Vajzat e Botës, marrin gjak në vetull
Për Botën dhe gazetarët e Botës Sot
Nga Sinan Kastrati
Nuk ka se si të thuhet ndryshe pos: Bota dhe gazetarët e Botës Sot janë më të mirët e Botës.
Pasi bisedova në telefon me Petritin që ishte Petrit se jo mahi dhe i thash se dëshiroj ti shoh gazetarët dhe Redaksinë e Botës Sot por nuk di ku t`ju gjej, ai doli e më priti para shkallëve të Teatrit Kombëtar më mori. Në një hyerje të një godine, jo larg ish hotelit Bozhur, tash Iliria, në rrugën Tringe Smajli, 2/6 përballë hotelit Swis Diamond, në katin e tretë të një godine të vjetër (e të papastër, pa fajin e gazetarëve), ishte Redaksia e Botës Sot.
Posa hymë në lokalet e Botës, me gëzim e qehre, na doli përpara e na priti me një mirëseardhje, qysh din vetëm Dafina Xhemaj Vidishiqi , drejtoreshë e Botës.
S´vonoi shumë e në zyrën e saj erdhën Mimoza Lakna e Nehat Shaqiri.
-Ku është Diana, pyeta Dafinën.
-Diana vjen në orën 14:00, tha Dafina.
– Mimoza e Diana janë emra të njohur, thash unë.
-Po, ma priti, Dafina, dhe puntore të mira, të sjellshme me kolegë e të dashura për lexues.
Ndërsa ne bisedonim për Botën, ato, Dafina e Mimoza me gojën plot gaz përgjigjeshin pyetjeve të mia dhe më tregonin ngjarje nga më të ndryshmet për punën në Botë, për historikun e Botës, për hallet e për familjet e tyre.
Po unë isha kurreshtarë dhe doja të dija shumë e më shumë për Botën se helbeta, Bota është e botës dhe Bota e ka marrë botën me lajme të guximshme për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë këto 20 vjetët e fundit, për vrasjet pas shpine të atdhetarëve dhe vecmas të atyre që kanë punua në Botë, në krah të institucioneve të Kosovës dhe Ibrahim Rugovës, nga këta djem trima e vajza të guximshme që s`janë vec të penës po edhe të pushkës.
Pasi pim nga një kafe turku, pyeta:
– Pse nuk ka ndonjë shenjë paralajmërimi, reklamë të Botës në rrugë sikurse që kishin gazetat tjera?
-Na i kanë hjekur, ishte përgjigja e njërit nga të pranishmit.
Të nesërmen, pëseri shkova në Botë. Atje tashmë kishte ardhur Diana Bunjaku, një Divë, një arushashane, luaneshë. Diana shte më tepër se një vajzë, vajzë mali, një zanë e Maleve të Veriut. Një vajzë e shëndetshme e plot sharm e gaz. Ajo sa më pa mua, më thirri në emër dhe na pruri nga një kafe e pastaj, bashkë me të shkuam në zyrën e punës ku ishte edhe Mimoza, një nga pergjegjëset e Botës në Kosovë, Nehat Shaqiri dhe Nebi Ajeti- Ky i fundit ishte nipi i gazetarit të vrarë në detyrë, Bardhyl Ajeti, Ky, më tha luanesha Dianë, ka ardhur me punua me ne në Botë, me i ndjek hapat e axhes së vetë në gazetari por jo ishalla ta ketë fatin e tij tragjik.
Pata dëshirë të kam një foto me ta dhe iu premtova se do të bëje një shkrim për lexuesit e gazetave suedeze, për punën e Botës, gazetës gjithëkombëtare shqiptare, për gazetarët e vrarë të saj dhe vajzat e gratë shqiptare që punojnë tash që nuk janë hic më pakë trimëresha se ish kolegët e tyre burra të vrarë të vrarë të Botës.
Ata marrin gjak në vetull, Dafina, Diana e Mimoza sikurse edhe Petriti, djali i Fetah Rudit, Nebi Ajeti, nipi i Bardhyl Ajetit e Nehati nga Vushtrria.
Me shpresë se Bota Sot e bashkë me Botën edhe Dafina, Diana e Mimoza dhe Petriti, Nebiu e … Nehati do të kenë fat më të mirë në jetë e Bota Sot, shtrirje e jetëgjatësi në tërë Botën shqiptare, u ndamë me shpresë për një jetë më të mirë në familjet e tyre Kosovën Tonë.
Këto trimëresha e këta trima, do ta ndryshojnë Botën.
Të shpresojmë.
Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 12 korrik 2018
Comments
-----