Ushtarakët Shqiptaro Amerikanë në lirim dhe rezervë rreth Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbej

Nga Keze Kozeta Zylo

 

I madh në emër, i madh në forcë e pushtet/ Në altar të fitores zuri vend plot dinjitet. Edmund Spenser

Pak muaj na ndajnë, kur Shoqata Shqiptaro Amerikane e Ushtarakëve në rezervë dhe në lirim “Skënderbej” u mblodh për të festuar për herë të parë në muajin mars, në fillim të pranverës kur gjallërohet jeta, me anëtarët e saj krijimin dhe organizimin e shoqatës së Ushtarakëve “Skënderbej” si një shoqatë në radhët e Diasporës që i shërben vetëm Kombit.

Stërnipërit e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Kombëtar emrin e të cilit shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” një shkollë elite që ushtarakët e kishin gëzuar qysh në adoleshencë dhe e kishin mbajtur me nder dhe kryelartë përpara Atdheut u mblodhën së bashku në një aktivitet tejet të rëndësishëm për të përkujtuar Heroin Kombëar në vitin e Tij . Askush nuk e kishte besuar që ne në moshën e tyre se një ditë si ënderrimtarë dhe luftëtarë të kohës do të vinin në Amerikë dhe do të riorganizoheshin përsëri nën emrin e nderit të Kombit, Gjergj Kastriot Skënderbej.

Në mjediset e restorantit Riccardo ne Astoria, Queens, ushtarakët, familjet e ushtarakëve dhe bashkatdhetarë u mblodhën rreth tryezave të tyre me plot respekt dhe dashuri për njeri tjetrin për të festuar në këtë ditë të bukur qershori plot diell e freski. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari shoqatës z.Bashkim Shehu ish zv/ministër i Mbrojtjes në Republikën e Shqiperisë në vitet e demokracisë. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për ardhjen si dhe të ftuarit si Kolonel Ardian Bali Atashe Ushtarak pranë ambasadës shqiptare në Washington si dhe prof.dr.Skender Kodra kryetar i Akademisë shqiptaro amerikane të shkencave dhe artit në New York. Z.Shehu vijoi se ka konfirmuar ardhjen ish Kongresisti Amerikan dhe president i Ligës Shqiptaro Amerikane Joe Dioguardi të cilin jemi duke e pritur.

Aktivitetin e moderoi autorja e shkrimit e cila tha: “Shoqata juaj mban emrin më të bukur ndër shqiptarë, Skanderbeg, sepse është emri i Heroit Kombëtar, është emri që mbledh shqiptarët së bashku në cdo cep të globit. Gjergj Kastriot Skanderbeg tërhoqi vëmendjen e gjithë burrave të Europës për luftën heroike që ai zhvilloi kundër pushtuesve otomanë. Vlerësimi më i madh për një Hero është kur ta bëjnë armiqtë që ke përballë, që lufton me ta si një shqiponjë, që i ndan më dysh dhe i kthen mbrapsht nga kanë ardhur, dhe ky ishte Sulltan Mehmeti i dytë I Turqisë i cili ka thënë:

Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një Luan i tillë!”

Ndërsa shkrimtari i famshëm francez Volteri ka thënë: “Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstandinopolin, turqit nuk do të kishin mundur kurrë ta merrnin në maj te vitit 1453”.

E ky emër i madh ka frymëzuar dhe do të frymëzojë shqiptaret nder shekuj, Ky emër është si medaljon nderi në gjoksin tuaj të nderuar ushtarakë.

Unë e di mirë seç do të thotë të lesh Mëmëdheun si emigrantë dhe fal Zotit jemi në vendin më demokratik në botë në Amerikë e cila na mirëpriti, e di mirë që asgjë s’është e lehtë, por në Atdheun tonë të dytë në Amerikë mësuam se si të jetojmë së bashku dhe me dinjitet, si të organizohemi dhe të mos harrojmë rrënjët tona shqiptare. E di mirë se organizimet që i shërbejnë Kombit janë frymëzuese, i shërbejnë emrit të madh që mbani ashtu siç do të shkruante Edmund Spenser poet i famshëm anglez në sonetin e tij për Gjergj Kastriot Skënderbeun se: “I madh në emër, i madh në forcë e pushtet/ Në altar të fitores zuri vend plot dinjitet.”

Ashtu siç e përmenda më lart ne sot jemi mbledhur për të nderuar së bashku Heroin Kombëtar, ku dy qeveritë tona shqiptare dhe të Kosovës e kanë shpallur viti i Gjergj Kastriot Skënderbeut në 550 Vjetorin e vdekjes së Tij.

Moderatorja ftoi ne podium z.Mihal Jano studjues serioz dhe skrupuloz për shumë vite i cili foli për figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun. Kumtesa kishte titullin: “Gjergj Kastriot Skënderbu, burrë shteti, ushtarak dhe diplomat i shquar.”

Studjuesi Jano midis të tjerash tha: “Gjithëkush duke njohur historinë tonë kombëtare, historinë e luftrave të mëdha antiturke sipas dokumentave dhe objekteve dallon e kupton se figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut është shumë njerëzore, është gjeniale në të gjitha drejtimet e njohjes, është sa befasuse dhe tronditëse për atë kohë të mynxyrshme, por është edhe kërshëri për frymëzime nderuese.

Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është aspak tragjik e pasiv në çdo kohë e situata që ta shikojmë sikurse shohim mjaft anadollakë apo armiq të kombit tonë që përpiqen ta denigrojnë Heroin e madh të Shqiptarëve dhe popujve liridashës të rajonit e më gjerë.

Gjergj Kastriot Skënderbeu është një personalitet shumëplanësh, si politikan dhe burrë i madh shteti, si strateg dhe komandant ushtarak me vlera të rralla, si udhëheqës popullor e Diplomat i mençur që të gjitha aftësitë dhe energjitë e tij i vuri në shërbim të realizimit të detyrës themelore të kohës që jetoi dhe asaj që do vinte, çlirimit dhe mbrojtjes së vendit nga fuqia më e madhe e kohës siç ishte shteti ushtarak turk, Perandoria Osmane.

Skënderbeu si burrë shteti e kuptoi më mirë se kushdo tjetër princ i kohës, se plotësimi i detyrës historike për mbrojtjen e Lirisë e të Pavaësisë së Atdheut nga pushtuesit lindor osmanë mund të arrihej vetëm nëpërmjet bashkimit të të gjitha forcave të Shqipërisë.

Programi vazhdoi me interpretime në vargje nga ushtaraku Isa Breçani i cili interpretoi: “Nuk mohohet Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Midis nesh kishim dy artistë të mirënjohur në mbarë Diasporën Shqiptare dhe më gjerë si Shaban Lajçi dhe Tom Gjergji të cilët interpretuan mjeshtërisht si në vargje ashtu dhe në këngë për Heroin Kombëtar.

Një kumtesë të rëndësishme mbajti dhe Prof.Dr. Kolonel Gëzim Mustafa me titullin: “Arti ushtarak i Gjergj Kastriot Skënderbeut” ku midis të tjerash tha: “Arti ushtarak që ndërtoi dhe përpunoi Skënderbeu në procesin e zhvillimit të luftës, parashikonte: zhvillimin e betejave në fushë të hapur, por dhe parimet, format e metodat e goditjeve te befasishme me forca të pakta, por shumë të manovrueshme. Ai përcaktoi drejt raportin ndërmjet katër faktorëve më të rëndësishëm të luftës, njeriut, terrenit, fortifikimit dhe armës. Fitoren Skënderbeu e mbështeste tek luftëtarët shqiptarë, shpirti i atdhedashurisë, heroizmi masiv dhe vendosmëria e tyre për të përballuar çdo sakrifice.

Ishin luftëtarët siç e pohojnë vetë osmanët, si diva me natyrë çeliku kishin lindur për të mos u përulur. Edhe luftëtari me i dobët i tyre ishte nga më trimat e fushës së luftës.

Duke vënë në themel të strategjisë së tij synimin, që me forca të pakta të mundte një armik më të madh në numër, Skënderbeu formuloi parimin se fitorja nuk varet nga numri i ushtrisë. Zbatimi i këtij parimi në kushtet e vendit tonë ishte një domosdoshmëri objektive, që vinte si rrjedhim i pabarazisë së dukshme midis forcave shqiptare dhe atyre osmane. Merita e madhe e Skënderbeut qëndron në faktin se, jo vetëm vlerësoi drejt këtë parim, por e vuri në jetë në mënyrë të përsosur, me konsekuencë e vazhdimësi për 25 vjet rresht, duke dalë gjithmonë fitimtar.

Në këtë aktivitet përshëndetën me plot mirësi dhe dashamirësi Kolonel Ardian Bali Atashe Ushtarak pranë Ambasades Shqiptare në Washington dhe prof.Dr.Skender Kodra.

Një emocion të veçante morën të gjithë të pranishmit kur në skenë erdhi djaloshi simpatik Arenc Xhaferi për të recituar poezinë: “Trim si Skënderbeu”. Arenc Xhaferi recitoi plot krenari në shqip dhe ishte veshur me shqiponjën kuq e zi dhe me plisin e bardhë… Arenci iu përgjigj pyetjeve të gazetares pranë TV “Alba Life” me shumë zgjuarësi dhe ajo që do më bënte përshtypje se e kishte vizituar Shqipërine, Tepelenën, rrënjët e prindërve dhe konkretisht në Kashisht.

Ushtaraku në lirim intelektuali Petrit Xhaferi foli për kompaninë e artit, letërsisë dhe të kulturës që kanë hapur dhe njohu pjesëmarrësit me aktivitetin që ushtron duke i ftuar që të jenë pjesëmarrës në shfaqjen “Romancë nën diktaturë”, më datën 28 korrik.

Një suprizë e bukur iu bë dhe ushtarakut Astrit Xhakolli I cili këto ditë festoi 65 vjetorin e lindjes. Bashkëhortja e tij fisnike kolonele Nadire Xhakolli i uroi jetë të gjate duke folur me krenari për jetën e tyre bashkëshortore dhe ushtarake.

Ish Kongresisti amerikan, Arbëreshi Joe Dioguardi pasardhës i Gjergj Kastriot Skënderbeut

Në hyrje të restorantit kishin dalë për ta pritur ardhjen e Dioguardit së bashku me bashkëshorten e tij Shirley Cloyes Dioguardi, ose Shote Galicën siç e quan me të drejtë Dioguardi, z.Bashkim Shehu kryetar, z.Mark Qehaja, n/kryetar dhe disa anëtarë të kryesisë ashtu siç dinë të respektojnë ushtarakët dhe shqiptarët.

Ardhja e ish kongresistit amerikan Joe Dioguardi u mirëprit me duartrokitje dhe brohoritje të stuhishme si: USA, USA, USA, çka tregonte për respektin, mirënjohjen për punën titanike të këtij Arbëreshi që s’i harroi kurrë rrënjët e të parëve. Ish Kongresisti Amerikan dhe President i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Shirley Dio Guardi. Ish kongresisti amerikan tronditi bishën serbe Sllobodan Miloshevic I cili në gjyqin e Hagës të vetmin shqiptar që përmendi me emër ishte Dio Guardi dhe Liga e tij. Dio Guardi e kishte tronditur nga themelet, sepse kishte lobuar fort me kongresistët amerikanë, senatorët amerikanë për çështjen e Kosovës, që deri atëhere s’njihej fare në qarqet e larta të politikës amerkane.

Z.Bashkim i uroi mireseardhjen z.Dioguardi, miresëardhjen që u pershendet plot përzemërsi nga të pranishmit.

Z.Mihal Jano pasi përshëndeti me plot mirënjohje ardhjen e ish kongresistit amerikan Dioguardi tha se shoqata e ushtarakëve “Skënderbej” do t’i propozoë qeverisë së Shqipërisë për t’i dhënë titullin e lartë Nderi i Kombit Dioguardit. Kur unë po ja përktheja Shirley Dioguardit se cfarë po thoshte z.Jano ajo reagoi menjëherë se: “Cilës qeveri do ja dërgojnë propozimin? Qeveritë nuk na kanë pranuar asnjëherë, se ne kemi qenë kritikë ndaj politikave të tyre, korrupsionit etj…

E dhimbshme mendova me vete dhe duke i njohur mirë marrjet e çmimeve që s’ka ngelur njeri pa i varur në gjoks sa dhe burrat e mëdhenj të kombeve do t’jua kishin zili, se ç’më solli një pështjellim, një pështjellim të një emigranteje që përjeton dramat e panumërta shqiptare…

Dioguardi foli plot kulturë dhe dije për figurën e Heroit Kombëtar dhe krenarinë e ligjshme si arbëresh që vazhdojnë ta mbajnë ndër shekuj në zemrat e tyre gjersa të ketë frymë shqiptari mbi dhe.

Z.Dioguardi ftoi pjesëmarrësit që të bëhen anëtarë të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, sepse Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane ka punuar gjithmonë në favor të Kombit shqiptar dhe ushtron presion ndër politikanë që ne duhet të punojmë dhe të veprojme si një komb i vetëm, ndonëse kufijtë nuk mund t’i ndryshojmë dot.

Dioguardi është duke lobuar për fonde për të realizuar filmin në Hollivud për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.

DioGuardi jeton në Ossining, Nju Jork, me gruan e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, shkrimtare, analiste e politikës së jashtme, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ish-botuese librash. Gruaja e tij e parë, Carol, vdiq në vitin 1997 nga kanceri. Djali i tij John është këshilltar në Shtëpinë e Feniksit, një organizatë jofitimprurëse për trajtimin e drogës, bordi i të cilit ka shërbyer që nga viti 1972. Vajza e tij Kara DioGuardi është një kompozitore dhe artiste që është shfaqur si gjyqtare në shfaqjen e famshme amerikane “Idol” dhe gjithashtu është përfshirë në Shtëpinë e Phoenix. “Wikipedia”.

Pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë nga krahinat e ndryshme nën tingujt e DJ me drejtues Ismail Fifo. Ishte një aktivitet që mblodhi ushtarakët rreth Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skëderbeut.

Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent z.Qemal Zylo.

24 qershor, 2018

Astoria, Queens, New York

 

 

 

Comments

comments

-----