Shoqata Kulturore e shqiptarëve të Montrealit rinon kryesinë e saj
Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada
Pata kënaqësinë të jem i ftuar në mbledhjen e përgjithëshme të Shoqatës Kulturore-Shqiptare në Montreal që u zhvillua ditën e dielë më 10 qershor 2018. Ishte hera e parë që nga krijimi i saj para tre vjetësh që shoqata bënte një bilanc të punës së saj dhe është për t’u përgëzuar puna e saj që ka gjallëruar jetën kulturore të shqiptarëve këtu në Montreal.
Kryetarja e parë e shoqatës, zonja Anila Kati, bëri një raport mbi punën e shoqatës që nga krijimi, aktivitetet, sukseset por dhe josukseset e shoqatës që ajo drejtoi për tre vjetë. Festimi i festës së flamurit për gjatë tre viteve të jetës së saj, pikniket e organizuara, koncerti i Inva Mulës dhe Olen Çezarit, pjesmarrja në aktivitete me organizata simotra në Ottawa dhe Toronto si dhe në aktivitetet e organizuara nga përfaqësuesit e Shqipërisë në Kanada, aktivitetet e tjera sporitve dhe me bizneset që kjo shoqatë apo drejtuesit e saj i kanë mbështetur kanë qenë disa nga sukseset e përmendura në raport. Por, kuptohet, si organizatë e re, me qëllim zbulimin e rrugëve të reja dhe të pashkelura ndonjë herë, janë bërë edhe gabime ose edhe aktivitete që nuk kanë dhënë frutat e pritëshme.
Shumë nga pjesmarrësit, pasi vllerësuan punën e gjertanishme, kujtuan se puna e shoqatave është një punë vullnetare dhe se të gjithë duhet të ndihmojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe nismave që merr shoqata.
Shumë prej të pranishmëve theksuan gjithashtu gjetjen e mënyrave sa më frutdhënëse për të tërhequr fëmijët dhe rinin të mësojnë gjuhën tonë të bukur dhe pse jo të intergrohen në përpjekjet e prindërve të tyre për të mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat më të mira të atd’heut tonë.
Bashkpunim shqiptar
Në mbledhje u ngrit edhe shqetësimi se tashmë në Montreal janë disa organizata që përfaqësojnë shqiptarët dhe se si i bëhet që të gjithë së bashku t’a çojmë përpara çështjen e përbashkët të të gjithëve, që është ruajtja e traditave dhe ndjenjave patriotike tek shqiptarët por sidomos tek brezi i ri. Anëtarët e kryesisë u shprehën se ata kanë bërë përpjekje konkrete për të bashkpunuar por jo gjithmonë është gjeur gjuha e përbashkët apo mënyra e duhur e komunikimit. Por, ata u shprehën se edhe ata që do të dalin si drejtues të shoqatës kulturore do të respektojnë dhe kërkojnë bashkpunimin e shoqatave të tjera.
Shoqatë e re, gjak i ri
Mbledhja e përgjithëshme e Shoqatës Kulturore-Shqiptare në Montreal kishte si qëllim edhe rinovimin e kryesisë së saj dhe të vjen mirë tek sheh emra të rinjë por sidomos pjesmarrejen me shumicë të grave në këtë organ drejtues. Mjafton të përmendim se nga 10 emrat që do të drejtojnë këtë shoqatë shumica, 7, janë femra dhe shumë të rinjë. Kryesia e re zgjodhi për t’a drejtuar po një femër dhe një aktiviste të re, zonjën Eriola Qendro. Ajo do të ketë nënkryetar z. Artur Gjidede, sekretare zonjën Merita Bashari dhe përgjegjës për financat zotin Glen Kasneci.
Nuk n’a ngelet veç t’i urojmë kryesisë së re punë të mbarë për të mirën e gjithë shqiptarëve të Montrealit.
Comments
-----