Një intelektual me formim nacionalist

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Në disa faqe interneti lexova para do ditësh një analizë të shkëlqyer të intelektualit të mirënjohur Fahri Dahri. Analiza titullohet “Fetishizimi i fesë ortodokse, qëllim fondamental për shfarosjen e etnisë shqiptare”.

Në këtë analizë, përshtypje të veçantë më bëri vlerësimi i tij tepër objektiv për qëndrimin e Perëndimit evropian ndaj kombit shqitar, çka po e citoj në vijim:

Personalisht jam i qartë në qendrimet e padrejta të ndërkombëtarëve, si në ato periudha edhe në këto të sotshmet lidhur me problemet shqiptare”.

“…autoritetet greke përfitonin edhe nga qëndrimi indiferent i fuqive evropiane dhe i institucioneve ndërkombëtare, ndaj çështjes së shqiptarëve”.

“…praktikat e Fuqive të Mëdha,.. me vendimet e 1913-ës gabuan rëndë, duke shkëputur jo vetëm territoret etnike shqiptare, por dhe krijuan mundësira lehtësuese për poshtërimin, persekutimin, shpronësimin dhe shuarjen e një grupi njerëzish me etni dhe fe të ndryshme nga shtetet fqinje me Shqipërinë”.

Vlerësime të tilla, pas vitit 1990, duhej t’i bënte, para së gjithash, Tirana zyrtare, e cila është Kryemëma e mbarë trojeve tona etnike. Por Tirana zyrtare ka heshtur, duke zgjedhur rrugën e nënshtrimit dhe të servilizmit jo vetëm para Perëndimit evropian, por edhe para shteteve fqinje, të cilat Perëndimi në fjalë i zgjeroi me troje etnike shqiptare, të mbetura pa zot.

Intelektuali Fahri Dahri ka plotësisht të drejtë që nxjerr në spikamë qëndrimin e Perëndimit evropian, i cili, me nxitjen tërësore dhe me presionin e gjithanshëm të shovinizmit rusomadh, armikut të betuar të kombit shqiptar, kreu një krim të rëndë kundër trojeve tona etnike, duke na i copëtuar për interesat e grekosllavizmit. Por, për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, këtë krim Tirana zyrtare, si në periudhën e diktaturës komuniste, ashtu edhe në periudhën e pluralizmit, nuk pati kurrë burrërinë ta denonconte, qoftë edhe një herë të vetme, në forumet ndërkombëtare, që nga Brukseli deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, apo ta shtronte në Departamentin e Shtetit, në Senatin dhe në Kongresin amerikan. Duke e njohur mirë natyrën servile dhe nënshtruese të Tiranës zyrtare, Perëndimi evropian, siç thekson me shumë të drejtë intelektuali Fahri Dahri, i ka lejuar vetes qëndrime poshtëruese, shpërfillëse ndaj kombit shqiptar, çka është vërtetuar më së miri me gjendjen e krijuar në Kosovë, së cilës i janë zhvatur dhe po bëhen plane për t’i zhvatur të tjera territore për interesat e Malit të Zi dhe të Serbisë. Kjo pë arsye sepse edhe Prishtina zyrtare, me nënshtrimin dhe me servilizmin e saj para Perëndimit evropian dhe para serbosllavizmit, ndjek shembullin e Tiranës zyrtare.

Praktika mbinjëshekullore ka vërtetuar në praktikë se Perëndimi evropian ushqen simpati dhe respekt vetëm për grekosllavizmin dhe jo për kombin shqiptar. Madje në Shqipëri ai i jep përkrahje të gjithanshme Tiranës zyrtare, servilizmi i së cilës i vjen shumë në osh, pikërisht sepse ajo është në të njëjtën gjatësi vale me të, lidhur me trojet tona etnike, që nga Arta e Preveza dhe deri në Tivar. Prandaj ambasadorët dhe përgjithësisht diplomatët evropianoperëndimorë në Tiranë janë gjithmonë në përkrahje të klasës politike në pushtet, e cila e ka varrosur përfundimisht zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare në gadishullin tonë. Sepse për këtë klasë politike është shumë më i çmuar mercenarizmi dhe servilizmi, me të cilin ajo kërkon ta futë Shqipërinë në “vathën” e Brukselit, duke u tërhequr zvarrë para tij, sesa zgjidhja e Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Shqipëria ka nevojë pikërisht për intelektualë të tillë, si zotëria Fahri Dahri, me formim të shkëlqyer nacionalist, të cilët kombi shqiptar, për interesat e veta madhore – zgjidhjen e Çështjes Sonë Kombëtare – duhet t’i ketë me kimet dhe t’i nxjerrë në udhëheqje të vendit.

Tiranë, 27 shtator 2018

 

Comments

comments

-----