Bariu nga Skrapari në betejën e Torviollit

Nga Viron Kona

Lajmin se Kastrioti mbërriti në atdhe,

e dëgjoi kur ishte me bagëtitë në mal,1)

gjaku iu ndez dhe zemra iu bë prush,

atdheu po i kërkonte luftëtarët n`ballë.

Shiti dhentë dhe bleu një kalë jelegjatë,

shpatë,mburojë, heshtë,hark e shigjetë,

u nis për në Torvioll kalorësi skraparlli,

kalëroi n`kodra,lugina e shteg m`shteg.

Te lugina e ngushtë e Torviollit qëndroi,2)

atje ku do të luftonin arbrit me osmanë,

kishte urrejtje të madhe për pushtuesit,

përbuzte shpirtrat e tyre të zinj, katran.

U radhit kalorës në gardën pretoriane,

së bashku me Skënderbeun kryetrim,

admiroi shtatin,pamjen e tij burrërore,

fjalët e zjarrta, që i ngjallnin frymëzim.

Luftoi skraparlliu sypatrembur n`betejë,

i vendosur të mbronte me jetë këtë tokë,

pësoi goditje, plagë të rënda në përleshje,

por luftën s`e ndali, asnjë hap s`u tërhoq.

Në betejë pa si ndesheshin kryetrimat:

Ajdini, Emanueli dhe Anton Linjërosa,3),

Vrana Konti, Tanushi dhe Pjetër Spani,

Moisiu, Hamza, Balsha, Zaharia Gropa.4)

Luftëtarët dhe Kastrioti,emra t`mëdhenj,

gjer në fund të betejës n`ballë qëndruan,

një radhë me ata dhe kalorësi skraparlli,

luginën e Torviollit me lavdi e mbuluan.

Kur beteja përfundoi e armiku u shkatërrua,

kalorësi mori rrugën e kthimit për n`Skrapar,

e pritën me gaz dhe brohori bashkëfshatarët,

dikush,ironik,i hodhi një gjemb për ta ngarë:

“Ku e ke plaçkën e luftës, o kalorës i shquar,

mundimet e sakrificat të paskan shkuar kot!

Nga lufta qenke kthyer i plagosur,i sakatuar,

se ç` fitove në atë luftë, s` po e kuptojmë dot!”

Bariu e dëgjoi i menduar bashkëfshatarin,

dhe i ktheu përgjigje thjesht e me qetësi:

“S`më tërhoqi plaçka në atë betejë, or mik,

por ndjenjat për atdhe, për flamur dhe liri!

 

Atje rëndë u plagosa dhe keq u sakatova,

por ngulita në kokë një mësim të çmuar:

“Më mirë t`vdesë në këmbë duke luftuar,

sa t`rroj me turkun n`vatër,i gjunjëzuar!”

 

————————–

1).Në Skrapar edhe sot tregohet për një fshatar, i cili kur dëgjoi për betejën që Skënderbeu do të zhvillonte në Torvioll, pa i thënë askush, shkoi dhe mori pjesë në betejën e Torviollit në krah të Skënderbeut….

2).Beteja e Torviollit, e njohur edhe si beteja e Dibrës së Poshtme, u zhvillua më 29 qershor 1444.

3).Vrana Konti, Ajdin Muzaka, Tanush Topia, Moisi Golemi, Gjergj Stres Balsha, Hamza Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli, Gjin Muzaka, Marin Spani, Anton Linjërosa…Emra prijësish dhe komandantësh të ushtrisë së Skënderbeut, që morën pjesë në betejën e Torviollit.

-Ajdin Muzaku (Muzaka), ishte njëri nga kryetrimat e Skënderbeut dhe ndër kapitenët kryesorë të betejës së Torviollit. Mori disa plagë në atë betejë dhe vdiq, një ose disa muaj më pas. Konsiderohet heroi i betejës së Torviollit. Mendohet se është nga Skrapari.

Anton Linjërosa, komandanti i shquar i Labëve dhe i Himarjotëve, i cili ra dëshmorë në betejën e Torviollit..

4).Moisi Aranit Golem Komneni, princ i Dibrës, pas betejës së Beratit 1455, tradhtoi. U kthye me një ushtri osmane kundër Skënderbeut, por humbi. Më pas kërkon falje. Vazhdoi luftërat përkrah Skënderbeut. U kap i gjallë nga turqit më 1464 bashkë me disa nga oficerët kryesorë të tij. U dërguan në Turqi dhe u torturuan deri në vdekje, në atë që quhet   “Masakra e Kostandinopojës”.

-.Hamza Kastrioti, nipi dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Skënderbeut, kur e humbi shpresën për t`i zënë vendin ungjit, kur këtij i lindi djali trashëgimtar, kaloi në anën e Sulltanit. Në vitin 1457 ai udhëhoqi trupat osmane kundër Skënderbeut. U zu rob prej tij, u burgos dhe më pas u lirua.

 

 

Comments

comments

-----