Poezi nga Odhise Grillo

    Poezi  nga Odhise Grillo,

  “Mjeshtër i madh i Penës”, titull i dhënë ps vdekjes nga Presidenti i Republikës.

 

Odhise K. Grillo është emri më i dashur për fëmijët, të cilëve u ka dhuruar shpirtin e tij të artë përmes 127 librve të botuara enkas për ta në gjini të ndryshme. I paharruari  Odhise ka qenë miku i shkrimtarëve të  rinj! Cili autor nuk e kujton me nderim, pasi ai ka qenë redaktor për 1500 tituj  librash për fëmijë e të rritur.Unë jam një mes atyre emrave,sepse më ka redaktuar 11 librat e mi të parë. Për mua ka qenë mësues në rrugën e vështirë, por të bukur dhe mjaft fisnike të krijimatrisë letrare! I jam mirënjohëse për gjithë jetën, njeriut të mirë, Prof Odhise Grillo.

         Përgatiti për botim Vilhelme Vrana Haxhiraj

1-Sikur gjithë Botën të ma falin!

Mbi krahët e ëndrrës brodha…

në Evropë pash tjetër jetë, pash tjetër botë.

Hej sa befasira, heeej sa gjë e rrallë,

As, edhe në ëndërr, nuk i kisha pare.

Mirëpo “Eifelin” që pash në Paris

s’kisha për ta ndërruar me një qiparis,

as me një qiparis të vendlindjes sime,

 ku me lindi nëna, ku kam sa kujtime.

Fontanat e Londrës në argjenëe larë,

s kisha për t’i ndërruar, as me një ujëvarë.

As me një ujëvarë e as me një gurrë

që ke ti Vuno, që ke ti moj Lurë.

Edhe Koloseun në Romën plot bujë,

s kisha për ta nd’rruar me kalanë në Krujë.

me kalanë në Krujë, ku osmanët theu,

shpata famëmadhe që kish Skënderbeu.

Plazhet që ka Spanja sikur të m’i falin ,

kurrë s’do ti ndërroja me plazhin e Jalit.

Me plazhin e Jalit që shkëlqen si xham ,

ku kam plot kujtime dhe vendlindjen kam.

Me asgjë, asgjë s’e ndërroj kurrë Jalin ,

sikur gjithë botën mua të ma falin!

                                            O.Grillo

Vo: korektoi- Vivra

 

 

2-“Fjala është e vogël shumë”

Fjala është e vogël shumë:
disa shkronja, disa rrokje…
ajo rrjedh si mjaltë e qumësht
midis miqve, midis shokëve.

Fjala është e vogël shumë:
dhe e ashpër, dhe e brishtë…
i ngre valët perçeshkume,
kur vërsulet mbi armiqtë.

Fjala është e vogël shumë:
t’ëmbëlson a vret si plumbi…
fjala është si një urë
që lidh brigjet e një lumi.”-

                                  O.Grillo

***

 

3-“Balada e burrave”

Kam pasur një gjyshe,

mbi të gjitha gjyshet,

kur ajo tregonte,

heshtnin dallëndyshet.

Kur fliste ajo,

mbanim vesh dhe gurët,

thaheshin moçalet,

lulëzonin drurët…

Po ku je, moj gjyshe,

se më dogji malli,

je prapa një ylli,

a prapa një mali?

Kur të kujtoj ty,

këngët e përrallat,

gjumi edhe sot

vjen m’i mbyll qepallat…

Moj e mira gjyshe,

kur të sjell në mend,

më kujton një re,

më kujton një shkëmb.

Po ç’shkëmb më kujton,

çfarë reje vallë

aty ku rreh deti

dhe si mal ngre valë?/

Më kujton shkëmbinjtë

në Vuno, përposh,

pa më kujton retë

përmbi Mjegullosh.

Kur isha i vogël,

shpesh të kam pyetur:

-Këta shkëmbinj ç’janë,

pse rrinë të heshtur?

Dhe ti më tregoje,

gjyshe gojëmjaltë:

E di pse qëndron

ky fshat e kjo baltë?

Se në krahë i mbajnë

shkëmbinjtë me thinja

nën qiellin me diell

dhe me vetëtima.

Po shkëmbinjtë ç’janë,

mund të më tregosh,

që me valë i rreh

deti kaltërosh?

Burrat që s’e lanë

vetëm këtë vend,

që mbetën në fshat

dhe u bënë shkëmb…

Ata përmbi supe

mbajnë këtë dhe,

ku ka mbirë ulliri,

ku jetojmë ne.

Po retë në qiell

çfarë janë vallë?

Përse vijnë e ikin

dhe përse qajnë?

Janë kurbetllinjtë

që ikin më natë,

që i lanë pas

fshatin edhe gratë.

Edhe shkuan larg,

të huaj, të shkretë,

me ditë e me javë,

me muaj, me vjetë.

I hëngri kurbeti

dhe në vend të largët,

hapën varr për vete,

për ne hapën plagët…

Tani i merr malli/

edhe bëhen re,

vrapojnë në qiell

dhe vijnë te ne.

Me lotë të nxehtë

mallin zënë e derdhin,

pastaj nisin kthehen

prapë andej nga erdhën.

Na u dhemb në zemër,

edhe plagë e kanë,

që morën kurbetin

dhe fshatin e lanë.

Shkëmbinjtë e Vunoit

dhe retë që qajnë,

janë fshati ynë,

janë burrat tanë!…

Kam pasur një gjyshe,

mbi të gjitha gjyshet

kur ajo tregonte,

heshtnin dallëndyshet!”.

                                  O.Grillo

***

4- Në fletoren ku ti shkruan

Në fletoren ku ti shkruan 
zë e ndihet një sëpatë… 
Ai zë është i druvarit, 
që rend pyllit nëpër natë. 

Në fletoren ku ti shkruan 
zë e cicërin një zog… 
Ai zë është i bilbilit 
që me lisin ishte shok. 

Në fletoren ku ti shkruan 
ndrit një rreze përmbi fletë… 
Është rrezja diellore 
që e mbante lisin në jetë. 

Në fletoren ku ti shkruan 
gurgullima uji nisin… 
Ai zë është i burimit 
ku ka shuar etjen lisi. 

Në fletoren ku ti shkruan 
pena nis vijat patjetër… 
Është zëri i fabrikës 
që e bëri lisin letër. 

Iku lisi që nga pylli 
dhe fletore na u bë… 
Prandaj ndihet një zë sëpate, 
ndaj këndon një zog në të.

Ndaj një rreze nis shkëlqen 
edhe zbardh si dëborë, 
prandaj pena nis këndon 
për druvarë e punëtorë. 

Ndaj burimi gurgullon 
rrëzëllejnë pika djerse… 
Në fletoren ku ti shkruan 
ja pse ndihen zëra jete!

                          O.Grillo

 

Comments

comments

-----