm për Kombin! 

Lamtumirë Ruzhdi Lata!

Kush është Ruzhdi Lata 

(marrë nga faqja zyrtare e Dibrës)

I lindur më 06.05.1953, në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme vazhdon studimet ne fakulltetin Filologjik-dega Gjuhë orientale në Universitetin e Prishtinës. Shkallën e tretë të studimeve e kreu në Universitetin e Prishtinës dhe morri titullin Magjistër i shkencave të filologjisë.

Karriera: Prej vitit 1980 ka punuar në Bashkësinë Islame dhe në të njejtën kohë ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në katedrën e Orientalistikës deri në vitin 1991 kur sërbët me dhunë e larguan nga fakullteti. Punën në Prishtinë e vazhdoi edhe dy vjet në shtëpi private ku fakullteti mbante mësim. Pas vitit 1993 përsëri paralelisht dy vjet punoi në Bashkësinë Islame në Maqedoni dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup deri në vitin 1995. Pas vitit 1995 punoi vetëm në Bashkësinë Islame deri në vitin 2009, pas vitit 2009 gjer në vitin 2013 punoi në Bashkësin Islame dhe ligjerues në katedrën e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2013 u votua dhe u zgjodh kryetar i Komunë së Dibrës.

Gjuhët: shqip, maqedonisht, sërbokroatisht, turqisht dhe arabisht.

Gjatë karierës është marrë me përkthime nga arabishtja, vepra e dhjetë e Sahihil-Buhariut, nga turqishtja, romani i Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”, publikim i disa artikujve në katër vazhdime për Haxhi Vehbi Dibrën, Haki Sharofin, Fuat Dibrën etj.

Pjesmarrës në disa simpoziume ndërkombëtare dhe konferenca shkencore me temë “Kontributi i Ulemave dibranë në lëvizjen kombëtare”, “Kontributi i Ulemave të Rekës”, “Pjesmarrja e hoxhallarëve në Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe në Shpalljen e Pavarësisë” etj.

Përkrahës i lëvizjeve demokratike në Dibër dhe më gjërë, kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin e partive politike shqiptare në Dibër pas vitit 1990. Njihet edhe si aktivist për pajtimin e popullatës në raste konfliktesh të të gjitha niveleve dhe ka të regjistruar mbi 150 pajtime. Njihet edhe si organizator për ndihmesë materiale për nevojën e kosovarëve, për pritjen dhe sistemimin e bashkëatdhetarëve nga Kosova në Dibër, për Lëvizjen kombëtare shqiptare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Peshkopisë në krizën e vitit 1997 etj.

Për punën e bërë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dekorohet Qytetar Nderi nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë.

24 nëntor, 2018

Staten Island, New York

 

Comments

comments

-----