“KULAK” DHE BURG PËR FLAMURTARIN E VATRËS”, JAHO SINAN ISLAMI

Rreth monografisë së Malko Zace kushtuar Jaho Sinan Islamit

Nga Kadri Tarelli

Nata e dimrit sado që të jetë e gjatë, dielli i ditës do ta përflakë

Popullore

 

 

 

Kohët e fundit autori Malko Zaçe, solli për lexuesit librin monografik “Jaho Sinan Islami”, kushtuar një figure të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, veprimtar dhe flamurmbajtës të “Shoqërisë Patriotike “Vatra””. Luftëtari që i kushtoi jetën kombit dhe lirisë së tij, por që përfundoi i shpallur “Kulak” dhe i burgosur politik, në periudhën e diktaturës komuniste.

Libri botohet në dy momente jubilare së pari: në 100-vjetorin e pavarësisë dhe së dyti, në 100-vjetorin e Shoqërisë “Vatra” të Amerikës. Autori Malko Zaçe e sjell dhe e vendos në vend nderi Jaho Islamin, në krah të gjithë atyre burrave me emër, trima e të mençur, me të cilët punoi e luftoi për ta ngritur, bërë e mbrojtur Shqipërinë, nga coptimi e shbërja e saj.

Që në fillim duhet thënë se, autori meriton përshëndetje për librin, sepse hedh dritë mbi Jaho Islamin, djalin e Tepelenës, flamurmbajtësin e “Albanisë”. Ai ishte një ndër veprimtarët më të përkushtuar të shoqërisë “Vatra”, luftëtar i “Luftës së Vlorës”, pjesmarrës në të quajturin “Revolucioni i Qershorit 1924”, komandant në çetë territoriale të zonës në Labëri, kryetar i Këshillit N. Çlirimtar. Në fund “demokrati”, i cili fill pas lufte kundërshtoi pushtetarët e rinj, ndaj e provoi titullin “Kulak” dhe burgun komunist.

Përshëndetja i takon së pari, për idealizmin dhe guximin për t’ i hyrë ‘Tmerrit” të një libri monografi, kushtuar një figure, që ka bërë histori dhe ka lënë gjurmë në histori. Një punë që nuk është e lehtë, sepse veç dëshirës dhe aftësive për të shkruar, kërkon vullnet dhe kohë për të studjuar literaturë, shfletuar dokumenta arkivore. Kërkon kohë dhe para për të ”bredhur” lart e poshtë në takime dhe intervista me bashkëkohës dhe bashkëluftëtarë, të cilët në shumicën e rasteve nuk i ke pranë. Sidoqoftë, autori Malko Zaçe ia doli mbanë, duke na e sjellë Jaho Islamin të plotë, që nga rrënjët e oxhakut të familjes fisnike në Dukaj të Labërisë, ku, që fëmijë u brumos me tiparet më të mira të burrërisë, trimërisë dhe atdhedashurisë. Më pas, djalosh i bukur e shtat lartë, model i djalërisë shqiptare, i zgjedhur për të qënë flamurmbajtës. Në libër, ku pasqyrohen vitet, që rrjedhin me thyerje të mëdha në historinë e kombit, e shohim Jahon në ballë të punës e të luftës. E shohim si veprimtar të burrëruar, njeri me karakter të fortë e autoritar, luftëtar trim, fisnik e i ndershëm, i fjalës dhe i besës, burrë i mençur e orator në kuvend. Jaho Islami është një model për daltë skulptori e penel piktori, model për odat e burrave dhe klasat mësimore nëpër shkollat tona, të cilave, fatkeqësisht u mungojnë.

Dallgët e jetës e përplasin heroin tonë larg vendlindjes. Aty arrin të kuptojë e të ndjejë më mirë ç’ është atdheu dhe liria. “Duhet të shkosh në fund të dheut, që të kuptosh ç’është atdheu”. Ky është kumti që përcjell Jaho për të gjithë brezat e për të gjitha kohët. Mësim i mirë, i thjeshtë e me shumë filozofi brenda. Jeta dhe puna në emigracion në Amerikë, dhe antarësimi në Shoqërinë Atdhetare “Vatra”, ishin një shkollë e madhe për Jaho Islamin. Aty shkëlqeu si idealist, luftëtar e mendimtar për çëshjen e atdheut dhe kombit. Si njeri demokrat, me edukatë e bindje, ai nuk pajtohet me të keqen dhe padrejtësitë, që i kanoseshin vendit e popullit, me vendosjen e diktaturës fill pas luftës, ose fill pas çlirimit.

Çdo fjalë e shkruar në libër i jep jetë të vërtetës, heq pluhurin e harresës qëllimkeqe, ndriçon terrin, që ka mbuluar për disa dekada figurën e Jaho Islamin. Një dukuri që nuk është e vetme, sepse nuk i ndodhi vetëm heroit të këtij libri. I gjithë materiali mbështetet mbi të dhëna e dokumente të gjetura e të zgjedhura me kujdes. Shumica të cituara, ose të vendosura origjinale, që i japin librit karakter të mirëfilltë studimor e shkencor, duke u shërbyer të tjerëve, si pikë referimi dhe mbështetje për studime të mëtejshme. Prandaj libri është jo vetëm i bukur në të lexuar, por edhe i besueshëm e më shumë i dobishëm për këndonjësin. Ai, si çdo libër tjetër i këtij lloji, shlyen një “borxh” ndaj kombit në tërësi, për të mbushur atë boshllëk të krijuar qëllimisht në historiografinë shqiptarë. Njëherazi shërben për të hequr e pastruar baltën e hedhur mbi këtë figurë të ndritur të lëvizjes atdhetare.

Gjatë leximit të librit, sidomos kur arrin në faqet e fundit, vetiu lindin pyetje: Vallë cili do të ishte fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, pa figura të tilla si Jaho Islami me shokë, që vunë interesin e kombit dhe lirisë së tij, mbi interesin vetiak? Përgjigjen e gjen secili në vetvete, kur lexon e shikon se sa para dhanë e grumbulluan shqiparët, për t’ i vënë në shërbim të çështjes kombëtare. Jo vetëm kaq. Mes drejtuesëve të “Vatrës”, Fan Noli, Loni Kristo, Gani Katundi, Hasan Bitincka, Stathi Suli, Sadik Lekdushi, Hamit Lumi dhe Kosta Çekrezi, ishte edhe Jaho Islami, që nënshkruan qarkoren drejtuar shqiptarëve të Amerikës për t’ u rregjistruar në Regjimentin Ushtarak Shqiptar, për të ardhur e luftuar në Shqipëri. Idealizmi drithërues e dashuria për kombin, e përmbledhur në refrenin e poemës “Jepni për Nënën”, shkruar nga F. Noli, ngriti djalërinë në këmbë:

“Mbahu nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’ Amerikë”…..

Ishte zëri i atdheut që kumbonte dhe ata i’u përgjigjën. Mjaftoi vetëm kjo thirrje e “Vatrës” dhe u mobilizuan nën armë, qindra vullnetarë shqiptar, mes tyre edhe Jaho Islami, të cilët lanë punën, fitimin, mirëqënien dhe jetën e qetë, u këthyen në vendlindje dhe mbushën radhët e luftëtarëve, që luftuan për shpëtimin e Shqipërisë.

Jaho Sinan Islami

Jaho Islami e jetonte historinë, jo shmangur e në muhabete kafeneje, por si pjesmarrës e drejtues aktiv në ngjarje madhore për vendin dhe kombin. Kjo është arrësyeja që, në moshë të thyer, afër pleqërisë mori pjesë me armë në dorë në luftën Nacional-Çlirimtare, duke u radhitur në krahun, që mendohej se do të sillte demokraci. U zhgënjye dhe pësoi persekutimin, si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë. U dënua pa asnjë faj. Provoi internimin dhe burgun, vetëm e vetëm se nuk e pranonte padrejtësinë dhe diktaturën. Këtu nuk është faji i tij. Nuk është faji i tij edhe harresa e qëllimëshme për disa dekada me radhë, ndaj veprës dhe figurës së tij. Vetëm në vitet e demokracisë doli përsëri në shtyp emri i Jaho Islamit (1), me një sërë artikujsh, që nxorën në dritë vlerat e këtij burri idealist e luftëtari të madh.

Është meritë e autorit që, periudhën e vuajtjeve dhe ndëshkimit gjatë pushtetit të diktaturës, të na e sjellë vetëm si njoftim me fare pak fjalë. Ai e le shtegun hapur për lexuesin, që të japë vetë vlerësimin dhe të bëjë gjykimin mbi mashtrimin e madh të propogandës komuniste gjatë luftës. Aty ku u përfshi një pjesë e mirë e nacionalistëve shqiptar, mes tyre edhe Jaho Islami. Mënyra e trajtimit të kësaj periudhe të egër, me veprime të shëmtuara e gjaksore, të shtyn të pyesish vetën: Pse ndodhi kështu ? Po bëmat e vlerat e këtij njëriu, si u tretën e ku vanë ? Përgjigjen e gjen duke ju drejtuar librit:

  • “Jaho Sinan Islami i përkiste atij brezi, që trashëgoi drejt për drejt dritën e rilindasve të mëdhenj dhe, akoma më drejtpërdrejt, pasionin e zjarrtë dhe trimërinë heroike të etërve, që e bënë dhe e mbrojtën Shqipërinë, me sakrifica, me jetë, gjak e mundime të mëdha”.

Njerëz të tillë, me autoritet në popull dhe me bindje nacionaliste e demokratike, nuk i duheshin pushtetit të ri. Kush e njeh, apo ka lexuar sado pak për atë periudhë, e di mirë se ç’ i priste. Më i pakti dënim ishte shpallja “Kulak” dhe burgu.

 

  1. Jaho Sinan Islami është nderuar me titullin “Nder i kombit”. Qershor. 2017.

 

Comments

comments

-----