Mitrush Kuteli

Nga Luan Çipi

 

Dhimitër Pasko, lindi në qytetin e Pogradecit, më 13 Shtator 1907 dhe vdiq në Tiranë, më 4 Maj 1967.

Ai ka qenë shkrimtar, njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë,  përkthyes dhe ekonomist i njohur dhe ka përdorur pseudonimin kryesor Mitrush Kuteli, po dhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia, Dr. Pas, etj.

Familja e Dhimitrit rrjedh hershëm nga fisi shqiptar Kuteli i Dukatit të Vlorës, i shpërngulur në Mokër e pastaj, nga qyteti i Artës, rishpërngulur në Pogradec, në fillim të shekullit 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës.

Babai i Dhimitrit, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës dhe kish jetuar 24 vite në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. Atje kish mësuar shkrimin e shqipes dhe ish njohur me disa nga patriotët e kohës, mes të cilëve me Nikolla Naçon. Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë në vend librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve. I burgosur shpeshherë, si në kohë të osmanëve, po dhe gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Në shtëpinë e tyre, që bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish HimaAbdyl YpiMihal Gramenua, Telemak Gërmenji, Pasa Pema, Memduh Zavalani, Themistokli Gërmenji, Vasil Tromara, etj

Mitrushi – trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër, ishte i vetmi djalë i Pandit dhe i Poles, mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries. Në një mjedis të tillë, të pleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën e moçme letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para, lidhen me emrin e NaimitÇajupitSpiro Dines, Mihal Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit.

Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike.

Më 1926, nëntëmbëdhjetë vjeçar, Mitrush Kuteli, ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut, ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri. Po, atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit.

Kuteli shkoi në Bukuresht në vitin1928 dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj.

Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar e më pas sekretar dhe në vitet 1931-34, kryetar, i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë.

Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Konstancë, në faqet e së cilës hapi, më 1929, rubrikën “Shënime Letrare”.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.

Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur, pas më se gjashtëdhjetë vjetësh: «Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtëzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qëndrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vëmendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.

Gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çërnëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin: “Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`… Një nga pasojat e para ka qenë një `skedë e zezë`: ardhi e më foli dikush në bankë:

– Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?.

]Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Ishte mobilizim i detyruar pasi jetonte dhe punonte në Rumani si shtetas rumun. Megjithatë, veshur me uniformë, në qëndrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thoshte se e ëma e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942. E ëma i kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Punoi për pesë muaj nga tetori 1942 pranë shoqërisë SASTEB dhe pas kapitullimit të Italisë, në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, këshilltar në fushën e monedhës me përgjegjësitë e drejtorit shqiptar krahas atij italian. Ai pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Për këtë rrezikonte përndjekjen nga Gestapo, pasi i kishin thënë miqtë që i kishin hapur dosje të zezë në Vjenë. Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët. Tri javë pas kalimit në zonën partizane qëndronte në Priskë. E thërrasin në Berat, ku shkon më 8 nëntor dhe bëhet nëpunësi i tretë në Ministrinë e Financave të Qeverisë Demokratike, pas ministrit Ramadan Çitaku dhe sekretarit të përgjithshëm Qirjako Harito, si këshilltar i tyre.

Pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Gjatë kësaj periudhe ai ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj.

Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.

Mobilizimin e detyruar në Rumani, nisën t’ia përflisnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Madje e bënë pjesë të Rojës së Hekurt, me të cilën Kuteli nuk kishte fare lidhje. Akuzë kjo që buronte nga rrethet letrare.

I kërkuan që të hartonte një material për lëndën e folklorit për Institutin e Folklorit, ku do të angazhohej si pedagog. Përgjigjja nuk erdhi dhe sipas dëshmive, Dhimitër Shutëriqi,i dezinformuar, kishte thënë: “nuk e duan sepse ka qenë pjesë e Rojës së Hekurt në Rumani”. Kuteli u kishte kthyer përgjigjen duke u dëftuar fotot e tyre, ku kishin qenë të veshur me uniforma fashiste dhe sëpatat e Liktorit.

Më 16 maj 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me 5 vite heqje lirie, tre muaj pasi kishte shkruar faqen e fundit të novelës “Tatë Tanushi”.

Pasko u lirua nga burgu në maj 1949 me falje, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Pas kësaj, Pasko nuk punoi më në ekonomi si nëpunës, po shkroi vepra origjinale vetëm në kohën që i mbetej nga përkthimi, veprimtari të cilën e kishte zgjedhur si një mënyrë për të siguruar jetesën me ndershmëri, në kushtet e një diktature që diktonte gjithçka.

Kuteli mbylli sytë më 4 maj 1967.

Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme: shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë e Lasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit. Mitrush Kuteli, bashkë me Ernest Koliqin, është themelues i prozës moderne shqipe dhe njëri ndër autorët më të njohur të modernizmit letrar shqiptar. Madje, ka mendime që pogradecarët  Kuteli-Lasgushi të shihen  së toku, si autor themelor për gjithë letërsisë moderne shqiptare.

Më 1919- në kalendarin “Pogradeci”, botoi vjershat e tij të para “Mëmës Shqipëri” dhe “Skënderbeu”.

Nga viti 1924 kish filluar të botoj në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit.

Në këto vite, Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare:   vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Studioi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekulimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli trajton më pas “Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare”, që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën “Telegraf”.

Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë te rubrika “Shënimet Letrare”, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Mihal Gramenon, Papa Kristo NegovaninAsdreninHilë MosinLasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj.

Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit. Në fushën ekonomike – shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncesioneve që i ishin dhënë kapitalit italian (Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP), për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.                           Të njëmbëdhjetë rrëfimet e vëllimit “TREGIME TË MOÇME SHQIPTARE” të Mitrush Kutelit (1907-1967), siç e thotë edhe vetë titulli, janë rrëfime të motiveve tona popullore – të baladave, të eposit të kreshnikëve dhe të kohës së luftërave të gjata shqiptaro-osmane. Këto tregime, të njërit nga mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të rrëfimit, Mitrush Kuteli, të veshura me bukuri të rralla artistike, paraqesin universe e drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë: të kohës kur arbrit sfidoheshin nga fuqi të padukshme e nga bajlozë dhe shkelës gjithfarësh që vinin nga toka e deti (“Rozafati”, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini”), të kohës së kreshnikëve, pra të shekujve pas zbritjes së fiseve endacake sllave në tokat e Ilirisë (“Muji dhe zanat”, “Muji dhe Behuri”, “Ajkuna qan Omerin” e “Omeri i Ri”) dhe të kohës së treqind kryengritjeve shqiptare kundër osmanëve (“Shega e Vllastari”, “Turku rrëmbeu një arbëre” dhe “Skënderbeu e Ballabani”).

Në tregimin “ROZAFATI”, njëri nga motivet më të dhimbshme të kohëve që humbin në vjetërsinë mitike, që të qëndrojë në këmbë kështjella që po e ngrinin të tre vëllezërit mbi Bunë, do të duhej që në muret e saj të murosej e gjallë nusja e vëllait të vogël, gjiri i së cilës vazhdon të pikojë qumësht edhe mijëra vjet më pas (simbol i dashurisë së pavdekshme të nënës për fëmijën që e kishte lënë për gjiri).

Në tjetrin kallëzim “BESA E KONSTANDINIT”, i ndërtuar mbi dy baladat arbëreshe (të Doruntinës që hasej në Sicili dhe të Garentinës që njihej në Kalabri), krahas luftës së vazhdueshme të arbërve kundër shkelësve të huaj dhe vdekjes së dymbëdhjetë djemve të Zonjës Mëmë, ngrihet si një obelisk madhështor, ligji i pakthyeshëm i besës, i mbrujtur thellë në ndërgjegjen e etnisë: Konstandini, djali më i vogël, për ta mbajtur fjalën që i kishte dhënë nënës, ngrihet nga varri për ta sjellë Doruntinën, të motrën nga larg, ku qe e martuar.

Në kallëzimin “GJERGJ ELEZ ALIA”, ndërkaq, pa dyshim balada jonë më monumentale e të gjitha kohëve dhe një nga stolitë më të bukura të artit tonë popullor, përkatësisht në rrëfimin po me këtë titull të Mitrush Kutelit, fuqizohet mjeshtërisht metafora e qëndresës, me ngritjen e heroit nga shtrati i vdekjes, për t’i dalë zot atdheut. Gjergj Elez Alia dhe motra e tij pa emër janë shembuj të ndritur trimërie dhe fisnikërie, pasqyrë e vërtetë e shpirtit të paepur shqiptar. Këto nuk ishin plagë sido-kudo, por plagë të fisme lufte për mbrojtjen e truallit të vet. E motra i rrinte mbi krye ditë e natë dhe mundohej t’ia mjekonte plagët e pamjekueshme; ajo kish mbyllur të ritë e saj, kish hequr dorë nga gëzimet e vajzërisë dhe të nusërisë, i qe blatuar me mish e shpirt të vëllait, të cilin donte ta shpëtonte nga kthetrat e vdekjes. Dhe, në mes të asaj dhimbjeje të madhe vjen një dhimbje tjetër edhe më e madhe, që e zhduk të parën. Na del një bajloz nga deti: i fortë, i vrazhdët, që merr nëpër këmbë njerëzit. Dhe atëherë e pamundura bëhet e mundur. Gjergj Elez Alia që ish dergjur nëntë vjet me nëntë plagë lufte në shtat dhe kish marrë prej kohësh udhën e varrit, ngrihet me armë në dorë për të mbrojtur nderin e motrës, nderin e shtëpisë, nderin e tërë atdheut; ai lufton dhe shtrin përtokë bajlozin e urryer. Dhe të mos harrojmë një gjë: në themelin e kësaj rapsodie nuk kemi thjesht ndonjë një përrallë, por kemi diçka të nxjerrë nga realiteti i hidhur i dikurshëm i atdheut tonë. Gjergj Elez Alia është njeri si gjithë njerëzit, por më trimi nga të gjithë, është mbrojtës i atdheut dhe i nderit shqiptar. Edhe bajlozi është njeri- jo përbindësh, jo kuçedër a lubi- por pushtues, grabitës, shtypës, që ka shpallur dhe zbaton urdhra të rrepta: kërkon desh të pjekur, vajza të njoma, pret koka trimash, djeg krahina të tëra. Këtij pushtuesi e dhunuesi i del përballë, kaluar, Gjergj Elez Alia. Përpara se të fillojë lufta, nis ngacmimi me fjalë të rënda- si te heronjtë e Homerit dhe mbase edhe më bukur- për të ndezur gjakun dhe urrejtjen: bajlozi mburret, shan, fyen; Gjergji i përgjigjet urtë, dhimbshëm, por me të prerë. Pastaj vringëllojnë topuzët e bajlozi armërëndë, kur shembet me gjëmë në tokë. Trimi ynë ia pret kokën dhe ia hedh në tokë, shpëton vendin nga mynxyrat.

Një popull që nxjerr heronj të tillë dhe që thur këngë kaq të bukura për të lavdëruar heronjtë e tij mund të mbahet gjithnjë krenar dhe të shikojë plot besim të ardhmen e tij.

Ndërkaq, motivi i besës sërish mbruhet si veçanti, në tregimin tjetër “YMER AGË ULQINI”: Ymer Agën, të cilit që të nesërmen e martesës iu desh të rendte në luftë në mbrojtje të atdheut dhe që më pas bie rob i mbretit të Spanjës, vetëm me besën e dhënë mundi ta shpëtonte gruan që e kishte pritur nëntë vjet dhe veten nga burgjet e mëtejshme të të zezës Spanjë. Kënga e Ymer Agë Ulqinit ose Ago Ymerit i ngjet baladës së Konstandinit të vogëlith, që e këndojnë vëllezërit tanë arbëreshë. Kjo këngë këndohet në gjithë Shqipërinë dhe flet për dy besë: për besën e gruas ndaj bashkëshortit dhe besën e burrit ndaj fjalës që ka dhënë, se do të kthehet rishtas tek ai që e pat zënë rob lufte dhe që e liroi të shkojë tek e shoqja.

Tregimet me motive nga eposi i kreshnikëve, në dramat e të cilave marrin pjesë aktivisht edhe zanat (si jehonë e largët e përzierjes së perëndive pagane në fatet njerëzore në “ILIADA” e “ODISEU” të Homerit), vishen me bëmat e heronjve (Mujit, Halilit, Omerit, Ajkunës, Bohurit etj.) që kapërcejnë tej pragut të të pamundurës, për ta kthyer në legjendë të mirfilltë qëndresën dhe flijimin për tokën mëmë.

Rapsoditë e Mujit dhe të Halilit me shokë janë këngë me frymëmarrje të gjerë poetike. Aty bashkohen në një njësi të plotë epika dhe lirika, humori dhe tragjedia, tregimi dhe përshkrimi e dialogu, mençuria e madhe e popullit, trimëria dhe qëndresa e fortë në çaste vështirësie. Në këtë qerthull s’di ç’të adhurosh më parë: përshkrimin e bukur të natyrës dhe sidomos të bjeshkëve dimrit dhe verës, ditës dhe natës, apo çastet kur tërë natyra qesh e gëzon dhe i afrohet shumë e më shumë njeriut: kur dielli, yjtë dhe hëna, ahu, lisi dhe bredhi, zogu i malit, zanat dhe orët e bardha shfaqen të gjitha të mbështjella me atë napën e përndritur të poezisë madhore, të poezisë së vërtetë.

Pastaj kemi portretet fizike dhe shpirtërore të njerëzve, nga Muji dhe Halili e gjer tek Dizdar Osman Aga, tek Hysen Kraposhniku, Behur Kapedani, Paji Harambashi, Arnaut Osmani e Hysen Radoica; nga Tanusha e bukur e tek Ajkuna e dhembshur, tek e shoqja e Arnaut Osmanit apo tek Omeri i Ri dhe tek shumë të tjerë, që të ngelen në mendje e në shpirt dhe nuk të ndahen gjithë jetës…

Heronjtë e Mitrushit, dallohen qartë njëri nga tjetri me cilësitë dhe të metat e tyre. Muji është herë i matur dhe herë i rrëmbyer, i rëndë, përbuzës, fyes, por gjithnjë zemërfortë, si në çaste gëzimi ashtu edhe në çaste dhimbjeje; Halili është i hedhur, mendjemprehtë, trim, gjithnjë i shkathët; Dizdar Osman Aga është smirak, kryeneç, individualist; Hysen Kraposhniku është fisnik, trim, vëlla shpirtëror i Gjergj Elez Alisë; Ymer Deliu-vëllami i Hysos-është po ashtu i fismë dhe e do me shpirt Hyso Kraposhnikun; Halil Garria është besnik i fjalës; Omeri i Vogël është trim si i ati, Muji. Dhe sa shumë e do xhaxhain, Halilin, zemra e tij e njomë!

Mbi të gjithë, dashuria e lexuesit përqendrohet te Halili, shpirt i hedhur, i zjarrtë, i pastër, plot lirizëm, shkathtësi dhe mençuri.

Midis armiqve kemi bajlozët gjithmonë të vrazhdët, shëmtakë, grabitës, mburravecë. Ashtu kemi Behurin: -të fortë fizikisht, të rrëmbyer, po mendjengushtë; kemi Kresho Kapedanin- lëvdarac e përdhosës; kemi Pajin harambash- të verbët nga urrejtja, harbut, por të fortë nga shtati; kemi krajlin, mendjemadh e kështu me radhë.

Një rol të dorës së parë lozin edhe vashat, nuset, gratë e plakat. Vajza e njomë e plakut, mbase e Mujit, është e bukur, e zhdërvjellët, trimëreshë-pasqyrë besnike e malësores sonë; e fejuara e Hyso Kraposhnikut është e dashura e papërkulur, besnike gjer në fund, mendjehollë- një rreze drite që çan errësirën; e shoqja e Arnaut Osmanit është e bukur, por e ftohtë akull, ndaj kundron, si Helena e Trojës, luftën midis të shoqit dhe rrëmbyesit të saj, që të dy trima, të cilët, më vonë, dalin vëllezër; Tanusha e krajlit është dashnorja e përjetshme, që e do me gjithë shpirt Halilin e bukur dhe trim, saqë kalon mbi të gjitha pengesat, braktis nënë e babë dhe shkon atje ku e thërret zëri i zemrës; nusja e re e Mujit është e urtë, e bindur, por edhe e guximshme; ajo bën siç e porosit Muji dhe shpëton nga zanat bashkë me dasmorët e ngurosur; Ajkuna është nëna e përvëluar që vajton me kaq dhimbje djalin e saj të vrarë në luftë, Omerin e vogël. Dhe sa lirizëm kumbon në fjalët e saj! I lutet të birit të dalë nga varri, t’i hipë gjokut e të shëtisë me gazmend bjeshkëve, të gëzojë jetën, të ritë e tij, kurse ajo vetë të hyjë në varr, në vend të tij. Ajkuna s’është veçse një malësore e thjeshtë. Muji nuk e lejon të bëjë gjëmë në shtëpi, që të mos gëzohet armiku, por e porosit të vajtojë djalin në bjeshkë, kur të shkojë për dru, si gjithë malësoret. Kemi pastaj mëmën e mençur të Mujit e të Halilit, që shfaqet rrallë, po gjithnjë gati për të dhënë këshilla të mira: ajo e qorton Mujin kur ky s’i jep gjokun e tij Halilit për të dalë në krajli që të rrëmbejë Tanushën. Ajo e këshillon Mujin të mos ketë frikë dhe të shkojë drejt te mbreti. E këshillon Halilin të niset vetë për në krajli e të sulmojë kullën e Pajit Harambash. Kemi edhe nënën plakë të Arnaut Osmanit dhe të Hyso Radoicës, të cilën luftërat dhe zjarret e kanë lënë qyqe mbi dhe, njeri pa njeri, nënë pa djem. Ajo vdes nga gëzimi në krahët e të bijve, të cilët i takon të rritur e të burrëruar, pas kaq vjetësh mjerimi.

Nuk duhet të harrojmë edhe qeniet e mbinatyrshme: zanat, orët e bardha, apo të lumet e natës. Por edhe këto nuk dallojnë shumë nga malësoret tona: kanë fëmijë që i rritin në djepa, kanë shtat të prekshëm e të dhimbshëm. Ato janë një idealizim i femrës, i malësores, plot urtësi e dashuri për të mirën, për të drejtën, për ata që marrin nën mbrojtjen e tyre dhe i ndihmojnë që t’ia arrijnë qëllimit.

Pra këngët e kreshnikëve tanë janë një botë e tërë njerëzish plot gjallëri e poezi, një botë e tërë ndjenjash të larta, ndodhish epike, trimërish vetjake dhe të përbashkëta, një mori e tërë tragjedish të nxjerra nga jeta e popullit tonë.

Aty-këtu shfaqet ndonjë grimcë humori: Muji e heq zvarrë mbretin e madh, të kapur pas kamcës së tirqve dhe nuk ia ndjen fare peshën fizike dhe morale; Paji Harambash e ka ngarkuar me gurë, si kalë, Mujin, të cilin e ka zënë të gjallë në pritë; Halilin, të cilin Muji e kish fyer, vonon e nuk ia shkarkon gurët; i biri shtatëvjeçar i Mujit e shpëton babain nga prangat dhe nga burgu. Këto kanë një kuptim të lartë; i madhi s’duhet ta përbuzë kurrë të voglin, i forti- të dobëtin.

Muji dhe Halili ishin nga vegjëlia, njerëz të varfër. Muji kish qenë bari lopësh, Halili-bari dhish. Edhe më vonë, kur u bënë të famshëm si luftëtarë, ata mbetën gjithnjë të thjeshtë, të varfër. Tërë pasuria e tyre: një kullë a shtëpi, një kalë e një shpatë. S’kishin shërbëtorë. Vetë ndiznin zjarrin në vatër, vetë mbathnin e shalonin kuajt. Ajkuna shkonte në mal e ngarkohej me dru, si gjithë malësorët. Muji dhe Halili luftonin për të mbrojtur malet dhe kullotat, të cilat donin t’i pushtonin njerëzit e krajlit.

Të hidhemi tani te qerthulli i baladave arbëreshe. Aty del në pah fytyra vigane e Skënderbeut (“Skënderbeu dhe Ballabani” dhe “Skënderbeu dhe vdekja”), ajo e bashkëluftëtarëve të tij: Milo Shinit, Pjetër Shinit, Dedë Skurës, Radhavanit dhe të tjerëve. Ndër gratë kemi fytyrën fisnike të zonjës Rinë, atë të Shegës që e kish rrëmbyer një jeniçer, i vëllai i saj…Po aty kemi edhe ndonjë fytyrë të neveritshme atdhemohuesi, si atë të Ballaban pashës, të cilin populli ynë e ka damkosur përgjithmonë me vulën e përbuzjes.

Për Kutelin folklori do të jetë jo vetëm burim dhe lëndë për rrëfimet, por edhe një fushë ku ai do të punojë për të thurur vepra të një lloji të veçantë. Në këtë rast raportet që vendos me folklorin janë të drejtpërdrejta dhe detyra që i vë vetes është të kthehet në një ndërmjetës në mes folklorit dhe lexuesit. Ai vihet në rolin e përpunuesit dhe ritreguesit të krijimtarisë popullore. Njohja e thellë dhe zotërimi i gjithmbarshëm i kësaj pasurie nga shkrimtari, përvoja e fituar si autor i rrëfimeve në shembullin e modeleve popullore, serioziteti dhe kriteret, sa artistike aq edhe shkencore që ndoqi e zbatoi, solli që kjo ndërmarrje të ketë sukses të plotë. Fryt i kësaj pune është edhe përmbledhja “Tregime të moçme shqiptare”, me balada e rapsodi popullore, të ritreguara nga autori për fëmijë.

Ai nuk ka marrë përsipër t’i rikrijojë motivet, heronjtë, ngjarjet e folklorit, por qëllimi i tij është më modest, sepse synon vetëm t’i ritregojë, por bukur dhe saktë. Duke shfrytëzuar epikën legjendare dhe atë historike, ciklin e kreshnikëve të malësorëve të Veriut dhe rrëfimet e moçme të arbëreshëve për Skënderbeun, ai ndërton prej tyre, një varg tregimesh në prozë.

Puna e tij është puna e një mjeshtri që duke u kapur pas thelbësores, pas ideve të rëndësishme dhe vlerave artistike di çfarë të marrë e di çfarë të lërë. Me synime e kritere të tilla, ai u është shmangur elementeve fetare e mistike, si dhe anakronizmave gjuhësore. Merita e tij kryesore është se ngjarjet dhe personazhet legjendare, mjediset dhe etikën, motivet dhe elementet mitologjike ka arritur t’i japë si krijesë të jetës dhe të historisë së moçme shqiptare, në një dritë të vërtetë, jashtë çdo mjegulle e fantazie boshe.

Bota e ritreguar nga Kuteli është një botë tipike shqiptare, me heronj të virtytshëm, me akte të larta njerëzore, me atmosferën epike e fllade lirike, me nota tragjike e komike. Në mendjen tonë mbeten të gjalla në rend të parë figura trimash, burrash e grash, njerëz të paepur, por edhe qenie të mbinatyrshme, te të cilët janë mishëruar atdhedashuria dhe shpirti liridashës, krenaria dhe besa, bujaria dhe guximi.

Puna e Kutelit në këtë vepër nuk është ajo e një ritreguesi të thjeshtë e formal. Duke i kthyer baladat e rapsoditë nga poezia në prozë, ai ka qenë i ndërgjegjshëm se edhe pse “e kanë humbur thelbin e tyre poetik”, u ka mbetur skeleti, zhvillimi i ngjarjeve, tharmi ideoartistik; janë këto elemente me të cilat ai operon dhe e ndërton veprën. Për shkrimtarin kjo është një nga format letrare për ta futur lexuesin, sidomos brezin e ri, në botën e madhe të legjendave e rapsodive, në mbretërinë magjepsëse të krijimtarisë së popullit.

Studiuesi i njohur i letërsisë për fëmijë, Astrit Bishqemi thotë se përmbledhja “Tregime të moçme shqiptare” mbetet kryevepra e Kutelit në letërsinë për fëmijë.                         Në vitet 1943-1944 Kuteli botoi edhe shumë artikuj në shtypin e asaj kohe, në fushën ekonomike dhe në letërsi, kritikë letrare, publicistikë dhe folklor. Ai botoi dhe disa vëllime me prozë, poezi, pamflete, kritikë letrare dhe folklor. Pas daljes nga burgu u mor me përkthime, në rreth 10 vjet përktheu rreth 50 vepra në prozë dhe poezi, sidomos klasikët rusë dhe sovjetikë.

Tituj të veprave:

Rrjedhin lumenjtë

Lasgush Poradeci (1937)

Netë Shqipëtare (1938[10]

Ago Jakupi, e të tjera rrëfime (1943)

Sulm e lotë (1943)

Shënime letrare (1944)

Havadan më havadan (1944)

Kapllan Aga i Shaban Shpatës (1944)

Dashuria e Barbarit Artan (1946)

Pylli i gështenjave (1958).

Xinxifilua (1962)

Tregime të moçme Shqiptare (1965)

Tregime të zgjedhura (1972).

Baltë nga kjo tokë, (1973)

Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983).

Këngë e britma nga qyteti i djegur

E madhe është gjëma e mëkatit (1993)

Netë moldave (2015)

Përkthime:

“Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit

“Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit

Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit

Për këtë jetëshkrim janë përdorur shkrime nga interneti, si: Wikipedia, Afrim Imoj, Gjovalin Shkurti dhe Enver Hysa, Nonda Bulka, Zymer Meinham, Nadrie Buzo,

Pertefe Leka, etj.

Tiranë, më 25 Maj 2018

 

 

Comments

comments

-----