Mos ec mbrapsht…
Nga Viron Kona
-Vargje për ata që duan të dëgjojnë-
Mos ec mbrapsht, o miku im,
se pushteti s`është lojë fëmijësh,
të ecësh mbrapsht padashur bie,
në fundin e thepisur të greminës.
Mos ec mbrapsht, o miku im,
se rreth teje do të lëvrijnë zvarranikë,
do të tërheqin n`punët e tyre të pista,
do të përzihesh në llum me ndyrësitë.
Mos ec mbrapsht, o miku im,
se ata që të ngritën e të deshën do dënosh,
n`botën e turbull që do krijosh në errësirë,
vetëm me diktat dhe krime do t`mbijetosh.
Mos ec mbrapsht, o miku im,
se në jetë “nyje gordiane” do të lidhësh,
më pas ti Aleksandërin do të imitosh,1)
“nyjet” me forcën e shpatës t`i zgjidhësh.
Mos ec mbrapsht, o miku im,
se papritmas ti shndërrohesh n`ortek,
që rrokulliset dhunshëm nga lartësitë,
mbulon gjithçka, shkatërron dhe vret.
Mos ec mbrapsht, o miku im,
me sundimtarin që mallkove do ngjasosh,
frika dhe ambicia do të t`bëjnë tjetër njeri,
në një radhë me diktatorët do të qëndrosh…
——————-
1).Nyja gordiane dhe historia e saj janë shumë të njohura. Nga mitologjia greke dimë se ajo ishte një lidhje(nyje) e komplikuar që nuk mund të zgjidhej. Aleksandri i Madh, përballë kësaj nyje, ngaqë nuk e zgjidhi dot, e preu me forcën e shpatës.
Comments
-----