TREVLLAZRO, GJERDAN ULLIRI*

 Nga Albert HABAZAJ

 

Thëllëz’ e bukur e fushës,

A shqipe në fluturime,

A gjerdan ulliri gushës,

Trevllazro, vendlindja ime!

Gjysh, stërgjyshi – buk’ e ardhur,

Si fshatin tim nuk kam parë,

Lavdi kush na e ka falur,

Kush e do – faqen e bardhë.

Kush e mba këtë shqiponjë

I shkeltë këmba në mjaltë.

Bota me mirënjohje thonë:

“ Kam një mik në atë fshat!”

Gjysmë shekull a më shumë

Nga një fis e nga një farë,

Buruan të mirat lumë

Nga tre vëllezër bujarë:

Çeçon, Shakon, Rrapon kemi

Firmëtar’ për emrin tonë,

Me uratë të tyre jemi,

Si princër me nder jetojmë.

Myrtajt e Meminjat shtohen,

Qëndisin kodrat me pyje,

Me djersën e ballit ngrohen,

Si një vallëzim me yje…

O hambar i Topalltisë,

Me ty flori prodhon dheu,

Se ësht’ zot – zot i shtëpisë,

Bujku ësht’ më bej se beu!..

*Mjeshtrit të polifonisë, Pelivan BAJRAMAJ,

sipas dëshirës së bashkorigjinasit tonë të dashur Mikel LUTAJ, emigrant në SHBA.

Vëllazërisht Albert HABAZAJ

Këngë për Grupin e Trevllazërit, Vlorë

 

Comments

comments

-----