Libri 173 i poetit Adem Zapllusha

Koment letrar nga poeti vlonjat Luan Çipi

 

Kush e lexon këtë fillim titulli (LIBRI 173) do mendoj se bëhet fjalë për ndonjë bibliotekë të pasur familjare, që ka 173 libra, ose se kaq është (173), botimi i librave të një institucioni shkencor, apo letrar.

Jo, në këtë rast, flasim për një tjetër të vërtetë, që do t’iu çudisë: 173 është numri i librave me poezi, që ka krijuar poeti super produktiv, vetëm 75 vjeçar, Adem Zaplluzha, nga Prizreni i Kosovës. Ai ka botuar deri  tani, 163 libra dhe ka të përfunduara, gati për botim edhe 10 të tjera. Janë krijuar prej tij 12 746 poezi, ose 234 516 vargje. Dhe, jo poezi dosido, po të një stili modern të jashtëzakonshëm dhe krejt të lirë, së shumti pa rimë, po mjaftë të këndshme me muzikalitet, rritmë, me fjalë të kërkuara, të zgjedhura e të ëmbla, në një drejtshkrimin besnik bashkëkohor shqiptar, pa asnjë ndërhyrje nga gjuhët e huaja dhe me një kontroll të rreptë gjuhësor e drejtshkrimor. Një karakteristikë dalluese e poezive të Adem Zaplluzhës përbëjnë figurat artistike letrare, me epiqendër metaforat e bukura, që e bëjnë më interesante dhe intriguese çdo poezi.

Libri 173, që titullohet “KUSH I THEU XHAMAT E SHIUT” është një sukses i ri për krijuesin emërmadh shqiptar, ndofta kampion  botëror në togun sasior të titujve të librave nga i njëjti autor. Libri ka 3 cikle kuptim plote, të shtrira në 140 faqe.

Në ciklin e parë trajtohet tema: “Si ta ndjejë praninë tënde”. Autori e nis me porosinë për “Mos t’i thyer pasqyrat e kujtesës” dhe për mos ta harruar të kaluarën, pranverën dhe puthjet e dikurshme dhe i vetmuar, mallkon të huajt, deri për ndërrimin  e emrave të rrugëve. Ai e mbyll ciklin me një poezi dashurie, ku shpjegon se “Mbrëmë ishte ajo që trokiti/ Në dritare…/ Po ju them se ishte ajo,/ Sepse askush nuk di/ Të trokasë kaq bukur në dritaren time…Ajo troket si pikat e shiut/ Kur vjen tek unë, si freskia e pranverës…/ Kush i theu xhamat e shiut?!/ Era apo hija e saj imagjinare?!”

Ciklin e dytë autori e quan: “I dëgjuam disa britma të shurdhëta”. Zaplluzha pyet kush i theu xhamat dhe ato ai i destinon kryesisht për t’u mbrojtur nga shiu, pa përmendur funksionet tjera të rëndësishme që xhamat kanë për shtëpinë, këtë çerdhe të ngrohtë familjare, qendër banimi, edukimi dhe relaksimi, ku janë pikërisht dyert e dritaret që e bëjnë komode, funksionale, të dashur e të këndshme. Xhamat e dritareve janë tamam ato, që e mbrojnë atë më së tepërmi, nga shiu e bora, po dhe nga era, nga ftoma dhe tej ngrohja.

 “Kush i theu xhamat e shiut?!” këmbëngul e ripyet autori! “”Era, apo bija e saj e imagjinuar?! Dhe më poshtë: ”Imazhet, zbresin si perënditë…/ Zbresin shkallëve të mendjes kujtimet.”…”për befasinë e të gjithëve,/ Mu bë se dëgjoja zërin e Gjergjit tonë… Dhe në vijim – çdo gjë shqiptare: “Drini i Bardhë” në horizont, “Fusha e Mëllenjave”, “lotët e nënave’’, “valsi i lumturisë’’, “teatri i qytetit”, “dheu i etërve”…

Më poshtë vazhdon ‘‘dilema” njerëzore: “Sa herë që desha të jem vetvetja, / Njëqind pengesa/ Më dilnin parasysh.”…”Të jesh, apo të mos jesh?”…”Të ishe grua, unë do isha burrë/ Por tani s’di se çfarë jam  më.”

Dhe nuk vonojnë notat optimiste: “Jam shumë i sigurt,/ Se nuk trokas kot në dyert e qiellit,/ Një ditë do hapen,/ Sepse dashuria njerëzore/ Patjetër do triumfojë.”

Diku, në vijim autori qorton Kurbetin: “Më kujtohet, kur u gjenda njëherë/ Në tokën e huaj, Ishte një trishtim shpirtëror/ Të shikosh vetveten/ Duke vdekur ngadalë.” Dhe këtë largim e shpjegon me faktin se ”Atdheu im ishte një tokë pa diell,/ Hëna e ngrirë/ Mbrëmjeve të vona…

Në ciklin e tretë autori thur poezi  “PËR HERONJTË DHE MASKARENJTË”. Për “titanët e kombit dhe për liliputët burracakë” Ai krenohet se : “Kjo tokë, ky Atdhe, s’janë të varfër./ Kanë një gjuhë me tri fe”, ku përshëndeten “Mirëmëngjesi”, “Mirëdita” dhe ”Natën e mirë” dhe më tej krenohet se “Këtë tokë të bekuar nga perënditë/ Askush nuk e solli këtu,/ Kur zbritën nga qielli/ etërit e mi…/ Nga ne ardhacakët mësuan sesi ndizet zjarri.’’

E lexova me endje librin e 173.-të  me poezi të Adem Zaplluzhës dhe u mbusha me krenari prej penës së artë të tij shqiptare, që ka skalitur kaq bukur vargje elitare të pashlyera nga kujtesa, me fjalë të qëmtuara të gjuhës së njësuar zyrtare shqipe. Nga leximi i librit, gjithashtu mu forcua bindja, se leksiku i gjuhës sonë, është një pasuri e madhe e gjerë dhe e bukur dhe se poeti ynë i spikatur, i kujdesshëm, shumë produktiv dhe cilësor, e njeh fort mirë  dhe e ka përdorur atë me mjeshtëri.

Suksese të mëtejshme!

Vlorë, më 12.09. 2018

Comments

comments

-----