DIELLI I LUMTURISË

Nga Reshat Kripa

 

Ulur unë në kafe, rri e rri, e pi pa fund,
Kamarieri djalë i mirë, vjen ngadalë e më lëkund,
A mos keni pirë shumë, i nderuari zotni?
Ngrehuni t’ju shoqëroj, t’ju përcjell gjer në shtëpi.

Fort të falem djalë i dashur, fort të falem djalë i mirë,
Sot po pi për jetën time, jetën time të vështirë,
Më shikon kështu të plakur, më shikon të dëshpëruar,
Zemrën time sakatosur, shpirtin tim të copëtuar.

Edhe unë dikur kam qenë, porsi ty një djalë i ri,
Lozja, qeshja dhe këndoja, ëndërroja dashuri,
Por vampirët ma ndërprenë, ëndrrën e bukur rinore,
Nuk më lanë të gëzoja, jetën time shpirtërore.

Dhe tani që jam i plakur, zemra ime s’po gëzon,
Ajo që unë ëndërroja, nuk e di a egziston,
Nuk e di ku ndodhet vallë, shpirti po e kërkon shumë,
Shqipërinë time të shtrenjtë, Shqipërinë që desha unë.

Desha Shqipëri të mirë, desha Shqipëri krenare,
Ku të sundoj drejtësia, në çdo vatër shqipëtare,
Jo më hienat dhe çakejtë, ujqërit kameleonë,
Që i nxinë jetën kombit, vranë edhe shpresën tonë.

Nuk e di do arrij vallë, atë ditë të bekuar,
Kur në vendin tim të bukur, të lind dielli i praruar!
Por dhe po nuk rrojta unë, atë diell për ta parë,
Ta gëzoni ju të rinjtë, ta gëzojë çdo shqiptarë!

 

Vlorë, korrik 1991

 

 

Comments

comments

-----