Çfarë ndodh kur vjen Sokoli?

Shënime për librin e shkrimtarit Viron Kona “Kur vjen Sokoli”

 

Nga Nuri Dragoj

 

Shkrimtari Viron Kona na tregon me profesionalizëm dhe dashuri se çfarë ndodh “Kur Vjen Sokoli”, mësuesi shqiptar me banim në Boras të Suedisë. Është fjala për kreun e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Papa Kleminti XI në Suedi, atdhetari i zjarrtë, poeti që i këndon vendlindjes, dhimbjes për të, shpresës për të nesërmen, dashurisë dhe besimit në më të mirën. Vironi gjithçka e bënë me dashuri. Ka lexuar gjithë librat e Sokolit, e njeh atë shumë mirë, e kupton kur është në humor dhe kur trishtohet për diçka, si të thuash ia lexon brenda trurit hallin dhe gëzimin, i lexon gjithë mendimin. Ndaj dhe guxon të shkruajë një libër për jetën dhe veprimtarinë e tij. Kur Viron Kona tregon për librin e Demakut “Jeta në liri”, udhëton dorë për dore me autorin, hyn në kopështin e tij poetik, sheh fisnikërinë e shpirtit, e ndjek kur “si një përrua i freskët pranveror zbret i pastër e gurgullues nga mali” dhe me mozaikun që krijon, të bën të biesh në mendime. Në poezinë e himnit për vendlindjen, poeti thotë: “Vendi im o vendi im /  Një zë i lartë, / Një fjalë e shtrenjtë”

Vihet re në mënyrë të dukshme që poezia e tij për atdheun vihet në lëvizje nga turbinat e shqetësuara të shpirtit, ku autori përjeton me dhimbje vuajtjet e kombit të vet dhe përshëndet me emocion çdo arritje të bashkëkombasve të tij. Në disa raste ai ngjan si Çajupi, kur thotë: “Ku më duket balta më e ëmbël se mjalta, në Shqipëri”. Sokol Demaku e shpreh mallin për atdheun e vet me fjalët:  “Edhe tymi i atdheut / do më duket më i shndritshëm / Si zjarri në viset e largëta”.

Autori i librit shëtit me personazhin e vet në qytet të huaj, ku mjedisi dhe njerëzit nuk janë si në vendlindjen e tij, shkon më tej dhe bisedon me poetin për të djeshmen, të sotmen e të nesërmen, dhe bënë apel që njeriu duhet të orientohet qartë, të dijë “se në ç’kohë ndodhet”. Në këto poezi Sokol Demaku shfaqet jo vetëm si poet i talentuar, por edhe si intelektual i angazhuar për mbarësinë e kombit të vet. Në çdo varg të tij ndjehet shqetësimi i gjithë shqiptarëve për të vazhduar betejën e bashkimit kombëtar dhe rritjes së mirëqenies mbarëkombëtare. Megjithëse aktualisht ai jeton mirë, përsëri ndjehet pezmi për faktin se mërgimi e ka detyruar të qëndrojë larg atdheut.

“Na ishte një kohë” që u shoqërua nga “Magjia e zemrës”.

Kopertina e librit të Viron Kones “Kur vjen Sokoli”

“Na ishte një kohë” është një tjetër botim i Demakut, të cilin Kona e sjell me kujdes, duke shëtitur nëpër Shqipëri e gjetiu. Sokoli aty flet për arsimin shqip, për shkollat shqipe në Suedi, për revistën “Dituria”, për radion e tyre në Boras të Suedisë, për mësuesit suedez që nuk e njohin racizmin, për thjeshtësinë dhe dashurinë e tyre, për pritjen në ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, për gjithçka që pa e dëgjoi.            

“Shko pra fluturim në këtë rrugëtim, / Merr me vete mallin tim”, është një varg poezie në librin e Sokolit, “Magjia e zemrës”. Autori i librit na sjell momente të shumta, ku shfaqet në mënyra të ndryshme malli dhe dashuria njerëzore, meraku i poetit për atdheun e tij të masakruar dhjetra herë, por prap shpreson se “Kush të rroj, do ta shohë Zonjë”. Për Sokol Demakun çështja shqiptare zë fill në Shqipëri, në bazën e kombit si territor dhe si shtet-formim. Prandaj dhe gjithçka e mirë apo e keqe, lidhet me të. Kur Shqipëria teshtinë, Kosova ndjen dhimbje koke. Nëse nuk shkojnë punët si duhet në Shqipëri dhe në Kosovë, çfarë mund të pritet për mbarëvajtjen e punëve të shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi, Greqi e gjetkë? Vëllimi poetik “Magjia e zemrës” është një provë e pjekurisë poetike, e kaluar me shumë sukses nga poeti Sokol Demaku, i cili me mjeshtërinë e tij, shumë shpejt do të bëjë për vete mijëra lexues.

Sot kombi shqiptar është në një zgjim të ri, ndaj kërkohet një angazhim më i madh nga politika dhe inteligjenca shqiptare për të pasqyruar të vërtetën historike. Ne duhet të thërrasim dhe, po qe nevoja, të bërtasim, të themi “ja ku jemi”, pasi ka udhëheqës, vende dhe popuj që nuk dinë që jemi dhe ku jemi, apo bëjnë sikur nuk dinë. Ndaj dhe Sokoli njofton me poezinë e tij botën mbarë, ta dinë që shqiptarët janë dhunuar në shekuj, por s’janë gjunjëzuar.

Më ka mbetur në mendje një shprehje e lëshuar nga ish-ambasadorja amerikane, Marsi Ris. Kishte venë re që fqinjët flasin më shumë, shkruajnë më shumë, bërtasin më shumë, duke thënë: “Kjo tokë është e jona!” Thonë kështu për tokën ku banojnë shqiptarët në shekuj. Këtë thonë grekët për “Vorio-Epirin”, këtë thonë serbët për Mitrovicën, Preshevën e Bujanovcin, madje për tërë Kosovën. Serbët kërkojnë të inventarizohen kishat ortodokse në Kosovë si pasuri kombëtare e Serbisë dhe gjejnë mbështetje deri te kancelaritë e mëdha. Grekët kërkojnë të inventarizohen kishat në jug të Shqipërisë, si pasuri kombëtare e Greqisë. Ndërsa ne heshtim, duke thënë një shprehje sa bajate, po aq dhe të rrezikshme: “E dinë ndërkombëtarët, e di Amerika, e dinë të mëdhenjtë…”. Ndërsa Sokoli thotë ndryshe. Ai shkruan e shkruan pa pushim, flet në radio e trasmeton në televizion, shkon në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe kuvendon me vellëzërit e tij të një gjaku, duke u kërkuar me anë të buzëqeshjes së vet, më shumë paqe e dashuri me njëri tjetrin. Dhe këto tipare të mrekullueshme të tij, na i sjell për bukuri shkrimtari Viron Kona. Demaku kërkon të korrigjojë të kaluarën, që Mithat Frashëri e quan të habitshme, madje mallkon të parët, që për disa shekuj pas Skënderbeut, nuk kanë shkruar asgjë për historinë e kombit të tyre.

Duke komentuar librin “Sa e këndshme është jeta”, Viron Kona e shoqëron Demakun në të gjitha momentet e gjendjes shpirtërore dhe pajtohet me të, pasi “punët e mira janë si drita, jo si errësira”. Natyrisht njerëzit duan dritën, pëlqejnë më shumë “diellin që lind se sa atë që perëndon”.  Pavarësisht se autori nuk e thotë shkoqur, por nënkuptohen thirrjet atdhetare se tashmë është koha të bashkohemi në një zë, të mos biem pre e kurtheve të diplomacive që punojnë kundër bashkimit të kombit shqiptar, të mendojmë dhe të veprojmë si një trup i vetëm, si popull dhe si komb, pasi në rrethanat e tanishme vihet re një fenomen që kërkon të menaxhohet mirë. Është koha kur, nga njëra anë, po rritemi si popull, pasi Kosova është duke e konsoliduar pavarësinë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe pret të kandidohet për në BE dhe nga ana tjetër, ende po na kërcënon rreziku që të tkurremi si komb, për shkak të egërsisë diplomatike të vendeve fqinje, të mbështetura nga fuqi të tjera, që i bashkojnë lidhje shpirtërore të besimit.

 Çfarë ndodh kur vjen Sokoli?

 

Shkrimtari Viron Kona thotë se Sokoli sjell vrull, sjell gëzim, dashuri, bashkim, kulturë, vullnet, guxim dhe shumë besim. Sokol Demaku është i thjeshtë, mjaft i komunikueshëm, i qartë dhe ekspresiv njëkohësisht, i pastër si kristali, i vrullshëm si përrenjtë malor, por i ndjeshëm tej mase kur flitet për çështjen e kombit, për trojet kosovare, për shqiptarët kudo që janë. Dhe të gjitha këto i gjen në poezinë e tij, në prozë, në kumtesa e diskutime të lira, si rrallëkush. Ai jeton në Suedi por mendja i shëtit në trojet shqiptare. Kur shkel ndër to ndihet më i ri, më i qeshur, më i dashur, më i plotë. Vetëm atëherë mund të njohësh Sokolin e vërtetë. Nëpërmejt poezive dhe shkrimeve të tij, kuptohet lehtësisht sa i lidhur është me vendlindjen, sepse jeta, shkolla dhe puna e kanë lidhur ngushtësisht me Kosovën. Dhe këtë Vironi e sjell me thjeshtësi, me dashuri, hap pas hapi, nga faqja e parë deri në faqen 254 të librit.

Sokoli është dashamirës i artit letrar. Poezia e tij ka qenë dhe mbetet me të vërtetë, në kuptimin e plotë të fjalës, poezi e jetës, ku shfaqet dashuri e pakufishme për çdo pëllëmbë tokë të Shqipërisë, të asaj Shqipërie që është copëtuar dy herë, në mënyrën më paradoksale. Për të vërtetën, në çdo detaj, që ai na jep në vargjet e tij. Më pëlqen poezia e shkruar në stilin e tij, ku gjen modernitetin të shkrirë në mënyrë organike me klasiken. Poezia dhe proza e Demakut, e vendos atë në kupolën e patriotizmit, jo thjesht për fuqinë e penës që është produkt i dijeve të akumuluara dhe të konsoliduara njëkohësisht, por dhe vendosmëria që ai tregon për t’i mbrojtur interesat kombëtare. Prandaj në shkrimet e Demakut bie në sy vërtetësia, mbështetja në dokumente historike.

Sa herë gjendemi pranë Sokolit, do të ndihemi më mirë, na shtohet buzëqeshja, rritet shpresa dhe besimi për të nesërmen, sepse Sokoli është optimist dhe përcjell mesazhe të ngrohta. Kur flet ai, të duket sikur di gjithçka, pasi ta mbush shpirtin me fjalët shpresdhënëse, me vargjet e ngrohta.

Sokol Demaku është nga të paktët poetë, që u këndon me të njëjtën dashuri gjithë trojeve shqiptare, njëlloj si Kosovës, Çamërisë e Shqipërisë, Paramithisë e Mitrovicës. Autori me poezinë e tij ndërton ura miqësie midis trojeve, duke u dhënë shuplakë njerëzve të vegjël që tentojnë të ndajnë popullin në verior e jugor. Ai të habit me gjerësinë e tematikës, pasi i këndon bukurisë natyrore, zakoneve e traditave, këngës, gëzimit dhe dhimbjes, njerëzve të nderuar të vendit të vet.  Më bukur se kaq nuk ka se si të shprehet dhimbja dhe dashuria për viset tona. Demaku me librat e tij ka bërë shumë borxhllinj, në një kohë që vet e ka të vështirë borxhin. Nuk do të mbetet borxh dhe shlyerjen e borxhit e sheh si detyrim, si virtyt, si kompensim i detyrimit të përbashkët që kemi për kombin. Figuracionet poetike në poezitë e tij shpërthejnë si ylbere drite për të parë në detaje përmasat e dramës kombëtare si edhe shpresën se një ditë gjithçka do të rikthehet si më parë. Ndaj më duhet të falenderoj autorin e librit, i cili na bën të ndihemi më mirë kur lexojmë librin: “Kur vjen Sokoli”

 

 

Comments

comments

-----