« Receta pa komb » një recetë për t’u lexuar

Nja dy mendime rreth librit të Prof. Saimir Lolja « Receta pa komb »

Botuar në disa media të shkruara në Tiranë e Prishtinë

Nga Ajet Nuro

 

Nuk do t’a tepëroja po të shkruaja në titull « Receta pa komb » një recetë për t’u lexuar me çdo kusht… Sapo mora njoftimin për daljen e librit dhe temën që trajtonte, shpejtova të dërgoja komandën në Tiranë për të patur në dorë librin e profesor Loljes që unë e njof prej kohësh dhe artikujt e tij të i lexoj duke e ditur se nuk është humbje kohe, pra artikujt apo shkrimet e tij janë nga ato që mund t’i quash « vlerë e sigurt ».

Pse më tërhoqi tema e librit? Qysh në nën-titullin e librit shkruahet : « Lufta e sllavo-komunistëve për « çlirim » ishte një luftim për ripushtim… prej marrveshjes Entente Anlglo-Sovjetike ». Përgjatë 45 vjetëve të regjimit komunistë, kemi patur një versiuon të historisë, të bërë nga « fituesit » dhe ç’do opozicion me këtë kënd-vështrim, ka qenë herezi dhe madje shumë njerëz e kanë paguar shtrenjtë qoftë një fjalë thënë ndryshe nga ajo që thuhej zyrtarisht. Pas ndryshimeve të fillim-viteve ’90 ka patur shumë përpjekje për t’a riparë historinë, për t’i dhënë vendin e duhur shumë ngjarjeve dhe aktorëve që duam s’duam kanë bërë histori. Gjatë kësaj periudhe janë botuar kujtime nga më të ndryshmit por përpjekjet për të parë historinë nga një kënd tjetër kanë qenë të pakta. Më keq akoma. Të gjithë e dimë manipulimin e historisë nga diktatura që nga përrallat e krijimit të partisë komuniste nga vetë komunistët shqiptarë duke mohuar rolin e jugosllavëve në të apo edhe trajtimin e « Marrveshjes së Mukjes » dhe fillimin e vëlla-vrasjes mes shqiptarëve, e megjithatë, ka historianë që me ç’do kusht duan të vazhdojnë në atë drejtim a thua se « vija e kuqe » duhet t’a përshkruaj edhe sot historinë e shiptarëve.

Para se t’a lexoja librin kisha kureshtje. Kur libri të bie në dorë, nuk zhgënjehesh. Ai është i lehtë për t’u lexuar dhe aty gjen shprehje që të ngelen në mendje. Së pari, nuk mund t’a mohoj se më bëri përshtypje shprehja « xhihani sllavo-komunist ». Nëse xhihadi pretendon një luftë të shenjtë kundër të « pafeve » xhihadi sllavo-komunist kishte një luftë të gjithanshme dhe pa kompromis ndaj « botës së vjetër ». Çfarë krahasimi!

Fronti Naciona-Çlirimtar (nga ku vjen dhe titulli i librit, përveç se ishte një term jo shqiptar i sugjeruar nga patronët e agjentëve dhe argartëve të sllavo-komunizmit, nuk ishte gjë tjetër në shqip veç « Lëvizja Pa Komb » apo Ballo Jo Kombëtar.

Saimir A. Lolja

Nuk dua të rishkruaj çfarë shkruhet në libër por është interesant fakti se si doli Enver Hoxha në krye të lëvizjes komuniste dhe kush e ndihmoi të ecte në luftën për t’u bërë numri një i Shqipërisë. Rekrutimet që i kanë bë atij dhe shokëve të tij agjentët e Moskës dhe ata të Londrës.

Unë gjithmonë jam habitur me kujtimet e diktatorit dhe librat që ai i botoi pikërisht pak para s të ikte nga kjo botë. Çuditërisht, i plakur, i sëmurë dhe i pa-aftë të shprehej normalisht, atij i erdhi frymëzimi dhe kujtesa dhe shkruajti kundër jugosllavëve, sovjetikëve, anglo-amerikanëve dhe « kllasës » së përmbysur. Dokumentat e kohës shkruajnë ndryshe nga ç’kujton diktatori shqiptar.

Fatkeqësishtë, historia dhe ngjarjet e viteve ’30, `40 dhe mandej u diktuan nga të tjerët, anglezët, rusët dhe jugosllavët. Është për të ardhur keq tek lexon atë që ndoshta ne e dinim por e shkruar në letër duket edhe më e rëndë, ndihma që Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë i dhanë Jugosllavisë titiste për të nënshtruar vëllezrit e tyre të një gjaku. Sot, pseudohistorianët, enveristët dhe gjithë veglat sllavo-komuniste mund të përpiqen të n’a e shesin diktatorin si luftëtar të çështjes kombëtare dhe sidomos të çështjes së shqiptarëve të Kosovës, por fakti që partia komuniste gjatë luftës e kishte bërë të qartë se bashkimi kombëtar ishte një ide armiqësore dhe sidomos fakti i çfarosjes së mijëra nacionalistëve shqiptar nga Kosova pas L II B tregon të kundërtën. Dhe si mund të ndodhte ndryshe kur emisarët jugosllavë qenë komandantët dhe urdhëruesit e vërtetë të strukturave partiake dhe ushtarake të sllavo-komunistëve shqiptarë.

Versioni anglisht i librit “Receta pa komb”

Doni të dini më shumë për Konferenën e Pezës, Kongresin e Përmetit, për konferencën e Mukjes apo se çfarë ndodhi në Dukat të Vlorës, një fshat i rreshtuar në krah të Ballir Kombëtar? Lexon librin dhe do të keni një ide edhe më të qartë se çfarë ndodhi në Shqipëri dhe që vendosi fatin e pothuajse gjysmë shekulli pas Luftës II botërore.

Keni dëgjuar për 28 mijë dëshmorë të luftës? Besoni tek kjo shifër?

Po pas luftës, çfarë ndodhi? Jam habitur me faktin e vjedhjes së pasurive të shqiptarëve. E dija se komunistët ende pa ardhur në pushtet filluan masakrat ndaj kundërshtarëve të tyre dhe sidomos ndaj intelektualëve dhe klerit sidomos atij katolik por edhe ndaj të pasurve. Këtyre të fundit, iu morën me dhunë gjithçka ata kishin mundur të krijonin me punë dhe djersë prej vitesh. Qeveria komunuste mblodhi me forcë, tortura dhe vrasje floririn e shqiptarëve dhe gjer këtu këto fakte i dija. Por, që t’ua tranferonin atë « vëllezërve të tyre të idealit, jugosllavëve » këto e mëson nga libri i profesor Lolja.

Çfarë ndodhi në Kanalin e Korfuzit? Duket se edhe këtu, versioni i komnistëve shqiptarë dhe që është mbrojtur edhe nga historianë oborrtarë duket i kundërt me faktet.

Dhe së fundi, duke qenë se në Shqipëri nuk pati ndonjë përmbysje të vërtetë, duket se agjentët sllavo-komunist janë me shumicë në jetën polito-shoqërore shqiptare. Kush janë ata. Autori, citon persona, organizata dhe ngjarje konkrete që vërtetojnë faktin që shumë nga politikanët tanë janë agjentë të fuqive të tjera që tradicionalisht kanë patur ndikim në politikën shqiptare.

« Receta pa komb » është një anlizë faktesh interesante dhe me interes jo vetëm për shqiptarët. Ndaj libri është shkruar në anglisht. Në origjinal libri titullohet « The Nation-Free Recipe ». Personalisht do të doja të ishte origjinali në shqip. Unë e lexova me vëmendje çdo frazë e çdo fjalë dhe ndonjë herë dukej si një përkthim.

Edhe një herë, nëse në këto 27-28 vite pas renies së komunizmit në Shqipëri nuk keni mundur të mendoni se si mund të ketë qenë historia e Shqipërisë në vitet para L2B dhe pas saj, e parë ndryshe, lexoni « Receta pa komb ». Aty e vërteta nuk është absolute, merrni atë që mendoni se u duhet dhe bëni analizën tuaj. Sidoqoftë faktet janë aty. Ato nuk i ndryshon dot askush.

Ajet Nuro

Montreal, korrik 2018

Comments

comments

-----