Sh.B. Nacional nxori nga botimi librin me skica letrare”Simfoni Shpirti”, i shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe”

 

Një risi e veçantë në botimet e pas ’90-ës, në krijimtarinë letrare të shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Vrana Haxhiraj janë skicat, një gjini letrare që është lënë në harresë, ose e shpërfillur. Sot Vilhelme Vrana sjell për lexuesin një vëllim me 40 skica letrare. Libri mban një titull domethënës dhe të goditur, “Simfoni Shpirti”, pasi në secilën prej tyre flitet me gjuhën e shpritit. E kam thënë edhe më parë, në përurimin e librit me prozë të shkurtër të autores, “Rrugë pa kthim”(15-10-2009), “ndoshta është e vetmja shkrimtare shqiptare që jo vetëm po e mban  gjallë skicën letrare, por mund të themi se është shndërruar në emrin më të suksesshëm të krejt letërsisë shqipe, që merret me këtë zhanër. Një numer skicash të përzgjedhura për t’u përfshirë në vëllim, si: “Njeriu “Njeri”,  “Përjetësi”, “E bardhë …e blertë”, “Bisedë me jetën”, “Identiteti i saj…Një femër”, “Portret Nëne”,  “Atdheu i saj ishte e gjithë Bota”, “Krijuesi”, “Kur digjet shpirti, tymoset mendja “, “Dora e ngrohtë e një miku” etje, janë krijime të fuqishme letrare që ngrejnë nivelin e skciës në mënyrë të befasishme, por të merituar. Shkrimtarja Haxhiraj është një vëzhguese e hollë e jetës sociale në vend dhe kjo pasqyrohet në të gjitha skicat e saj, por edhe në tregimet, novelat dhe romanet. Autorja u ka dhënë shpirt, u ka dhënë jetë dhe kuptim të 40 skicave të vjetra apo të reja që janë përfshirë në këtë vëllim.

Mujë Buçpapaj

 

Dashamirësve të librit!

Këtë libër me skica letrare ua kushtoj bashkëpunëtorëve të mi të palodhur, mediave që kanë botuar artikuj, kritika dhe recensione apo pjesë të krijimtarisë sime, lexuesëve të mi an’ekënd botës, duke iu dhënë një porosi :

Duajeni këtë vend të lashtë, shumë të bukur dhe tejet të pasur, por jashtë mase të varfër, të drobitur dhe të leqendisur !

Ta doni Shqipërinë si ajrin, si dritën, si ujin dhe ajo do t’u japë atë kënaqësi që ju dhuron natyra përrallore e tokës që u lindi! Pasi ky truall është dheu i Mëmës dhe i Atit! Në këtë tokë janë rrënjët tona qysh kur lindi jeta mbi tokë. Kjo racë autoktone që jeton në këtë truall të cunguar, ku flitet gjuha e ëmbël shqipe, është pasaporta e identitetit dhe vitalitetit tonë kombëtar…Ndaj këtë vend si një ëndërr, që ofron resurse për një mirëqenie të begatë. e kam quajtur “Perla ku kanë folenë dhe qetohen Perënditë!”, pasi ky është trualli i të parëve tanë pellazgo-iliro-arbër.” Vivra

Nderim e mirënjohje!

Si mirënjohje për ndihmën e dhënë nga bashkëpunëtorët në botimin e librit “Simfoni shpirti”, falënderoj: Sh.B.Nacional, redaktoren Lejla Gorishti, Dr.Fatmir Terziun”Mjeshtër i Madh” për parathënien e veçantë; Prof.Dr Eshref Ymerin për recensën dinjitoze; shtypshkronjën Europrint, veçanërisht znj. Blerina Ndreu, Jorgo Saqellarin për kopertinën , si dhe bashkëshortin, menaxherin dhe fotografin tim personal, Fitim Haxhiraj. Një falënderim të veçantë e kam për lexuesin tim të mrekullueshëm!

Me konsideratë Autorja

Vlorë 10-4 2018

Gjithësia me mrekullitë dhe me magjinë e saj ndikojnë në natyrën njerëzore!

Pasuria gjuhësore dhe letrare e fjalorit shqip, të cilin e zbukurojnë dhe u japin shumë kuptime filozofike apo sociologjike shprehjet e shumta frazeologjike. Këto shprehje i japin një rëndësi të veçantë njërës ndër 4-5 gjuhët më të vjetra të botës. Kjo është Gjuha Shqipe. Gjuha jonë jo vetëm u ka mbijetuar të 21 qytetërimeve apo stuhive të shekujve, por sot si e vetmja gjuhë e vjetër dhe unikale, shërben për deshifrimet e shkrimeve të lashta prehistorike në gjuhë të ndryshme të botës.

Mes shumë gjuhëtarëve apo studiuesve shqiptar, në lidhje me pasurimin e fjalorit shqip, do të veçoj Prof.dr. Eshref Ymerin, i cili në shtator të vitit 2015 botoi veprën madhore, “Fjalor Frazeologjik” që ka 25160 frazeologji të gjuhës ruse, të përshtatura në gjuhën unikale shqipe. Profesorit të nderuar Ymeri i është dashur një punë vetëmohuese kërkimore e studimore shumëvjeçare, një përkushtim shkencor e moralo-atdhetar, për t’u dhuruar njerëzve të shkencës dhe të gjuhësisë një vlerë të tillë kapitale, duke e pasuruar akoma më shumë gjuhën tonë të vyer.”*‘Fjala e lirë’Vivra, 22 shtator 2015.

Lidhur me pasurinë gjuhësore shqiptare po sjell për ju, të nderuar lexues, edhe analizën e mirfilltë të kritikut bashkëkohor Dr. Fatmir Terziu që i ka dhënë kolanës letrare dy volume me titull,“Kritikë Ndryshe”, një punë studimore (kritiko-analitike) me të cilën ka dalë jashtë kornizave të letërsisë së socrealizmit.

Pasi punova një triptik letrar me titull, Mashtrim e Vetëmashtrim”, (“Fjala e Lirë”Vivra, 07/12/2011), ia nisa z.Fatmir si kritik i shumë librave të mi, qysh nga viti 2008 e në vazhdim. Doja që ai ta miratonte si krijim, që ia vlente të botohej, apo t’ia lija harresës. Jo vetëm e botoi, por brenda natës e kishte analizuar. U befasova kur lexova shkrimin tim te Tribuna letrare apo Faltorja e letrarëve shqiptarë, “Fjala e Lirë”, pas të cilit lexova edhe analizën e tij me titull,“Kur drithmat e‘klimës’ prodhojnë semantikë”(F.Terziu). Studiuesi dhe kritiku i mirëfilltë, Mjeshtër i Madh”, Dr.Terziu, sqaronte shkencërisht se një fjalë e gjuhës shqipe ‘klima’, e marrë filozofikisht(sipas fjalorit të Oksfordit) ka shumë kuptime. Për triptikun “Mashtrim e Vetëmashtrim”, dr.Terziu, ka anlizuar shumëkupimet e fjalës “klimë”…

Për analogji të kësaj kritike, në librin tim të ri, një përmbledhje me 40 skica letrare, që e kam titulluar “Simfoni shpirti”, ku sa tek njëra apo te tjetra, përgjithësisht i jam përkushtuar natyrës së vendit tim. Por nuk jam mjaftuar apo të jem ndalur vetëm te natyra si objekt apo subjekt. Madje as te fenomenet, bukuria, magjia, befasia, dilemat apo te mistikja, që ndeshen kudo dhe të gjitha papërjashtim, të ftojnë në gjirin e saj. Ka shumë faktorë që të nxisin drejt natyrës, si: trajtat, format, ngjyrat, zërat e veçantë mistikë, por mbi të gjitha efektet ndikuese të saj te njeriu, e bëjnë atë që të gërthasë.

Njëlloj si heshtja e heshtur, e cila flet, edhe natyra flet me zërin e saj të brendshëm. I lumtur është ai që ia njeh gjuhën natyrës, e dëgjon, merret vesh dhe komunikon me të. Në mënyrë të ndërsjellë, natyra që na rrethon, që vrojtojmë, që shijojmë, tek e cila gjejmë qetësinë e munguar, veçanërisht qetësinë shpirtërore apo mendore dhe çuditërisht ndikon për mirë në natyrën njerëzore. Ajo e bën njeriun më të qetë, më të dhembshur, më të dashur, më të afrueshëm dhe shumë komunikues. Sa më pranë natyrës, jemi po aq më pranë Zotit.

E parë në pikëpamje filozofike, duke u mbështetur tek kritika e Dr.Terziut,(fjala ‘klimë’prodhon semantikë),unë e bindur them se, edhe fjala ‘natyrë’ prodhon semantikë. Dimë se natyra ndryshon sipas gjerësive apo gjatësive gjeografike, stinëve, ditës e natës, në shi, në borë e në breshër, nga i ftohti apo i nxehti, transformohet gjatë stuhive, tërmeteve e vullkaneve, si dhe nga veprimi shkatërrus i njeriut. Ashtu siç transformohet apo tjetërsohet natyra, shohim se në vartësi të këtyre ndryshimeve, transformohet edhe natyra njerëzore. Tek njerëzimi ndikojnë shumë fakorë të brendshëm ose të jashtëm si ato socialë, politikë, ekonomikë dhe kulturorë. Një faktor i rëndësishëm që ndikon dhe tjetërson natyrën njerëzore, është natyra apo gjithësia që e rrethon. Nga ana tjetër e kuptimit të kësaj fjale, kujtoj se jo rrallë herë shprehemi se ai njeri ka natyrë të dobët, të egër, të butë apo dashamirëse ose tolerante. Duke qenë një termë me kuptime të ndryshme, më lind e drejta të theksoj se, fjala “natyrë” prodhon atë që ne në gjuhësi e quajmë “semantikë”.

Pikërisht pse është shumëkuptimshe, e çmoj tej mase dhe u dua shumë natyrën e rrallë të vendit tim, sepse si e mira dhe e keqja burojnë nga toka ime. Në atë baltë të njelmët, në vlagun e dheut të Mëmës dhe të Atit, aty janë rrënjët tona pellazge. Në atë natyrë është identiteti ynë kombëtar. Ndaj jam krenare që jam bijë e kësaj toke autoktone, ku prehen eshtrat e të parëve tanë pellazg-ilir-arbër dhe të etërve shqiptarë. Nga kjo tokë, në këtë natyrë të pasur lindën dhe u rritën simfonitë më të bukura që s’kanë nevojë për pentagram, pasi burojnë nga karakteri që përcakton natyrën e shqiptarit që është shembëlltyrë e natyrës së larmishme të kombit shqiptar!

Vivra

Comments

comments

-----