Një libër me mozaik poezish si Bukuroshja e Durrësit
(Marrë nga parathënia e librit “Graviteti i shpirtit” me autore Ermira Mitre)
Nga Këze Kozeta Zylo
Nuk e kishja menduar se ëndërrimet rinore herë tokësore e herë qiellore një ditë dhe mund të bëheshin realitet e pikërisht në palcë të botës në Manhattan. Në fakt këto lloj ëndrrash vetëm në këtë vend të lirë mund të realizohen paqësisht dhe për poete gra… E kam fjalën për një autore të re që shpërtheu si një lule maji plot petale duke na sjelle një buqetë trëndafilash me poezi që kundërrmojnë aromë gruaje shqiptaro amerikane.
Libri me poezi në shqip dhe në anglisht “Graviteti i shpirtit” është shumë intrigues që nga vetë titulli që mban duke të çuar me fantazinë e mendjes së autores gjithmonë në ecje, por dhe në kthim që është dhe kjo vetëm ecje, ecje pakufi në vendin ku na ka rënë koka, që siç thoshte Çajupi nga dherat e huaja si: “Atje ku balta është më e ëmbël se mjalta”…
Duke na hedhur fati të dyjave në rruget e emigrimit më duket se në mjaft poezi gjej vehten, sepse janë rrugët e çakërdisura të ikjes nga Atdheu mëmë që të bëjnë të ndjesh dhimbje, dhimbje shpirti për çdo gjë që ke lënë pas, për çdo gjë ku dhe gurët e portave duket sikur qajnë…
Autorja Mitre di t’i kthejë dhimbjet në petale kuruese, dhe t’i bëjë sfidë botës shurdhuese. Vargu i saj të përkund lehtë në djepin e mëmësisë dhe lexuesve iu shtron me krahëhapur sofrën plot me dashuri vajze mikpritese shqiptare dhe nëpër valët e këngës së zjarrtë amaneti i saj nuk tretet kurrë, është hiri i një shpirti të pasur poetik si në poezinë “Erdha Durrës”, “Erdha Durrës, “Durrës plak/ Rëra këmbën të më puthë/ Deti gjoksin të ma lagë/ Erdha prapë shpirtin ta mbush”… fq.8
Poetja Mitre të frymëzon me poezitë e saj aq të ndjera sidomos ato me temën e emigrimit e cila më kujton mjeshtren e poezisë botërore, shkrimtaren amerikane Maya Angelou e cila thotë: “My mission in life is not merely to survive, but to thrive: and to do so with some passion, some compassion, some humor, and some style” që përkthehet në shqip si: “Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetojë, por të lulëzojë; dhe këtë e bëj me pasion, me pak mëshirë, me pak humor, dhe pak stil.
Lexuesi freskohet me vesën e mëngjesit të metaforave që shndrisnin në portat e kalasë mu tek pusi i Toponasë. Vashat ngjyejnë flokët me të kuqërremten e Perëndimit të detit Adriatik në Durrës dhe doemos autoren e lënë pa gjumë gjer në agim nga nostalgjia dhe malli përvëlues për vendin…
Poetja Mitre si një nimfë e poezisë vazhdon të këndojë si në strofën e katërt: “Nimfë bëmë, lehtë të rrëshqas/ Nëpër det e oqeane/ Mbi buzë tënden të qëndroj/ Të të puth sy edhe faqe”. fq.8
Autoret si Mitre që emigruan qysh herët jashtë Atdheut duket sikur nëpërmjet krijimeve kanë gjetur prehjen e tyre shpirtërore dhe ashtu si nënat që kujdesen për bebet e tyre të porsalindur, ashtu dhe poetet dinë t’i përkundin lehtaz e butësisht vargjet me metaforat të strehuara në shtratin e ngrohtë të artit. Ato bëhen projektuese dhe barierë e lukunisë së mediokërve e bejtexhinjve që veshin si me dyll sytë e lexuesve të paformuar dhe bëhen pre e kësaj lloj babëzitjeje të pafre.
Poezitë e autores Mitre kanë herë fuqi mistike e herë fuqi tokësore dhe duket sikur hyjnitë, Zanat e maleve bisedojnë me të gjallët duke shkuar deri në asht të nervit poetik.
Libra te tillë janë një prurje e re e kulturës kombëtare. Poezitë e saj jane si flutura që enden midis qiellit dhe detit dhe me një forcë gruaje që e dashuron artin thotë se është si degë qershize me hijen e saj të fëmijërisë që qëndron: “Në terminalin e fundit të aeroportit Currila-Vendlindje, dhe gjen të freskët imazhin e dashurisë magjike të dy kaltërsive”. Fq.10
Autorja nuk ngelet në udhëkryqet e jetës së një emigranteje të pashpresë që me gurin e sizifit mbi shpinë vuan e vuan pambarim, por ajo me imagjinaën e artit përjeton dhe fantazon për Ditën e Arbërit që të kujton medoemos De Radën e madh me “Këngët e Milosaos” si në vargjet lapidar: ”Erdhi dita e Arbrit/ Doemos do vdesim/ në shtrat, në mos rënçim/ në prag të shtëpive tona”!
Poetja gdhend dashurine e pamat, me epitete të prushta që ndikon me fuqine e artit aq shumë tek lexuesit që i shtohen natyrshëm dita ditës. Unë e lexoj dhe e rilexoj me syrin e një shkrimtareje simotër emigrante dhe më duket sikur dëgjoj tinguj mëmësie që më vinë larg si jehonë nga Shqipëria dhe figuracioni i pasur poetik më shtron një udhë me kalldrëm si qyteti i gurtë i Gjirokastrës ku gurskalitësit e jashtëzakonshëm të këtij qyteti i dhanë pasuri të paçmuar botës së kulturuar. Autorja e do vendin me tingujt e sirenave, me oshëtimën e kambanave e do me lindjen dhe me mortin e pashmangshëm të jetës e do dhe me “rrymën e frikshme” te ujit ndaj dhe na dhuron këto vargje filozofike si në poezinë “Të dua vendlindje” me këtë strofë: “Po aq e dua edhe mortin në shtratin tënd/ me homazhet shumëngjyrëshe dhe këngët e vajit/ dhe dhimbjen që përshkon shpirtin tënd/ si rrymë e frikshme uji që nxin petalet e Majit”… fq.12
Autorja e do tokën e saj ashtu siç është herë të bukur e herë me mushkërite e saj të mbushura me ujë, ku retë e bardha paprimtas kthehen në të murrme dhe derdhin si me shtama ujin papushim ku e pamundur të evakuohen të gjallët nga përmbytjet… saqë dhe unë si lexuese për një moment kërkoj pushim se më duket sikur përpihem nga lluca që me aq fuqi epike autorja di t’i sjellë pranë nesh si në poezinë: “Dhimbja për Mëmëdheun”. Le ta lexojmë një strofë prej kësaj poezie: “Në varg do hedh dhimbjen për lypsat e rreckosur/ që mbi lëkurë skamjen kanë të damkosur/ gërmadhë paradoksi në bulevardin e ri/ padronët kanë një qen me tjetër petk mbi qimen e tij”… fq.14
Poezia është piskamë që therr gjer në kockë për lypësit, mjerimi është kafshatë që s’kapërdihet do të shkruante Migjeni ose siç e quajnë poeti i mjerimit, por nga ana tjetër si në ajër më ravijëzohen dhe vargjet e autores së famshme amerikane Emily Dickinson e cila shpreson që njerëzit të duan dhe zogjtë, natyrën e bukur përreth e cila thotë: “I hope you love birds too. It is economical. It saves going to heaven”, që përkthehet: “Shpresoj që ti të duash edhe zogjtë, është ekonomike. Duke shpëtuar ata shkojnë në qiell”.
Lypësit dhe zogjtë kane nje lidhje organike sepse të dy zgjasin krahët në ajër, por çdo gjë varet se në cilin ajër i shtrijnë krahët?…
Ka poezi që të duket sikur takohesh me një shenjtëreshë, vargje që luten dhe që falin shpirtin për të mirën, për të bukurën, njerëzoren si në poezinë: “Merrma shpirtin”… “Merrma shpirtin, fole bëma, për shtegtarët e robëruar/ shpresën rrite, fije bari prej tokës së amëshuar…/Merrma dorën bëma hartë, që të mbaj pesë kontinente/ gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj bote”! Fq.16
Në disa poezi gjejmë përjetimet shqetësuese të poetes e cila e ka të pashmangshme qëndrimin e saj kritik ndaj fjalëve lënduese që shpesh njerëz të tillë janë jo të paktë dhe për rrjedhojë ato toksikojnë mjedisin dhe lënë gjurmë të zeza në shoqëri. Autorja dënon me forcën e penës këto dukuri tejet negative si në poezinë: “Fjalët shëruese, Fjalët lënduese” në vargjet: “Fjalët, të lehtat, të ligat/ si lëvozhga e grurit në erë shpërndarë/ në dhëmbët e gojëligut e çmirëziut ngecur/ kruajtur e bluajtur, në një mijë copëra ndarë… fq.58
Krejt në antitezë janë fjalët shëruese, të cilat bëhen mjaltë e melhelm për njeriun si në vargjet: Fjalët, të ëmblat, të urtat/ Margaritarë farash të arta.
Poetja shqetësohet jo vetëm për dukuritë negative në mjediset ku jetojmë, por dhe me histerinë e disa liderve të çmendur që botën duan ta hedhin në humnerë, në hone pafund dhe pakuptuar risjellin një holocaust te ri… Syri i poetes vështron larg dhe sjellë pranë lexuesve gjendjen e frikshme që krijohet nga pushtimet e ndryshme si në poezinë: “Bota në histeri” me vargjet: “Në Kremlin, pesë gishta kanë firmosur/ të rishkruajnë/ Kufinjtë e Rusisë cariste/ me eshtra ukrainase/ në Siri/ u rizgjua Aushvici/ nga thellësia e tokës/ kori i britmave therrëse/ të Holokaustit të vjetër/ i bashkohet Holokaustit të ri. fq.62
Libri ka disa poezi dhimbjeje, ka hymne poetike me pejza shpirti të thurura mjeshtërisht nga autorja ku do të veçoja përjetimin fort të hidhur, plagosjen e poetes si nënë për të birin e saj Mikaelin që i humbi jetën tragjikisht në një aksident. Ajo e ka përjetësuar Ëngjëllin e saj në poezinë “Malli për Ty”
Aty gjenden figura të skalitura me lot dhimbjeje, dhe i këndon Ëngjëllit të saj të cilin e pret krahëhapur të vijë si një Krisht… Ajo ka përjetuar dramën e një nëne dhe ka një plagë të çarë si shegë, ku loti qerpikut i vidhet…
Është një poezi hyjnore, është poezi Hymn për të birin ku s’ka lexues prind të mos përlotet nga fuqia e shpirtit të poetes, nga fuqia e dashurisë së një poeteje nënë si në këto vargje: “Krahëhapur të pres prej vitesh si dikur/ të sulesh, drejt meje të vraposh/ në gjoksin tim kokën ta prehësh/ e dhimbjen t`ma lehtësosh…Një zë i thellë prej së largu më vjen/ nga ëndrra syhapur më zgjon/ është veç një iluzion i çmendur më thotë/ Që të gënjen e të lë duarbosh”…fq.33
Ka shumë shkrimtarë që kanë përjetuar humbjen e fëmijëve të tyre, por ajo qe i bën ata të veçantë nga njerëzit e thjeshtë që kanë pësuar këtë lloj drame është se shkrimtarët i kanë ngritur monument dhimbjes dhe i kanë bërë të përjetshëm fëmijët e tyre të humbur… Një prej tyre është shkrimtari botëror Viktor Hygoi i cili në poezinë “Vajtimi për bijën” shkruan: Tani që shkova nga Parisi i vështirë/ mermer, tavane, truall, mjegull nuk shoh/ tani jam nënë lisa, nënë deg’ i shtrirë/ dhe bukuri’ e qiellit mëndjen po m’a ngroh/ tani nga zia që më shthuri si gërmadhë/ I zbet’ i gjallë dal/ më hyn në zemër paqja e natyrës madhe/ dhe qetësi më fal”…
E megjithatë këto gjendje emocionale, që të kapin në rrjet dhe të mbajnë pezull, poetët dinë t’i kalojnë me besimin tek Zoti dhe përjetësia…
Me krenari të ligjshme i thur poezi mamës së saj siç dhe do te thotë me koloritin lokal durrsak në poezinë: “Mamës time”. Ajo është një nënë ëngjëllore dhe hap krahët nga qielli duke vazhduar të ngrohë me shpirtin e saj në pafundësi si në vargjet: “Fluturove në vjeshtë/ Dallëndyshe në mërgim/ kthehesh çdo pranverë/ si më i shtrenjti kujtim! Dhe rriti dimensionet humane në pafundësi/ dy shpirtrat tuaj bashkë, nënë e bir/ të lidhur pazgjidhmërisht në përjetësi”… fq.90
Me tone të buta femërore jepet dashuria delikate e poetes për të dashurin e saj te jetës, për valëzat e dallgëve të zemrës që rrahin fort nga sunami i dashurisë. Këtë e lexojmë kthjellët në poezinë: “Dashuri e parë” me vargjet: “Nën flakën e qiririt u pamë ndër sy/ të ndezur prej zjarrit që fshihej në gji/ kopsën e këmishës zbërtheva ngadalë/ afshi im i ngrohtë/ digjej porsi flake”… fq.88
Figurat estetike jane si me rrëmba dritëzash dhe përjeton një lëndinëz të kadifenjtë dashurie, thurur me inxhi shkëlqimi mbi gjokse femrash.
Pasuria e gjuhës letrare në forma të ndryshme estetike i japin përthyerjen e monotonisë dhe e bëjnë me kontraste që zbusin ëmbëlsisht shijet e lexuesit.
Autorja duke qenë se balanca midis qëndrimit në Atdhe dhe në Amerikë po i barazpeshohet medoemos i këndon aq bukur dhe Manhattanit, kryeqendrës së botës. Vetë ndërtimi arkitekturor i tij, gradaçielat që puthen me qiellin, oqeani dhe lumi që janë si fustan blu për bukuritë marramendëse, reklamat verbuese, arti magjik, nuk ka se si të mos ngacmojnë shpirtin e poetes dhe të na sjellë nga një trëndafil kundërrmues si në paja nusesh me poezinë: “Manhattan”.
“Kopshti yt harem trëndafilash/ kopshti konglomerat ngjyrash/ petalesh fildishi,
të kuq, të bardhë, të zinj, çokollatë/ Farën era shtegtoi nga brigjet e Danubit dhe Nilit të gjate/ Piramidat e Majës dhe Egjiptit të Lashtë/ tregjet e gjera të Kinës dhe malet e Himalajës/ retë u bënë fole, pikat e shiut trëndafila/ zunë rrënjë e u rritën në kopshtin tënd Manhattan”… fq.84
Libri “Graviteti i shpirtit” është i ndërtutar me një gjuhë të pastër që pikon dritë nga ninëzat e syrit të një poeteje grua, mësuese dhe nënë në emigrim në Amerikë.
I gjithë libri është një dhuratë si prej Zoti që dritëzon sadopak udhëzat dhe shtigjet e humbura, dhe u jep dritë si të verbërve po aq dhe dritëdhënësve, i bën ata të vetëdijshëm se dhe në botën e largët nga bijtë dhe bijat e ikura të Atdheut ka prush arbërie që s’do të shuhet kurrë. Është një dhuratë si një flakadan që ndriçon dhe do të mbahet brez pas brezi. Poetja do të ndjejë rrahjet e tokës vetëm kur të kthehet përsëri dhe të përkëdhelë me sy e art gjithçka në tokën e saj… “Syri ëmbël të përkëdhelë/ Mozaikun e Bukuroshes/ mbi të faqen ta mbështes/ të ndjej rrahjet e kësaj toke”. fq.8
Autorja Mitre si një nimfë oqeanike ulet të shlodhet mbi gurët e mozaikut të kujtimeve dhe bëhet po aq joshëse me vargun poetik sa dhe Bukuroshja e Durrësit që më së shumti e vizitojnë ata që e duan historinë e Durrësit plak dhe të tokës me gjuhë hyjnore.
Pohoj artistikisht dhe shpirtërisht si një kolege emigrante se ashtu siç u zbulua rastësisht Bukuroshja e Durrësit një nga mozaikët më të rralla dhe më të bukura gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916-të ku fatmirësisht oficeri austriak Camillo Prashnicher, i cili qe dhe një arkeolog i shquar u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej, ashtu dhe autoren Mitre ekzaktësisht pas 100 vjetësh e zbuloi si poete dhimbja e ikjes nga Durrësi plak, dhimbja e ikjes nga Atdheu, e zbuloi bota e lirë amerikane…
Kozeta Zylo
Shkrimtare, poete dhe bashkëthemeluese e TV “Alba Life” si dhe Shkollave Shqipe në New York
Shtator, 2018
New York
Comments
-----