KUR ME 28 NËNTOR 1989 KREMTOHEJ…45- VJETORI I RREMë I THEMELIMITT TË RADIO TIRANËS

Nga Skifter Këlliçi

 

Më 28 nëntor të këtij viti mbushen 80 vjet nga dita e themelimit të Radio Tiranës. Me këtë rast po kujtoj një ngjarje që shleu nga historia e shtypit tonë datën 28 nëntor të vitit 1944, e cila mbahej si ditë e themelimt të këtij institucioni dhe vendosi datën e vërtetë- 28 nëntor 1938.

Së pari, u lutem lexuesve që të këqyrin foton e mëposhtme. është fiksuar më 28 nëntor të vitit 1989, në sallën e madhe të Radio Tiranës, gjatë mbledhjes së organizuar me rastin e 45-vjetorit të themelimit të saj. Nga e majta, më këmbë pranë mikrofonit, po ligjëron Marash Hajati, ish-drejtor i përgjithshëm i RTVSH-së. Ulur në presidium, pranë mikrofonit tjetër, është Sefedin Çela, drejtor i këtij institucioni ato vite; nga e djathta e tij, byroisti Foto Çami, nga e majta e Çelës, byroisti tjetër, Xhafer Spahiu; ngjitur me të Dhimtër Tona, atëherë drejtor i drejtorisë së shtypit në KQ dhe pastaj Thanas Nano, edhe ai ish-drejtor këtij institucioni, në vitet 60-70-të shekullit të kaluar.

Më 1938, me përjashtim të Hajatit dhe Çelës, tërë të mësipërmit ishin mbi 15 e më shumë vjeç. Mbase nuk kishin pasur aparate radioje në shtëpi, por pas këtij viti dhe deri disa muaj para çlirimit të Shqipërisë, më 29 nëntor të vitit 1944, vështirë që ndonjeri prej tyre të mos kishte dëgjuar nga ndonjë radio, (sado që numri i tyre atëherë ishte ende i vogël), emisione dhe muzikë në gjuhën shqipe. Dhe tingujt e tyre nuk vinin Veçse nga ajo radio që quhej Radio Tirana… Po kështu duhej të kishte ndodhur edhe Ramiz Alinë, i datëlindjes 1925, sekretari i KQ të të PPSH-së dhe presidenti Republikës së Socialiste të Shqipërisë.

Pra, ata të tërë e dinin se Radio Tirana kishte nisur të dëgjohej disa vite para 28 nëntorit të vitit 1944, kur Enver Hoxha, mbante peërpara hotel “Dajtit” fjalimin e tij historik, tashmë në fillimin e periudhës komuniste. Madje, sado që jo nga i gjithë populli, dihej se me një fjalim të shkurtër, po më 28 nëntor, por të vitit 1938 , përurimin e ngritjes së Radio Tiranës para mikrofonëve të saj, e kishte bërë ish-mbreti Zog, duke pasur pranë drejtorin e parë të saj, publicistin e njohur Gjergj Bubani. Dhe pas këtij fjalimi kori i vajzave të Institutit “Nana Mbretneshë”, kishte kënduar këngë patriotike. Dhe midis atyre vajzave ishte edhe Viktori Xhaçka, pastaj redaktore e redaksisë së muziës në Radio Tirana, deri më 1977, e cila, ndonëse veterane, as që ishte ftuar në mbedhjen e … 45-vjetorit. .

Kaliopi Plasari

U lutem tani lexueve të përqedrojnë vemendjen te fotoja tjetër. është portreti i Kaliopi Plasarit, fiksuar në verë të vitit 1939 , duke lexuar lajmet në mikrofonin e Radio Tiranës- folësja e parë, e saj, zëri i së cilës u dëgjua deri nga mesi i viteve-60-të të shekullit të kaluar, sepse atëherë e larguan për çeshtje politike.

Së fundi, u lutem atyre sërishmi të shohin edhe foton e tretë dhe të mos habiten kur para syve t’u shfaqet ky grup partizanësh, para ndërtesës së Radio Tiranës, të cilën, sapo e kishin çliruar, pas luftimesh me ushtarë nazistë, në ditët e para të nëntori të viti 1944. Pas tyre, në ballë të ndërtesës, shkruhet- Radio Tirana.

Dhe gjithashtu, paradoksalisht, po këto shkronja metalike, të ngulitura që më 1940, kur në ballinën e asaj ndërtesë u vendos ky institucion, mbetën aty, deri në fund të vitit 1965, kur emisonet e Radio Tiranës nisën tashmë të transmetoheshin në ndërtesën, ku ajo ndodhet edhe sot.

Atëherë, përse më 28 nëtor të vitit 1989, periudhë kur me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha Shqipëria, pas një periudhe të gjatë izolimi me botën e jashtme, po shfaqte një dëshirë për t’u hapur me vende të tjera, shoqëruar edhe me disa shfaqje libelarizmi, në atë mbledhje po kremtohej ky përvjetor i rremë i themelimit të Radio Tirnaës, kur data e vërtetë e themelimit tësaj ishte 28 nëntori i vitit 1938?..

Nga mesi i vitit 1990 kam pasur rast të bisedoj për këtë çeshtje me Marash Hajatin, i cili për qëndrime kundërshtuese ndaj Ramiz Alisë, një vit më parë ishte  shkarkuar nga kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe ishte caktuar president… formal i Bashkimit të Gazetarëve.
“Të tërë në presidium, si dhe kushdo tjetër,- më shpjegoi ai atëherë, – e dinim fare mirë të vërteën e ditës së themelimit të Radio Tiranës,- por urdhëri nga vetë Ramiz Alia ishte se, meqë më 1989 kremtohej 45 vjetori i Çlirimit, në këtë kuadër të përfshihej edhe 45-vjetori i krijimit të këtij institucioni, pra në ditën kur në Radio kishte folur Enver Hoxha. S’ka më të madhe hipokrizi!..”.

Gjithmonë më ka ngacmuar dëshira që një ditë të nisja të shkruaja historinë e Radio Tiranë, që në fillimet e saj. Dhe ja, më së fundi, në tetor të vitit 1993 vendosa t’i përvishesha kësaj pune, sa të vështirë, aq edhe tërheqëse. Nisa të punoja në Bibliotëekën Kombëtare dhe Arkivin e Shtetit, përkatësisht për gjetjen e materialeve të shtypit të kohës, dhe dokumenteve që lidheshin me historinë e këtij institucioni.

Befas, krejt rastësisht, në mbrëmjen e datës 22 nëntor, u kujtova se 28 nëntori i atij viti përkonte me 55-vjetorin e krijimit të Radio Tiranës… Kështu të nesërmen që me mëngjes hyra për këtë qëllim në zyrën e Skënder Buçpapës, atëherë drejtor i përgjithshëm I RTVSH-së. Ai u gëzua dhe menjëhereë e miratoi mendimin tim.

Por koha për përgatitjen e kësaj mbledhjeje ishte shumë e shkurtër. Me materialet jo të pakta që kisha grumbulluar, brenda një dite shkrove 12 faqe, ku përshkruaja se në ç’rrethana ishte ngritur Rado Tirana dhe si kishte funksionuar deri më 1944…

Vetë Buçpapaj, gazetarë të tjerë të Radios dhe bashkë me ta edhe unë, u morëm me lajmërimin, sidomos të ish-punonjësve ose familiarëve të Radio Tianës, që më 1938, duke u shkuar nëpër shtëpi, me makinë, më këmbë, duke biseduar me telefon, madje gjatë atyre ditëve edhe me njoftime në emisonet e lajmeve në Radios dhe TVSH.

Veç këtyre, me printin e komjuterit të Buçpapës, se për të shkuar nëpër shtypshkronja nuk kishte kohë, u përgatitën disa biçim ftesash për personalite qeveritare ; drejtuesit e Muzeut Kombëtar na dhanë me kënaqësi sallën e madhe dhe kështu në orën 11.00 të 28 nëntorit të vitit 1993 aty u mblodhën shumë e shumë njerëz, ende gjallë e shëndoshë, që kishin punuar vite e vite më parë, që ato ditë kur Radio Tirana kishte nisur emisionet e para., ose të afermit e tyre.

Pasi lexova kumtesën që kisha përgatitur me këtë rast, kujtime të saj solli Viktori Xhaçka, që përmenda më sipër, ndër të cilat dhe ngjarje që lidheshin koncertet e para në Radio, të Tefta Tashkos dhe Marie Palucës, (Kraja), të shoqërura nga pianistët Tonin Guraziu dhe Lola Gjoka.

Pastaj shkrimtari Dioins Bubani foli për veprimtarinë e babait të tij, Gjergj Bubani, shkrimtar, publicist dhe drejtori i parë i Radio Tiranës, në periudhën 1938-1944, si dhe të dr. Hamdi Sulçebeut, Sterjo Spases dhe Anton Mazrekut, përkatësisht në emisione për shëndetin, letërsinë dhe sportin.

Pastaj Behije Çela, më pas këngëtare dhe aktore e “Orës gazmore”, emision aq popullor, që vazhdoi deri në vitin 1962, i krijuar nga aktori dhe humoristi, Pjetër Gjini, tregoi për veprimtarinë teatrore, si dhe ngjarje dramatiko-humoristike në Radio, gjatë pushtimit nazist. Kurse Zhani Ciko, përgjegjës i redaksisë së muzikës, kujtoi edhe veprimtrinë që babai tij, këngëtari Mihal Ciko, edhe ai përgjegjës i redaksisësë muzikës, kishte dhënë për pasurimin e emisioneve muzikore, me këngë shqiptare, që veç Tefta Tashkos, Marie Krajës, Kristaq Antoniut, këndoheshin nga Merita Sokoli, Kristaq Koço, (bashkëshorti i Tefta Tashkos), Bardhyle Nase, Liza Vorfi…

Kompozitorja Dhora Leka solli kujtime për programet e para muzikore , veçanërisht këngët partizane, të transmetuara në javët e para të dhjetorit të vitit 1944, pasi Radio Tirana filloi sërishmi trasmetimet e saj, të ndërprera gjatë luftës për çlirimin e kryeqytetit.

Kjo ngjarje përkujtimore, e transmetuar po atë ditë, pra më 28 nëntor të vitit 1993, në lajmet e Radios dhe TVSH-së , dhe më pas dokumentari televiziv që përgatita enkas për këtë përvjetor , transmetuar nga mesi i dhjetorit të atij viti, patën jehonë të madhe; kjo, sepse brezi i lindur pas vitit 1938 nuk dinte hollësi rreth veprimtarisë së Radio Tiranës në një periudhë të gjatë, 1938-1944, mohuar nga diktatura komuniste. Dhe habitej, sepse episode të filmit “Radiostacioni”, me skenar të Kadarese, sipas romanit “Nëntori i një kryeqyteti “ të po këtij shkrimtari, që zhvillohen edhe në mjediset e Radio Tiranës, gjatë luftës, të cilat i kishin gjykuar si trillime letrare, paskëshin qenë të vërteta.

Vazhdova pastaj të punoj për librin “Historia e Radiotelevizionit Shqiptar, (1938-1990)”. E përfundova në tetor të vitit 1994, por botimi i tij pati shumë peripeti dhe vonesa, për shkak të pengesave që solli një ish-drejtues i Radios në periudhën komuniste, që kishte dashur edhe ai të shkruante një farë soj libri të kësillojshëm, por duke u bazuar vetëm në… kujtimet të njërit, ose tjetrit punonjës të vjetër të saj, dhe jo në dokumente historike, (?!).

Si pasojë, libri im u botua në nëntor të vitit 2003. Me propozimin që i kisha bërë drejtorit të përgjitshëm të RTVSH-s, në maj të vitit 2004 u vendos që në sallën e madhe të Radio Tiranës të bëhej promovimi këtij libri. Dhe, veç të tjerëve, u ftuan të afërmit e ish-punomjësve të parë të Radios, që më 1938, disa prej të cileve kam përmendur më sipër, që tashmë nuk ishin në këtë jetë. U ftova natyrisht dhe unë, me shpenzimet do t’i mbulonte RTVSH-ja. Por po ky ish-drejtor i periudhës komuniste , që çuditërisht pas ishte bërë sërishmi…drejtor në këtë institucion, e pengoi këtë veprimtari, sepse sipas tij “…në libër janë përfshirë ngjarje që nuk duheshin përmendur, dhe anasjelltas!!!”.

Po rendis vetëm këtë fakt: Në librin tim kisha cituar një të dhënë, të marrë nga libri i publicistit tashmë të njohur, Marash Hajatit, ”Dera e prame e shtypit”, ku ai ndalet në çastet kur Enver Hoxha, duke hetuar mbi listën e kandidatëve që që do të zëvendësonin Todi Lubonjën, të shkarkuar për gabime të rënda ideologjike në RTVSH më 1972, mbi këtë listë shkruante, si zakonisht diagonal, këto fjalë:

” Në Radio-televizion të kthenet Thanas Nano. Ngritje profesionale mund të mos kemi, por proçkat e Lubonjës nuk do t’i bëjë”. Më poshtë Hajati vinte në dukje duke se duke emëruar Nanon përsëri drejtor, ky institucion kthehej në shinat e vjetra të konservatorizmit dhe dogmatimit. Mirëpo Thanasi ish babai Fatos Nanos, dhe si pasojë ”cënohej “ figura e tij si kryeministër . Dhe kjo shprehje ishte kështu “me zarar”.

Zbatonte kështu me fanatizëm një censurë, tipike të periudhës komuniste, së cilës i përkiste… në periudhën demokratike. (Jo vetëm kaq, por, veç këtij ‘drejtori”, atëherë nuk më takoi asnjë nga drejtuesit e RTVSH-së dhe as nuk m’u dha as shuma që kisha shpenzuar për biletat e udhëtimit Boston-Tranë dhe kthim, që i kalonin 1000 $).

Sidoqoftë, tashmë ishtve vënë në vend një padrejtësi e madhe- dita e themelimit të Radio Tiranës, që këtë vit përkon me 80- vjetorin e saj: 28 nënor 1938-2018.

 

Comments

comments

-----