Dom Ndre Mjeda, Liriku historik dhe gjuhëtari i shquar

Esse nga Luan Çipi

 

Ndre Mjeda lindi në Shkodër më 20 Nëntor 1866 në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë dhe vdiq po në Shkodër, më 1 Gusht 1937. Ishte i biri i Jakut të Zef Kryeziut dhe Luçijes së Shtjefën Thaçit dhe banonin në rrugicën “Krroqej”. Ai ishte filozofi, psikologu, poeti, mësuesi, kritiku, analisti, etnogtafi, politikani dhe më së shumti ai që na dha qetësinë e rrëfimit dhe të besimit. E ç’mund të linte më shumë një hero i vërtetë i letërsisë sonë, veç vargjeve monumentale të rralla?

I mbetur jetim nga i ati herët, me përkrahjen e jezuitit At Jung, u regjistrua me të vëllain, Lazrin,  në kolegjin saverian të porsahapur. Atje studioi nga 5 prilli 1877 deri më 1880. Në edukimin e tij patën ndikim Ndue Bytyçi dhe Leonardo de Martino. Shoqëria e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e specializime, në disa shtete. 

Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias. Në fillim ndenji tre muaj në pranverën 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien, sot në qarkun Mayenne të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian “Porta Coeli” në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 gjendej në Porto Re, duke studiuar retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit.

Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në kolegjin “Marco Gerolamo Vida” në Kremona, që drejtohej nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.

Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen.

Më 1893 gjendej në Goricia, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës.

Më 1898, për arsye fërkimesh mes Vatikanit dhe Perandorisë Austro-Hungareze, Mjeda, u përjashtua nga Shoqëria e Jezuitve.

Më 1899 e abatit Doçi, u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë “Bashkimi”. Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë “Agimi” i përkrahur edhe nga Xanoni e Logoreci.

Shkurtin e 1902 i dërgon një letër konsullatave të huaja për kërkesat që kishin kryengritësit mirditorë në atë kohë. Nga 17 marsi i 1905 deri më 15 mars 1906 shërbeu si famullitar në Dajç, dhe më pas në Kukël. Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë “Agimi”, mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit.

Ishte dhe kontributi i Mjedës në Kongresin e Manastirit që na dha një alfabet shqiptar. Më jep një alfabet, të të jap një gjuhë, thotë çdo njeri në botë! Kishte në krah Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin, Mati Logorecin. Dhe misioni ishte shumë fisnik: Të njësoheshin të dy dialektet e shqipes.

Luan Çipi

Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, Ndre Mjeda, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit. Kukli i njohur si Cucculi qysh në Mesjetë, është një fshat i vogël diku ndërmjet Lezhës e Shkodrës, i cili shtrihet në fushën e Zadrimës deri në shpatin e këndejmë të malit të Kakarriqit. Kísha e ngjitur pak në shpat, prej ku “lahet” me shikim krejt fusha, është ndërtuar para 100 e ca vjetësh; në vitin 1906 është projektuar dhe ka nisur ndërtimi i saj dhe ka përfunduar në vitin 1913 prej famullitarit të atëhershëm të katundit, Dom Ndre Mjeda. Po në këtë kohë është ndërtuar dhe shtëpia e banimit, (qela) sot shtëpi muze. Aty në Kukël ai shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij-perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra” shkroi librat e gjuhës shqipe për nxënësit; aty ka vijuar të këmbejë korrespondencën me Gustav Majerin e albanologë e gjuhëtarë të tjerë miq të tij evropianë. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve1921-1924 kur qe deputet i parlamentit të parë shqiptar …

Në maj të 1917 Ndre Mjeda, ndërmori një ekspeditë shkencore tri javore në qytetin dhe krahinën e Elbasanit për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, që Komisia kishte vendosur të ishte baza e shqipes së njësuar.

Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës,  u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor 1921 u caktua në Komisionin parlamentar të Drejtësisë.

Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë. Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të Në historinë e Shqipërisë mungonte tashmë një tjetër kontribut i Mjedës, ai i politikës. Edhe pse lexonte shumë dhe i njihte se si funksiononin të gjithë mekanizmat e kohës, ishte i vonuar në këtë drejtim. Me gjithë këtë, duke pasur simpatinë e qarqeve përparimtare dhe të popullit, ai për mjaft kohë u bë deputet i Shkodrës, mandej nga ata deputetë që dinin sa e sa gjuhë dhe e njihte një Evropë e tërë, se shkonte dhe vinte me libra në duar dhe vepronte si një reformator e gati revolucionar, duke u dalluar në jetën kulturore të një kombi kaq të uritur për dituri, si ishte kombi shqiptar.Dhe ishte pikërisht në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) , kur Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës. deputetëve, si dhe funksionimin e tij.

Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes.

Pas Lëvizjes jetëshkurtër të qershorit dhe rikthimit të Zogut, tek po bëhej gati të shkonte me autobus në Tiranë që të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925.

U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër.

 Ndërroi jetë më 1 Gusht 1937, nga një atak në zemër.

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët qysh gjatë viteve studentore, Poema e njohur romantike “Vaji i bylbylit”, u shkrua më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar). Në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin për ndikim nga paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Ndonëse vepra mbështillet me tisin e hollë të melankolisë, i kuptueshëm për moshën dhe për gjendjen shpirtërore në të cilën u shkrua, përfundimi i saj është thellësisht optimist, pasqyron ligjin filozofik të përparimit të jetës, që frymëzon edhe besimin në të ardhmen e Shqipërisë. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha ‘`Juvenilia”, ai shkroi, por nuk botoi gati asgjë.

Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si “Liria” (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe dëshira e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t`u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj.

Në poemën e njohur “Andrra e jetës”, nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në skaj të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin zhytur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri. “Andrra e jetës”, megjithëse trajton një rast të veçantë, pasqyron tragjedinë e fshatarësisë shqiptare dhe dëshirën e saj të zjarrtë për një jetë më të mirë. Titulli i veprës ka një kuptim të thellë. Me këtë poeti s`ka dashur aspak të thotë se jeta është një iluzion, veçse jeta për të varfëritë mbetet një ëndërr e parealizuar. Poema pra, në thelb është realiste me një gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të rënda të shoqërisë së kohës: mjerimin që mbyste sa e sa jetë ende të paçelura (fati i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante nënën nga e bija dhe e mbërthente të parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes). Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është një protestë e heshtur. Por jo më pak i fortë është fakti që, kur heroi ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën të kërkojë ngushëllim në iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të saj të padrejtë. Personazhet në poemë janë të gjalla e tipike dhe kanë një logjikë të brendshme në përputhje me mjedisin ku jetojnë e veprojnë. Trina sapo është vizatuar, meqenëse edhe në jetë nuk arrin të zhvillohet si karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë e kryen rolin e vet. Me fati e saj është përgjithësuar fati i tërë atyre fëmijëve fshatarë që vdisnin para kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e vështira të jetës.

Zogën e shohim në zhvillim: në fillim fëmijë naiv, që nuk kupton ç`ka ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me ëndërrimet karakteristike të moshës së saj. Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime ajo është vajzë malësore tipike, e thjeshtë, punëtore, po edhe e aftë për ndjenja të thella e të fuqishme, që shokun e jetës e përfytyron “me rrip rreth brezit, me një gjashtare e një kacatore”, pra, para së gjithash, trim.

Lokja është tipi i gruas malësore, punëtore, vetëmohuese, nënë e dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar tërë barra e familjes, se burrat i shuante pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti. Ajo sakrifikon rininë që të rritë të bijat, dhe është e lumtur, nuk jepet përpara vështirësive të jetës (të kihet parasysh qëndrimi me të vërtetë burrëror me të cilin mposht vdekjen e Trinës, kur mundohet të ngushëllohet me mendimin e jetës së nënshtruar të gruas në familjen patriarkale).

Mesazhi që përmban kjo figurë, është lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të japë asgjë. Dhe në fund të fundit ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën të aftë për të jetuar dhe për t`ia përcjellë një qenieje tjetër flakën e jetës.
“Andrra e jetës” pasqyron dashurinë e poetit për fshatarësinë e varfër, admirimin e tij për tiparet e larta morale të njerëzve të thjeshtë, në veçanti të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda nuk depërton në shkaqet shoqërore të dramës së heronjve të vet, as nuk mendon për rrugën e ndryshimit të gjendjes. Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive të jetës, në të ardhmen. Tek “Andrra e jetës” ka tragjizëm, po jo mohim të jetës. Së ardhmes poeti i këndon nëpërmjet Zogës, e cila arrin të realizojë ëndrrën e vet për lumturi, megjithëse brenda kuadrit të ngushtë familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim simbolik.

Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor të poemës. Tërë pjesa e dytë është himni më i zjarrtë dhe bukurinë e saj. Në mendjen e lexuesit dy tablotë e dhimbshme të pjesës së parë e të fundit shkrihen në tablonë madhështore të nënës që mban në krahë fëmijën, simbolin e vazhdimësisë së jetës.

Merita më e rëndësishme e “Andrrës së jetës”, e parë në kuadrin historik, qëndron në dhënien e tablosë realiste të mjerimit në malësinë shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë të malësorëve ishte në mënyrë të tërthortë një akuzë kundër shoqërisë së kohës.

Nga ana artistike “Andrra e jetës” është një nga veprat më të përsosura të poezisë sonë. Ajo shquhet për atë thjeshtësi të mrekullueshme të subjektit dhe të stilit që karakterizon kryeveprat. Thellësia e mendimit shkrihet këtu me njomësinë e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me forcën përshkruese. Lakonizmi është i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për jetën dhe për dashurinë, skaliten tre personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra të forta e të qarta mjedisi malësor. Figuracioni është sa i thjeshtë, aq i pasur dhe kuptimplotë. Gjuha e poemës (shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje të krahinave përreth), është e larme, shprehëse, e saktë, e begatë me fjalë të rralla.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes kërkesa të larta dhe tregoi historisë së lashtë të dy qyteteve, shprehet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin që sundonte vendin. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vende dhe vjershat për fëmijë. Ai la edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi etj. 

“I tretuni” dëshmon për një pjekuri më të madhe ideoartistike. Melankolia e “Vajit të bylbylit” këtu është shndërruar në dhembje krenare, stoike, e cila shprehet më së miri nëpërmjet paralelizmit me natyrën në shtrëngatë, që e hap poemthin.
Ndryshe nga poemthi i parë, ky ka një subjekt të dhënë në forma lirike: fatin e një atdhetari shqiptar, të internuar nga pushtuesit. Poeti do të ketë menduar se ky mund të kishte qenë edhe fati i tij. Në këngën e parë që përshkruan ndarjen e të mërguarit me qytetin e lindjes, Shkodrën dhe me atdheun, duken qartë elementët autobiografikë. Po Mjeda nuk mbeti në shtjellimin e thjeshtë të një materiali jetësor; ai diti ta përgjithësojë e t`i japë vlerë aktuale. Heroi i poemthit është një fshatar i varfër. Dhe tek zgjedhja e një protagonisti të tillë, ndihet dashuria e Mjedës për masat fshatare, ndjenjë që do ta shtyjë gjatë tërë krijimtarisë së vet t`i zgjedhë heronjtë nga radhët e fshatarësisë. Te “I tretuni” ndeshen figurat dhe mjetet e njohura romantike të pasqyrimit të realitetit si: ngjyrat e forta në përshkrimin e natyrës, stuhia në pjesën e parë, që ka edhe një kuptim simbolik, bregdeti i ashpër shkëmbor, ku ka qëndruar heroi duke kujtuar atdheun, ndonjë simbol, si lejleku që e lidh me vendlindjen. Këtu gjenden edhe elemente të riprodhimit besnik të mjedisit, nëpërmjet kujtimeve të protagonistit dhe sidomos vizatimi i figurës së nënës. Lirizmi dhe epizmi shkrihen në mënyrë të harmonishme. Variacioni në vargje e strofa pasqyron botën shpirtërore të trazuar të protagonistit. Poemthi mbyllet me një frymë të lartë burrërore dhe optimiste: heroi nuk pendohet për rrugën e zgjedhur, po është krenar se vuan për hir të atdheut. Nëpërmjet figurës së nënës “të treturit” që del në këngën e fundit, lartësohet figura e nënës shqiptare, e dhembshur dhe kreshnike, që rrit bij trima dhe atdhetarë. Që në këtë poemth të hershëm shohim atë që do të jetë një meritë e rëndësishme e veprës së Mjedës: pasqyrimin e denjë të figurës së gruas shqiptare, veçanërisht si nënë. Ndër lirikat e ndryshme të përfshira ose jo në veprën “Juvenilja” ka një varg vjershash me të cilat poeti ndjek traditën e Rilindjes ku himnizon bukuritë e atdheut (“Malli për atdhe”, “Mikut tem Pal Moretti”), duke i kënduar gjuhës si mjet zgjimi të ndërgjegjjes kombëtare (“Gjuha shqipe”), ku i kushton një vëmendje të veçantë problemit themelor të luftës për pavarësi, që ishte bashkimi i shqiptarëve (“Bashkonju”, “Shqypes arbnore”).

Mjeda, gjithnjë në vazhdën e Rilindjes, ngre lart figurën e heroit kombëtar, si simbol bashkimi dhe burim besimi në fitore. (“Vorri i Skanderbeut”, “Shqypes arbnore”, “Bashkonju”, “Për një shkollë shqype mbyllun prej qeverisë otomane”, “Mikut tem Pal Moretti”, “Mikut Pal Moretti”, “Lisus”, “Liria”), duke theksuar në këtë poemë të fundit lidhjen e thellë të Skënderbeut me popullin, me masat fshatare. Në vjershën “Mikut Pal Moretti”, Mjeda jep një gjykim të drejtë e të mprehtë jo vetëm për rëndësinë e Skënderbeut, si shpëtimtar i qytetërimit evropian, po edhe për politikën dredharake të fuqive të mëdha të Evropës së kohës së vet, që, për interesat e tyre, mbanin në këmbë perandorinë e kalbur osmane. Që në këtë vjershë romantike atdhetare vihen re nota shoqërore. Motive shoqërore janë vënë në bazë të dy vjershave të “Juvenilias”: “I mbetuni” dhe “Shtegtari”. Aty preken dy plagë të dhimbshme të Shqipërisë së kohës si: kurbeti dhe qëndrimi mospërfillës i klasave të pasura ndaj njerëzve të thjeshtë të popullit, bartës të luftës për çlirimin e vendit. Po trajtimi i këtyre problemeve nga pozitat e romantizmit me gjurmë sentimentalizmi dhe fryma e humanizmit kristian që i përshkon vjershat i ka zbehur deri diku dhe ka bërë që këto vjersha të mos kenë forcën e vjershave realiste të Çajupit dhe të Asdrenit, me të njëjtën tematikë.
“Lisus” (botuar më 1921) dhe “Scodra”(1940) janë vepra, ku thelbi romantik vishet me një formë klasiciste. Këta dy poemtha liriko-epike karakterizohen nga një stil i kërkuar dhe retorik. Poeti himnizon këtu të kaluarën e lashtë të popullit tonë (te “Lisus” përmes materialit historik, kurse te “Scodra” nëpërmjet legjendës). Interes ka te “Lisus” paraqitja e figurës së Skënderbeut, që poeti ka dashur ta bëjë sa më njerëzore.
Origjinaliteti dhe fuqia e vërtetë e talentit të Mjedës kanë gjetur shprehje në krijimet ku ai arrin në realizëm, si në vjershën “Mustafa Pasha në Babunë”, në poemthin “Liria” dhe në kryeveprën e tij “Andrra e jetës”.

Tek e para, duke u nisur nga një fakt historik, tradhtia e Mustafa Pashë Bushatlliut, poeti ka tipizuar me forcë, duke e përshkruar “mbi thasë të florinjve, ndër valle jevgash” figurën e feudalit të zvetënuar, anadollak, parazit, që është kurdoherë gati të bëjë flì interesat e atdheut për të vetat. Vjersha merr kështu një kuptim të gjerë përgjithësues, duke tingëlluar si akuzë e fuqishme kundër të ashtuquajturve atdhetarë, përfaqësues të shtresave të larta, që përfitonin nga sakrificat e popullit. Figurës së Mustafa Pashës poeti i kundërvë masën e fshatarësisë së ngritur në këmbë për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë zëdhënës i urrejtjes së saj kundër feudalit tradhtar.

“Liria”, poemthi epiko-lirik, i ndërtuar me tingëllima, me problematikë politiko-shoqërore, është, ndoshta, vepra e Mjedës që ka ide më të fuqishme. Në të ndihet jehona e kryengritjeve të malësorëve të Veriut më 1911, që tingëllon me forcë që në vargjet e para:

“Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcia” dhe vjen duke u rritur nga një tingëllimë në tjetrën. Poeti frymëzohet nga lufta për pavarësi e amerikanëve kundër kolonizatorëve anglezë, që ishin edhe pronarë tokash, dhe ua tregon shqiptarëve si shembull. Në mbylljen e poemës, ku paralajmërohet shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare nëpërmjet një mjeti të dashur për rilindësit, paraqitjes së hijes së Skënderbeut, që ngrihet nga varri. Poeti thekson se heroi kombëtar shkon “Ksollë për ksollë”. Në këtë poemth ka vargje që dëshmojnë për afrimin e Mjedës me idetë demokratike. Kështu, ai pohon se kryengritësit mundën “kështjellat atnore”, gjejmë aluzione për shfrytëzimin e fshatarësisë (…s`ka me dalë ushtari me i grahë bulkut si kaut me sjeçe t`begut”). Këto mund të dëshmojnë se Mjeda e sheh lirinë të fituar prej amerikanëve jo vetëm në plan kombëtar, po edhe në plan shoqëror dhe shpreson se populli shqiptar do të shkundë shfrytëzimin e egër bashkë me zgjedhën feudale.

Në këtë poemë shkrihen konçiziteti dhe forca shprehëse. Krahasimet dhe antitezat janë tronditëse (“lirinë e keni ju/ ne hekra kemi…”, “Posi berra që bleu mishtari vemi”). Romantizmi ia ka lënë vendin një realizmi ngjethës, një pasqyrim plot dramatizëm të gjendjes së atdheut.

Vargu është njëmbëdhjetërrokëshi, i cili krijon atmosferën e madhërishme, përdorimi i bartjeve i jep dinamizëm stilit dhe shoqëron alternimin e ndjenjave dhe të mendimeve. Lloji i zgjedhur i organizimit të vargut në tingëllima i disiplinon shpërthimet lirike. Gjuha është e pasur, megjithatë veçoritë krahinore e vështirësojnë leximin e lirshëm.

Me alfabetin e shoqërisë “Agimi”, me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike me kroatishten si model, Mjeda dhe Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda.

Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe).

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme.

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Ndër bashkëkohësit e Rilindjes, Mjeda kishte letërkëmbim me Nikolla Naçon, të cilit i shprehte dëshirën që ta ndihte të lidhej me rilindas të tjerë.

Mjeda u interesua që herët për veprën e albanologëve që bënë studime e botime mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kësodore pati një letërkëmbim të rëndësishëm me Meyer, Pedersen, Thomsen, Thurneysen, Krymbacher, Kretschmer, Bloomfield, Brugmann, Tagliavini, Patsch, Jagiq, Nachtigal, Skok, Jokl, Reinisch, Karabacek, Mueller, Schroeder, Jarnik, Lambertz, Meillet, Viezzoli, Valentini, Cordignano, Teza, Nopça, Thalloczy dhe Weigand.

VEPRAT:

Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit) përkthim. Romë, 1888.

T’perghjamit e Zojs Bekume (Vëgimi i Zonjës së Bekuar) përkthim nga spanjishtja. Romë, 1892.

Historia e shejtë përkthim nga “Katekizmi i madh” në tre vëllime dhe jetëshkrim i Shën Luigj Gonzagës.

Juvenilia – botim poemash. Vienë, shtypshkronja Gj. M. Vernay, 1917.

Lissus – libërth, poemth liriko-romantik me 12 sonete.

Për këtë jetëshkrim u shfrytëzuan materiale nga interneti, si Wikipedia dhe shkrime nga Mentor Quku, Dom Nik Ukgjini,, Klajd Kapinova, Gjovalin Shkurtaj, Klara Kodra,, Tonin Çobani, Alfred Çapaliku, Mustaf Ibrahimi, Mimoza Pirku, Brikena Smajli, etj.

.

 

 

Comments

comments

-----