Unë që të merrja gjak në vetull?!

  Tregim  nga   Përparim    Hysi    

                  Mesviteve ’50-të qeshë nxënës konviktor në pedagogjiken e Elbasanit. Shumica e nxënësve në ato vite qenë konviktorë.Vetëm pak nxënës të jashtëm qenë elbasanas. Për 4-vjet me radhë,me Farudin Sulën qeshë jo vetëm në një klasë,por flinim dhe në një dhomë. Me Farudinin qeshë lidhur dhe më tepër dhe për një arsye tjetër: me të kishim një  dollap të përbashkët ku mbanim rrobat apo dhe librat a materiale të tjera. Farudini qe tipi i urtë. Ishte nga një fshat i thellë i Mallakastrës dhe,siç tregonin dhe dokumentet tona zyrtare,duhet  të ishte shumë i varfër.Them kështu se për këta që qenë nga gjëndja ekonomike keq fare,kishte një trajtim të veçantë:veç ushiqmit gratis, herë pas here,sidomos prag vitit të ri,merrnin dhe veshmbathje.Që nga këpucët,të mbrëndshme dhe deri tek kostumet (vërtet që nuk qenë të shtrenjta,por ia vlenin,ama)  ,dhe,për dimër,edhe pallto të madhe.Këtë, pallton e madhe,e merrnin njëherë dhe e kishin për 4-vjet. Unë dhe plot si unë,që,gjasme,qemë më mirë nga ana ekonomike e sosëm shkollën pa pallto të madhe.Se ku ta gjenim,de,atë lloj”lluksi” në ato vite.Vetëm  një gjë duhet patur parasysh:numri i këtyre të”rrënuarëve fare” qe aty nga numri 10,kur numri i përgjithshëm i konviktorëve,i kalonte pa frikë  dyqind e ca vetë.
Unë me mësime qeshë shumë mirë,me përjashtim të vizatimit.Në vizatim,më zinte data.Profesori që na e zhvillonte këtë lëndë, i njderi Vasil Tole,qe piktor i  formuar dhe kërkonte shumë në lëndën e tij. E di që do qeshni kur të lexoni,por e vërteta qe kjo:në shkollën  pedagogjike mund të mbetje në çdo lëndë.Se përgatiteshe për mësues dhe nuk  lëshohej pe.Mësuesët sa profesionistë qenë,aq dhe kërkues. Qenë modele në të gjitha drejtimet dhe  i kujtoj që të gjithë me nderim të madh. Para se t’u heq kërshërinë e frikës sime nga vizatimi,po ju them vetëm kaq:Farudini,shoku që më shoqëron në këtë tregim,ka dhënë në vjeshtë lëndën e muzikës.Dhe mezi e kaloi.Kjo ndodhi në vitin e tretë të shkollës dhe profesori i muzikës,i bukuri dhe zëmërmadhi,Vilson Todri (ah,sikur ta lexoj këtë tregimin tim!Se e di që deri vjet ka qenë gjallë!),mezi e kaloi dhe në vjeshtë.Them i bukur se qe nga më të rinjtë,me kaçurela të zeza,i binte violinës aq bukur sa ngjallte dhe të vdekurit,kompozonte dhe,natyrshëm,ne e krahasonim me ndonjë artist italian të kohës.Aq më shumë,se,pasi pamë “Kasta Diva”( film  që qe plaçkë lufte),profesori bukurosh,na i përktheu duket të të gjithë subjektin dhe filloi të ekzekutonte me violinë.Qe shpirt njeriu dhe si babaxhan nuk ia gjeje shokun,por në lëndë nuk lëshonte pe. Edhe sot më bubullon tek veshët ajo thënia e tij,puro elbasançe:-Farudin  Sula,ta ftej unë si mbahet harku?Mos po sharron dru? .Se qe hall më vete që të mbaje violinën të vënë  në gushë ,por dhe të hiqje harkun.Ai,profesori,po si zhgabonjë mbi kokë.Po semos i ziu  Faro e pati pisk me violinën.Pothuaj,të tërë.Aq sa e mallkuam Republikën”motër” të Gjermanisë Lindore që i dhuroi shkollës sonë  nja 100-copë violina.Kjo dhuratë erdhi nga fundi i vitit të tretë dhe asnjë nga ne nuk mësoi t’i binte violinës,kështu që profesori u “dorëzua”.Por Farua solfezhin e dha në vjeshtë.Unë desh dhashë vizatimin.Për pak.Kjo ndodhi në fund të vitit të katërt dhe shpëtova në fill.Dhe kur shihja atë estradën e Durrësit që vinte në lojë një mësues të keq vizatimi që niste të bënte një zog dhe në vënd të zogut bënte maçok,më dukej se e kishte për mua.

                                             *    *    *  

Sado  që flinim në një dhomë dhe  dollapin e kishim bashkë me Faron,si tipa qemë krejt të ndryshëm.Unë i rrëmbyer,impulsiv sa,kur thoshte profesori i psikologjisë,kisha nevojë për fre,Farua qe nga ata që duhet ta hiqje nga hundët.Nuk e prishte terezinë kollaj dhe kurrë nuk mbaj mënd që të nxehej apo dhe të zihej me ndonjë shok.Unë po si pushka e jevgut.Më hante hunda dhe gjëmoja tek ecja.Me mësime Farua (epo me forcat e tij  qe,sado që ajo muzika ia hëngri shpirtin).Siç ma hëngri mua vizatimi.Artileria e rëndë e të gjitha lëndëve që bënim në shkollë qe arithmetika-racionale.Kjo lëndë bëhej dhe si teori,por dhe me problema.Në problema Farua e merrte shtruar dhe qe i vetmi në klasën tonë,që,para të gjithëve ( më kujtohet si sot) zgjidhi një problem të një shkalle të lartë vështirësie.Problemi më kujtohet se qe më i vështiri dhe për autor pati Tolstoin.Pra,Kont Tolstoin.Kështu qe Farua që nuk bridhte me vrap si puna ime.Racionalen na e kanë dhënë mësues të mrekullueshëm,si Shyqyri Latifi,Eqrem Rusi dhe Meri Andoni.Kjo e fundit,besoj se rron akoma dhe jam gati që t’i shkoj e t’i puth duarët.Pra,Farua qe nga më të mirët në racionale.Në këto lëndët e tjera,qe i çuditshëm:sado që lexonte,kurrë nuk arriti të merrte më shumë se tresh në hartim.Punë dhuntie,domosdo.Asnjëherë Farua nuk lozi në jetë të tij me top  apo qoftë dhe një lojë tjetër,hiq lojën e shahut.Kur kujtoj lojërat,më vjen mëndja dhe tek ftubolli,duke lozur qëlloi që në afërsi të kokës së Faros shkoi topi dhe i bërtas:-Bjeri me kokë,o Faro!
Ai jo vetëm se nuk i ra (bilez, bëri sikur nuk e pa topin),por më tha:-Kokën e përdorin kafshët!!! I çuditshëm,shoku im,Farudini apo Farua.

                                             *    *   *   
Sado që  Farua qe nga Mallakastra, kjo krahinë varej nga Fieri (atëherë nuk qe rreth më vete si tani) dhe,pasi morë maturën,që të dy,me Faron na emëruan në të njëjtën shkollë.Unë jepja gjuhë-letërsi dhe ai,pa tjetër që mathematikë.Unë përsëri,ashtu,impulsiv dhe bubulloja.Ai,ashtu shtruar e shtruar e me nge,sikur të gjitha punët i kishte në terezi.Ndryshe nga unë,që nga viti i tretë kish filluar të pinte cigar.Po ta takoje për herë të parë,ndjehej era e cigares dhe,pastaj,dalngadalë e”pije” dhe ti,pa u ndjerë,dhe përshtateshe.Dhe përsëri me Faron flinim në një dhomë se në shtëpi vinin o njëherë , o dy herë në muaj.Në shkollë,veç nesh,kishte dhe mësues të tjerë.Natyrisht,dhe mësuese.Tani e kishim arritur atë”vërsën” e  dashurisë dhe unë (pse kot isha impulsiv unë?!) kisha nevojë për fre. Qenë gjithësej nja 6 mësuese.Veç njëra qe e “angazhuar”.Të tjerat,qenë të lira.Nga ne,burrat,veç unë e Farua qemë si “aspirant”.Opo unë?Se kush pyeste për Faron? Këtë,Faron,dhe në këtë drejtim,duhet ta kapje prej veshësh,por dhe ta”instruktoje” për këto lloj punësh. Por,në të vërtetë,çfarë kam me Faron unë? Se ai është në punë të tij.Mirë,o mirë,po të linte rehat Neta. Kush ishte Neta? Njëra nga ato të gjashta.Bobo,si qe nga goja!Jo si një çupërlinë që provon të vëjë këmbët në yzengji,por si një grua e pjekur. Se e bëri beli kur  na pa së  pari që të dy.E dini si tha:-Po ti më qenke bukurosh sa,po të mos kishte njerëz këtu rrotull,do të t’i kisha kafshuar ato faqet, sa të nxirnin gjak.Unë,sado impulsiv,që të merrja gjak në vetull,sa u skuqa nga ky guxim i prapë,po aq dhe  u këndella:se,medemek,ajo Neta do më kafshonte,po se mos e haja thatë unë.Dal,- thashë me vete,po do më shohësh.E kam  kaluar Rubikonin unë? Dhe,tek prisja se ç’do t’i thoshte Faros,kur dëgjoj:-More ti,po mos të ka nxjerrë ai Nasi i Stallave nga hundët që ma nxjerrke tymin si gjyryk vapori.Lëre se na kundrëmove.Tani unë mënd u bëra me krahë.Netka qenka “imja”,babam.Se ky,Farua,të kundrëmon.Të kundërmon duhan dhe jo livando,de! Farua as që u ndje,por tymosi për qejf të tij dhe aq.

                                 *     *    *     

Bënim orët e mësimit dhe,pasdite,qemë të lirë.Unë sa tek fusha e futbollit duke luajtur,aq dhe kudo ku kishte nga këto aktivitetet.Qofshin sportive,qofshin kuluturore.Apo nuk bëheshin dhe mbrëmje vallëzimi.Mu tek lëmi,mbildheshin të rinj e të reja,një petromaks në mes(se ende nuk qe bërë elktirifikimi) dhe hidhu e përdridhu  sa më mirë prishej.Farua herë vinte dhe herë s’vinte në këto mbrëmjet,por dhe,kur vinte,kurrë nuk kërcente.Nuk kërcente?! Po ku dinte Farua të kërcente?Po kish femër që të kërcente me atë”murg” që vetëm cigar dinte të pinte.Për këto qeshë unë,medemek:bukuroshi!!!Pse kot më tha Neta kështu mua? Por jo vetëm kaq,jo.Këto mbrëmjet bëheshin me porosi të partisë në rreth.Që të emancipohej fshati.Dhe rroftë sebepi.Por duhet thënë që fshati ku qeshë emëruar unë e Farua,kishte femra shumë të bukura.Po Farua ish  dashuruar me duhanin,or tunjtajeta.Kënaqësi tjetër nuk kishte për të.I flisja,po dëgjonte ai? Epo punë për të. Në fshat qe bërë si traditë që kishin filluar fejesat brënda fshatit:me dashuri. Partia po i përkrahte ato. Dhe ,shpesh,vinin dhe  sekretarë partie prë t’i ndjekur nga afër këto”zhvillime” të reja,se qenë fryt nga puna e mirë e partisë,de.Në një nga këto mbrëmje,dora vetë:sekretari i parë i rinisë së rrethit,një rrufjan dhe kurvar me patentë.Sytë si panterë lëshoheshin mu po mbi të bukurën e gjithë mbrëmjes.Dhe kjo,për fat,qe Neta.Ajo, bukuroshja që më tha mua:bukurosh! Drejtuesi i mbrëmjes kumton:-Në vallëzim,të dalin vetëm të fejuarët. U ngritën nja 5-6 çifte.Më thotë Neta mua:-Do ngrihemi! Dëgjo,- i them,- po u ngritëm, unë nuk ulem.Se është për të fejuarët.-Pse,- foli ajo duke qeshur,-ne nuk jemi të fejuar?!!!Unë,nga me pupla,u bëra me krahë .U çova,por pashë që Farua e nxori “Partizanin” dhe tymosi rëndë.Po kërcenim me Netën,por titullarit të partisë,i ranë sytë copë. Duket pyeti drejtuesin se kush qeshë unë(Netën e njihte!Po kush nuk e njihte Netën?Ajo qe si një hënë që i thoshte diellit:hyr brënda!) dhe, kur ky i shpjegoj se kush isha dhe nuk isha i fejuar,urdhëroi që të lija vallëzimin dhe të ulesha.Erdhi drejtuesi dhe më tha:-Me urdhër të sh.X… duhet të ulesh.Por jo,mor burazer,i them:a është për të fejuarët?Unë e Neta sapo shpallëm fejesën.Dëgjove,Zarik!Se Zarik e quanin drejtuesin.Duket shkoj dhe raportoi se e pashë seç thoshin pësh-pësh,po Neta as që pyeste.Ne qemë të fejuar.Kaq.Kur mbaroi tangoja-se tango po kërcenim- titullari u ngrit dhe erdhi.Farua tymosi.-More,- filloi duke trashur zërin,-pse ke ardhur për të prishur mbrëmjen e këtyre të rinjve,ti,turk nga Petova (i kishte marrë mirë të dhënat).Së pari,u përgjigja dhe unë me inat (kot të merrja gjak në vetull,unë?),unë nuk jam turk,por jam shqiptar dhe jam fejuar me atë kolegen.-Do ta shohim!-bërtiti dhe iku nga mbrëmja.Por dhe mbrëmja sikur ngriu.Dhe mbaroi para kohe.Unë me  Faron në dhomë dhe vetëm këtë histori.Ai as mish dhe as peshk.Shikonte punën  e tij.Dhe aq…

                                    *     *    *      

Tërë natës nuk bëja gjumë,po jepja e merrja me Netën. Më së fundi,- thashë,- rastësisht,por shkoj kjo punë dhe u krye.Të nesërmen në punë.Ballë për ballë me Netën.Thashë kur do t’më hidhte në qafë?!Por hiç gjë.Epo prit,- thashë,- do ta gjej vetëm dhe do t’ia plas.Pas mësimit,bëra andej tek dhoma ku mblidheshin.Bisedonin.Siç duket,për ne.Jo vetëm për mua.Po dhe për Faron.E dëgjova me këta veshë,kur Neta tha për Faron:-Ky Farudini,për çfarë t’u zë be, e ka të ndryshkur!!! Ato,të tjerat, ia dhanë një të qeshure që mënd çan tavanin.Mua ,po t’më shihte njeri,do më merrte për budalla.se goja vesh më vesh.Thashë:-Dale,ç’do të thonë për mua? Kur e zbrazi  njëra(më duket qe Liria) tha:-Ai ( e kishte për mua),i gjallë,i gjallë është,por është i “rrezikshëm”.Po ç’i rrezikshlm qenkam unë për këtë Lirinë? Unë as që ia kam hedhur sytë fare.Se mëndjen e kam tek Neta unë.Tani jemi të “fejuar”.Dhe shkoi,e mbaroi ajo punë.Prisja të fliste Neta.Kur e zbrazi dhe kjo:-Pupu,po ai është adhap,moj,adhap.Ta shihnit si ma shtrëngonte dorën gjatë kërcimit,qe gati të më thyente dysh.Merr zjarr,tak-fap.Të ruajtë Zoti nga ai?!!!Ai,tjetri…kuptohet që ky tjetri,qe Faro Ziu, ashtu avash- avash,po di t’i pres drutë mirë!!!
Sa dëgjova kaq,dhe bëra prapaktheu.E “fejuara” ime sikur po vërviste pleshta.
I bërë duman,shkova në dhomën e fjetjes.Farua atje.Duhani tym dhe dhoma ngjante me një fole dhelpre.Se,kështu ia bëjnë dhelprës, i vënë tymin për ta zënë të gjallë.Dhe gjithë inatin që kisha mbi hundë,ia shkarkova atij:-Mos do mbyllen fabrikat e duhanit që e ke bërë dhomën duman?Po e prishte terezinë ai.Fol,o gur,fol,o mur! Kur u qetësova,më tha:-Të kujtohet ajo historia me breshkën dhe me lepurin.E,- i thashë,- më kujtohet.-Pse të ra ndër mënd?-Mua?Kot.Fare kot. Se mund të bredhësh si ai lepuri dhe, megjithatë,breshka  arrin më shpejt.Pastaj hapi një libër me proverba dhe tek po e lexonte,më tha:-E di si thonë,në Myzeqe? Dhe pa pritur përgjigje nga unë:-Kush pordhi dhe kush mori groshin!!! Ore,Faro,- i them,- qenke bërë qejfli.Epo teste-teste kjko botë:ca fejohen,ca tymosin cigarë,ca…

                                       *    *    *

Doja të shpjegoshehsha me Netën dhe tek tentoja që të “rifejohesha” me të, ma preu shkurt:-Unë do martohem me Faron!!! -Po si  me Faron?!- bërtita i nxehur.Por ti thoshe se Farua e ka të “ndryshkur?!!!”.Ajo (po ky pyeste Neta,more babam?):-Të ndryshkur,të ndryshkur,po mua më kallajisi mirë….
Unë mbeta me gojëhapur.Pse kot të merrja gjak në vetull unë?!!!…

*Përkimi i emrave është veç rastësi.

                          20 mars     2011-  5 shtator 2018

 

Comments

comments

-----