S’keni parë gjë akoma!

Nga Reshat Kripa

    “S’keni parë gjë akoma”, foli kryeministri ynë para disa kohe. Natyrisht me këtë shprehje ai donte të thoshte se ndëshkimet dhe, si rrjedhojë, të mirat do të vijnë më prapa.  Kështu gjykatësit apo prokurorët që ishin majmur në saj të detyrës së tyre do të dënoheshin dhe në vend do të mbretëronte shteti ligjor dhe i së drejtës. Po politikanët e korruptuar dhe biznesmenët që janë pasuruar brenda një nate a do të ndëshkohen vallë?
    “S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeminstri dhe ne presim dhe presim se kur do të vijë ajo ditë që ne të shohim se si hiqet e keqja  nga gjiri i shoqërisë shqiptare.
    Dëgjoj kryeministrin dhe menjëherë më del para syve pyetja:
Po për kthimin e pronave  ish-pronarëve çfarë  do  të  bëhet?  Si  do  të
veprohet?
    Zhvillimi i ngjarjeve të këtyre 28 viteve të “sistemit demokratik” ka treguar se asnjera palë nuk ka qenë e interesuar që prona të shkojë te i zoti i ligjshëm. Në të kundërt ajo është gllabëruar  nga njerëz të lidhur me pushtetin që me anën e asaj kanë arritur majat e pasurimit.
    Më lejoni të tregioj disa shembuj personal lidhur me këtë drejtim.

    Para disa ditëh lexova në shtypin e përditshëm vendimin e qeverisë që kishte caktuar një fond prej 15 miliardë lekësh për kompesimin e 5000 pronarëve që u është njohur e drejta e kompesimit. Midis tyre ishte edhe emri i bashkëshortes time, që përfironte kompesim për një pronë të trashëguar nga i ati me një vleftë prej 71.634.061 lekësh. U interesuam pranë Agjnsisë së Trajtimit të Pronave dhe na thanë se po të jenë dakord të gjithë trashëgimtarët të marrin 20% të vleftës brenda vitit të ardhshëm, atëhere duhet të deklarojnë se heqin dorë nga pjesa tjetër e pasurisë.
    “S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeministri. Çfarë do të shohim? Mos vallë grabitjen e 80% të pronës që kërkoni t’jua falim për ta gllabëruar bosët që sundojnë vendin? Por nuk përfundon këtu.  Jo më vonë se data 16  gusht 2018 lexojmë në gazetën “Panorama” vendimin e qeverisë për shitjen e 1735 objekteve shtetërore. Në të shkruhet:
    “Të drejtën për aplikim për fillimin e proçedurës së privatizimit e kanë si qytetarët, biznesi dhe investitorët.”
    Ndërsa në datën 17 po kjo gazetë shkruan:
    “Vendimi parashikon që për pronat, të cilat do të nxirren në shitje dhe  nuk do të ketë blerës, të kalojnë për kompesimin fizik të ish-pronarëve.”
“S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeminstri. Përse zoti kryeministër këto prona nuk i shpërndani për kompesimin e ish pronarëve por ua dhuroni biznesmenëve dhe investitorëve  që kanë arritur majat dhe që praktikisht drejtojnë edhe shtetin shqiptar? Nuk e di nëse do të jeni në gjendje të përgjigjeni
    Le të shohim tani edhe dy çështje të  tjera  që  burokracia  shtetërore i   ka
zvarritur me vite.
Rasti i parë. Qysh në vitet 1993-1994 kemi dorëzuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave mbi kthimin në natyrë , në emrin e babait tonë dhe xhaxhait, të një sipërfaqe trualli prej 1129 m2, brenda së cilës ndodhet një godinë prej 1025 m2. Më vonë janë dorëzuar aktet e trashëgimisë të të gjithë trashëgimtarëve që kishin ndërruar jetë dhe prona kaloi në pronësi të tyre. Për çdo trashëgimtar që ndërronte jetë është paraqitur akt-trashëgimia e tij dhe është marrë nga zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vërtetimi i pronësisë. Ky veprim u zhvillua edhe për shkak të ndërrimit të jetës së motrës tonë të fundit, duke dorëzuar më datën 13.07.2018 akt-trashëgimin e saj. Por, çuditërisht në vend që të më vinte dokumenti i pronësisë si herët e tjera, më vjen një letër me numër protokolli 3468, ku , midis të tjerave thuhet:
“Për vazhdimin dhe trajtimin e praktikës tuaj, ju lutem na vini në dispozicion aktin ligjor të fitimit të pronësisë pasi nga verifikimi i dosjes tuaj  mungon origjina e pronës.”
Qysh më datë 4 gusht 2018 u ktheva përgjigjen ku cilësoja se si ka mundësi që gjatë gjithë këtyre viteve kam dorëzuar aktet e trashëgimisë dhe për sejcilin prej tyre kam marë vërtetimin e pronësisë ndërsa kësaj here nuk më jepet pasi gjoja mungoka origjina e pronës, llogjika e do se ky akt duhet të ndodhet në zyrat e tyre dhe jo te unë. Kanë kaluar 16 ditë dhe ende nuk ka mbërritur asnjë përgjigje. Kush të mundet le të më përgjigjet.
‘S’keni parë gjë akoma”, thotë kryeministri por deri kur?
    Rasti i dytë. Me privatizim e tokave të ndërmarrjeve bujqësore, me aktin numër 21566  të marrjes në pronësi të tokës, lëshuar nga Komisioni i Ndarjes së Tokës, kemi përfitur një sipërfaqe prej 20.000 m2 ku ndodhen 200 rrënjë ullinj. Mirpo, meqënëse nuk kishte sipërfaqe të lirë të kësaj madhësie, morëm dy parcela me sipërfaqe 12.070 m2 dhe 7.930 m2    që të dyja së bashku plotësojnë sipërfaqen e përfituar në akt.
    Me daljen e vendimit të qeverisë për kalimin e këtij akti të pronësisë në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme., u paraqita në zyrën përkatëse të bashkisë së qytetit të Vlorës. Pasi plotësova të gjithë dokumentat e kërkuara i dorëzova më datën 18 mars 2013. Bashkia dokumentat e dorëzuar nga unë, pasi i shqyrtoi ia kaloi zyrës së  Këshillit të Qarkut e cili, pasi i shqyrtoi edhe ajo, ia dorëzoi zyrës së Prefekturës së Vlorës qysh në nëntor 2013. Duke filluar që nga kjo datë dhe deri më sot, kanë kaluar pese vjet dhe ende dokumentat nuk janë dorëzuar në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kam shkuar disa herë në Vlorë për këtë çështje, por nuk kam mundur të zgjidhë asgjë. Së fundi, në muajin qershor të këtij viti zyra e prefekturës më dorëzoi një shkresë me anën e së cilës duhet t’i drejtohem Gjykatës së Rrethit për zgjidhjen e çështjes. Dua t’i pyes nëpunësit e asaj zyre:
Mos vallë duheshin pesë vjet për të  më  kthyer  këtë  përgjigje? Po  të
mundeni m’u përgjigjni. Shtoj se deri tani kam shpenzuar për këtë qëllim një shumë prej 200.000  lekësh. Përse?
    “S’keni parë gjë akoma” thotë kryeministri. Çfarë do të shohim më zoti kryeministër? Mos vallë shtimin e anormalitetit të administratës shtetërore apo, ndoshta, ndonjë vendim që të gllabërohen të gjitha ato prona që kanë mbetur ende?
    Po mundët përgjigjuni edhe për këtë.

    Botuar në gazetën “Mapo” Nr.2537, datë 24 gusht 2018

 

Comments

comments

-----