Petro “tregtari” dhe Hamza “Babaxhani”

Nga Përparim Hysi

 

Atë vit ftonjtë u bënë shumë dhe, ngaqë tregu për t’i shitur qe aq larg,sa uk ia vlente barra qeranë, u vendos që të shiteshin aty, tek lëmi i fshatit ( qe goxha, i shtruar me çimento) dhe  si shitës, njëzëri u propozua Petroja. Ky, dikur, kish qenë tregtar me zë dhe tani,ashtu në moshë  të thyer, punonte në kooperativë deri sa t’i vinte mosha e pensioniit. Mosha e pensionit për të nuk qe e largët. Qe, kur thonë në Myzeqe, thirri, të të dëgjojë. Qe si qe, por instiktin e tregtarit mund t’ia lexoje mu mbi hundë. Qe si kandar me sy dhe i pagabueshëm në çmim. As të falte, por as të hynte në hak. Qe besimtar dhe, ngaqë e dinte mirë se çdo tregtar ka për qëllim veç të fitojë, ai jo se e kish hequr atë”lloj lëkure”, po në mirëbesim më thoshte:- Vjen një ditë dhe zullumin e paguan. Ehe unë,- thoshte,- nuk e kam ngrënë thatë: si gjithë të tjerët, por tani ka ndryshuar koha. Këtë “gjënë e tokut” ( e kish fjalën për mallin e kooperativës), zëre se po e ha qeni. Ka rënë si në mall pa zot. Ja,- më tha,- shiko Xoxin tija. Qy s’ka bërë akoma “hijez” (shtëpi) për vefte dhe prit ti të  ndreqë gjënë e tokut. Una, kur vë dorë në kandar, kujtoj kohëzën time, kur nuk të falja as qimzen. Imëni,dynjaja është kthyer ndryshe. Ndryshe, por nuk mësohet vallja në inqindi (në moshë të vonë) dhe unë,sado ndryshe, po jam po ai,PETROJA me atë dyqanin tim. Dyqanit i ra”zjarri” dhe u bëti hi, por huqi del me xhanin. Imëni, t’i vëmë kokë muhabetit: ti, dhaskal, do një qillo fiq se janë falas: me  dy lekë  dhe më nxjerrë as  më pak dhe as më shumë,po njëmijë lekë. Se,- mendon tija, epo për dy lekë nuk bëhet kiameti dhe qy,Petroja, do më thotë:- Na, t’i hash gëzuar,se nuk thyhet mijëshja për dy lekë. Epo, kësaj mendjes sate, more dhaskal, ne i themi, ta bësh hesapin pa e pyetur hanxhinë. Tregtarët, dhaskal  (ta kesh si xhevap nga una), janë të regjur me vaj e me uthull: tregtari është si  ai ushtari që kur niset për luftë,e mbush pushkën plot dhe hap zjarr: mbi të shkurtër e mbi të gjatë. Qëllimi i tij: vetëm të shpëtojë kokën. Kështu dhe tregtari: e ka arkëzën plot.Dhe atje, vinë “të shkurtër” e të “gjatë” dhe qy (ky) nuk i thotë dot jatrit(tjetrit),prit pakëz nashti se  do vete të huaj pakëz gjakund. Aha, kështu nuk bën dot prokopi. Imëni, urdhëro nëndqindë e nëntëdhjetë e tetë lekë dhe të m’i hash gëzuar ftonjët! Ky pazar imi, kur nuk kisha pyetur për”hanxhinë”, është bërë para ndërrimit të parave (ndërrimi është bërë në vitin 1964) dhe unë kurrë nuk  e harroj atë “tregtarin” PETRO që, në”sojin” e tij, ishte i përpiktë si sahat “Omega”.

                                             *     *     *
Më së fundi, aty mbas viteve ’70-të të shekullit të kaluar, edhe fshati malor N… u bë kooperativë. Po të bëje historinë e këtij fshati,gjenalogjikisht ata kishin dalë nga një trung familjar dhe,sado gjatë kohës arritën aty te 70 familje,e dinin mirë lidhjen e gjakut mes tyre. Këtë lidhje e ruajtën me fanatizëm dhe asnjëherë nuk ndodhi që mes tyre të lidhej një krushqi. Tani u bënë kooperativë dhe, nëse deri dje, punonte secili për vete, nga sot e tutje “Çeçua kishte biçak” dhe do  ta hidhje vallen sipas muzikës që kurdiste”Çeçoja”. E donte puna që një nga anëtarët e kooperativës,duhet të merrte paratë e kooperativës (nga shitjet që bëheshin brenda ditës) dhe t’i dorëzonte në bankën e qytetit. Sado që ishin të një gjaku, edhe mes tyre doli ndonjë besëfikur apo  dhe ndonjë që kish dorë(hajdut) dhe për paratë duhej një njeri i papërlyer. U mblodhën dhe njëzëri vendosën: HAMZA BABAXHANIN. Më të ndershëm nuk kishin si gjenin njeri tjetër. U vendos dhe xha Hamzaj,çdo ditë shalonte mushkën dhe zbriste në qytet për të dorëzuar paratë. Kjo ishte “detyra e shtëpisë” dhe ai punës i rrinte mbi kokë. Por i ligu,- tregonte xha HAMAZAJ,- të bën atë që nuk ta pretë mendja. Je,se ç’më ndodhi një ditë. Ashtu siç i mora lekët,shkova t’i mbyllja në bankë. Kurrë nuk kisha dalë as dhe një lek eksiq ( mangët). Kur më thotë ky, arkëtari:- Xha Hamza ky dylekshi (ishte metal) është i shpuar dhe nuk shkon. Nuk ta marrë.
– Po mua,- i thashë kështu ma  dhanë.
-Jo,jo,- po shko e ngjite tek kallajxhiu.
Desha nuk desha,shkova tek  kallajxhiu. Ky e ngjiti… epo për punën duhej paguar, ndaj e pyes:
– Sa të bën haka?
-Pesë lekë,- tha ai, si me të qeshur.
Nxora dhe pagova pesë lekë dhe atij “shtiranikut” të bankës i dorëzova dhe dylekëshin e ngjitur.
Por historia nuk mbaron me kaq. Kur çova faturën e bankës në llogari, u thashë:- Dua pesë lekë se i pagova nga xhepi? Ata jo vetëm nuk m’i dhanë, por u shkrinë së qeshuri:-O xha Hamzai, për dy lekë pagoi pesëlekë dhe ranë përmbys. Kësaj i thonë:”Mirë gomari që më ngordhi, po mizat pse s’më lënë rehat?!”.

 

                         Tiranë,14 korrik 2018

 

 

Comments

comments

-----