Me leksikografin e njohur Prof. Dr. Hajri Shehu

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Para më shumë se dy vjetësh dhe pikërisht më 24 mars 2016, pata botuar në internet një artikull me titull “Një personalitet i heshtur i gjuhësisë shqiptare”. Artikullin ia kushtoja gjuhëtarit dhe leksikografit të njohur Prof.dr. Hajri Shehu. Mes shumë veprave të tij, aty pata përmendur edhe një fjalor me fjalë dhe shprehje dialektore, të cilin asokohe Profesori e kishte në dorëshkrim dhe po e bënte gati për në shtyp.

Në marsin që kaloi, një pasdite u takova me profesor Hajriun në njërën nga kafenetë e Tiranës. Kisha dy vjet e gjysmë pa e takuar dhe më kishte marrë malli. Kam kënaqësi të veçantë kur tani takohem kohë pas kohe me këtë shkencëtar erudit të gjuhës shqipe dhe përkthyes të talentuar të anglishtes. Në atë takim, profesor Hajriu më dhuroi disa libra. Midis tyre ishte edhe fjalori i lartpërmendur me dialektizma, të cilin Qendra e studimeve albanologjike e kishte botuar në vitin 2016, kur unë nuk ndodhesha në atdhe. Fjalori titullohet “Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës”.

Ujemuja është një zonë etnografike dhe gjuhësore e rajonit te Dibrës, në kufi me zonat e Kukësit, në faqen lindore të malit të Korabit.

Për vlerat gjuhësore të kësaj vepre shkencore e kanë thënë fjalën e vet me peshë dy gjuhëtarë dhe leksikografë të njohur, si akademik prof.dr. Jani Thomai dhe prof.dr. Enver Hysa.

Vlera e vjeljes së pasurisë leksikore të dialekteve është e jashtëzakonshme për pasurimin e leksikut të gjuhës së njësuar. Sepse dialektet shërbejnë si “përrenjtë” e shumtë që rendin drejt “lumit ujëplotë” të gjuhës mbarëkombëtare. Prandaj profesor Hajriu në “Hyrje” të Fjalorit thekson me shumë të drejtë:

“Kërkimet leksikologjike e leksikografike e sidomos ato dialektologjike e dialektografike i kthehen gjithnjë e më shpesh gjeografisë së fjalëve. E, fjalorët krahinorë janë edhe gjeografi e fjalëve. Fjalorët krahinorë ndihmojnë të njihen më tej izoglosat leksikore, por edhe fjalë a shtresa fjalësh me kufizime truallsore. Por, më shumë se kaq, fjalorët krahinorë të shqipes, për arsye gjuhësore dhe jashtëgjuhësore që dihen, nxjerrin në dritë lëndë leksikore për pasurimin e mëtejshëm të leksikut të gjuhës së njësuar”.

Dihet që leksiku përfaqëson një sistem dinamik vetëpasurues, i cili është i lidhur ngushtë me realitetin gjuhësor. Leksiku i gjuhës shqipe, duke pasqyruar ndryshimet politikoshoqërore që ndodhin në vendin tonë, karakterizohet nga një mori procesesh të larmishme. Mes tyre, si më aktuali mund të konsiderohet procesi i neologjizimit, meqenëse neogjeneza përfaqëson njërën nga shfaqjet më të rëndësishme të vetë gjuhës si mjet i njohjes dhe i të menduarit. Procesi i njohjes në lëmin e gjuhës shqipe përfshin në vetvete dallimin e atij leksiku krahinorist që vjen e i afrohet gjithnjë e më shumë leksikut të gjuhës së njësuar. Shumë fjalë të leksikut krahinorist hyjnë në gjuhën e njësuar si rezultat i përdorimit të tyre prej shkrimtarëve, gazetarëve dhe publicistëve, të cilët, në pasqyrimin e jetës së popullit tonë, synojnë të përcjellin koloritin vendor, të përshkruajnë karakteristikat gjuhësore të banorëve të zonave fshatare, të nxjerrin në pah veçoritë e të folmes së tyre karakteristike. Le të kujtojmë për një çast se sa mjeshtërisht i përdor krahinorizmat në prozën e vet artistike shkrimtari i shquar Mitrush Kuteli.

Profesor Hajriu ka përballuar një punë mjaft të mundimshme për hartimin e kësaj vepre, rezultat i një punë të gjatë hulumtuese. Fjalori përmban një pasuri leksikore prej më shumë se 9 000 zërash të përdorimit krahinorist. Ai dëshmon më së miri se ç’thesare të pasura prehen në gojën e popullit tone, deri në zonat më të thella të vendit.

Në studimin pasthënës, me të cilin përmbyllet kjo vepër shkencore, Profesor Hajriu bën këtë vlerësim me një domethënie të thellë:

Fjalorët janë si xeherori në nëntokë dhe hartuesit si gjeologët”.

Me interes të veçantë janë rekomandimet që jep Profesor Hajriu për burimet e vjeljes së leksikut popullor krahinor. Sipas tij, si burime të tilla mund të shërbejnë fjalët dhe shprehjet e gjuhës së gjallë të popullit, krijimtaria gojore popullore, përmbledhjet etnografike, etnografike-gjuhësore, etnografike-historike. Si burim tjetër mund të shërbejë arbërishtja, e cila ka mbijetuar në ligjërimin e përditshëm të arbëreshëve, si edhe leksiku i vjetër popullor. Megjithatë, Profesor Hajriu është i mendimit, dhe me të drejtë, se “leksiku popullor ende nuk është zbuluar në thellësi”, se “visari popullor është i pashtershëm”.

Një tjetër libër tërheqës që më dhuroi Profesor Hajriu është vepra me titull “Studime për leksikun dhe leksikografinë e gjuhës shqipe”. Edhe kjo vepër është botim i Qendrës së studimeve albanologjike dhe është hedhur në qarkullim në vitin 2015. Ajo shoqerohet me një analizë studimore të Prof.dr. Thanas Feka. Libri është një përmbledhje artikujsh shkencorë të autorit nga shumë fusha të leksikut dhe të leksikografisë së gjuhës shqipe. Aty janë përfshirë edhe mjaft vlerësime që Profesor Hajriu ka bërë për punime shkencore të autorëve të ndryshëm. Me mjaft interes janë artikujt shkencorë që ai u kushton problemeve të gjuhës së folur të mjeteve të informimit masiv, fjalëve të huaja të panevojshme në mjetet në fjalë, sidomos në gjuhën e televizioneve dhe të radiove tona.

Si një specialist i njohur i gjuhës angleze, Profesor Hajriu, në studimet e veta shkencore, nuk mund të linte pa prekur edhe fushën e përkthimtarisë. Kësaj fushe ai i ka kushtuar një analizë shkencore me titull “Këshilla për një përkthyes të ri”. Përkthimin e letërsisë së huaj Profesor Hajriu e kundron me shumë profesionalizëm nga këndvështrimi i gjuhëtarit-leksikograf, për të cilin pastërtia e gjuhës shqipe dhe respektimi i normave gjuhësore duhet të jenë në qendër të vëmendjes së çdo përkthyesi të ri. Prandaj ai shkruan:

Teksti (që do të përkthehet) është një mesazh i aksh autori. Ky mesazh duhet dekoduar nga aksh përkthyes… Fatkeqësisht, në përkthimet tona gabohet jo rrallë në punë të bashkëlidhjeve të fjalëve e, rrjedhimisht, të gjetjes së barasvlerësit të saktë kuptimor në gjuhën shqipe, për të mos thënë që herë-herë ato tingëllojnë edhe si absurditete” (Revista “Drita islame”, qershor 2017, f. 20, 22).

Më bëri shumë përshtypje një artikull që i kushtohej figurës së Profesor Hajriut në faqet e kësaj reviste. Autori i artikullit shkruan:

Kur e pyeta për një çast Profesor Hajriun se përse harxhohen aq shumë energji për t’i shërbyer mohit, ma ktheu se nuk kishte pasur kohë t’i lexonte përdorësit që i përhapnin, sepse i duhej ajo për punë të dobishme” (Rahim Ombashi. “Në përnderim të alimëve tanë. Profesor Hajri Shehu”. Revista “Drita Islame”. Tetor 2017, f. 49).

Profesor Hajri Shehu është një intelektual-shkencëtar me një botë mjaft të pasur shpirtërore. Është i thjeshtë si e vërteta dhe ke kënaqësi ta dëgjosh kur bisedon shtruar, pa folur kurrë për vetveten.

Tiranë, 29 qershor 2018

 

Comments

comments

-----