MALL I PAFUND DHE SHQIPËRIA

Nga Luan Çipi

 

Festë kemi në dyert tona,

Sapo mbërritën nga Kurbeti,

Vajzat, zonja si kokona.

Lajmi mirë, në zemër mbeti!

 

Lindita nga Kanadaja,

Nga Holanda erdhi Arta.

Lumturinë, thashë ta ndaja,

Në eter, kudo e mbarta!

 

Të tre fëmijët të mërguar

Dete, male, shtete larg.

S’kanë borxhe për të paguar,

S’kanë qejf mbetje rreth e qark.

 

Janë të tre fort të shkolluar:

Financë, ekonomi, mjekësi,

Poliglotë e të diplomuar,

Kanë fëmijë e pasuri.

 

Edhe pse në vend të huaj,

Janë punësuar në drejtim.

Po unë, pse duhet të vuaj,

Mbushur lot e dëshpërim?

 

Kur një botë i preferon,

Pse t’i mohojë vendi amë?

Sot Atdheu i kërkon

Ju ofron role në dramë.

 

Ejani, vasha e djem petritë,

Të lulëzojë më shumë Shqipëria.

Treqind ditë ka diell e dritë,

Bekuar nga Perëndia!

 

Këtu keni farë e fisin,

Nënë e At’ e gjitoni.

Trahananë, groshën, orizin

I shijon me kënaqësi;

 

Shpenguar flet gjuhën shqip,

E kupton qartë çdo fjalë,

Qindra shkallë, zbrit e hip,

Nuk plakesh, rinohesh djalë.

 

Merr rreze, theke në diell,

Me ngjyrë bronzi zbukurohesh,

Sheh hënën kur ndrit në qiell,

Me shok’ e miq përmallohesh.

 

Qindra vjet, kur të mos jesh,

Do dëgjohet shqip një zhurmë,

Do belbëzojnë vesh më vesh:

Për një emër, për një gjurmë.

 

Atje, zhduke bashkë me vitet,

Të mallkojnë “e humbësh varrin”.

Po doni, emri t’u rritet,

Atdheun vini të parin!

 

Ejani, qoftë dhe gjatë pensionit,

Gëzoni moshën e tretë,

Në Vlorën tonë të Nëntorit,

Në Parajsën e vërtetë!

 

Vlorë, më 15.09.2018

 

 

Comments

comments

-----