Me mirënjohje ndaj një intelektuali nacionalist
Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri
Në Portalin “Tribuna Shqiptare” të datës 04 korrik 2018, studiuesi dhe publicisti i mirënjohur dr. Nuri Dragoi kishte botuar artikullin me titull “Meraku i një patrioti dhe hija e varrezave greke”, me shënimin (Prof. dr. Eshref Ymeri, intelektuali që rri pa gjumë për Shqipërinë).
I jam shumë mirënjohës për mbështetjen publike të qëndrimeve të mia ndaj marrëdhënieve shqiptarogreke.
Dr. Nuriu është një intelektual me një formim të shkëlqyer nacionalist, dëshmi e gjallë kjo e edukatës mjaft të shëndoshë atdhetare, me të cilën e kanë mëkuar dhe edukuar në vazhdimësi prindërit e tij të nderuar, të cilët shqiptarinë e kanë pasur yll karvani gjatë gjithë jetës së tyre. Provë e pastër e formimit të tij nacionalist janë publicistika e pasur dhe librat e shumtë që ka botuar gjatë një periudhe çerekshekullore, pas ndërrimit të sistemit komunist dhe zëvendësimit të tij me një sistem neokomunist. E quaj zëvendësim dhe jo përmbysje, sepse në pushtet erdhën trashëgimtarët e sistemit komunist, të cilët, që prej dhjetorit të vitit 1990, në qëndrimin e tyre ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare, nuk kanë lëvizur absolutisht as edhe një grimë të vetme nga qëndrimet e udhëheqësve komunistë që e sunduan vendin për një periudhë gati gjysmëshekullore. Qëndrimi i udhëheqësve komunistë, me në krye Enver Hoxhën, ka qenë antikombëtar në trajtimin e Çështjes Kombëtare Shqiptare, në përputhje me interesat shoviniste të grekosllavizmit dhe të Evropës Perëndimore, interesa këto të nxitura dhe të mbështetura fuqimisht nga shovinizmi rusomadh, armik i betuar i kombit shqiptar. Ashtu si udhëheqja komuniste, e cila nuk e pati kurrë burrërinë ta shtronte në forumet ndërkombëtare padrejtësinë e rëndë që iu bë kombit tonë në Konferencën e Londrës, edhe trashëgimtarët e saj që kanë hipur dhe kanë zbritur nga pushteti gjatë këtyre viteve të sistemit neokomunist, nuk kanë lëvizur nga piketat e Enver Hoxhës. Madje kanë shkuar edhe më tej: Shqipërinë e kanë shndërruar në një “koloni të pavarur” të Greqisë, duke i bërë kësaj lëshime pas lëshimesh, të cilat nuk mund të vlerësohen ndryshe, përveçse si tradhti kombëtare. Ngritja e varrezave për ushtarët agresorë grekë, marrëveshja e fshehtë për kufirin detar, greqizimi përfundimtar i Kishës sonë Ortodokse Fanoliane, përmes dhënies së shtetësisë Janullatosit, mohimi i Çështjes së Çamërisë, e cila është një Çështje e pastër politike dhe që nuk ka as ndryshimin më të vogël nga Çështja e dikurshme e Kosovës, janë vetëm “maja e aisbergut” të tradhtisë së rëndë që klasa politike shqiptare ka kryer ndaj Çështjes sonë Kombëtare. Edhe dita e dhënies së shtetësisë shqiptare Janullatosit kishte një domethënie të thellë antishqiptare, e cila e lëndon rëndë ndërgjegjen kombëtare të të gjithë atyre shqiptarëve me formim nacionalist. Ajo ishte dita e 24 dhjetorit e vitit 2017, e cila na kujton pikërisht ditën e 24 dhjetorit të vitit 1917, kur shovinizmi grek dhe kisha shoviniste greke na vrau dhe na e masakroi figurën e shquar të shqiptarisë, Atë Stath Melanin. Pra, në vend që klasa politike shqiptare, më 24 dhjetor 2017 të përkujtonte me nderim 100-vjetorin e vdekjes së Atë Stath Merlanit, të masakruar barbarisht nga kriminelët e Athinës, ajo festoi dhënien e shtetësisë Janullatosit nga ana e presidentit Ilir Meta.
Dr. Nuriu, si një publicist dhe studiues i mirënjohur në fushën e marrëdhënieve shqiptarogreke, ka dhënë dhe vazhdoni të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbardhjen e të vërtetave, gjë që unë e kam vënë në dukje në analizën ““Enciklopedia” e urrejtjes greke” (e botuar në internet më 01 mars 2010) që i kam pasë bërë librit të tij me titull “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”, që doli nga shtypi në vitin 2009.
Asokohe, në portalin “Zemër Shqiptare” të datës 08 qershor 2011, më pati lënë mbresa të thella reagimi ndaj analizës sime i zotërisë Përparim Demi, i cili, ndër të tjera, theksonte:
“Thirrja “zgjohu shqiptar” i takon së kaluarës, pasi shqiptarët tashmë janë të vetëdijshëm për tërë historinë e diskriminimit që na është bërë nga Evropa. Në kushtet aktuale thirrja jonë duhet të ketë formën: Ngrihu shqiptar se lufta jonë vazhdon. Këtë betejë e kemi me klasën tonë politike, në radhë të parë, pastaj me të tjerët”.
Ka shumë të drejtë zotëria i nderuar Përparim Demi, por halli është se kush t’i ngrejë shqiptarët më këmbë kundër klasës politike, në kushtet kur inteligjencia shqiptare s’bëhet e gjallë, kur rinia universitare, e cila duhej të ishte “shpuza” e shqiptarisë, është duke fjetur gjumë, kur inteligjencia universitare rri e s’ndihet, kur shoqëria civile, nëse ekziston tani, është e zhveshur nga vetëdija kombëtare? Në rrethana të tilla, klasa politike shqiptare s’e ka për gjë të demonstrojë hapur servilizmin e saj para Athinës dhe Brukselit, servilizëm që nuk mund të interpretohet ndryshe, përveçse si tradhti kombëtare. Dhe kjo me të vetmin qëllim që ajo të rri në pushtet përjetësisht, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, duke i ruajtur të gjitha privilegjet që burojnë prej tij dhe duke bërë të mundur që përfaqësuesit e saj të zenë vend sa më shpejt në ndenjëset e parlamentit brukselian, pa në Shqipëri kiameti le të bëhet!
Tiranë, 05 korrik 2018