Kullat binjake që u dogjën pabesisht në agimin Shekullit të Ri!

Nga Kozeta Zylo

 

       Që nga 11 shtatori 2001 kanë kaluar kaq vite. Megjithaë,  tmerrohem përsëri,  siç është tmerruar  së  bashkë me mua  gjithë njerëzimi, nga aktet terroriste të fondamentalistëve islamikë.  Unë nuk besoj të kem faj nëse përftoj këto ndjesi të tmerrshme, ngase dhe vete titulli i romanit ngërthen  gjëmën e madhe të 11 shtatorit, ngërthen  vdekjen e zezë të 3000 personave që u dogjën për së gjalli, ngërthen  vdekjen e tre shqiptarëve, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj, të cilëve për çdo shtator në kujtim të tyre unë ndez qiri për t’i përkujtuar.  Unë nuk besoj të kem përsëri faj, nëse para meje nga ky libër vinë imazhet me krah korbash para kufomave të shumta, dhe që unë si një tjetër shqiptare e ardhur këtu në Amerikë nga erërat e luftës së vitit të mbrapshtë në 97-ën për një jetë më të mirë, më të qetë, të shoh me sytë e mi dhe të përjetoj tragjedinë apo gjëmën e madhe siç e cilëson atë autori Këlliçi.

       Shfleton faqet e romanit  dhe tronditesh nga egërsia e njerëzve, që mundohen të gllabërojnë  dhe fëmijën qysh në sythin e mitrës!…Mund ta kesh përjetuar tronditjen, por kur lexon “Shtatori e  gjëmës së madhe”, ndjen së brendshmi se autori sjell mesazhe paqeje, mesazhe mjelmash me pupla të bardha mëndafshi dhe çliron paksa jo vetëm lexuesit e tij, por dhe prindërit dhe të afërmit e tre shqiptarëve që humbën jetën në këtë tragjedi botërore.

Kujtesa mbarë popullore dhe veçanërisht e popullit amerikan nuk do ta harrojë kurrë tragjedinë që ndodhi në kërthizë të botës, në Manhattan; dhe, nëse shkrimtarët nuk e hedhin në fletet e bardha përjetimin e tyre për këtë tragjedi dhe përjetime të tjera si kjo, ka rrezik që në brezat e mëpastajmë të harrohen dhe të krijohet një mjedis apokaliptik për historinë.

Në rastin tonë pena e shkrimtarit Këllici bëhet gati-gati si e një dëshmitari okular brenda qendrës ku ndodhi gjëma e madhe, ngase ai mjeshtërisht është futur në thellësi të botës së mijëra njerëzve që u ndodhën aty pranë dhe që largoheshin si vetëtimë në mbrojtje të vetes së tyre.  Autori shkruan se ata donin të degdiseshin sa më larg që të ishte e mundur, sa më larg atyre kullave , që deri para pak kohësh kishi  qenë një bukuri e madhërishme…por tani ato ishin goditur pabesisht për vdekje dhe po lëngonin  si drenusha bardhoshe në grahma që nuk dihej se kur do të sosnin!…

       Nëpërmjet një gjuhe të kthjellët dhe të begatë, autori ka dhënë një studim artistik të thukët duke e futur lexuesin ndjeshëm brenda psikologjisë së viktimave që po përjetonin në ato orë të kobshme historike.

Në hapësirë, gjaku pikonte mbi pikëllimin e syve të tmerruar, kurse  une thjesht si lexuese në kohën që komentoj, më duket sikur fletët e të gjithë librit janë të veshura me cipë gjaku deri në oxhaqet dhe dritaret qiellore ku dhanë jetën bashkatdhetarët e mi të një flamuri dhe të një gjuhe.

Me një kontrast të fuqishëm autori ka dhënë nga njera anë tragjedinë dhe trandjen e njerëzimit, kurse nga ana tjetër, turmat laramane fanatike, që qëndronin të ulur këmbëkryq mbi fushëtirën e rreth të cilët hovnin  perpjetë dhe duke ngritur lart kallashnikovët që mbanin në duar,  çirreshin: 

         -Bin Laden, Bin Laden!

        Kjo antitezë është lufta për jetë a vdekje midis qytetërimit dhe vdektarëve si Bin Ladeni dhe të talebanëve  të tij, si ujqër në strofullat e tyre…

       Fanatikët dhe ekstremistët me këtë prijës dhe personazhin tjetër besnik i tij,  Khalid Sheik Muhamedin, përshkruhen me urrejtjen më të madhe. Eshtë urrejtja e mbarë globit për fondamentalistët që pranë zemrës së tyre lidhin gjerdanin me fishekë dhe bomba për të vrarë njerëzit si foshnja të pafajshme. Janë këto hijena që shkaktuan atëherë një lumë dhimbjesh kaq shumë vjetësn të cilat vazhdojnë të ndihen mbi kurmin e popujve dhe prindërve zemërdjegur.

       Autori me shumë finesë flet për tolerancën që duhet të kemi midis njeri-tjetrit, sepse siç thotë Nënë Tereza nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse ne kemi harruar që i përkasim njeri-tjetrit. Jam e bindur se lexuesi kur merr këtë libër në dorë, sekondi i bëhet shekull, dhe tehu i thikës së Bin Ladenit vazhdon të shpojë, ai ka pas një kope të tërë talebanësh që vazhdojnë të ushqejnë këlyshët e tyre me palcën e viktimave, ndaj dhe u betuan që atë ditë, ditën e gjëmës së madhe shkruan autori në libër dhe ja se si:  – “A jeni gati, gati për këto bëma të shpërbleheni duke vajtur edhe ju si ata martirë të avionëve në parajsë? – këlthiti pas tij Bin Ladeni me sy gati të shqyer.  E sërishmi turmat mendjeçartura ngritën lart kallashnikovët dhe e pasuan: – Që tani, o i dërguari i Muhamedit në tokë!  Na thuaj ç’duhet të bëjmë që ta meritojmë këtë nder”….

       Dhe kështu udhëheqesit e tyre vazhdojnë ende dhe sot të thurin plane për bëma të Xhihadit, për zjarret që do të hapin kudo ku jeton qytetërimi, atje ku është dielli…

        Autori me penën e tij ka ditur të orperojë dhe të futet psikologjikisht në mendjet e tyre, duke dhënë dy botë krejtesisht të kundërta, dy botë që njera e do me shpirt jetën, ndërsa tjetra e Bin Ladenit, e do po aq vdekjen sa ç’duan kundërshtarët e tyre jetën…

       Bin Ladeni shfaqet dhe me aluçinacione, sepse ai vetë vrau qetësinë e tij, pikërisht nga krimet e mëdha që kishte kryer, duke qenë në kundërshtim të hapur me mësimet e fesë, ndaj një ditë e di se në botën e përtejme do të jetë në ferr.  Sytë e tij të frikshëm si nata, duken sikur duan të përpijnë gjithçka, madje dhe pirgun e gërmadhave, dhe ai, ai të ndriçojë si far para besnikëve talebanë të tij.  Janë ato copëza gërmadhash q  thërrmoheshin në ujërat e oqeanit Atlantik, ndërsa hija e zezë e Bin Ladenit përpëlitetej deri sa një ditë  u shua përfundimisht.

   Hija e frikës dhe e tmerrit do të zhduket, në rast se njerëzimi dhe historianët nuk do të heshtin, por do të shkruajnë siç kanë shkruar, jo vetëm për çfarë panë dhe ndjenë atë ditë të zëzë shtatori, siç veproi edhe  Këlliçi  që iu solli  lexuesve këtë roman në përshpirtje të 10 vjetorit të gjëmës së madhe për njerëzimin…

Hija e frikës nuk mund të sjelle qetësi, pasi Paqja nuk mund të arrihet përmes dhunës, arrihet vetëm nëpërmjet të kuptuarit, na kujton filozofi mdh amerikan, Ralph Ëaldo Emerson.

Duke lexuar romanin  “Shtatorii gjëmës së mdhe’”, të Skifter Këlliçit, është e pamundur që pas çdo faqeje të mos e ndjesh veten sikur je mbuluar  me një vello të zeze trishtimi, ndërsa  nga larg të vinë si jehonë klithma viktimash, klithma zogjsh që shkojnë gjer në rrënjë të pemëve madhështore të parkut Kombëtar magjepsës në Manhattan, tek ato momente dramatike, psikologjike, ku avionet si llava të zjarrta dogjën kullat në agsholin e Shekullit të Ri…

Staten Island, New York

Comments

comments

-----