MIDIS NESH DR. ZINO MATATHIA

Nga Luan Çipi

 

Sot ne, një grup me të moshuar vlonjatë (Fatosh Voshtina, Duro Mustafai, Pirro Veshi, Taulla Bimo, Luan Çipi, Niko Gjyzari, Minella Mosko, Sabavet Ymeri, Reshat Kripa, Vangjel Loli, Stefan Bitri, Gudar Toto, Agim Nanaj, Axhem Gjonaj, Viktor Hoxha), te Bar Kafe “DeGol” në Kryeqytet, u takuam, si ish shokë fëmijërie e të njohur të hershëm, me vlonjatin ebre, Dr Zino Ilia Matathia. Ai, ka mërguar në Izrael qysh në vitin 1991 dhe ka ardhur në Shqipëri të rrijë disa ditë, për çmallje e pushime.

Po, kush është Zino Matathia? Ai thotë për vete: “Kam qenë me fat që u linda në Vlorë dhe jam krenar që jam vlonjat”. Edhe babai  dhe gjyshi i tij në Vlorë u lindën, po me prejardhjen e hershme janë Izrailitë dhe kanë pasur fatin, të jenë ndër familjet drejtuese, më të lashta dhe më të shquara Ebreje.

  1. Zinua personalisht, ndihet më shumë Shqiptar dhe këtë e ka për nder, ndaj edhe thotë: “Ndihem shqiptar se u linda në Shqipëri, kam jetuar në Shqipëri, flas shqip, mendoj shqip, ëndërroj shqip, gëzoj shqip, shaj shqip, kam zakone shqiptare dhe vlerat e tyre nuk do t’i këmbeja me ato të popujve të tjerë…

 

                    

Me këtë rast duhet theksuar se familja me origjinë mbretërore ebreje, Matathia, ka kontribute të shquara për Shqipërinë. Në dokumentet historike përmendet se në vitin 1920 Mateo Matathia, ka luftuar për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italian. Në atë luftë si dhe në evenimentet e mëvonshme atdhetare, përkrah Mateo Matathisë kanë qenë edhe bashkatdhetarët e tij të origjinës ebreje, Nesim Levi e Jozef Kantozi. Mateo Matathia gjithashtu ishte një nga themeluesit e odës së tregtisë në Vlorë dhe sekretari i saj dhe më vonë anëtar i Këshillit Bashkiak.

Zino Matathia, i vitlindjes 1940, i biri i doktorit stomatolog Ilia Matathia, (edhe ai i lindur në Vlorë), pasi kreu gjimnazin “Ali Demi” Vlorë, studioi në Universitetin Shtetëror të Tiranës për mjekësi dhe u specializua për kirurgji dhe anestezi, punoi si mjek kirurg dhe drejtues në spitalin shtetëror të Beratit dhe në Tiranë dhe në vitin 1991 u riatdhesua familjarisht, me gruan (ortodokse beratase) dhe dy fëmijët e tij, në Izrael. Edhe atje meritoi, pas testimit të suksesshëm, specialitetin e doktorit kirurg të përgjithshëm dhe gjithsej, në 43 vjet përvojë mjekësore, ka regjistruar me dhjetëra raste të rralla e të shquara shërbimesh, me një karrierë brilante në ndihmat mjekësore, në zgjatje e shpëtim jetësh, në Shqipëri, Izrael e deri në Kosovë.

Veç kontributeve direkt shumë vjeçare në mjekësi në Berat e Tiranë, si arritje të rëndësishme në ndihmë të shqiptarëve për  dr. Zino Matathien, vlen të theksohen dhe dy kulme atdhetarie:

1)Ndihma e Shqipërisë nga Izraeli me shumë medikamente në vitin 1997, kur në vendin e trazuar në vëllavrasje, kishte shumë nevojë dhe

2) Një veprim i bukur, i mençur, human, i duhur, shumë i nevojshëm e i domosdoshëm, që mori qeveria izraelite në ndihmë të popullit kosovar, në vitin 1999, kur në kufirin maqedonas-kosovar u ngrit spitali ushtarak fushor izraelit, i pari dhe i vetmi në atë kohë. Me pjesëmarrjen aktive të mjekëve vlonjatë Zino Matathia dhe Bajram Bala, brenda disa orëve u vunë në funksion: reparti i kirurgjisë, traumës, sëmundjeve të brendshme, pediatrisë, obstetrikës, laboratorët, radiologjia etj. Duhet theksuar se ekipi mjekësor përbëhej nga profesorë të shquar të spitalit “Hadasa” të Jerusalemit, që punonin me një profesionalizëm të lartë dhe me devotshmëri të konsiderueshme.

Për meritat e tij të shquara në dobi të Shqipërisë, dr. Zino Matathia është shpallur Qytetar Nderi nga Bashkia e Beratit dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin e lart “Për merita të veçanta civile”.

Tiranë, më 20.10.2018

 

 

Comments

comments

-----