FATOS ARAPIT

Nga Luan Çipi

Të kundronim, Tosi, të ndiqnim nga larg
Gjer në Bullgari, kur nise vargëzimin
Përmendsh i mësonim çdo strofë e çdo varg
Na mbushje me shpresë, na shtoje gëzimin.

Rilindi Naimi, Lasgushi, Asllani
Shpërthente talenti në çdo poezi
Të dal’ kush të dojë, është shesh mejdani
Kadare, Agolli, me ta edhe ti.

Qindra, mijëra grimca me drita e ngjyra
Perëndimet i ndiqje, gjer te retë  përflakur,
Mbi det shpërthenin “ mejtimet” e lira
Gjëmonin magjishëm “ alarmet përgjakur”.

Sa shpejt e dallove rënien në humnerë
Ngritur nga rrogozi, fort protestove
Një lirik pasqyrë, lindi këtë herë
Shpalosur në art, çka pe dhe jetove.

Kishe trashëgim, ullinj edhe ara
Te Zvërneci i  Vlorës, qilim, buzë detit.
Po, një degë ulliri, vallë, si nuk t’u dha
Rrethuar për koke, si kurorë  të mbretit?

Ngadhënjen poezia, 20 libra shkruar
Poetika Strugë, “Kurora e  artë”
Dhe pse pushtetarët të lënë të veçuar,
Vlerësimi i  lexuesit: Monument i lart.

Vlorë, 5 korrik 2010

 

 

Comments

comments

-----