Harkëtari i Skënderbeut

Tregim nga Viron Kona

 

 

 

Gjatë rrethimit të parë të Krujës1), një harkëtar krutan, i propozoi Skënderbeut që të futej fshehurazi gjatë natës në kampin armik, t`i vinte zjarrin disa çadrave të pashallarëve dhe të provonte të godiste me shigjetë oficerë madhorë osmanë, mbase edhe vet Sulltan Muratin e Dytë.

-Kam lindur dhe jam rritur në këtë zonë,- i tha ai,- njohë gjithçka në pëllëmbë të dorës, por di edhe shtigjet nga mund të futem dhe të dalë pa u vënë re… Skënderbeu e dëgjoi me interesim dhe e këshilloi që të mos shkonte vetëm, por edhe me dy apo tre të tjerë. E ndërsa harkëtarët do të shkaktonin panik në radhët e  ushtrisë osmane, vet Skënderbeu me kalorësit e tij do të sulmonte trupat armike nga krahu tjetër.

-Më mirë të shkoj vetëm, sepse dua që të kem sa më shumë shigjeta,-i tha           harkëtari,-E di që shigjetat i kemi me numër të kufizuar, por unë nuk do t`i harxhoj kot.

-Dakord,-pranoi Skënderbeu dhe shtoi:-Zjarri që ti do t`u vësh çadrave të armikut, do të jetë njëkohësisht edhe sinjal për sulmin tonë.

Dhe, ndërsa harkëtari i armatosur me hark e shigjeta, u nis nëpër errësirë, Skënderbeu filloi të organizojë sulmin e befasishëm që do të kryente asaj nate.

Harkëtari ndoqi një shteg të fshehtë, që e njihte mirë dhe përmes kthesave e monopateve të ngushta, u fut pa shumë vështirësi midis reparteve të ushtrisë armike, të cilët, të kapitur nga sulmet e vazhdueshme dhe të pasuksesshme mbi kështjellë, sapo kishin rënë në të flinin.

Pasi gjeti një pozicion të mirë dhe të maskuar, harkëtari priti që rojet e patrullës më të afërt t`i kthenin shpinën dhe hodhi njërën pas tjetrës disa shigjeta me zjarr mbi çadrat e pashallarëve dhe gjeneralëve madhorë. Zjarri i menjëhershëm shkaktoi rrëmujë dhe panik të madh. Ushtarë dhe oficerë të shumtë venin e vinin rreth e qark të përgjumur e të alarmuar pa e kuptuar dot se nga u erdhi ai sulm i papritur. Harkëtari u tërhoq ngadalë drejt një shtegu paksa të ngritur dhe po vëzhgonte me sytë katër  sheshet e ndriçuara përpara çadrave. Ja, midis ushtarëve dhe oficerëve, po shfaqeshin pashallarë dhe gjeneralë madhorë, që jepnin urdhra kuturu dhe lëviznin andej-këndej të çoroditur. Harkëtari ngriti harkun e shtriu fort dhe nisi të godiste me shigjetat e tij vdekjeprurëse. Çdo shigjetë binte mbi shënjestër. Ndërsa godiste,  harkëtari nuk e hiqte vështrimin nga çadra  e madhe e Sulltan Muratit të Dytë. Distanca ishte e largët, por ai kishte besim në aftësitë e tij. Ishte mjeshtër i rrallë në përdorimin e  harkut e shigjetës. Kur ishte bari me dhenë, me atë hark godiste ujqërit që guxonin t`i afroheshin tufës së bagëtive dhe, sa here godiste, aq herë shigjetat binin mbi egërsira. Edhe pushtuesit osmanë si ujqër i konsideronte, madje edhe më të egër… Zallamahia në kampin osman u bë edhe më e madhe, sidomos kur u përhap lajmi se Skënderbeu me kalorësit e tij po sulmonte krahun tjetër të ushtrisë, diku nga ana perëndimore e fushës së Tiranës. Prej andej vinin zhurmat e përleshjes dhe shfaqeshin zjarre që përhapeshin me shpejtësi.

Një çast, harkëtarit iu bë se dalloi në krye të çadrës së madhe dhe vetë  Sulltanin e madh. Me siguri ai ishte. I rrethuar në mes të pashallarëve dhe gjeneralëve, ai jepte dhe merrte duke bërë me shenja nga kalaja e Krujës dhe duke i bërtitur herë njërit dhe herë tjetrit…Harkëtari vendosi ta godiste, por vuri re se nuk kishte më shigjeta. Mallkoi vetën që i kishte harxhuar shigjetat me nxitim duke goditur pareshtur pashallarët dhe gjeneralët madhorë…E kishte humbur rastin e madh. Drejt tij po vinin një grup kalorësish. E kishin diktuar. Atëherë, nëpërmjet  shtegut të fshehtë u tërhoq me shpejtësi drejt njërit prej vendqëndrimeve të ushtrisë së Skënderbeut.

Të nesërmen, duke bërë konkluzionet e atij sulmi të rrufeshëm, Skënderbeu, thërriti pranë harkëtarin, e përgëzoi përpara ushtrisë dhe e pyeti:

-Arrite të hedhësh ndonjë shigjetë mbi çadrën e Sulltanit?

-Jo,-u përgjigj harkëtari si me faj,-kur Sulltani u shfaq përpara çadrës së tij, unë i kisha harxhuar të gjitha shigjetat.

-Mos u trishto,-e qetësoi Skënderbeu,-ti dhe i vetëm bëre një betejë të shkëlqyer. Jo vetëm shkaktove panik dhe një rrëmujë të madhe çoroditëse, por krahas disa oficerëve madhorë, arrite të nxjerrësh jashtë luftimit edhe dy apo tre pashallarë dhe gjeneralë të rëndësishëm armiq.

Pas këtyre fjalëve, Skënderbeu thirri oficerin e thesarit të ushtrisë dhe i tha:

-Do t`i japësh këtij harkëtari trim çfarë të dëshirojë nga thesari ynë.

Oficeri e shoqëroi harkëtarin te depoja e thesarit dhe i tha të merrte çfarë të donte. Një copë herë harkëtari pa i habitur thesarin. Nuk kishte parë ndonjëherë aq shumë monedha floriri dhe argjendi, ndaj e pyeti oficerin:

-Përse duhet i gjithë ky flori e argjend?

-Për nevojat e ushtrisë,-i shpjegoi oficeri,-veçanërisht për armë, veshje, ushqime dhe për ndihmë mjekësore. Por, një pjesë e këtij thesari, shërben edhe për shpërblimin e atyre ushtarëve dhe oficerëve, që kryejnë akte të larta heroizmi dhe trimërie. Prandaj,-i tha oficeri,-sipas urdhrit të Skënderbeut, zgjidh e merr çfarë të duash në thesarin tonë!

-Si është siguruar i gjithë ky thesar? –vazhdoi të pyeste harkëtari.

-Një pjesë u është zënë armiqve në beteja, pra është plaçkë lufte; kurse pjesa më e madhe është ndihmë e popullit për ushtrinë tonë. Sidomos tani që jemi të rrethuar na duhet shumë monedha floriri për të blerë  armë, por edhe veshje dhe ushqime nga tregtarët dhe vendet aleate. Por, ti, mos u druaj, sepse për ty ka urdhëruar vet Skënderbeu,-e nxiti harkëtarin oficeri i thesarit.

Harkëtari qëndroi dhe një çast i menduar, pastaj kush e di pse nisi të kruante xhepat.

-Çfarë kërkon,-e pyeti oficeri i habitur,-apo mendon se xhepat e tu janë të vegjël dhe nuk i nxënë monedhat e floririt që dëshiron të marrësh?

-Jo, jo, po kërkoj diçka tjetër,-i tha ushtari dhe nxori nga xhepat disa monedha të vogla.

-Të lutem,-e pyeti ai oficerin,-çfarë armësh mund të blihen me këto monedhat e mia?

-Me to mund të blejmë vetëm tre shigjeta me majë metalike venedikase, – iu përgjigj buzagaz oficeri i thesarit.

-Atëherë, të lutem merri këto monedha dhe bashkoji me thesarin e ushtrisë sonë. Nëse unë do të kisha edhe tre shigjeta më shumë, mbase do të kisha arritur të goditja edhe vetë Sulltanin e madh,-tha harkëtari i Skënderbeut.

 

————————–

1).Rrethimi i parë i Krujës ka ndodhur në pranverën e vitit 1450. Një ushtri osmane prej rreth 100.000 trupash, e udhëhequr nga Sulltan Murati i Dytë, rrethoi kalanë dhe nisi të kryente pareshtur sulme për ta pushtuat, duke përdorur armatimet më moderne të kohës dhe të gjithë taktikat dhe dredhitë e mundshme.

Një garnizon ushtarësh mbronte kalanë nën udhëheqjen e Kont Uranit. Ata luftonin me moton: “Kastrioti na e la neve qytetin në dorë që ta mbrojmë dhe jo të na mbrojë”. Ndërkaq, Skënderbeu, me kalorësit e tij sulmonte befasisht dhe pareshtur, ditën dhe natën, kampet e ushtrisë osmane të vendosura rreth Krujës, si dhe në fushën e Tiranës. Por ai sulmonte edhe karvanët me ushqime që vinin nga Turqia dhe furnizonin ushtrinë e madhe.

Gjatë katër muajve që zgjati rrethimi, Sulltan Murati i Dytë përdori shumë mënyra dhe mjete për të pushtuar kalanë e Krujës, por dështoi. Më në fund, u detyrua të tërhiqej dhe u nis për në Adrianopojë, duke lënë me mijëra të vrarë nën muret e Krujës.

 

 

Comments

comments

-----