Trieshi ka nevojë për bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut
Nga Gjekë Gjonaj
Lavdia e figurës më meritore të popullit shqiptar, i cili për 25 vite arriti t’i mbajë të gjithë shqiptarët në një shtet, aq mirë të organizuar, saqë të gjitha luftërat dhe ofensivat arriti t’ fitojë me sukses, nuk ka nevojë për asgjë. Por për mua si nxënës dhe mësimdhënës i Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh është e pakuptimtë dhe jo normale që bustin e heroit tonë kombëtar nuk e shohim para ndërtesës së kësaj shkollë, emrin e të cilit e mbanë me krenari tash më se një gjysmë shekulli.
Jam në dijeni se shumë mërgimtarë trieshjanë në Amerikë, janë të interesuar dhe në biseda kanë kërkuar me ngulmë që këtë vit, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut të vendoset busti i tij në Triesh. Mërgimtarët pyesin shpesh a do të vendoset sivjet truporja e kësaj figure në këtë trevë shqiptare e mbushur me histori të mëdha e të paharrueshme. Ata janë të vendosur se paratë për ngritjen e këtij monumenti do t’i sigurojnë vetë , pa iu dridhur dora. Pse atëherë të zvarritet (të mos ) realizohet kjo dëshirë e tyre , dhe jo vetëm ?
Nëse aparati shtetëror ( regjimi) në kohën e komunizmit para 50 vitesh e ka pranuar kërkesën e guximshme të kolektivit të atëhershëm të kësaj shkollë dhe ka miratuar vendimin që ky institucion edukativo-arsimor të pagëzohet me emrin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, sot në pluralizëm, në sistemin demokratik, në Malin e Zi të pavarur, nuk besoj se pushtetarët kompetentë për këtë çështje do të refuzonin kërkesën (eventuale) të kolektivit të sotëm të shkollës që në vitin jubilar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut të ngritet busti i tij në oborrin e kësaj shkolle.
Janë shumë arsye, që më shtyjnë ta mbështesë idenë e mërgimtarëve trieshjanë, që në Triesh të ngritet busti i heroit tonë kombëtar.
Të rralla janë personalitetet boëtërore si Skënderbeu e Shën Tereza ( shenjtëresha e të gjithë shqiptarëve) që kanë një përphapje kaq të gjerë, veprat hsitorike të të cilëve kanë frymëzuar shumë mjedise ( qytete) që ta ngrisin një përmendore a një bust kushtuar këtyre figurave historike.
Nëse qendrat më të mëdha shqiptare në Tiranë, në Prishtinë , në Shkup e tjerë e kanë shtatoren e Skënderbeut, pse mos ta ketë edhe Trieshi.
Trieshi do të ketë për nder që statuja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut të vendoset në Stjepoh (Triesh) , sespe do të jetë treva e vetme në Malësi të Mbishkodrës që në gjirin e vet do të ketë një përmendore të tillë.
Trieshi me prezencën e trupores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut do të shndërrohet në idhudh të shqiptarizmës, dhe do të bëhet edhe më i dashur për të gjithë ata njerëz që do ta vizitojnë.
Kjo shtatore do ta radhiste krahinën e Trieshit në mesin e qyteteve më të njohura evropiane e botërore, siç janë Gjeneva, Brukseli, Roma, Londra, Parisi, Nju-Jorku etj.
Së fundmi shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do ta madhëronte edhe më shumë historinë e Trieshit. Do ta bënte më të madh Trieshin në të gjitha dimensionet.
E nëse është kështu atëherë çfarë të keqe ka nëse kjo krahinë e Malësisë së Mbishkodrës të bëhet me shtatoren e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
E, pra, busti i këtij personaliteti të madh , i cili kalon kufijtë e heroit të përmasave kombëtare e rajonale duke u bërë personalitet ushtarak e burrështetas i përmasave ndërkombëtare, i bënë nderë Trieshit. Shtatorja e tij na nderon të gjithëve.
Comments
-----