Futbollistët e zemrës

Emocionet pozitive të  Kupës së Botës 2018

Nga Gjekë Gjonaj

 

Pavarësisht se në kampionatin e sivjetshëm botëror të futbollit, i cili po mbahet në Rusi, nuk marrin pjesë asnjëra prej dy shteteve shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët në Malin e Zi, sikur të tjerët kudo që ndodhen, vazhdojnë ta përcjellin me shumë interesim dhe me të emocione të njëjta pozitive Edhe ne shqiptarët, ashtu si një pjesën më të madhe të Botës, u përfshimë nga spektakli dhe ndjenjat futbollit. Kjo për arsye se në këtë kampionat shkëlqyen yjet e futbollit shqiptar, Granit Xhaka, Gjerdan Shaqiri, Blerim Xhemaili dhe Valon Brehami, të cilët luajtën për Kombëtaren e Zvicrës dhe Adnan Januzaj për përfaqësuesen e Belgjikës. Pra, ky Botëror mund të quhet fare mirë Botërori i shqiptarëve. Këta futbollistë me gjakun shqiptar shënuan gola spektakolarë ndaj Serbisë, ndaj Kostarikës dhe ndaj Anglisë, duke u bërë kështu vendimtarë në sukseset e Zvicrës dhe Belgjikës. Me këto gola perlë lojtarët me origjinë shqiptare u dhuruan shqiptarëve ngado që janë emocione të forta, adrenalinë të shtuar dhe kënaqësi të madhe. Dorën në zemër këta futbollistë na bënë krenarë që jemi shqiptarë. Ata na bënë krenarë edhe për faktin se Kosova si shtet i ri mund të japë kaq talentë në futboll, që luajnë edhe për ekipe të tjera të dëshmuara në kampionate evropiane e botërore. Gjithsesi krenaria jonë kombëtare u shtua shumë herë më shumë, kur dy futbollistët me kombësi shqiptare Shaqiri e Xhaka festuan golat duke bërë shqiponjën e flamurit shqiptar. Nga ana tjetër ky emocion që kishte përtshirë Xhakën e Shaqirin, duke bërë me duar shqiponjën dykrenare- simbolin e shqiptarëve, ngjalli revoltë jashtëzakonisht të madhe tek Kombëtarja e Serbisë, e cila u eliminua nga kjo garë faktikisht nga shqiptarët. Me kërkesën e tyre FIFA nisi procedurat disiplinore ndaj dyshes Shaqiri- Xhaka, të cilat, për fat të mirë, përfunduan pa suspendimin e tyre.

Natyrisht se u bëmë krenarë e u ndijem shumë mirë kur këto yje të futbollit shqiptar zunë faqet e para të gazetave më të njohura sportive evropiane e botërore. Gazeta e mirënjohur zvicerane “Tages Ainziger” ka bërë një reportazh në Kosovë, vendi prej të cilit e kanë prejardhjen yjet më të mëdhenj të kombëtares zvicërane të futbollit, në prag të ndeshjes Zvicër-Suedi. “Hajde Zvicër !” Kështu thërrasin banorët e këtij fshati”, shkruan Ainziger në tekstin për fshatin Zhegër, fshat nga i cili e ka prejardhjen Gjerdan Shaqiri, i cili bashkë me Xhakën, Januzin , Xhemaili dhe Brehamin, u bënë ambasadorët tanë më të mirë në krejt botën.

Këta futbollistë, sikurse shqiptarja më e famshme Nëna Tereze, shkrimtari Ismail Kadare, sopranoja Inva Mula, aktori Janes Belushi, nobelisti me baba shqiptar dhe nënë amerikane Ferid Murati, fotografi Fadil Berisha, arkitekti Karl Gega, muzikantet Ana Oxa, Rita Ora e Dua Lipa, supermodelja Emina Çunmulaj, futbollisti Lorik Cana, xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova, na nderuan me lojën e tyre të sukseshme .

Ju lumtë futbollistë shqiptarë të Kombëtares së Zvicrës dhe Belgjikës! Sepse dëshmuat se dini të luani shkëlqyeshëm futboll. Dëshmuat se jeni profesionistë. Njëheri edhe patriotë. Edhe atëherë kur nuk i mbroni ngjyrat e Kombëtares së Kosovës e Shqipërisë, në zemër keni flamurin kuqezi dhe himnin kombëtar.

 

Comments

comments

-----