AT DONAT KURTI O.F.M.

Nga Fritz Radovani 

 

ISHTE  DREJTORI I FUNDIT I GJIMNAZIT FRANÇESKAN “ILLYRICUM”…  

Ai ishte letrar, etnolog, folklorist, profesor, perkthyes, studjues i persosun i fjalorit frazeologjik të Gjuhës Shqipe dhe “fatkeqsisht”, Klerik Françeskan Shqiptar, predikues i formulës së pavdekshme “Fe e Atdhe”… Per të cilen “banin vdekjen si me lé !”

Fatkeqsisht ishte pragu i atyne ditve të zeza dhe të pafund që po u afroheshin, pra jemi pak ditë para 11 nandorit 1946 kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata.

Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, pikrisht kur forcat e sigurimit futen në oborrin e Gjimnazit, ky i sheh nga dritaria e zyres dhe merr çekiqin dhe kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve, kështu, edhe i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi.

Po, fatkeqsia vazhdon… At Donat Kurti me shokë nisen drejtë Kalvarit pafund…

Nga viti 1964 kur doli nga Burreli e erdhi në Shkoder e njoha… Kishe ndigjue se per Këte Frat një dijetar i njohun, Prof. Dr. Norbert Jokli, e kishte cilsue bash At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj Shqiptarë”… Edhe kjo një tjeter “fatkeqsi”…

AT DONAT KURTI (3 SHTATOR 1903 – 11 NANDOR 1985)

Kisha e kuvende u shemben… U zhdukën edhe germallat e tyne… U sheshuen… Bashkë me ata u vodhën dhe u pervetsuen edhe veprat e Tyne. Hajdutët nuk i permenda sot…

Njëditë At Donat Kurti u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, në Zallin e Kirit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të Tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme …. të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri më 10 nandor 1983, që At Donati u bashkue me shokët e dashtun të vetët, Eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë per sa vite.

At Donat Kurti O.F.M., ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin një Frati fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, që u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: “VISARËT E KOMBIT” dhe “Fjalorin Frazeologjik me 45.000 fraza Shqipe”… Të gjitha “të mbulueme me pluhun”…

            Melbourne, 3 Shtator 2018.

 

 

Comments

comments

-----