Në Vlorë, mes katër njerëzve të penës

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Pak kohë më parë, prej datës 07 deri më 22 qershor, bashkë me shoqen e jetës, Havanë, i kaluam pushimet në Vlorë, në Plazhin e Ri, në Ujët e Ftohtë. Pushuam në njërin prej apartamenteve të mikut tim të vjetër Bastri Sofia. Ishin ditë të hareshme, nën ngrohtësinë e rrezeve të diellit shkëlqimtar, pa vapë të nxehtë, dhe në freskinë e ujit të detit fort ledhatar.

Kujtimet e viteve të pararinisë më çuan larg, në gjysmën e dytë të viteve ’50 (1955-1959), kur isha nxënës në gjimnazin “Ali Demi”. Apartamenti i Bastriut gjendet në mjedisin e ish-konviktit të nxënësve të atij gjimnazi, në të cilin ndodhej edhe Shtëpia e Fëmijës. Mbresat nga koha që pata kaluar në atë konvikt janë me të vërtetë emocionuese. Po aq emocionuese janë edhe mbresat që ruaj në kujtesë për Gjimnazin “Ali Demi”, për profesorët e atij gjimnazi, të cilët ne, nxënësit, i respektonim si figura të shenjtëruara. Kur e kundroj atë gjimnaz dhe nivelin e mësimdhënies së trupës së tij pedagogjike nga largësia e më shumë se pesëdhjetë viteve të kaluara, e them me bindje të plotë se përgatitja pedagogjike dhe shkencore e profesorëve të atij gjimnazi ishte me të vërtetë e nivelit universitar.

Dikur, në vitet ’90, kam pasë botuar disa kujtime në nderim të mësuesve të mi, duke filluar që nga mësuesit e shkollës fillore në Mesaplik, në fshatin tim të lindjes, në shkollën 7-vjeçare të Ramicës, e vetmja shkollë e atij lloji për të katër fshatrat e Smokthinës, dhe deri te mësuesit e gjimnazit “Ali Demi”, të cilëve asokohe ne, nxënësit, u drejtoheshim me fjalën “profesorë”. Ato kujtime i pata botuar në gazetën “Bashkimi”, një gazetë me tirazh të paktë asokohe. Mendoj t’u rikthehem atyre kujtimeve dhe t’i ribotoj në internet për një masë më të madhe lexuesish.

Vlora, me mjediset përreth, të befason me shtrirjen e saj gjeografike, me Kaninën kryezonjë në gjysmëlartësinë e malit të Shashicës, vendlindjen e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar që nga periudha e lashtësisë dhe e mesjetës dhe deri në ditët tona, të mbush me frymëzim me hapësirën detare prej Nartës deri në Orikum, duke pasur përballë Sazanin dhe Karaburunin hijerëndë. U jap shumë të drejtë dy intelektualëve të mëdhenj, shkrimtares së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj, bijë e Kaninës zulmëmаdhe, që e ka quajtur Vlorën me rrethina si strehë të perëndive, dhe profesorit me emër Bardhosh Gaçe, i cili e vlerëson Vlorën si “shtëpia e detit dhe e diellit” (kështu e ka emërtuar antologjinë e vet poetike).

Gjatë atyre dy javëve u takova me miqtë e mi të vjetër të viteve gjashtëdhjetë, si ekonomisti i njohur Bastri Sofia, artisti i koreografisë Fitim Haxhiraj dhe inxhinieri i talentuar në fushën elektronikës Zeman Lala, i cili vdiq para ca ditësh nga një sëmundje e rëndë. Nga Berati erdhi edhe miku ynë i përbashkët Rait Beqiri, ish-mësues veteran dhe pedagog i filialit të Universitetit të Tiranës në atë qytet. Të gjithë të moshës së tretë, të cilëve u trokasin të tetëdhjetat, kurse dikush prej tyre e ka kapërcyer dhe pragun e të tetëdhjetave.

Nga ato pushime dyjavore ruaj mbresa të veçanta nga takimet që pata me katër pena, si shkrimtarët dhe poetët Vilhelme Vranari Haxhiraj, prof.dr. Bardhosh Gaçe (etnolog, studiues dhe pedagog), Eqerem Canaj dhe Idajet Jahaj  

Njeriun që takojmë në rrugët e jetës dhe që me të na ka ngjitur fjala, duhet ta falënderojmë që bëhet pjesë e fatit tonë. Ai takim mund të ketë qenë thjesht një episod ose mund të ketë shërbyer si gur themeli për një miqësi që ka vazhduar për gjithë jetën. Por të tjera vlera njerëzore dalin në pah kur gjatë atij takimi ke pasur nderin të njihesh me një njeri të penës, i cili dallohet për botën e tij të pasur shpirtërore. Përgjithësisht shkrimtarët dhe poetët, por edhe krijuesit në sferat e tjera të artit, dallohen për thesaret që fshehin në shpirtin e tyre. Prandaj për ne, njerëzit e thjeshtë, që nuk i përkasim sferës së krijimtarisë artistike, është fat të njihesh dhe të të ngjit fjala me njerëzit e artit. Sepse kështu na krijohet mundësia për të zbuluar magjinë e shpirtit të tyre krijues. Këdo që njeriu takon në jetë, ka se ç’mëson prej tij. Por ama shumë më tepër ai mëson nga njerëzit e penës. Dhe ka shumë të drejtë Robin Sharma (1965),shkrimtar kanadez me prejardhje indiane, i cili thotë:

“Çdo njeri në jetën tonë shfaqet pikërisht atëherë, kur kemi nevojë më shumë se kurrë për një përvojë që ai mbart në vetvete”.

Njerëzit e penës, falë aftësive të tyre vëzhguese, e njohin mirë mjedisin ku krijojnë, kapin thelbin e gjithçkaje që ndodh rreth tyre, nxjerrin përfundime dhe i tërheqin njerëzit pas vetes me joshën e talentit të tyre. Atyre u është dhënë një dhuratë hyjnore për të prekur zemrat e lexuesve, për të hapur para tyre portat e së panjohurës. Ata, më shumë se kushdo, e kanë mundësinë për të kuptuar shpirtin e njeriut dhe për ta ndryshuar botën me forcën e fjalës. Sepse, në krahasim me lexuesin e thjeshtë, ata, në çdo hap të jetës, punojnë pa ndërprerje me vetveten, kanë një spektër shumë më të gjerë interesash, janë të pavarur në gjykimet dhe në këndvështrimet e veta dhe ndaj jetës mbajnë një qëndrim filozofik. Me magjinë e fjalës artistike, poetët dhe shkrimtarët, përmes heronjve të veprave të tyre, zbulojnë dialektikën e shpirtit të njeriut. Sepse ata dinë të shkruajnë bukur. Shkrimtari francez Xorxh Bufon (Georges Buffon 1707-1788) thotë:

“Të shkruash bukur, njëkohësisht do të thotë të mendosh bukur, të ndiesh bukur dhe të shprehesh bukur, domethënë ta kesh nën kontroll përbarazisht mendjen, shpirtin dhe shijen”.

       Vilhelme Vranari Haxhiraj ka lindur në Kaninë më 08 dhjetor 1944 nga prindërit Veip dhe Bexhete Vranari. Në vitin 1951 i burgosin babain si antipushtet, duke e akuzuar padrejtësisht se pse vaji i distilerisë në Vlorë u derdh në det. Në vitin 1955 ka kryer arsimin fillor dhe në vitin 1958 ciklin e arsimit 8-vjeçar. Në vitin 1962 ka përfunduar arsimin e mesëm në Shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Po atë vit iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta (pa shkëputje nga puna) në Universitetin e Tiranës, dega histori-gjeografi, të cilën e vazhdoi deri në vitin 1966, duke punuar si mësuese në një fshat të Vlorës. Por më 16 gusht të vitit 1966 i heqin të drejtën e mbrojtjes së diplomës në fakultet dhe e përjashtojnë nga radhët e arsimit për shkaqe politike, me arsyen se ishte e paaftë të zhvillonte luftën e klasave. Prej vitit 1967 deri në vitin 1990, familja e saj (si edhe gjithë fisi Vranari) ka qenë e internuar. Në vitin 1970, me kërkesë të Prokurorit të Republikës Lefter Goga, i jepet e drejta e studimeve të larta në degën histori-gjeografi dhe në vitin 1975 mbrojti diplomën me temë nga historia e Shqipërisë  që titullohej“Krahina autoktone e Shqipërisë Jugore”. Në periudhën mes viteve 1969-1991 ka punuar si punëtore krahu. Në vitin 1991 rikthehet në profesionin e mësimdhënies që e adhuronte aq shumë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë zëvendësdrejtore e Shkollës “Ismail Qemali” në Vlorë. Në vitin 1997 e nxjerrin jashtë radhëve të arsimit, paçka se i duheshin edhe 7 vjet për të dalë në pension. Prej vitit 1996 dhe në vazhdim merret me letërsi artistike, publicistikë, ese dhe studime në  fushën e historisë  dhe të filozofisë.

Diapazoni krijues i shkrimtares së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj është tepër i gjerë. Tërë krijimtaria e saj përbëhet nga një korpus prej 45 veprash të të gjitha gjinive letrare, përfshirë edhe publicistikën nacionaliste. Këtu mund të përmenden 3 vëllime poetike, 9 vëllime me prozë të shkurtër (dy vëllime me skica, tregime dhe novela, gjashtë novela dhe një vëllim me skica), 20 romane, 2 vëllime me ese-publicistikë, 3 vëllime me studime (njëri i natyrës filozofike, kurse dy të natyrës historike), 8 vëllime me letërsi për fëmijë (me përralla, gjëegjëza, fabula dhe një roman historiko-fantastik). Presin dritën e botimit disa libra në gjini të ndryshme dhe një vëllim poetik, i përkthyer në greqisht. Vëllimi me titull “Rrugëtimi filozofik i prof.dr. Isuf Luzaj”, i cili doli nga shtypi në vitin 2017, është një vepër e nivelit akademik.

Pjesë nga krijimtaria e kësaj shkrimtareje janë përfshirë në 24 antologji. Veç atyre me autorë shqiptarë, ato janë përfshirë edhe në Itali (Kalabri), në Mal të Zi, në Kosovë, në Rumani, në Angli, në Suedi, në Greqi (në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e vendeve përkatëse).

Krijimtarisë së saj i janë bërë vlerësime me mirënjohje dhe me 22 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat veçohen Mirënjohje (Vlorë, Kaninë, Prizren, Greqi, Rumani), Çmimi i parë (Shqipëri, Mali i Zi, Suedi), Çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Itali), Çmimi “Premio Internazionale di Poezia (Firence, Itali, 2011, ku ishte e vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota, të përfshirë në antologjinë italiane në tre vite – 2010-2012), tre Çmime karriere. Ajo është përzgjedhur dy herë personazh i vitit dhe ka marrë medalje argjendi, është vlerësuar me “Penën e Kristaltë” në Suedi, ka marrë “Medalje Ari”me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Vilhelmja, si mjeshtre e penës, ka aftësinë t’i bëjë njerëzit të përloten. Me frymën realiste të veprave të saj, ajo prek zemrat e lexuesve, sepse nxjerr në pah mjeshtërisht edhe anët tragjike të jetës njerëzore. Prandaj lexuesi fillon të bashkëpërjetojë dertet e shpirtit të heronjve të veprave të saj.

Me këtë rast, nuk mund të rri pa përmendur lirizmin e thellë tragjik që karakterizon heronjtë e veprës së kësaj shkrimtareje, me titull “ Dashuria plagoset.., por nuk burgoset”. Letra nga ferri”, e cila doli nga shtypi në maj të vitit 2016. Në analizën që i kam bërë kësaj vepre asokohe, kam theksuar:

“Kur e mbaron së lexuari këtë vepër, vetvetiu të krijohet bindja që tema e dashurisë në krijimtarinë e çdo poeti ose shkrimtari, është rrezatim i botës së tij të brendshme, i ndjenjave dhe i përjetimeve të tij. Prandaj, sipas rastit, dashuria dikë e bën me flatra, kurse dikë tjetër e zhyt në honet e një dëshpërimi të pamatë. Kjo është edhe arsyeja që poetët dhe shkrimtarët janë shumë më të ndjeshëm ndaj kësaj ndjenje hyjnore sesa njerëzit e zakonshëm”.

Me zonjën Vilhelme dhe me bashkëshortin e saj, zotërinë Fitim Haxhiraj, u takuam shpeshherë në kafenenë e Stavrit në Ujët e Ftohtë, ku ata vinin çdo ditë për shëtitje. Në njërin nga ato takime, zonja Vilhelme më dhuroi librin e saj më të fundit që sapo kishte dalë nga shtypi, me titull “Simfonia e shpirtit”. Është një përmbledhje emocionuese me skica letrare, në të cilën shpërfaqet aq bukur ngrohtësia e shpirtit të kësaj Mjeshtreje të Madhe të Penës. Është një ngrohtësi që përcjell dridhërimën e zemrës, delikatesën e ndjenjave dhe fisnikërinë e shpirtit të saj bujar. Është aftësia për t’i ngrohur njerëzit rreth e qark me dritën e shpirtit të saj. Është gatishmëria për t’iu përgjigjur thirrjes së kujtdo që ka nevojë për ndihmë. Ështe gatishmëria për të ndarë me njerëzit e mirë pasurinë shpirtërore dhe zjarrin e zemrës së saj. Është tipari shpirtëror i një zonje të shquar të letrave shqipe, i cili shfaqet në çdo hap të jetës së saj dhe tërheq drejt vetes njerëzit me zemër të madhe. Është aftësia për të ndarë me njerëzit e afërt hapësirat e gëzimit dhe honet e trishtimit. Është aftësia për të përjetuar bashkërisht lartësitë e haresë dhe tatëpjetat e dëshpërimit.

Tërë krijimtarinë e Zonjës Vilhelme e përshkon si një fill i kuq një brengë e heshtur për padrejtësinë që i bëri sistemi i kaluar totalitar, duke ia mohur të drejtën për t’u marrë me krijimtari letrare. Megjithatë, “vullkani” artistik brenda qenies së saj nuk u shua asnjëherë. Ai “vullkan” do të shpërthente me “llavë krijuese” që do të zbriste poshtë “shpateve” të jetës shqiptare pas ndërrimit të sistemit komunist.

Prof.dr. Bardhosh Gaçe lindi në qytetin e Vlorës më 05 mars 1953 nga babai veteriner Shefit Gaçe dhe nga nëna edukatore, Raime. Patën zbritur nga fshati Tërbaç në vitin 1929, pas rrënimit të tij nga një tërmet i fuqishëm që goditi ato anë në prag të Krishtlindjeve të po atij viti, i mbiquajtur “Tërmeti Jonik”. Ky tërmet rrafshoi Dukatin, duke arritur deri në Tepelenë. Arsimin parauniversitar Bardhoshi e mbaroi në vendlindje, me rezultate të shkëlqyera, ashtu siç përfundoi edhe Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega gjuhë shqipe dhe letërsi më 1977. Gjatë kohës që ishte student në fakultet, ku unë isha pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse, Bardhoshin e kam njohur nga afër. Ishte një djalosh simpatik, i edukuar, fjalëpak, modest, ëndërrimtar, me shumë vullnet dhe binte në sy për karakterin e tij të fortë. Pas mbarimit të fakultetit me rezultate të shkëlqyera (në të cilin e meritonte plotësisht të emërohej si pedagog), mësuesi Bardhosh Gaçe do të emërohej në Veriun e Shqipërisë, Kukës e Tropojë, në ato vende ku baladat, legjendat, epet, kanuni i malsisë (Lekë Dukagjinit) u trazuan në shpirtin e tij energjik me baladat, legjendat, epet, kanunin e Labërisë. Edhe pse jepte mësim, Bardhosh Gaçe asnjëherë nuk e ndërpreu të mësuarin e vetvetes. Tmerrësisht e tërhoqi etnofolklori, si pasuri e shenjtë e të parëve iliro-shqiptarë. Kjo bëri që edhe temën e doktoraturës ta mbronte me temën “Etnokultura e Labërisë”. Në vitin 1992 fitoi gradën shkencore “Doktor i Shkencave Gjuhësore-Letrare Shqiptare”. Titullin Profesor e mori në vitin 2009. Ka vite që lektoron etnofolklorin, letërsinë për   fëmijë, letërsinë e vjetër shqipe, letërsinë arbëreshe, letërsinë e Rilindjes, letërsinë moderne shqipe në Universitetin Teknik “Ismail Qemali”, Vlorë.

       Krijimtaria e prof.dr. Bardhosh Gaçes ndahet në vepra të mirëfillta estetike letrare dhe letërsi për fëmijë. Ai ka trajtuar me autoritet shkencor tema të tilla, si eseistika, publicistika, vepra studimore, studime etnokulturore (albanologji), monografi, antologji dhe lektura. Në korpusin e krijimtarisë së tij përfshihen të tilla vepra, si “Himara në shekuj”, “Lëvizja kombëtare në Vlorë (1872-1912)”, “Hamza Isai: një jetë në shërbim të kombit (monografi)”, “Sali Hallkokondi dhe Historia e Shqipërisë së re” (monografi), “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare”, “Rapsodi Xhemil Veli Duka” (monografi), “Flamuri dhe Ismail Qemali (në këngë e rrëfime popullore)”, Xha Selimi i Bratajt”, “Kënga popullore e Selim Hasanit”, “Osman Haxhiu” (monografi), “Konferenca shkencore Vlora në rrjedhat e kohës”, “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, “Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë”, “Naim Frashëri si frymëzim i kulturës kombëtare”.

       Emocionuese është krijimtaria letrare e profesorit Bardhosh Gaçe, e përfshirë në tre vëllime poetike: “Gugatin pëllumbat mbi Prishtinë”, “Pse gëzohet Keti i vogël”, “Lumi im s’fle gjumë”. Por ajo që mbart vlera shumëfishe, shumëshpirtëshe është antologjia poetike “Shtëpia e detit dhe e diellit”, kushtuar Vlorës. Kjo vepër përmbledh vetëm një pjesë të vjershërimit të thurur prej poetëve tanë më në zë, si Anton Zako Çajupi, Asdreni, Lasgush Poradeci, si dhe ajo e poetëve vlonjatë Ali Asllani, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Fatos Arapi, Hiqmet Meçaj, Irfan Bregu, apo e poetëve të tjerë të shquar, si Nonda Bulka, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Vorea Ujko, Agim Shehu, Ibrahim Gani, Ndoc Papleka, të cilët kanë ngritur këngën e tyre, duke e quajtur Vlorën një Atdhe poetik të lirisë dhe të dashurisë shqiptare. Kjo përmbledhje poetike u botua me rastin e 70-vjetorit të themelimit të bibliotekës publike “Shefqet Musaraj”, si një kujtesë poetike për traditat, kulturën dhe frymëzimin e këtij qyteti magjepsës në brigjet e detit. Bardhosh Gaçe tani vazhdon punën si profesor në Universitetin e Vlorës.     

       Prof.dr. Bardhosh Gaçe ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të ndjeshëm edhe në lëmin e kritikës letrare.

Në takimin që pata në Vlorë me profesor Bardhoshin, ai më dhuroi tre libra: i pari titullohet “Etnologjia dhe folklori shqiptar”. Është një libër i vëllimshëm, i formatit të madh, me vlera të jashtëzakonshme njohëse në fushën e etnologjisë dhe të folklorit shqiptar. Vepra është një botim i nivelit akademik. Kur e mbarova së lexuari, krijova bindjen se kjo vepër përfaqëson në vetvete një enciklopedi të vërtetë të etnologjisë dhe të folklorit shqiptar.

Libri i dytë mban titullin “Letësia Shqiptare 1”. Ky libër është një pasqyrë e zhvillimit të letërsisë shqiptare që nga zanafilla e saj e kryehershme deri në vitet 30, duke arritur deri në trajtimin e mitologjisë në botën poetike të Gjergj Fishtës. Edhe kjo vepër është e nivelit akademik.

Libri i tretë me titull “Etnologu, studiuesi dhe pedagogu”, i përgatitur nga prof.dr. Ilinden Spasse, prof. Faik Shkodra dhe dr. Xhevat Syla, është një vepër-homazh në nderim të profesorit Bardhosh Gaçe, si një figurë e shquar e kulturës shqiptare, në të cilën kanë dhënë mbresat e veta 135 personalitete të njohura në fushën e shkencës dhe të kulturës, si prof. Shaban Demiraj, prof.dr. Jorgo Bulo, prof. Çesk Zadeja, dr. Bujar Leskaj, etj. Në listën prej 135 personalitetesh, përfshihen edhe autorë të 35 letrave përshëndetëse që i janë dërguar profesor Bardhoshit, të gjithë miq dhe dashamirës të tij. Në botën e letrave shqipe, ky është një botim unikal në llojin e vet, i cili nxjerr në pah veprimtarinë shumëpërmasore të profesor Bardhodhit, si një hulumtues, poet, kritik, studiues dhe pedagog i talentuar. Veprimtarinë krijuese të profesor Bardhoshit e ka vlerësuar edhe Presidenti i Republikës, i cili e ka dekoruar me medaljen e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Eqerem Canaj ka lindur më 05 shkurt të vitit 1944 nga prindërit Hysen dhe Drita Canaj, në fshatin Mesaplik, Vlorë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, shtatëvjeçaren në Vlorë (Skelë). Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike Dyvjeçare dhe Shkollën Pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Në vitin 1975 është diplomuar për mësuesi në degën gjuhë-letërsi shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ka shërbyer në arsim prej 46 vjetësh, si mësues dhe drejtor shkolle në fshat dhe në qytetin e Vlorës. Ka filluar të merret me krijimtari letrare që prej vitit 1976, me botime në revistën “Nëntori”, në gazetën “Drita” dhe “Rinia”. Për novelën “Vlora – Vlora”, në Konkursin Kombëtar të Pavarësisë të vitit1982, ka fituar Çmimin e Dytë. Paskëtaj është pranuar Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë dhe i është akorduar edhe leje krijimtarie ndër vite. Në vitet e demokracisë 2011-2015 ka drejtuar Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë. Për krijimtarinë e bollshme e të suksesshme, ka fituar disa Çmime të Para dhe të Dyta përgjatë konkurseve kombëtare e lokale. Është dekoruar nga Shoqata “Labëria” (Mirënjohje), Bashkia e Qytetit (Mirënjohje), nga Qarku Vlorë (Mirënjohje), Shoqata “Petro Marko” (Nderi i Shoqatës “Petro Marko”).

Vepra letrare e shkrimtarit Eqerem Canaj është marrë në studim nga Katedra e Gjuhës Shqipe, Tiranë, viti 2013, nën drejtimin e gjuhëtarit Prof. dr. Rami Memushaj, nga Katedra e Gjuhësisë së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, viti 2014 dhe viti 2015, nën drejtimin e Prof. dr. Nexhip Mërkuri, përkatësisht: “Gjuha dhe stili në veprat e Eqerem Canajt”, autore e studimit Anila Metaj, dhe “Vështrimi i gjuhës së Eqerem Canajt sipas semantikës gjenerative”, autore e studimit Anisa Rapo. Deri në vitin 2018 ka realizuar 30 botime, në të gjitha gjinitë letrare. Në këto botime përfshihen 5 vëllime poetike, 3 vëllime me tregime dhe me novela, 7 vëllime me dedikate-memorialistikë, 2 vëllime me antologji, 2 vëllime me kritikë letrare dhe 11 romane.

Eqeremi është një shkrimtar dhe poet origjinal. Në krijimtarinë e tij artistike ka diçka tepër të veçantë, në dallim nga njerëzit e tjerë të penës. Me korpusin letrar të veprave të tij në prozë dhe në poezi, ai del para lexuesve me një guxim artistik befasues. Në një vlerësim që kam bërë për romanin e tij “Çatia e gjarpërinjve”, kam theksuar pikërisht atë të veçantën që përmenda më lart:

“…poet-shkrimtari Eqerem Canaj e ka lidhur vërtetësinë e realitetit që përcjell në krijimtarinë e vet me shtresëzimet e një stili të papërsëritshëm që e shpërfaq me një shpirt krijues të jashtëzakonshëm. Gjuha e tij vjen e përfton disa shtresëzime stilistikore që ndërkëmbehen herë me finesën e gjuhës së latuar letrare, herë me rrëfimtarinë e pasur të gjuhës dialektore”.

Këtë dukuri të veçantë në krijimtarinë e këtij shkrimtari e ka nxjerrë në pah edhe kritiku Enver Qama. Ai vë në dukje përdorimin e arkaizmave, e krahinorizmave dhe të neologjizmave, të cilat dëshmojnë për një kuturi artistike në krijimtarinë e këtij shkrimtari. Këtu po ndalem në disa fjalë që dëshmojnë se ç’kontribut të ndjeshëm jep ky shkrimtar në pasurimin e leksikut të shqipes me vetë brumin e saj. Fjalët beftak, beftij, bleri, blertajë, çkangjasinë, çuditëri, dhemihës, egran, errëtajë, gazthi, grimëherë, gjelbërtajë, gjetkti, heshtak, ksebëmë, kujshëm, lodërtim, ngatërri, përkënd (anash), përngjasë, përvajtimtar, pikëllimtar, rripnajë, rrokaj, rrushkulli, tmerri, trushë janë prurje interesante në leksikun e gjuhës me ngjyrim arkaik, krahinorist apo neologjist. Leksikografët, qëmtues të kujdesshëm të fjalës, kanë se ç’të përzgjedhin nga veprat artistike të këtij shkrimtari për pasurimin e fondit leksikor të gjuhës shqipe. Prof.dr. Rami Memushaj, një gjuhëtar i njohur dhe specialist me emër ky në fushën e shqipes së njësuar, këtu e shumë vite të shkuara, pasi kishte lexuar romanin e Eqeremit me titull “Njeriu me nofulla të hekurta”, që pati dalë nga shtypi në vitin 2001, më tha se i kishte bërë shumë përshtypje ana leksikore e asaj vepre, të pasur me fjalë të reja, me arkaizma, me neologjizma, të krijuara me brumin e shqipes, dhe me kompozita që kërkojnë guxim krijues.

Gjatë ditëve të pushimit në Vlorë, Eqeremi më dhuroi tre libra: romanet “Çatia e gjarpërinjve”, “Zëri i vetëdijes” dhe studimin monografik me titull “Cane Miftar Smokthina” (kushtuar stërgjyshit të Eqeremit, patriotit të shquar të shek. XIX në luftën e popullit tonë kundër sundimit otoman), të përgatitur në bashkautorësi me prof.dr. Bardhosh Gaçen.

Duke pasur parasysh veçoritë gjuhësore të veprave artistike të shkrimtarit Eqerem Canaj, duhet theksuar se ato jo vetëm shërbejnë si “burime xeherore” me “madem” të pasur leksikor, por dallohen edhe për pasurinë e shprehjeve metaforike: dallgët thyejnë dhëmbët në shkëmb (Çatia e gjarpërinjve), qëndruan mbi nofullën e një shkëmbi (Cane Miftar Smokthina), nepërkat e vetëtimave… grindeshin në kupën e zezë të qiellit zemërak (Zëri i vetëdijes).

Idajet Jahaj ka lindur në fshatin Mesaplik të Smokthinës, më 29 shtator 1949, nga babai Sali dhe nga nëna Bajame Jahaj. Shkollën fillore e kreu në fshat, kurse shtatëvjeçaren në Bolenë. Pastaj ndoqi një vit Gjimnazin “Avni Rustemi” në Vlorë e më pas Gjimnazin  e Përgjithshëm në Himarë, të cilin e përfundoi në vitin 1969, me rezultate të mira. Në vitet 1969-1971 vazhdoi studimet e larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, në degën gjuhë-letërsi. Pas mbarimit të institutit, punoi si mësues në shkollën e Mesaplikut dhe më pas në atë të Bolenës. Në vitet 1981-1983 vazhdoi me korrespondencë studimet në degën e letërsisë të Universitetit të Gjirokastrës. Pas vitit ’90 u zhvendos në Vlorë, ku ka punuar në disa shkolla të këtij qyteti, si në shkollën “Teli Ndini”, “Zenel Murra” dhe për një kohë të gjatë në Shkollën Artistike “Naim Frashëri”, derisa doli në pension në vitin 2015. Gjatë viteve të ndryshme ka pasur vlerësime të shumta, si për rezultatet në mësime, ashtu edhe në aktivitete shoqërore dhe aksionet kombëtare, për çka ka marrë “Medaljen e Punës”, etj. Pas viteve ’90, për veprimtarinë krijuese, është vlerësuar sidomos nga Shoqata e Poetëve dhe e Shkrimtarëve të Vlorës, e cila, në konkurse të ndryshme vjetore, e ka nderuar me çmime të para dhe të dyta  për poezi. Më 22 nëntor të vitit 2012, Këshilli i Qarkut të Vlorës e ka shpallur “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”, kurse Klubi i Poetëve “PetroMarko”, më 25 dhjetor 2015 e ka nderuar me Çmimin “Shkrimtari i vitit 2015”.

Tepër interesante në llojin e vet është krijimtaria e poetit dhe e studiuesit Idajet Jahaj. Librat e tij të botuar e kanë kapur tashmë shifrën 40. Ato e kanë parë dritën e botimit pas vitit ’90, me ardhjen e demokracisë. Veprimtaria e tij krijuese shtrihet në dy fusha: në krijimtarinë artistike dhe në pasqyrimin e ngjarjeve historike. 25 libra i kushtohen fushës së historisë, kurse 15 të tjera janë vepra artistike.

Në krijimtarinë artistike Idajeti priret nga poezia dhe nga proza e shkurtër. Por një dëshirë tjetër e ka shtyrë t’i futet me pasion fushës së historisë. Librat e tij të kësaj fushe kanë për univers heroizmin kombëtar në Vlorë dhe në zonat e jugut të vendit.

Krijimtaria artistike e Idajetit del më së miri në pah në 10 vëllime me poezi dhe në 5 vëllime me tregime dhe me skica letrare. Veprat poetike i shkruan me stilin metaforik, imazhinist. Poezia e tij është origjinale, në shtratin e vet, me një format të kristalizuar, e pasqyruar në titujt “Mendimet”, “Hyjnore”, “Infinit”, “Kafe me qiell”, “Petale drite”,” Zambak i ngrirë”, etj.

Në prozë ka lëvruar tregimin e shkurtër si edhe skicat që janë miniatura letrare, një gjini kjo shumë e dashur për të dhe e vlerësuar nga kritika. Këtu mund të përmenden titujt “Nëpër qiejt e këngëve”,”Hëna jonë nuk mbytet”, ”Duke kërkuar lulet e para”, “Loti i diellit dhe hënëzat e limonit”, etj.

Në një shënim të shkurtër, të botur në internet rreth katër vjet me parë, pasi kisha lexuar përmbledhjen me skica-miniatura artistike me titull “Loti i diellit dhe hënëzat e limonit”, pata bërë vlerësimin e mëposhtëm:

“… shkrimtari Idajet Jahaj, figuracionin e ligjërimit e trajton si një tipar të veçantë të rrëfimtarisë artistike, tipar ky që vjen e përfton shprehjen më të plotë në gjuhën e miniaturave të tij të magjishme. Prandaj, në kontekstin artistik, fjala e autorit në këto miniatura bëhet pjesë e pandashme e sistemit të mjeteve figurative dhe kryen domosdoshmërisht një funksion estetik”.

Interesante janë librat me trajtesa historike: “Kur çelnin shkronjat”, kushtuar arsimit vlonjat në shekuj. Këtu përfshihen monografi heronjsh, si për Heroin e Popullit Zigur Lelo, për figura të shquara të Smokthinës, për Himarën, për figura të shquara të Çamërisë, etj, libri voluminoz “Gra vlonjate në histori”, punimi enciklopedik “Mesapliku”, një varg studimesh për rapsodët e këngëtarët e zonës së Lumit të Vlorës,  librat “Rilindasit dhe Vlora”, ”Mësues Patriotë të Lumit të Vlorës”, etj. Pra, bëhen mbi 40 libra, në një sasi prej rreth 12 000 faqesh të botuara. Dhe po kaq të tjera ka për botim.

Në krijimtarinë e Idajetit duhet përmendur edhe publicistika e tij nacionaliste. Para më shume se tre vjetësh, më pati bërë përshtypje të thellë pamfleti i tij me titull “Vrima e zezë e helenizimit “paqësor” grek”,  botuar në faqen e internetit të gazetës “Dielli” të datës 22 prill 2015. Asokohe, në internet unë e pata vlerësuar atë pamflet si të shkëlqyer për ringjalljen e nacionalizmit shqiptar. Mendoj dhe shpresoj që artikujt publicistikë Idajeti do t’i mbledhë dhe do t’i botojë si libër më vete.

Në mbyllje të këtyre shënimeve dëshiroj të theksoj se Vilhelmja, profesor Bardhoshi, Eqeremi dhe Idajeti e lëvrojnë mjeshtërisht poezinë, janë poetë të talentuar. Arti poetik është një ngasje hyjnore për poetët. Prandaj “poetët janë paraprijës të agimeve zbardhëllim, janë muza dhe shpirti i ëndrrave shpresërim, janë fryma dhe muzikaliteti i fjalës shenjtërim, janë koloriti më i ndritshëm i qenësisë sonë qytetërim” (Citohet sipas faqes së internetit “Galaktika poetike ATUNIS”. 26 prill 2016).

Kisha dëshirë t’i pyesja këto katër pena origjinale në krijimtarinë e vet nëse takohen ndonjëherë për të shkëmbyer mendime për botën e letrave. Por nuk i pyeta se m’u duk ndërhyrje pa vend në honet e ëndrrave të tyre. Aq më tepër që kodi i komunikimit mes njerëzve të penës është i pakuptueshëm për ne të tjerët që ndodhemi jashtë fushës së krijimtarisë artistike. Dhe kjo kuptohet vetvetiu, sepse ne kemi huqet e pëllumbave që kanë qejf të mblidhen tok. Kurse poetët dhe shkrimtarët janë si puna e shqiponjave që enden në hapësirë në vetmi. Biznesmeni, filantropi dhe politikani amerikan i krahut konservator Ros Pero (Ross Perot 1930), kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të viteve 1992 dhe 1996, ka thënë:

“Shqiponjat nuk grumbullohen në tufa, ato duhet t’i gjesh një e nga një”.

Tiranë, 01 gusht 2018

 

 

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----