Skifteri kundër Pëllumbit: Më vodhe “Dy krisma në Paris”

Nga Skifter Këlliçi

 

Në zërin PËLLUMB KULLA që përfshihet në Fjalorin Encikopedik Shqiptar”, (vëllimi i dytë, faqe 1409) , botim i Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë, (2008), midis të tjerave, kur përshkruhet krijimtaria e tij letrare, theksohet se drama  “Dy krisma në Paris”, vënë në skenë nga Teatri “Bylis” i Fierit, më 1980, është origjinale, shkruar në bashkëpunim me një autor tjetër.

Nuk është aspak e vërtetë.Në artikullin “Plagjiatura si vjedhje e pronës intelektuale të tjetrit”, regjisori dhe dramaturgu i njohur, Mihal Luarasi, veç të tjerash, i referohet kësaj drame. Pasi nënvizon se një dramaturg i ri pati shkruar dramën me titull “Mbarimi i shkollës, fillimi i shkollës”, poshtë të cilit kishte vënë edhe emrin e autorit të tregimit  nga ku ishte mbështetur sadopak që të shkruante dramën në fjalë, ai nënvizon:

“Vite më vonë  ai bashkë me një tjetër shkruan dramën “Dy krisma në Paris” dhe për çudi harruan të bënin të njejtën gjë, kur dukej sheshit se vepra e tyre kishte “huajtur” shumë nga romani i Skifter Këlliçit “Atentat në Paris”, një harresë e pajustifikueshme që shkaktoi reagime në atë kohë”. (Mihal Luarasi, ”Kujtesa që nuk fle,”, shkrime për teatrin dhe arte të tjera, Shtëpia Botuese “Vatra”, 2006 , faqe 215).

Nuk është aspak e vëshirë të kuptohet që autori i këtij artikulli e ka fjalën në këtë rast për Pëllumb Kullën dhe një shok tjetër të tij, sepse vetëm ata dhe askush tjetër janë autorë të kësaj drame.

Siç kam shkruar vite më parë, më vjen shumë keq të shkruaj përsëri për këto plagjiatura, (fjala plagjiaturë, siç vë në dukje Luarasi në këtë artikull, rrjedh nga fjalët latine “plagium” dhe “plagiarius”, që do të thonë grabitje dhe grabitës), grabitje pra, që janë të pashembullta në letërsinë shqipe.

Besoj se P. Kulla do ta këtë lexuar artikullin e lartpermendur dhe shumë domethënës të  Luarasit, në vitet ’60-të edhe pedagog i tij në Institutin e Lartë të Arteve në vitët 60-të dhe pastaj koleg i tij. Si pasojë, nuk e kuptoj se si ky autor i njohur në fushën e letërsisë dhe arteve, të cilit , ndonëse iu dha mundësia të studionte në këtë institut për aktor, (që kurrë nuk u bë i tillë, se nuk tregoi talent, kur nuk duhej të pranohej, sepse sipas regullores nuk kishte mbaruar Liceun Artistik, por Politeknikumin “7 Nëntori”), emëruar së pari  regjisor i Estradës së Vlorës, pastaj të Fierit, ku drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës e transferuan, meqë aparatçikët dogmatikë të Komitetit të Partisë në Vlorë  e luftuan, aq sa aty nga viti 1975 e dërguan për disa muaj të punonte në  prodhim; pastaj përsëri, falë kujdesit të kësaj ministrie dhe miratimit të Komitetit Qendror të PPSH-së, nga gjysma e dytë e viteve 1980, u emërua  edhe  pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, duke qenë edhe bashkëpunëtor i ngushtë i emisioneve humoristike në RTVSH dhe në revistën “Hosteni”,  (fakte që dëshmojnë se “nuk ka vuajtur nga regjimi komunist”), ky regjisor, tashmë pedagog, që pas ardhjes së PD-së në pushtet u zgjodh në organet drejtuese te Partisë Demokratike, për të arritur të bëhej prej saj atashe kulturor në Gjermani, pastaj më 1994 të emërohej edhe ambasador i vendit tonë në… OKB, deri më 1997, (kur nuk kishte përgatitjen më elementare në fushën e diplomacisë), nga ku nuk u kthye në atdhe dhe mbeti në SHBA, siç thanë atëherë – emigrant  politik, pra nuk e kuptoj edhe një herë se përse ky talent  në fushën e humorit të vogël, këmbëngul me të madhe që të mbetet plagjiator, deri në atë pikë, sa pranon që në zërin kushtuar atij në Fjalorin Enciklopedk Shqiptar, siç e pamë më lart, dramën “Dy krisma në Paris” ta mbajë ende si dramë “origjinale”, të shkruar prej tij dhe një autori tjetër.

Por, në qoftë se për Pëllumb Kullën, nuk qenkej  i mjaftueshëm shpjegimi i mësipërm që jep një autoritet i madh i artit dramatik, si Mihal Luarasi, që pohon pra se drama “Dy krisma në Paris” është plagjiaturë, atëherë, me shumë  keqardhje, po e bëj përsëri unë.

Disa nga plagjaturat

Në fillim të vitit 1978, kur po botohej romani im “Atentat në Paris”, dramaturgu dhe aktori i Teatrit Popullor Sheri Mita, me miratimin tim shkroi, një dramë mbi motivet e tij. Dhe duhet thënë të goditur. Por drejtori i atëhershëm i Teatrit Popullor, burokrat dhe i pa aftë, jo vetëm nuk e miratoi, por për “njolla në biografi” e qarkulloi Mitën regjisor në Estradën e Fierit.  Atëherë ai e dërgoi dramën në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Por atje redaksia e dramës nuk e botoi se ishte përshtatje e një romani të sapobotuar. Mita i dëshpëruar më kërkoi se a mund ta shndërronte në vepër origjinale. Ndonëse kjo kërkesë ishte absurde, sepse drama i kishte themelet tërësisht te romani “Atentat në Paris’, pranova. E porosita që të hiqte nga akti i parë figurën e gjeneralit francez, Sarraj, dhe të dy diplomatëve, Santarini, italian, dhe Franulloviç, serb dhe pastaj të ma sillte romanin  që ta rishikoja përsëri. Por këtë ai nuk e bëri kurrë.

Kaluan tre vjet dhe u habita kur dëgjova se Teatri “Bylis”  i Fierit, kishte vënë në skenë dramën…origjinale me titull “Dy krisma në Paris” të autorëve Pëllumb Kulla dhe Sheri Mita dhe se TVSH-ja do ta regjistronte për emisionin “Teatri në ekran”!!! U habita së tepërmi dhe për një arsye shumë të fortë. Së bashku me  një regjisor të njohur në TVSH, më 1981 kishim bërë projektin e një teledrame prej tri pjesësh, prej rreth pesë orësh mbi motivet e këtij romani, aprovuar edhe nga drejtoria e TVSH-së. Mirëpo, duke parë në Fier këtë dramë, drejtuesit e këtij institucioni, pa u thelluar dhe vrarë mendjen shumë, kishin marrë vendimin e mësipërm.

Disa ditë pas premierës së kësaj drame në teatrin “Bylis” të Fierit, Pëllumb Kulla, duke parë reagimin tim, erdhi në Tiranë dhe u takua me mua. Dukej i revoltuar që pretendoja që drama “Dy krisma nëParis” bazohej në motive të romanit tim. I shpjegova se nuk e kisha parë dramën, por më kishte bërë përshtypje se ku i kishte gjetur emrat e dy prej  personazheve të saj- Santarini dhe Franulloviç. Pa iu dridhur qerpiku, m’u përgjigj: “Në Arkivin e Shtetit”.

Qesha  me të madhe për këtë marrëzi dhe i thashë se ata emra i kisha  sajuar unë, ashtu siç ka sajuar, psh., Kadareja  në romanin e tij “Dimri i madh” Besnik Strugën si përkthyes i Enver Hoxhës në Moskë, më 1960. (Më pas vërtetova se as në Arkivin e Shtetit nuk kishte qenë). Shtova se këto personazhe duhej të hiqeshin nga drama, se përbënin plagjaturë.

Nuk e bëri këtë, por emrat e mësipërm i ktheu në… Kazarini e Trifunoviç, sikur të ishin personazhe të krijuara  nga ai. Jo vetëm kaq, por kur iu luta që të më dërgonte një kopje të dramës, më premtoi pa ngurrim, por kurrë kjo dramë, edhe tani që po shkruaj këto radhë, pra gjatë  36 vjetësh, nuk ka rë në dorën time. (Atë pas një viti, pra më 1982 ma dha një aktor i teatrit “Bylis” të Fierit dhe se duke lexuar romanin, disa aktorë  kishin kuptuar mirëfilli se ajo nuk ishte origjinale, por nuk guxonin ta thoshin hapur këtë mendim, nga që i druheshin Kullës, që ishte edhe regjisor i shfaqjes).

Kur lexova atëherë dramën dhe  u habita kur pashë se në të kishte fraza të tëra thuajse  të njëjta me ato të romanit, një pjesë të vogël të të cilave po i rendis më poshtë:

Në dramë:

”…U vra një njeri, zotërinj,u krye një krim. Ja krimineli.Përse e bëri këtë, në emër të kujt? Në emër të popullit të tij? Argument qesharak që nuk mundet kurrrsesi të zbutet nga ligjet tona. (faqe 41).

Në roman:

”…U vra një njeri, u krye kështu një krim…Në emër të kujt e bën ai këtë, në emër të popullit të tij? Argument tjetër i pathemeltë. (faqe 358).

Në dramë:

Esati-Mos m’u përdridh ashtu si gocë haremi, po hape atë kamare e jepi llapës.

Pali-Forcart e Bajram Currit pasi dogjëm  kullën tuaj…

Esati-Kullën time?

Pali-Ja telegrami…

Esati-Na sulmuan në Petrelë, Prezë, Shijak.Sulmi qe i befasishëm..Forcat tona u Toptanëve, të dorëzohet Petrela!…Do t’i var të gjithë në litar, do t’i var në trikëmbësh me kokë poshtë. Ah ,Osman Bali,të hëngërsha gurmazin që e nuk u mbajte!.Të vuri përpara Bajram Curri, mor zuzar!.”

(faqe 27)

Në roman:

-Ç’më përdridhesh ashtu si vajzë haremi?…Fol shpejt,- tha  Esat pasha .

-Esat bej,- nisi të lexonte Pal Terka , -forcat e Bajram Currit pasi dogjën kullën tuaj,në Tiranë, na sulmuan në Petrelë, Prezë,Shijak. Sulmi qe i befasishëm.U detyruam të lemë betejën…

-Qafir! – sokëlliu Esat pasha duke i rrëmbyer telegramin Pal Terkës e duke ia bërë copë e çikë,- të lejosh të digjet kulla e Toptanëve …Ç’trim je ti, Osman Bali! Ah, të të kisha këtu, me dorën time do t’i kisha nxjerrë zorrët jashtë.(faqe 57). 

Nuk dua të zgjatem, sepse  fraza të tilla, e përsëris, thuajse të njejta, ose të ngjashme me ato të romanit, gjenden edhe në botimin e kësaj drame që ai e dërgoi në Shtëpinë e Krijmtarisë Popullore, sepse Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nuk pranoi ta botonte, sepse ishte bazuar në motive të romanit “Atentat në Paris”. Ato  janë të shumta edhe në pjesën e dytë të dramës, që trajton procesin gjyqësor kundër Avni Rustemit, së bashku me personazhin e invalidit Benua, proces për të cilin nuk ka asnjë dokument në Arkivën e Shtetit, dhe të cilin e kam krijuar në roman me hamendje.

Nuk mjaftoi kjo, por në aktin e parë të  variantit televiziv që vazhdon të shfaqet edhe sot, Pëllumb Kulla futi një personazh të ri, gjeneralin Sarraj, në bisedë me Esat pashën dhe mantenutën e tij, Lizetën, në hotelin “Kontinental”, bisedë që e kisha trilluar unë, kur gjatë takimit tim të fundit me Sheri Mitën, siç përmenda më lart, e kisha porositur që ky personazh të hiqet nga drama, sepse ky ushtarak i njohur francez, në qershor të vitit 1920 ishte me shërbim në Algjeri.

Por Kulla s’e bëri qejfin qeder dhe e pa të arsyeshme ta fuste përsëri në dramën “origjinale”, duke ndryshuar vetëm disa fjalë te dialogëve dhe duke rënë kështu edhe një herë kokë e këmbë në motive të plota të romanit.

Sidoqoftë, duke parë që drama me mangësi të mëdha historike, me personazhe të sajuara, kur mund të përfshiheshin përsonazhe të vërtetë, si gazetarët Gaston Rishar dhe Rene Puo që kanë deponuar në procesin gjyqësor, i pari në favor të Avni Rustemit dhe i dyti kundër tij, në mënyrë pra që kjo dramë e dobët edhe artistikisht me një historian që paraqet ngjarjet e saj, figurë krejt parazite që nuk i shton asgjë kësaj vepre, me tabllonë e parë tepër të gjatë dhe të panevojshme, që i rrëmben thuajse një të katërtën e saj, që të ngrihej në nivel shumë të lartë dhe të mbetej në dramaturgjinë tonë, i shkrova Pëllumb Kullës një letër ku i parashtrova arsyet e mësipërme. Nuk pretendoja të isha bashkautor, por të dy autorët, duke rishikuar dramën, mbi bazën e këtyre sugjerimeve, duhej që ta rishkruanin atë dhe natyrisht të pohonin se ajo ishte bazuar mbi disa motive të romanit “Atentat në Paris”.

Jam i bindur se edhe sot do të kishim një dramë dinjitoze, ashtu siç është edhe sot drama “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ose “Kush e solli Doruntinën”, të shkruara  nga Pirro Mani mbi motivet e veprave të njohura me të njëjtin titull të Kadaresë. Por Pëllumbi, i dashuruar pas dramës së tij “origjinale”, nuk mori mundimin të më përgjigjej.

Më 1992 kam takuar në Tiranë Pipi Mitrojorgjin, ish-sekretar i Komitetit të Partisë së Fierit në vitet 1980 dhe kritik i njohur letrar. Edhe ai me keqardhje më ka pohuar se drama në fjalë ishte ndërtuar mbi motivet e romanit tim, por kishte heshtur, sepse me këtë dramë Teatri “Bylis’” kishte fituar çmimin e dytë në Festivalin e Teatrove Profesioniste  të vitit 1981 dhe kjo do të kishte sjellë pasoja të pakëndshme edhe për teatrin në fjalë për Komitetin Ekzekutiv dhe, mbi të gjitha, edhe për komitetin e partisë.

I kam dërguar dhe një material të gjatë, pak a shumë si ky shkrim, edhe Anastas Kondos dhe Dritëro Agollit, atëherë përkatësisht zv. ministër i Arsimit dhe Kulturës dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të dy edhe anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, por asnjeri nuk më pati kthyer përgjigje. Dhe vetëm pas vitit 1990  më shpjeguan se kisha pasur të drejtë, por kishin heshtur…

Pasoja të rënda mbi kurrizin tim

Që nga ajo kohë kaluan shumë vjet. Thuajse e kisha harruar këtë veprim të shëmtuar të Kullës. Mirëpo u shkas ai vetë që ta rikujtoj. Dhe ja se si: Më 1999, i ndodhur tashmë në Amerikë, botuesi i gazetës, “Illyria” në Nju Jork, me rekomandimin edhe të një personaliteti të madh të kulturës shqiptare, vendosi të me bënte redaktor i saj.

Pranova që të mbuloj rubrikat kulturore, artistike, sportive, krahas punës si redaktor gjuhësor, sepse niveli i gazetës në këtë drejtim, linte shumë për të dëshiruar. Po, të mos harrojmë se, ndërkohë, pasi kishte zgjedhur  të mos kthehej në atdhe, Pëllumb Kulla, pra ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, kishte gjetur strehë pikërisht në gazetën “Illyria” dhe madje ishtë bërë edhe… kryeredaktor!..

Për çudi, kur unë, për 40 vjet gazetar, (1959-1999), dhe tanimë  i emëruar redaktor, duhej të nisja punë me 15 qershor të atij viti në gazetën “Illyria”, administruesi i saj, me një ftohtësi dhe përçmim që më habiti, sepse e njihja prej vitesh, më njoftoi në telefon se zoti Kulla nuk donte të bashkëpunonte me mua, sepse nuk  dija… anglisht.(?!). Ishte  justifikim krejt qesharak, sepse unë, pa pretenduar se dija anglisht, isha marrë me një metodë për mësimin e anglishtes, aq më tepër kur kërkohej, që redaktori të kishte disa njohuri  të përgjithshme të kësaj gjuhe dhe jo më shumë.

Por problemi ishte se Pëllumb Kulla do të takohej pas gati dy dekadash me atë, “të cilit i kishte përvetësuar materiale pa skrupull”, siç e pamë edhe më sipër nga romani i tij, për t’i  futur, si pa të keq   në dramën e tij “Dy krisma në Paris”. Dhe, të mos harrojmë se disa ditë më parë i pata shkruar një letër ku i thoja që të harronim mëritë e shkuara, t’i jepnim dorën njeri-tjetrit, që të ngrinim nivelin e gazetës.

Kështu me veprime nga më të pashembulltat, ku Pëllumb Kulla gjeti çuditërisht  mbështetje dhe nga administruesi i gazetës, unë nuk munda të filloja punë tek “Illyria”. Në këtë mënyrë u detyrova të punoja për katër muaj si punëtor ngarkim-shkarkimi në një supermarket të  Miçigenit, ku jetoja me familjen dhe ku nga lodhja e madhe nuk më zinte as gjumi, në një kohë që në gazetë do të isha marrë me rubrikat kulturoro-artistiko-sportive, veç redaktimit të saj gjuhësor.

I shkrova letër Kullës, duke i kujtuar se, po të mos ishte Sotir Peci që ndihmoi Nolin më 1906 të punonte në gazetën “Kombi”, ai mbase do të mbetej për shumë kohë sharrëxhi, siç mbeta unë punëtor në supermarket. Nuk mori mundimin të më përgjigjej.

Botova  një sërë materialesh tek “Illyria”, artikuj, portrete si: “Gjuha shqipe dhe shqiptarët jashtë atdheut”, ”Vlerat gjuhësore në veprat e Kadaresë”, “Loroja i topit, Loroja i të gjithëve”, për Loro Boriçin, “E majta e frikshme e numrit 10”, për Refik Resmjen, “Postblloku i pakalueshëm”,  për Besim Fagun dhe  shkrime të tjera kulturore dhe sportive, për të cilat as që më falënderoi.

Një ditë, kur pashë se s’kisha asnjë shpresë që të punoja në atë gazetë, për shkak të këtij qëndrimi keqdashës të ish-ambasadorit tonë në OKB, i shndërruar… në kryeredaktor gazete, nga Miçigani u vendosa në Boston.

Përfundimi

Në janar të vitit 2000 mora vesh se Pëllumb Kulla ishte larguar nga gazeta… E vërteta ishte se niveli i saj kishte rënë. Ndërkohë, rifillova bashkëunimin me “Illyrinë”. Në nëntor të vitit 2004 botuesi i atëhershëm i saj më falenderoi për këtë bashkëpunim dhe më shprehu keqardhjen për gjithçka që kishte ndodhur nga qëndrimi jo dashamirës i Pëllumb Kullës ndaj meje. Madje më propozoi që tashmë të isha gazetar “Illyrisë”, por për arsye vetjake nuk pranova.

Ja, këto janë hije mbi dritëhijet e Pëllumb Kullës, të cilat, kundër dëshirës, jam i detyruar t’ia  zbuloj edhe një herë  lexuesit, pasi lexova që në zërin e tij në  “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” drama “Dy krisma në Paris” qenka origjinale. Sidoqoftë, si koleg-shkrimtar i uroj të shkruajë vepra edhe më të mira, siç ka shkruar, sepse talenti nuk i ka munguar dhe nuk i mungon dhe për këtë e respektoj. Natyrisht e kam fjalën për komedi dhe drama, dhe jo për skeçe dhe rrëfenja, sepse “Shoku Niqifor”, e vetmja komedi e tij, edhe jo e periudhës komuniste, është shumë skematike dhe ndonjë dramë e kohëve të fundit, me sa di, nuk ka pasur jehonë.

Duke përfunduar  i kujtoj  se edhe tani, ndonëse shumë vonë, do të bëjë mirë t’u  kërkojë kanaleve televizive që kur të shfaqin dramën “Dy krisma në Paris”, poshtë emrit të tij dhe bashkutorit tjetër, të vënë: “Dramë mbi motivet e romanit “Atentat në Paris”. Nuk do të më nderojë mua, por vetveten.

 

 

Comments

comments

-----