ISA BOLETINI, ME DY KOBURE

Ese nga Luan  Çipi

 

Isa Boletini ka lindur në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës të Kosovës, më 15 janar 1864 dhe u vra nga Malazezët në Podgoricë, më 23 janar 1916. Ai rrjedh nga një familje e njohur për patriotizëm si në Mitrovicë ashtu edhe në tërë Vilajetin e Kosovës. Isa është një nga luftëtarët kreshnik të paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë historike për shqiptarët.

Ka qenë ushtarak, në Ushtrinë Osmane, prijës i kryengritjeve popullore shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe figurë e atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar, Hero i Popullit Shqiptar..

Mbiemri i familjes Boletini është Maksutaj, vendosur në fshatin Isniq të Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin, prej nga merituan edhe mbiemrin.

Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës .

Mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës.

Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë, Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t’i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë.

Në Stamboll më 1902 Isa Boletini nga Sulltan Abdul Hamiti II, ishte emëruar Komandant i Gardës së tij personale, e cila ishte njësia më speciale që kishte Perandoria. Natyrisht, sipas traditës, gardistët gjithmonë ishin shqiptarë të rekrutuar me kujdes. Isa Boletini i kaloi katër vite në këtë detyrë për të cilën gjë Sulltani ia dha titullin bej. Qëndroi në këtë pozitë deri më 1908, kur në nëntor ai i kundërshtoi Sulltanin dhe i dhá përkrahjen Revolucionit Xhonturk. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Po me kohë, zbuloi pabesitë antishqiptare dhe iu kundërvu politikës reaksionare e antishqiptare të xhonturqve. Kur Xhavid Pasha dërgoi 7,000 burra me në krye Dervish pashën drejt Shqipërisë që të nënshtronte Kosovën, Isa Boletini me një grusht burrash organizuan një mbrojtje të guximshme. Gjatë dëbimit trupat osmane dogjën kullën e familjes së tij në shenjë hakmarrje. Armiqësia ndaj serbëve kulmoi më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Në 1909 Boletini udhëhiqte betejat nga Prishtina në Prizren e më tej. Ai luajti rolin qendror si kryetar i kryengritjes të përgjithshme në pranverë të 1910, kur udhëhoqi luftëtarët, në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë, ku turqit thyhen keqas.

U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore anti osmane të viteve 1910-1912. Mbështeti kryengritjen antiosmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

I zgjedhur si delegat i Kosovës, në krye të 100 luftëtarëve kosovarë ai u nis për në Vlorë në Nëntorin e vitit 1912. Në sheshin e flamurit për herë të parë ai u takua me Ismail Qemalin. Shtrëngimin e dorës së tij Isa Boletini e shoqëroi me urimin “Të lumtë dora Ismail Qemali” dhe mori prej plakut të urtë të Vlorës vlerësimin më të lartë për kontributin që ai kishte dhënë për shpalljen e pavarësisë “Ti më dhe krahun e fuqishëm, Isa Boletini”.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë Shqiptare, duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke.

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin, shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për copëtimin e Shqipërisë.

Baca Isë” është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër: Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, Ministër i Jashtëm i asaj kohe i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë, bëri shaka: “Nesër gazetat do të shkruajnë se atë, që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane, e bëra unë, Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër!” Thonë se Isai është përgjigjur: “Jo besa, as në Londër!” Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver, që e mbante diku fshehur.

Në takimet e shpeshta në Londër, “Gjenerali me qeleshe të bardhë”, la një mbresë të fortë të zakoneve shqiptare, ku askush nuk mund ta shihte pa e admiruar atë.

Ai u kthye në Shqipëri, dhe më pas, trupat e tij mbrojtën edhe Princ Wilhelm Wiedin, deri në nisjen e tij nga Shqipëria Kjo dhe me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, me të cilin krijon xhandarmërinë e parë shqiptare.

Më vonë Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje, po kurdoherë dhe me urtësinë e tij, që i dha gvetes gjithnjë autoritet të madh, si udhëheqës i shquar popullor.

Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes dhe krejt pasurinë e tij të konsiderueshme, me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnis. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia!”.

Vendimet e padrejta që mori Konferenca e Londrës duke lënë jashtë kufijve më shumë se gjysmën e kombit shqiptar, përforcoi bindjen tek Isai se një padrejtësi të tillë do ta zgjidhte vetë populli shqiptar.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Isa Boletinin në Malësinë e Gjakovës. Përqëndrimi i forcave ushtarake serbe e malazeze në kufirin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre me reaksionin brenda vendit e detyroi Isanë të linte Krasniqen e të zbriste në Shkodër, tashmë në gjendje të rëndë shëndetësore e në kushte tejet të vështira ekonomike, pasi gjithë pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim të luftës për liri e pavarësi.


Në qershor 1915 forcat malazeze rrethuan Shkodrën. Për të mos rënë në dorë të tyre, Isai mori strehim në Konsullatën Franceze në Shkodër dhe i kërkoi nënkonsullit që ta ndihmonte për t’u larguar në një vend asnjanës ose të ndërhynte pranë qeverisë së Malit të Zi dhe Serbisë që të lejonin kthimin e tij pranë familjes në Mitrovicë. Në qoftë se nuk do t’i realizoheshin kërkesat, Isai kishte vendosur që me çdo sakrificë të çante natën rrethimin e forcave malazeze e të largohej nga Shkodra. Por, qeveria franceze vendosi t’ia dorëzojë Isa Boletinin Malit të Zi, duke u bërë kështu drejtpërdrejtë pjesëmarrëse në krimin e shëmtuar që serbo-malazezët kryen ndaj Isait, te Ura e Podgoricës

Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin dhe tre luftëtarë të tjerë.

Janë madhështore, legjendare e heroike çastet e fundit të jetës së tij: “I futur në kurth, nga Malazezët, Isa Boletini qëllohet nga të gjitha anët me plumba, por nuk bie, teksa arrin të qëllojë deri në fund mbi ekzekutorët e vet. I bërë copë nga predhat, ai nuk shtrihet, nuk nxjerr zë, nuk dridhet, nuk bën asnjë hap pas, si të ishte prej shkëmbi. Dikur plagët e rrëzojnë në gjunjë, por sërish ai arrin të mbajë armën në duar duke qëlluar… Dhe në momentin që dora e djathtë i copëtohet, e kalon revolen në të majtën…”.

Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë, të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, të cilët edhe pse në luftë për ekzistencë e të mundur keqas nga Austro – Hungarezët, ende si armik kryesor quanin, shqiptarin e rrezikshëm Is Boletini, kurse ata që e prenë në besë atë, ishin disa diplomatë francezë.

Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas, me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e Ushtrisë Austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”.

Eshtrat e tij u transportuan në Boletinin e çliruar, shumë më vonë, më 25 shtator 2004.

Isa Boletini i dha kuptim luftës së shqiptarëve për Shqipëri të përbashkët. Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë etninë Shqipëtare. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Sot në Mitrovicë “Kulla e Isë Boletinit” njihet e mirëmbahet si Muze Kombëtar. Gjithashtu ka një batalion special të Ushtrisë Shqiptare, të instaluar në Irak, që mban emrin e Isa Boletini.

Për hartimin e këtij jetëshkrimi simbolik u shfrytëzua interneti, Wikipiedia dhe shkrimet e kujtimet e Tafil Boletinit, Skënder Luarasit, Fatos Baxhakut, Mimoza Dajçit, etj.

 

 

Comments

comments

-----