BULEVARDI I PORTOKALLEVE

 

Nga Luan Çipi

 

Kur u ndërtua për së pari, ishin vitet e halleve,

Vendi i dalë nga lufta, gjithçka e shkatërruar,

Koha e pagëzoi: “Bulevardi i Portokalleve”,

Shëtitore e bukur, për Vlorën dhuruar.

Me adhurim, Kristo Papajanin kujtonim,

Krye vlonjatin e parë, mendje ndritur,

Nga Vlora në Skelë, të lumtur udhëtonim,

Krenar për qytetin, ku ne kishim lindur!

Shkuan tridhjetë vite, rruga u zbukurua:

U zgjerua, u gjelbërua e anash me trotuar,

Portokallia me palma, gjithandej u ndërrua,

Hijeshi të tillë, kund nuk kishim parë!

Veç tani sodisim gërryerjet, si me dhëmbë,

Bulevardi, po kthehet në tjetër lloj shëtitore,

Kopjo e Lungomares, të ecim më këmbë,

Më pak automjete, më shumë këmbësorë!

Unë qajë si poet, pëshpëritë me vete:

Po e teproni vëllezër, qoftë nga dashamirësia,

Nuk ka ardhur koha për këto salltanete,

Ka halle të tjera Vlora dhe Shqipëria:

Ndaloni fekalet, që derdhen në det,

Për Kaninë e Fier, ndërtoni bajpaset,

Ujë cilësor të pijshëm, kudo le të ketë,

Rruga “Lumi Vlorës”, sa me shpejt të qaset.

Vlorë, më 10.07.2018

 

 

Comments

comments

-----