MIGJENI, POET I MJERIMIT, PROTESTËS DHE SHPRESËS

Nga Luan Çipi

 

Millosh Nikolla, me pseudonimin MIGJENI, lindi në qytetin e Shkodrës, në një familje ortodokse, më 13 Tetor 1911 dhe vdiq ne Tore Pelice Torino Itali, më 26 Gusht 1938.

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për kohën kur jetoi, ishte një zë krejtësisht novator nga përmbajtja dhe forma dhe ndikimi modernizues mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh. Ai ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. që gjatë jetës së tij kaloi nga romantizmi revolucionar, në realizëm kritik. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë e komunitetit ortodoks, që ndërkohë, lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin. Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe u zhvendos në Shkodër, ku punoi si murator dhe më vonë u martua me Stake Milanin nga Kuçi i Shkodrës. Ai u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924) të atin e Milloshit, dhe Kriston. Gjergji, i ati Milloshit, zotëronte një bar dhe ishte një anëtar shumë i respektuar i komunitetit. Vlen për t’u përmendur zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës, në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli). Gjergji ishte i martuar me Sofia Kokoshin (e ëma Migjenit) në vitin 1900.

Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku i vetë, Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924. Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pastë atit, nga pleuriti.

E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). Si i shoqi, Sofie Kokoshi (nga i njëjti fis malazezësh me familjen e shquar në Vlorë të Qazim e Kudret Kokoshit), gëzonte nam të mirë në rrethet shoqërore dhe ishte edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane. E dërrmuar nga këto fatkeqësi që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër.

Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçevëve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Milloshi i vogël, arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar të Malit te Zi, ku e motra Lenka ishte shpërngulur martuar atje me Llazar Jovanin, familja e të cilit e kishte origjinën nga Kavaja.

Daja, Jovan Kokoshi, e lajmëroi se i pati nxjerrë bursë për në gjimnazin e Manastirit. U nis atje në vjeshtë të 1925. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me rezultate të mira. Për vitin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks “Jan Shën Teologu” po në atë qytet.

Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar“. Me atë “Dëftesë Pjekurie” e shpalli kandidat të aftë për shërbim kishtar, për mësim të fesë dhe për studime intelektuale të larta në fakultetet universitare.

Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Në pasaportën që pati marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen shënimet e titullarit: “Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta s’ka”.

Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare të kohës, që zienin në gjithë Evropën.

Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë.

Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat “Iliria”, “Bota e re” etj.

Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me rioshin Lazër Radi, gjë që do frymëzonte këtë të fundit t’i kushtonte një libër kujtimesh. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali, në Sanatoriumin “Torre Peliçe” me shpresë  për t’u shëruar nga sëmundja e mushkërive. Përpjekjet e mjekëve kishin qenë të kota, meqë sëmundja e kishte bërë të veten

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike, duke kontribuar me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik, shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në vitet `30-ta me protestat, dhembjet, ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen.

Vëllimin e tij “Vargjet e lira” (1936) Migjeni e hapte me vjershën “Parathënia e parathënieve” ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi i kësaj vjershe e cila është një sintezë e mendimit revolucionar të Migjenit, është vargu: “Përditë prendojnë Zotat”, Njeriu po hipën në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës së tij, i vetvetes dhe nuk do t`u përulet më “idhujve”.

Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: “Kangët e ringjalljes”, “Kangët e mjerimit”, “Kangët e perëndimit”, “Kangët më vete”, “Kangët e rinisë” dhe “Kangët e fundit”.

Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që i bashkon këto vepra, është gëzimi për lindjen e “Njeriut të Ri”, prej atyre të varfërve të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur në luftëra të reja, që të mos humbin më në lojën e përgjaktë të historisë, të mos jenë më skllevër të titajve të tërbuar, por zot të vetes e të një bote të re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja, si ato të hershmet, por janë luftëra të reja, siç i quan poeti kryengritës. Në këtë cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin e entuziazmit për lindjen e “Njeriut”, i cili do ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen e botës së vjetër dhe krijimin e botës së re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë, ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për triumfin e idealit për një jetë të re:

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate, që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
(Kanga e rinisë)
Poeti është i bindur se asgjë s`mund ta pengojë më lulëzimin e lirisë, ku do të shpërthejë hovshëm gjithë ato këngë, që ende i flenë në shpirt. Kjo është intuita e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen e ngrohtë të Diellit të jetës së re:
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.

Për identifikimin e figurës Diell ka pasur disa përpjekje për ta zbërthyer e konkretizuar. Por ato vetëm se e kanë vulgarizuar perceptimin poetik të poetit. Mjafton të mbetemi në simbolikën e tij dhe ajo thotë gjithçka. Ai ia ndien rezatimin botës së re, shoqërisë së re, e cila do të jetë e ngrohtë dhe e ndritshme si dielli dhe si ai do të mund të gjallërojë, të zgjojë të rilindë gjithçka që qëndon ende e ndrojtur, e përgjumur në errësirë. Thirrja që Migjeni i drejtonte Rinisë, në këtë vjershë ishte kuptimplotë, optimiste dhe tepër e ngrohtë, intime dhe romantike:


Thueja, kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu Rini! Qeshu! Bota asht`e jote!


Cikli i dytë i “Vargjeve të lira” nis me “Poemën e mjerimit”, kryevepër poetike e Migjenit dhe një prej krijimeve më të bukur të poezisë shqiptare. Poema ka një konceptim e trajtim origjinal. Në fillim poeti sjell figurën e mjerimit të konkretizuar nëpër dhjetëra motive jetësore. Dhe së bashku me fytyrën tragjike të mjerimit në jetën shqiptare, vjen edhe dhembja, dhembja e poetit dhe dhembja që mbyt çdo shoqëri të ngritur mbi dhunën. Kjo dhembje e thellë përfundon në protestën ndaj rendit shoqëror që e krijon mjerimin, dhe në ironi dhe sarkazëm ndaj fesë, e cila s`arrit ta ndryshojë këtë pamje tragjike, me gjithë lutjet e mëshirën mijëvjeçare. Pas kësaj poeti nxjerr si përfundim:

Mjerimi s`do mëshirë, por don vetëm të drejtë!

I gjithë cikli pavarësisht nga dhembja e thellë dhe pamja tragjike që krijohet ka tone optimiste, sepse nuk kemi të bëjmë me një dhembje mbytëse, por me dhembje krenare, të cilat sipas poetit, koha do të dijë t`i qetësojë.

Në këtë cikël poeti na jep për herë të parë me shumë art figurën e punëtorit që shfrytëzohet kafshërisht ose endet i papunë, duke thelluar kështu pamjen tragjike të mjerimit.
Gjithashtu në këtë cikël ai trajton edhe temën antifetare ku demaskon institucionet fetare, si bashkëfajtore të asaj shoqërie që pjell mjerimin.

Në ciklin e tretë “Kangët e prendimit”, Migjeni, sjell pamjen e Evropës kapitaliste para Luftës së Dytë Botërore, ku plagët e tmerrshme shoqërore dhe krizën ekonomike përpiqen t`i mbulojnë me pseudo art, me vepra e filma sentimentalë që e vishnin me ngjyra artificiale lumturie dramën shoqërore e politike. Po përtej kësaj cipe të neveritshme poeti sheh botën e rëndë të shtëllungave të tymit e të avujve, të djersës e gjakut. Në të dy vjershat e këtij cikli poeti sjell imazhin e një bote somnambul që po rrëshqet drejt greminës së shkatërrimit, drejt luftës. Kjo botë e zhytur në mjegull ende s`po e kupton se po i përgatisin një tragjedi të re. Për t`u orientuar në këtë botë të dehur, poeti kthehet nga bota punëtore e uzinave me

thirrjen poetike:


Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung
Avull, në pika djerse,


Si vazhdim i këtij mendimi poetik, autori duke dashur që vëllimi i tij të ketë një kompozicion kuptimplotë, vendos vjershën “Kangë më vete” ku ai sjell më konkret imazhin e luftës së ardhme me shkaktarin e vërtetë të saj, fashizmin, që po hyn si hajn edhe në Ballkan.

Menjëherë pas kësaj vjen cikli “Kangët e Rinisë”, që së bashku me ciklin “Kangët e fundit” janë më intime, më shprehës të shpirtit të poetit, të vuajtjeve, dëshirave, pasioneve të tij.

Te “Kangët e rinisë” bën pjesë vjersha “Ekstazë pranverore”, që së bashku me këngët e ringjalljes dhe “Sonet Pranveror”, janë krijimet më pasionante, më optimiste e më me ndjenjë të poezisë migjeniane. Aty ndihet thellë himni i triunfit të një bote të re, që do të jetë gjallëruese si një pranverë. A do të arrijë poeti ta shijojë këtë pranverë? Parandjenja e një vdekjeje që po i afrohet, i jep dhembje poetit që, ndoshta, s`ka për ta parë këtë botë të re. Por gëzimi i triumfit të saj është kaq i madh sa dhembja vjen në përmasa reale e jo në trajtën e pesimizmit.
Te këto dy cikle jeton edhe dashuria e poetit, e cila sjell imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për krijimin e jetën në përgjithësi.
Në tetë vjershat e fundit, që i janë shtuar vëllimit më vonë ndihet edhe trishtimi, dhembja dhe pesimizmi i poetit, që e sheh se si po i fiket pak nga pak jeta. Por ato nuk e rëndojnë gjendjen shpirtërore të lexuesit, sepse janë të natyrshme dhe njerëzore.
Në disa vjersha “Rezignata”, “Trajtat e mbinjeriut” etj. Migjeni trajton motive filozofike rreth kuptimit të ekzistencës së njeriut, të jetës, të vetëflijimit për të ardhmen e shoqërisë, të botës etj. Trajtimi i këtyre ideve është pak i mjegulluar, sidomos kur poeti sjell edhe mbinjeriun, që mendohet se është nocion që ka evoluar, në krahasim me kuptimin që i pati dhënë krijuesi i tij Niçja. Mbinjeriu i Migjenit, nuk është përbuzësi i vegjëlisë. Ai është një figurë, që merr përsipër të udhëheqë masat drejt një bote të re, ku të ketë kuptimin e vërtetë edhe sakrifikimi edhe ekzistenca, edhe dashuria, pra, të marrë një kuptim të ri jeta. Mendimi në këto vjersha vjen i turbullt dhe lë shteg për t`u interpretuar në mënyra të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët, optimizmin, dashurinë për njeriun, dashurinë për të renë, për të bukurën.


Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publicistikën dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet “A don qymyr zotni?”, “Studenti në shtëpi”, “Të çelën arkapijat”, “Historia e njenës nga ato”, “Qershijat”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë. Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie despotike.

Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfra. Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t`i siguruar fëmijës një copë bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër, gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe varfëri. Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik. Në këtë prozë kemi një ekuilibrim ndërmjet shpërthimit lirik të emocioneve dhe veprimit dramatik e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ai shkroi me dashuri e pikëllim për ata njerëz, që e shkonin jetën në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje ai derdhi urrejtjen dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi vesin në prozën e tij si dukuri të një jete që brehej nga kontradiktat e thella dhe jo mbi bazën e instinktit, ndaj ai arriti të sjellë në letërsinë tonë përgjithësime të rëndësishme ideoartistike.
Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë, malësori që i ka harruar hynitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetveten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.

Personazhet e tij janë tipizime të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve. Personazheve të tilla si malësorja (“A don qymyr zotni”), Nushi dhe Agla (“Studenti në shtëpi”), ose Bakalli (“Të çelen arkapijet”) e Kola (“Bukën tonë të përditshme falna sot”), janë dhënë me forcë të rrallë artistike.
Pjesën më të madhe të krijimtarisë në prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni. Në këto krijime të rëndësishme realiteti është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë kalon në trajtim konkret të problemit të mjerimit, papunësisë, të mohimit të mëshirës kristiane e artit për art. ( Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda e misrit, Bukuria që vret, etj.), herë në trajtim të përgjithshëm në formën e një eseje filozofike të problemeve të dinjitetit të njeriut, të së ardhmes së vendit, të ushtrimit të dhunës për të mposhtur personalitetin e njeriut të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun), Ne me Krishtin, Përrallë abisine, Gjysëm ose italian, Mësim gjeografie etj.

Në veprën e tij jeta paraqitet lakuriq, me gjithë shëmtimin e saj dhe ai gjithnjë depërton me art në kuptimin e kësaj të vërtete. Në skicat migjeniane ka një galeri të tërë portretesh. Shumë autorë të brezit të tij e trajtuan me mjeshtëri skicën dhe prozën satirike, por tek asnjë ajo nuk është aq unike dhe origjinale, e thellë e artistike sa te Migjeni.

Në prozën e tij Migjeni e mohon realitetin e kohës, gjithçka të keqe, pa mohuar mundësinë e përmirësimit të saj. Ai mohon shfrytëzimin, luftën imperialiste, konceptin patriarkal, vesin, shfrytëzimin e njeriut, po jo njeriun, mohon deri në fund anët e shëmtuara të jetës, por jo jetën. Mohimi i tij nuk ushqen pesimizmin, cinizmin, depresionin, prandaj krijimtaria e tij mbetet gjithmonë e re. Tregimi i tij karakterizohet nga sinteza e mendimit, shqetësimi qytetar dhe psikologjia e thellë e personazheve. Kurse te skicat ku ka pasuri motivesh, Migjeni e shtjellon idenë me anë të të një monologu dramatik të fuqishëm, i cili nis gjithnjë me ironi dhe përfundon me sarkazëm dhe revoltë. Ky monolog u përdor edhe nga autorë të tjerë të viteve `30-ta, sidomos Nonda Bulka, po te Migjeni ai është më i natyrshëm e më i thellë.

Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologu dramatik, bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të rëndësishme shoqërore e politike të kohës. Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara, është vështirë t`i dallosh nga tregimi.

Duke krahasuar tregimet e Kutelit me ato të Migjenit, shohim se i pari ka njëfarë adhurimi mistik për të kaluarën, shpreh pakënaqësinë për realitetin ekzistues dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit, por përpiqet ta riparojë atë dhe të harmonizohet aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën dhe të tashmen në emër të së ardhmes, të cilën kërkon t`ia rrëmbejë me forcë kohës.

Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë e një poeti, që shpërthen me një protestë nga më të fuqishmet e letërsisë sonë të traditës. Ndaj, ndërsa Kuteli është një prozator i shquar, i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator i kulturuar, Migjeni është novator. Ai vështroi thellë në shoqërinë e kohës dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar dhe dënuar rreptë, në emër të një të ardhmeje më të bukur, pavarësisht se ajo na shfaqet e turbullt e simbolike. Migjeni në prozë na shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit kritik. Me krijimet e Migjenit, për herë të parë në prozë shohim thelbin tragjik të botës shqiptare dhe tregimi shqiptar arriti nivelin ideoartistik dhe shumëllojshmërinë problematike të poezisë sonë. Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e më gjerë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.
Në kohën e tij Migjeni, në Shkodër e gjetiu, ka takuar edhe krijuesit tashmë të dëshmuar: Fishtën, Mjedën, Koliqin etj., por që ai në letërsi solli një stil të veçantë të të shkruarit dhe duke qenë mjaft origjinal, veprat e tij njohin elemente që mund të thirren me emrin e tij: elemente migjeniane, stil migjenian etj. Idetë e tij shkojnë kah ekspresionizmit dhe natyralizmit.

Shkrimet e tij bartin frymën e publicistikës, poezisë dhe prozës moderne të kohës dhe ato lidhen ngushtë me artikulimin e lartë artistik të ideve realiste e kritike në raport me rrethanat e jetës, problemet me të cilat ballafaqohet individi, kolektivi, populli në përgjithësi.

Në tregimet e skicat e tij të përmbledhura në Novelat e qytetit të veriut, ashtu si edhe në poezitë e tij të mbledhura në Vargjet e lira, rrihet vazhdimisht ideja për jetën e vështirë materiale, për kushtet e njeriut dhe vuajtjet e shumta në suazat e të cilave njeriu zhvishet nga vlerat shpirtërore dhe morale. Por, për Migjenin nuk janë me rëndësi vetëm idetë dhe mendimet i tij, por edhe artikulimi sa më artistik i tyre sepse vetëm ashtu ato mund të jetonin brenda veprës dhe vetë vepra në kornizat e mirëfillta të artit letrar.

Migjeni shihet qartë se është shkëputur nga poezia tradicionale dhe ajo shkëputje ishte e qëllimshme, e dukshme me plotë kuptimin e fjalës. Kjo shihet qartë në ciklet e poezive të tij, si p.sh. siç është cikli Kangët e rinisë në përmbledhjen Vargjet e lira. Synimi i Migjenit për t’u shkëputur nga e kaluara, nga tradicionalja shprehet edhe në poemën Na të birtë e shekullit të ri: Na të birtë e shekullit të ri, / që plakun e lamë në “shejtnin” e tij….

Duke folur për thyerjen që bëri Migjeni në traditën e poezisë shqipe, kritiku Arshi Pipa mendon se Migjeni sjell një stil të ri duke i zëvendësuar temat dhe motivet e vjetruara me tema aktuale. Ndonëse Migjeni vendos shkëputjen e dukshme nga tradicionalja, lexuesi mund ta ndjejë lidhjen e pashmangshme dhe referencat në poezinë e traditës. Thirrjet : Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla! të kujtojnë vargjet, thirrjen naimiane: Punë, punë natë e ditë, / që të shohim pakëz dritë., apo edhe vargjet me të cilat Migjeni e identifikon veten me një luan të mbyllur në kafaz: … edhe e ndiej veten luan të ndryem në kafaz, që ngjasojnë me vargjet e Ndre Mjedës, i cili e identifikon Shqipërinë me bilbilin e mbyllur në kafaz: Por ty, n’kafaz t’ shtrëngueshëm,/ Ty t’paska ndrye mizori… , Kështu artikulimi i ngjashëm i ideve, koncepteve domosdo që edhe ngre ngjashmëri edhe në ndërtimin e figurave poetike, p.sh. Bilibili i Mjedes simbolizon Shqipërinë e robëruar, ndërkaq luani i Migjenit simbolizon individin e zhytur në rrethanat e vrazhda sociale të Shqipërisë së viteve të 30-ta. Kështu Migjeni tregohet i ndjeshëm ndaj kohës së tij, reflekton për gjëra dhe preokupimet e bashkëkohësve të tij, merret me tema nga jeta e qytetit (e jo si autorët e traditës që për bazament kishin temat patriotike dhe ato për fshatin, natyrën, malësinë etj.). Në poezinë e Migjenit janë fare të kufizuara tablotë e natyrës, sidomos skenat nga jeta e fshatit. Kështu ndodh edhe në poezinë e Baudelaireit ku arave, korijeve, rrëkeve e liqeneve, pyjeve dhe maleve të poezisë tradicionale, ua zënë vendin çatitë dhe tymtarët, rrugë dhe oborre, uzina, ura dhe shtëpi të mbledhura grumbull të metropolit industrial, për një skenë të re të fatit të njeriut.
Në përmbledhjen Vargjet e lira ka 43 poema, nga të cilat vetëm njëra prej tyre, Recital’i malsorit i referohet drejtpërdrejt fshatit, malësisë. Për tri poema të tjera si Vjeshta në parakalim, Ekstaza pranverore dhe Sonet pranveruer nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se ato lidhen medoemos me fshatin. Kjo që u tha më sipër tregon sesa e thellë është shkëputja e Migjenit nga tradita poetike e mëparshme, kryeveprat e të cilës lidheshin me fshatin ose në to mbizotëronin mjediset fshatarake. Të tilla janë: Këngët e Milosaos e Jeronim De Radës, Bagëti e Bujqësia e Naim Frashërit, Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, Andrra e jetës e Ndre Mjedës. Madje edhe te Lasgush Poradeci, i quajtur poeti i liqenit, vendin kryesor e zënë tablotë e natyrës, motivet e fshatit. Me pak fjalë do të përmblidhja mendimin e studiuesit, Sabri Hamiti, i cili thotë: ” Karakteristikë e poezisë së këtij autori është shkëputja e vetëdijshme nga trajta formale e tematike të poezisë shqipe të kohës. Gati askund nuk duket tema e famshme atdhetare a kombëtare. E kaluara preket vetëm si reflektim në aktualen, por jo si temë e veçantë. Kjo poezi në fakt merret me përshkrimet e një të tashmeje dhe një të ardhmeje të projektuar. Temë zotëruese e saj bëhet tema shoqërore e kohës ashtu si dhe dhembjet personale të lidhura me kohën e me vetveten”

Migjeni është poet modern, sepse është poeti i parë shqiptar që e bëri qytetin dekorin e poezisë së tij. Me shndërrimin e qytetit në një dekor të privilegjuar të poezisë moderne ka lidhje edhe një prirje tjetër e saj, siç është estetizmi i të shëmtuarës, i të keqes. Ashtu si te Lulet e së keqes apo te Poema të vogla në prozë të Baudelaireit, kjo dukuri haset dendur në poemat e Migjenit ku parakalojnë lypës, pijanecë, prostituta, të sëmurë, të gjymtuar, jetimë, të burgosur prapa hekurave të kryqëzuar, njerëz të mbështjellë nga mashtrimi, njerëz që i bren dyshimi… Për herë të parë, në poezinë shqipe të shkruar paraqiten skena të zvetënimit moral, skena ku harbohet instinkti, ku njeriu është viktimë e epshit: Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica, / mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta të lagta / lakuriqen mishnat si zhangë, të verdhë e pisa; / kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, / kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta / edhe shuhet uja, dhe fashitet etja / m’epshin kapërthyes ku mbytet vetvetja.
Migjeni, siç shihet është modern edhe për nga strukturimi i librit të tij të parë e të vetëm me poezi Vargjet e lira. Struktura përfundimtare e librit është: Parathënja e Pasthënjeve si hyrje, Kangët e Ringjalljes, Kangët e Mjerimit, Kangët e Perëndimit, Kangët në Vete, Kangët e rinisë, Kangët e Fundit. Me këtë strukturim, ai të sjell ndër mend autorin e përmbledhjes Lulet e së keqes, i cili pohonte me ngulm se i kishte kushtuar kujdes të madh ndërtimit të librit.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Ky jetëshkrim pasqyron materiale të marra nga interneti, si Wikipedie, Skënder Luarasi, Robert Elsie, Bajraktar Jonuzi, Dhimitër Shuteriqi, A. Qeriqi, Behar Gjoka, etj,

 

 

Comments

comments

-----